Gjykata e Tiranës vendosi arrest me burg pa afat për Sebastian Malin. I riu mohon akuzën për përfshirjen e tij në ekzekutimin e Hekuran Billës. Prokuroria, në bazë të provave, tha se Mali është fiksuar në disa kamera sigurie dhe ka ndjekur viktimën Billa vetëm një minutë para se të kryhej ekzekutimi
“Në qendrën “Kristal” shkoj shpesh për të bërë pazar. Për këtë arsye ndërrova edhe makinën, pasi më duhej një më e madhe. Atje do të takoja edhe një vajzë. Nuk kam asnjë lidhje me ngjarjen”, kjo është alibia që ka përdorur Sebastian Mali përpara trupit gjykues, gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë ndaj tij, duke mohuar akuzat e prokurorisë, se është i përfshirë në atentatin ndaj Hekuran Billës, mbrëmjen e së enjtes të 11 qershorit. Në seancën e djeshme, e cila u zhvillua me dyer të mbyllura, prokuroria kërkoi masën e sigurisë “arrest me burg” për 22-vjeçarin. Sipas institucionit të akuzës, ka prova të dokumentuara dhe të pakundërshtueshme se i riu, i cili është edhe nipi i Viktor Markut, i dyshuar si personi që qëlloi Billën, ka vëzhguar viktimën dhe u ka dhënë informacion atentatorëve për lëvizjet e tij. Në seancën e djeshme prokuroria ka zbardhur edhe skemën se si i riu ka ndjekur Hekuran Billën. Sipas prokurorisë, tre orë përpara atentatit mafioz, 22-vjeçari ka shkuar në një pikë servisi në zonën e Laprakës. Me pretekstin se do të takonte të dashurën, ai u është lutur punonjësve të servisit që ta linte aty automjetin e tij “Smart” dhe të merrte nga ky servis mjetin “Nissan”. Sipas prokurorisë, kjo zbuloi skemën e përdorur nga vrasësit. Pikërisht me këtë “Nissan Micra” u shoqërua automjeti që më pas u gjet i djegur mbas krimit në fshatin Pezë. Sebastian Mali e mori mjetin reth orës 20:30 të datës 11 qershor, dhe u rikthye aty në orën 23:00, një orë pas ekzekutimit të Billës. Prokuroria thotë se kjo skemë është ndjekur për të humbur gjurmët. Gjithashtu, gjatë hetimeve është zbuluar se mjeti tip “Smart” nuk ishte i 22-vjeçarit. Sipas dosjes hetimore, ky mjet është marrë me qira në Shkodër, nga Viktor Marku, personi i arrestuar tri ditë më parë në Mal të Zi. Gjykata e Tiranës, pasi dëgjoi pretendimet e palëve, në përfundim të seancës vendosi ta pranojë kërkesën e prokurorisë, duke e lënë në burg Sebastian Malin, të paktën deri në përfundim të hetimeve. Në lidhje me vrasjen e Hekuran Billës 10 ditë më parë, prokuroria është duke kryer hetime intensive. Përveç dy të arrestuarve, Marku e Mali, është identifikuar e shpallur në kërkim edhe personi që largoi ekzekutorin nga vendi i ngjarjes. Burime nga grupi hetimor janë tepër të rezervuara për identitetin e të shpallurit në kërkim, por mësohet se ai ka qenë personi që ka larguar nga vendi i ngjarjes Viktor Markun. Sipas hetuesve, personi i shpallur në kërkim ka lidhje gjaku me Markun e arrestuar dy ditë më parë në Mal të Zi.
