Bisedimet Kosovë-Serbi, ja çfarë thonë analistët amerikanë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Shtëpia e Bardhë ka ftuar të shtunën Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi dhe Presidentin e Serbisë Aleksandër Vucic për një takim të ndërmjetësuar prej saj, në të cilin SHBA do të përpiqen të rigjallërojnë bisedimet e ngecura për normalizimin mes dy vendeve. Dy analistë amerikanë, Damon Wilson dhe Daniel Serwer folën me Zërin e Amerikës mbi pritshmëritë e takimit. Ata u intervistuan nga kolegu Ilir Ikonomi.

Ndërsa takimi i 27 qershorit afron, disa hollësi të rëndësishme janë bërë të ditura. Richard Grenell, i ngarkuari i posaçëm i Shtëpisë së Bardhë për bisedimet Kosovë-Serbi, thotë se takimi do të përqendrohet te çështjet ekonomike, ndërsa çështjet politike do të lihen për t’u zgjidhur nga Bashkimi Evropian.

Disa kanë shprehur dyshimin se takimi në Shtëpinë e Bardhë mund të jetë më tepër një spektakël që administrata të mund ta paraqesë si sukses të saj.

Por Damon Wilson, nënpresident ekzekutiv i organizatës “Këshilli Atlantik” në Uashington, thotë se takimi është një lëvizje e mirëseardhur.

Bota ka ndryshuar. Kemi patur një pandemi, kemi patur një recesion botëror dhe protesta në SHBA. Por edhe në vetë rajonin ka patur mjaft drama politike. Bashkimi Evropian ndryshoi udhëheqje. E gjithë kjo krijoi përshtypjen se po humbnim momentin, se ndoshta Ballkani po dilte në fund të agjendës… Tani ne shikojmë që kjo diplomaci po intensifikohet dhe kjo është gjë e mirë.”

Daniel Serwer, i cili ka punuar prej një kohe të gjatë me çështjet e Ballkanit, nuk beson se ndarja e roleve mes SHBA dhe Bashkimit Evropian përsa i takon bisedimeve Kosovë-Serbi është një ide e mirë.

Kjo ndarje e punës nuk ka kuptim në vështrimin afatgjatë. Evropa është në fund të fundit një bashkim ekonomik dhe Serbia e Kosova kanë ambicie për t’u bërë pjesë e këtij bashkimi ekonomik. Prandaj, që amerikanët në vështrimin afatgjatë të merren me çështjet ekonomike nuk ka kuptim, po ashtu nuk ka kuptim që evropianët të merren me çështjet politike. Sepse ndikimi dhe prestigji amerikan, sidomos aftësia e tyre për të folur me rusët do të jenë të nevojshme për të zgjidhur çështjet politike.”

Shefi i politikës së jashtme të Bashkimit Evropian Josep Borrell tha të hënën se ai nuk do të bëhet pengesë për Shtetet e Bashkuara, nëse ata arrijnë t’i ulin Kosovën dhe Serbinë në bisedime për paqe. “Ne nuk jemi në konkurrencë me SHBA se kush do ta zgjidhë i pari çështjen e Kosovës,” tha ai.

Lexo edhe :  Besa Shahini shpall kandidaturën për kryetare të Prishtinës: Na duhet ndryshim radikal

Nëse SHBA janë në gjendje t’i ulin të dyja palët së bashku, madje edhe në Kopshtin e Trëndafilave të Shtëpisë së Bardhë apo kudoqoftë, unë do të isha mëse i lumtur, por sot ekziston vetëm një dialog i strukturuar midis Prishtinës dhe Beogradit dhe ky është dialogu nën angazhimin e Bashkimit Evropian dhe Bashkimi Evropian është i gatshëm ta shtyjë atë përpara.”

Analisti Damon Wilson ka punuar në të kaluarën në këshillin e sigurimit kombëtar të Shtëpisë së Bardhë.

Nëse ne kemi mësuar ndonjë gjë për dekadat e kaluara… është se kur Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian punojnë së bashku për një qëllim të përbashkët, shanset tona për sukses janë shumë e shumë më të mëdha. Kur nuk ecim bashkë, kjo lejon palët në rajon që të krijojnë probleme, nëse shprehemi kështu dhe të na vënë kundër njëri-tjetrit. Ne kemi çështje të mëdha për të zgjidhur, duhet të jemi në një linjë dhe të kemi një qëllim të përbashkët, edhe pse kemi role të ndryshme për të luajtur.”

Nga ana e tij, zoti Serwer thotë se edhe pse nuk është i kënaqur me gjendjen e bashkëpunimit mes Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian për Ballkanin dhe sidomos për çështjet mes Kosovës dhe Serbisë, kjo nuk do të thotë se amerikanët nuk do të dalin me diçka të rëndësishme në aspektin ekonomik:

Dy gjëra do të kishin shumë kuptim nëse arrihen: Njëra është eliminimi i pengesave tregtare jo-tarifore dhe tjetra është zbatimi i marrëveshjeve teknike ekzistuese që janë çështje pothuajse tërësisht ekonomike mes dy vendeve. Do të dëshiroja që këto të bëheshin.”

I dërguari i posaçëm Richard Grenell ka përsëritur disa herë ditët e fundit se nuk ekziston ndonjë plan i fshehtë për shkëmbime territoresh si zgjidhje mes Kosovës dhe Serbisë.

Analisti Daniel Server, thotë se kjo është diçka pozitive.

Nëse zoti Grenell thotë se nuk ekziston dhe është i gatshëm të sigurojë se nuk do të ndodhë, kjo do të më gëzonte, sepse mendoj se (ndarja territoriale) do të ishte një ide e tmerrshme. Por është gjithashtu një ide e keqe që nuk vdes kurrë. Është si një zombi që vjen përqark botës, duke pritur që dikush ta ringjallë. Dhe gjithmonë gjendet dikush që nuk e njeh Ballkanin mirë, i gatshëm për ta ringjallur.”/VOA/

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Horoskopi ditor, 4 Qershor 2025

Dashi Do jeni ne kërkim te emocioneve te forta sot ju qe jeni ne një lidhje. Duke qene se komunikimi...

Pse ‘bosët’ në Angli refuzojnë të punojnë me shqiptarët? E zbulon gazeta

Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA) thotë se kriminelët shqiptarë ushtrojnë “kontroll të konsiderueshëm” mbi tregtinë e drogës në Britani. Një shtëpi bari e lidhur me...

Punonjësi i postës akuzohet për manipulim votash, bëri foto me fletët e votimit

Një postim i thjeshtë në rrjetin social Facebook ka përfshirë në një vorbull akuzash dhe presionesh qytetarin shqiptar Sinan Patozi, punonjës i postës private...

Mërtiri: Nëse ka patur vjedhje votash, nuk janë bërë pa “bekimin” e Berishës

Analisti Ergys Mërtiri, i ftuar në emisionin “Real Story”, u shpreh se kontradikta ka bashkëjetuar dhe bashkëjeton me Sali Berishën. Sipas tij, kreu i PD...

Pjetër Kaza u ekzekutua me 12 plumba! ashkëshortja: Ruhej prej gjakmarrjes

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga vrasja e Pjetër Kazës pak ditë më parë në Lezhë. Mësohet se në vrasjen e 57-vjeçarit...

Lajme të tjera

Web TV