I paguar 350 mijë Paund në javë nga Arsenal, por i cilësuar një nga dështimet më të bujshme të klubit. Duket se për Mesut Özil kalok shpejt periudha e “mjaltit” te ekipi londinez dhe fantazisti turko-gjerman po sheh mundësinë për të luajtur në një ligë tjetër, e do ta finalizojë brenda verës.
Paga e lartë e futbollistit kontrovers bën që palët ende të mos kenë arritur në një marrëveshje, por në Stamboll ka lindur një ëndërr: Transferimi i numrit “10” te Fenerbahçe. Pretendimet nga Arsenal për kartonin e tij janë ulur shumë, vetëm 6 milionë Euro. Por me krizën e pandemisë që ka efekt edhe në Premier League, tani turqit po gjejnë metoda alternative për paratë.
Fenerbahçe nuk mund të shkojë më shumë se 3 mln euro. Ideja e fundit e Kemal Danabas, anëtar i bordit drejtues të Fenerbahces, është inovative dhe intriguese. Biznesmeni parashikon dërgimin e mesazheve nga tifozët e zjarrtë të “Fenerit”. Me një kosto prej 3 Eurosh për mesazh të dërguar, Danabas pretendon të arrihet shumë shpejt shifra e 1 milion mesazheve. Diçka e tillë përkthehet 3 milion euro dhe do të paguajë gjysmën e transferimit.
Fenerbahçe e di mirë efektin e marketingut të fantazistit turko-gjerman. Shitja e fanelave dhe produkteve zyrtare, si dhe ajo e biletave pas pandemisë, do arrijë kulmin në Stamboll.