Al Bano, Romina dhe vajza e tyre e zhdukur në SHBA

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Tragjedia e çiftit të dashur të artistëve, të mirëpritur në çdo kohë në Shqipëri, jo vetëm për shkak të muzikës, por edhe lidhjeve të ngushta të këngëtarit me vendin tonë

Këngëtari i njohur italian, Al Bano Carrisi është rikthyer të flasë për një dramë që ka shënuar jetën e tij përgjithmonë, për zhdukjen misterioze të vajzës së parë, Ylenia. Pas 26 vitesh, Al Bano duket se dëshiron të hapë zemrën dhe të kujtojë atë vit të tmerrshëm, në të cilin vajza e tij u zhduk në mënyrë misterioze, pasi mbërriti në SHBA . Al Bano është i bindur se Ylenia, e cila asokohe ishte 23 vjeç, ka vdekur nën ndikimin e drogës. “Unë e di si vdiq vajza ime, Ylenia. Para se të flisja për gazetaren që bashkëpunoi me mua për të shkruar librin, piva deri në marramendje”, shprehet këngëtari, sipas medias italiane “Libero Quotidiano”, ndërkohë që përshkruan librin e tij autobigrafik “Është jeta Ime”. Sipas artistit nga Cellino San Marco, e bija kreu vetëvrasje në një rrjedhë të Mississipi-t. “Unë e kam ushqyer veten me shpresë për vite me radhë, por sot e di se ajo ndërroi jetë mes ujërave të atij lumi”, tha Al Bano. Shkaqet e këtij gjesti ekstrem janë të panjohura për të, por këngëtari italian është i sigurt që ujërat e lumit ishin ato që morën tutje trupin e vajzës. Nga ana tjetër, Romina Power nuk i ka humbur kurrë shpresat për ta përqafuar përsëri të bijën. “Nëntori është muaji në të cilin lindi Ylenia. Ajo u zhduk në Shtetet e Bashkuara në janar të 1994-s. Asnjëherë nuk kam hequr dorë nga ideja që do të arrij ta përqafoj atë sërish. E di që shumëçka ka ndryshuar, por nëse dikush njeh një grua që duket si kjo vajzë, ju lutem më kontaktoni. Faleminderit!” – shkroi Romina Power vitin e kaluar nëpër rrjete sociale, duke e shoqëruar apelin e saj me një nga fotot e fundit të Ylenia-s. Çdo vit, këngëtarja i kushton mesazhe të ngjashme së bijës për datëlindje. Ylenia studionte letërsi në Angli, dhe vendosi të bëjë pushim e të udhëtonte drejt Amerikës për të shkruar në lidhje me kushtet e jetesës së zezakëve në vendet e pazhvilluara. Nuk mund t’i rezistonte magjisë që ushtronte New Orleans. Qëndroi në një hotel të lirë së bashku me Aleksandër Masakela-n. “Kërkuan një dhomë me dy shtretër. Nuk dukeshin si çift. Largoheshin çdo mëngjes në orën 10:00 dhe ktheheshin pas orës 18:30. Mbylleshin në dhomë dhe ishin shumë të qetë. Asnjë zhurmë e çuditshme, as aroma të çuditshme. Llogarinë e paguante çdo ditë burri. Kishte 50 dhe 20 dollarëshe në portofol. Ndoshta ia jepte ajo”, kjo është dëshmia e dhënë nga pronari i hotelit më 1994-n. Më 6 janar të këtij viti Ylenia doli nga dhoma si çdo ditë, e veshur me fustan të gjatë me lule dhe xhaketë, duke lënë gjithçka prapa: çantën e shpinës, rrobat, kartën e identitetit dhe dokumentet. Dymbëdhjetë ditë më vonë dhe të çmendur nga ankthi, Al Bano dhe Romina zyrtarisht shpallën zhdukjen e saj. Ata u përballën vetëm me kontradikta, gjysmë të vërteta dhe me një dëshmi të çuditshme. Në ditën e zhdukjes roja i një parku tha se e pa të ulur te një skelë, duke vështruar lumin e Mississip-it. “I kërkova të largohej, por ajo më murmuriti “unë i përkas ujit” dhe më pas u zhyt në ujë. Rryma u forcua dhe një anije që po kalonte ngriti valë. Ajo filloi të kërkonte ndihmë, por si përfundim humbi nëpër ujëra”, deklaroi ai. Trupi i saj nuk u gjet kurrë. Dhe pavarësisht dëshmisë, rojtari nuk ishte i sigurt se bëhej fjalë për Ylenia-n. Duket se Al Bano ka vendosur pas kaq shumë vitesh t’i besojë këtij rrëfimi. Ndryshe nga Romina, e cila besoi deri vonë se Aleksandri mbante çelësin për zgjidhjen e misterit. Ajo gjithashtu fliste për “ceremoni satanike të zeza, skllavëri dhe sekte fetare”. Masakela u arrestua, por asnjëherë nuk u gjend ndonjë provë për ta akuzuar.  