Në pritje të vendimit, Tahiri mesazh të fortë në gjykatë: Kështu e hanë të gjithë

Gjykata e Apelit të Krimeve të Rënda, pritet të japë vendimin për ish-ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri.

I shoqëruar nga avokati i tij Maks Haxhia, ish-ministri hyri qetësisht në gjykatë, por pa kursyer një mesazh.

Duke u drejtuar nga mediat ai tha, “Kështu e hanë të gjithë”, për të hyrë më tej në godinën që ka në dorë fatin e tij.

Prokuroria kërkon dënimin me 12 vite burg për ish-ministrin, të cilin e ka kërkuar edhe në shkallën e parë të gjyqësorit.

Saimir Tahiri është akuzuar si i dyshuar për lidhje me grupin “Habilaj” që merrej me trafik droge drejt Italisë dhe se i krijonte lehtësi grupit në aktivitetin kriminal.

Ish-ministri u shpall fajtor dhe u dënua në shkallën e parë, vetëm për shpërdorim detyre me 3 vite e 4 muaj shërbim prove, duke u akuzuar se nuk kishte marrë masa për parandalimin e kanabizimit të vendit dhe nën akuzën e përfshirjes së efektivëve të policisë në këtë aktivitet kriminal./Bl.Ba/Fjala.al