Hetimet
Prokuroria në bashkëpunim me policinë e kryeqytetit zbardhi dhe dokumentoi me prova të cilat, sipas tyre, janë të pakundërshtueshme, vrasjen e Hekuran Billës mbrëmjen 11 qershorit, në zonën e “Komunës së Parisit”. Janë sekuestruar kamera sigurie, ku sipas dosjes hetimore vetëm në rrugët e Tiranës janë këqyrur plot 80 të tilla, në një perimetër nga Komuna e Parisit, te sheshi Shqiponja, Unaza e Madhe, Kombinat dhe Pezë. Në këto pamje të siguruara, policia ka identifikuar me radhë nga autori te bashkëpunëtorët, që kanë qenë të paktën 5, ku sipas burimeve janë të gjithë rreth i ngushtë i familjes Marku. Ndërsa në vijim është ndërtuar edhe itinerari që kanë ndjekur pas atentatit, pritësit pas djegies së makinës në Pezë të Vogël, si dhe rrugën e ndjekur më pas në kthim. Prokuroria për zbardhjen e kësaj ngjarjeje i përqendroi hetimet te pista e hakmarrjes dhe deri tani për këtë krim janë arrestuar dy persona dhe është shpallur në kërkim një tjetër. Autoritetet i përqendruan hetimet te hakmarrja, për shkak se Billa në vitin 2006 hyri brenda një klubi në Angli dhe qëlloi me breshëri ndaj 3 bashkëkombësve të tij, ku për pasojë mbeti i plagosur rëndë dhe vdiq dy ditë më vonë në spital, atëkohë 24 vjeç, Prel Marku, vëllai i autorit kryesor të dyshuar, Viktor Marku. Për këtë vepër gjykata britanike e dënoi atë me burgim të përjetshëm. Pas kërkesës për ekstradim në vendin tonë, ai vuajti dënimin në burgun e Fushë-Krujës, deri në shkurt 2019, kur u lirua me kusht. Me të fituar lirinë, Billa vazhdoi lëvizjet me jashtë, në vende si Italia, Greqia, Danimarka, Holanda e Belgjika, ku sipas prokurorisë ka dyshime të forta se merrej me aktivitet kriminal në fushën e narkotikëve. Ditën e sotme do të dalë përpara gjykatës edhe Viktor Marku, i cili u arrestua në Mal të Zi, pasi u shpall në kërkim policor nga autoritetet shqiptare, si personi që ekzekutoi Hekuran Billën, vrasësin e vëllait të tij.
Arsenali i armëve në Yrshek, burg për pronarin e banesës
Gëzim Haroku, personi që i’u kap një arsenal armësh në banesë, i akuzuar si personi që qëlloi me breshëri automatiku në drejtim të kompleksit “Eiffel”, do të qëndrojë në burg të paktën deri në përfundim të hetimeve. Vendimi është marrë dje nga Gjykata e Tiranës, e cila ka pranuar kërkesën e prokurorisë që ka ngritur ndaj Harokut akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë” dhe atë të “armëmbajtjes pa leje”. 39-vjeçari përpara gjykatës ka mohuar se ka lidhje me ngjarjen e sulmit të kompleksit që ndodhet në autostradën Tiranë-Durrës. Ndërsa për armët ka thënë se ato i ka gjetur në një nje tunel në Kashar. Pretendimet e Harokut nuk e kanë bindur gjykatën dhe në fund ndaj tij eshtë caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”. Armët e gjetura në banesën e Gëzim Harokut, e cila ndodhet në periferi të Tiranës, dyshohet si i përkasin një grupi të strukturuar kriminal, pjesë e të cilit është edhe i arrestuari. Prangosja e Harokut erdhi pas hetimeve lidhur me ngjarjen e ndodhur në datën 15 qershor, ku në rrugën dytësore Tiranë-Vorë, u qëllua me armë në drejtim të kompleksit ‘Eiffel’, në pronësi të E. Çaushit. Prokuroria thotë se kjo ngjarje është dokumentuar dhe, sipas saj, autorë janë Gëzim Haroku dhe Erigers Mihasi, ky i fundit i shpallur në kërkim. Sipas dosjes hetimore, Haroku dhe Mihasi pasi qëlluan në drejtim të kompleksit u larguan me një motor, edhe ky i sekuestruar në banesën e të arrestuarit. Krahas armëve të përdorura për këtë ngjarje është sekuestruar dhe një automjet, si dhe motori me të cilin dy autorët e të shtënave me armë, u larguan nga vendi i ngjarjes. Ngjarja ndodhi rreth orës 00:35 të 15 qershorit, ku fatmirësisht nuk pati viktima, por vetëm dëme materiale. Në banesën e 39-vjeçarit katër ditë më parë uniformat blu gjetën dhe sekuestruan 1 mitraloz të lehtë; 7 kallashnikovë; 3 pistoleta; 2 armë automatike MP7; 1 pushkë me dylbi; 1 armë gjahu; 10 granata dore;10 detonatorë; 10 kallëpe me tritol fitil zjarr-përcjellës; një sasi fishekësh; një automjet, si dhe dy motorë sportivë. Të gjitha armët janë dërguar në laboratorin shkencor për të parë nëse janë përdorur në ngjarje të tjera kriminale, pasi, sipas burimeve nga organi i akuzës, ka dyshime se ato mund të jenë përdorur në disa ngjarje kriminale që kanë tronditur vendin kohët e fundit.
/En.Br./Fjala.al