Një gazetare spanjolle, Lydia Lozano, e cila ka hetuar për zhdukjen e Ylenias që nga viti 2005, thotë se vajza e Al Bano-s dhe Rominës është ende gjallë. Sipas Lozanos, dëshmitar është Riccardo Zucchi. Ai pretendon se e ka takuar Ylenia-n të paktën njëzet herë në Santo Domingo, që nga viti 1995. Sipas tij, Ylenia jeton në qytet së bashku me të shoqin, Alexander Suero Alvares.  Zucchi gjithashtu thotë se është njohur me Ylenia-n pikërisht nga miku më i mirë i Alexander-it, Luis Taveras, një toger i policisë domenikane. “Pseudonimi i të shoqit të Ylenia-s është “Gringo”. Ai është person me ngjyrë, 46 vjeç. Ndonëse nuk gëzon ndonjë punë të njohur, Alexander shoqërohet gjithmonë nga të paktën katër persona dhe kurrë nuk ndahet nga Ylenia”, shprehet ndër të tjera Zucchi. Deklaratat në lidhje me Ylenia-n janë lëshuar në programin spanjoll Salvame, që transmetohet në kanalin televiziv TeleCinco. Po ashtu, është transmetuar një video ku pretendohet një dialog i ngritur mes vajzës së Al Bano-s dhe Zucchit. Por imazhet janë plotësisht të pasigurta dhe regjisori i programit ngre shumë dyshime për vërtetësinë e videos, e cila ka të gjithë potencialin e një trilli për shpërthim mediatik. Albano dhe Romina u ndanë zyrtarisht më 3 mars të 1999, ndonëse simptomat e qarta të krizës në çift mund të lexoheshin lehtësisht në tekstin e këngës “Ancora in volo”, me të cilën Al Bano mori pjesë në Sanremo. Dhe pikërisht kur çifti u paraqit në gjykatën e Brindizit, Al Bano njoftoi përfundimin e martesës së tij në një letër të botuar nga e përjavshmja “Oggi”: Unë dhe Romina jemi ndarë. Preferoj ta them vetë, për të shmangur thashethemet. Nuk isha në gjendje ta shpëtoj martesën time. Unë bëra çmos, por dështova. Ndarja e dyshes pas 29 vitesh bashkë, përfaqëson jo vetëm fundin e një dashurie. Al Bano dhe Romina sollën portretin e një çifti të lumtur, historinë e “fermerit apulian” që u martua me “princeshën amerikane”, vajzën e yllit hollivudian Tyrone Power, dhe lindën plot katër fëmijë.  Romina ishte vetëm 15 vjeç kur takoi Albanon, në xhirimet e filmit “Në Diell”. Në atë kohë, Albano ishte këngëtar i afirmuar, ndërsa ajo një e re premtuese në rrugën e muzikës. Filluan të bashkëpunojnë dhe themeluan shtëpinë e tyre diskografike. Kësisoj, martesa e tyre u zbukurua me këngë të sheqerosura dhe melankolike. Triumfuan bashkë në Sanremon e ’82-shit me këngën “Felicita”, e më pas me “Ci sara”. Ata u bënë çifti më i dashur jo vetëm në Itali, por në të gjithë botën. Në Sanremo u kthyen edhe shumë herë të tjera bashkë, gjithmonë në krye të klasifikimeve. Por ishte pikërisht zhdukja e vajzës së tyre të madhe që u ndryshoi krejtësisht rrjedhën e jetës. Pavarësisht hetimeve, hipotezave dhe dëshmive të shumta, s’pati kurrë lajme nga Ylenia. Romina u tërhoq pothuaj krejtësisht nga jeta artistike, dhe u kthye të jetojë në Shtetet e Bashkuara. Ndërsa Albano u kthye në 1996-n në Sanremo, edhe pse jo me suksesin kur ishte bashkë me Rominën. Në vitin 2001 u zbulua dashuria sekrete e tij me “showgirl”-in Loredana Lecciso, bashkëjetesa me të cilën e bëri baba të dy fëmijëve. Në këto 14 vite bashkë me të, në media është folur shpesh për krizat në çift. Së fundmi, si shkak është përmendur riafrimi i Al Bano-s me Rominën. Por vetë Loredana e ka përgënjeshtruar këtë alternativë. Dyshja dha fillimisht 3 koncerte dedikuar muzikës italiane në Moskë. Më pas me turin e bashkimit, ata udhëtuan në Kanada e Shtetet e Bashkuara. Çifti më i dashur i muzikës italiane u rikthye në Sanremo pas 24 vitesh, në vitin 2015, dhe i bëri fansat të ëndërrojnë, pasi përkonte me 50-vjetorin e takimit të tyre të parë. Kudo hasej pyetja nëse ngjitja në skenë do të shenjonte një fillim të ri për çiftin e artistëve. Edhe pse Al Bano deklaroi gjatë një interviste televizive se partnerja e tij mbetet Loredana Lecciso dhe se Romina dhe ai tashmë janë si vëlla dhe motër, sqarimi dukej se nuk ishte i mjaftueshëm për të qetësuar dëshirën e fansave për një rikthim të mundshëm.

Lexo edhe :  Rama ndan pamje mahnitëse nga Pogradeci/Me ëmbëlsinë e freskët, ju uroj një javë të mbarë

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Italia i jep “lamtumirën” Spallettit, Azzurrit marrin pikët e para në kualifikueset

Këtë të hënë u zhvilluan disa nga ndeshjet kualifikuese të Botërorit. Italia mori 3 pikët e para në grup,...

METODA: Si autoritetet italiane mund të zbardhin vrasjen mafioze të 45 viteve më parë

Hetuesit e Prokurorisë së Palermos, në Itali, kanë zgjedhur teknologjitë e reja për të nxjerrë ADN-në nga një gjurmë e gjetur 45 vjet më...

Barcelona godet në merkato, Lewandowski i dytë kushton… zero euro!

Edhe pse Robert Lewandowski mbetet ende një "makineri" golash pavarësisht moshës së tij, te Barcelona po punojnë në fshehtësi dhe me zgjuarsi për të...

2 km nga kufiri me Serbinë, Kurti inaguron stacionin e ri policor në Zveçan

Vetëm dy kilometra larg kufirit me Serbinë, sot është përuruar objekti i ri i Stacionit Policor për Mbikëqyrjen e Kufirit në Izvor të Zveçanit. Në...

Kujt i leverdis rinumërimi në Tiranë dhe Fier? Edhe Ramës, edhe Berishës

Pas zgjedhjeve të 11 majit, Shqipëria po hyn sërish në një fazë tensioni elektoral, këtë herë jo përmes kutive të votimit, por përmes rinumërimit...

Lajme të tjera

Web TV