Shqipëria është një ndër dy vendet e vetme anëtare të Këshillit të Evropës që nuk ka gjetur një zgjidhje për votën e shtetasve të saj që jetojnë jashtë territorit. A do të gjejë politika një zgjidhje për votimin e emigrantëve më 2021? Gazeta “Fjala” zbardh projektin e Ministrisë së Diasporës se si do të realizohet votimi me postë, dhe pse Majko nuk e sugjeron votimin rajonal
Nga Blerina Gjoka
Ministria e Diasporës, një dikaster rishtar në qeveri, që nga viti 2017, pas 3 vitesh ka një projekt konkret për sigurimin e votimit të emigrantëve, një e drejtë kushtetuese që u është mohuar deri më sot. Debati për votën e shtetasve shqiptarë që jetojnë jashtë, është një debat i kahershëm që prej proceseve zgjedhore të para të demokracisë, kur epiteti emigrant nisi të shenjonte fatin e mijërave shqiptarëve. Ata janë një komunitet i madh që mund ta kalojë 1-milionëshin, megjithëse shteti shqiptar nuk ka shifra zyrtare për këtë dhe ka një peshë po ashtu të madhe në listën e votuesve, gati gjysmën e tyre, siç pranon ministri Pandeli Majko. Por vota e tyre vijon t’i mungojë demokracisë shqiptare dhe janë cilësuar një forcë e madhe e mbajtjes në ekuilibër të ekonomisë shqiptare në vitet e vështira të tranzicionit me anë të remitancave të tyre. Socialistët erdhën në pushtet në vitin 2013 duke premtuar realizimin e të drejtës së votës për emigrantët, por 7 vite më pas, në prag të zgjedhjeve të reja parlamentare të vitit 2021, nuk ka akoma një projekt konkret nga mazhoranca dhe nga komisioni i reformës zgjedhore për ta mundësuar realisht këtë gjë. Dy ditë më parë, në mbledhjen e Këshillit të Diasporës, ministri Pandeli Majko ishte këmbëngulës në kërkesën e tij për këtë projekt, për të cilin duket se ai ka punuar që në vitin e parë të marrjes së detyrës si ministër i Diasporës, gjë që e fakton edhe një studim i vitit 2018, ku detajohen problematikat dhe mundësitë e votimit të emigrantëve. Gazeta “Fjala” zbardh disa nga propozimet e këtij projekti, i cili duket se nuk është marrë deri më tani në konsideratë nga komisioni parlamentar për reformën zgjedhore.
Votimi me postë
Në studimin e Ministrisë së Diasporës parashikohen dy lloje votimesh; ai në qendra votimi në përfaqësitë diplomatike, nëpër shtetet ku jetojnë dhe votimi me postë. Nga analiza i jepet prioritet votimit me postë, duke pasur parasysh se administrimi i procesit nga përfaqësitë diplomatike krijon mungesë besueshmërie te palët politike, për shkak se ambasadat e konsullatat shihen si administratë politike. Në diskutimin në Këshillin e Diasporës edhe kryeministri Edi Rama mbrojti idenë e votimit me postë, por ai tha që kjo kërkon një logjistikë të madhe, dhe se ajo që mund të arrihet në zgjedhjet e reja do të ishte të paktën një projekt pilot. “Për arsye të konfliktit politik e kemi përjashtuar votimin në ambasada dhe konsullata, që mund të ishte i realizueshëm.” – tha kryeministri. Ndërsa studimi i kryer për këtë lloj votimi parashikon dispozita të detajuara se si do të realizohet ai, duke nisur që nga regjistrimi me anë të një kërkese me postë, me anë të të cilës emigrantët shprehin vullnetin e tyre për të marrë pjesë në votim, kërkesa i kalon KQZ-së që e përfshin në regjistrin e votuesve, dhe deri te mënyra e dërgimit të zarfit dhe si do të numërohen votat.
Thesi i votave të emigrantëve
Një tjetër problematikë që lind me votat e emigrantëve është nëse ato do të jenë të fokusuara vetëm në një qark, si për shembull Tirana, siç propozoi deputeti socialist Damian Gjiknuri, apo do të jenë rajonale, sipas qarqeve ku emigrantët kanë adresën e mëparshme të tyre, dhe kështu vota e tyre do të shpërndahej. Nëse vota e tyre do të llogaritej vetëm në një qark, ajo do të deformonte sistemin zgjedhor shqiptar, që është proporcional rajonal, duke e kthyer peshën e votës së emigrantëve në nxjerrjen e mandateve të deputetëve vetëm brenda një rajoni elektoral. Shteti shqiptar akoma nuk ka një numër të saktë se sa votues mund të kemi jashtë kufijve, por nga një përllogaritje e afërt mendohet se kjo shifër mund të jetë gati sa gjysma e gjithë votuesve të regjistruar në regjistrin e votuesve në vend.
Ka një mospërputhje të lartë mes numrit real të votuesve dhe atyre që marrin pjesë në votim, duke aluduar drejtpërdrejt se një pjesë e madhe e “votave të munguara” janë pikërisht votat e emigrantëve. Sipas të dhënave të KQZ-së, në zgjedhjet e fundit parlamentare të vitit 2017, numri i votuesve të regjistruar në listat e votimit ishte 3452324, ndërsa numri total i votuesve ka rezultuar 1613975. Vetë ministri i Diasporës pranon se “ata nuk janë 10 %, por gati gjysma e shqiptarëve, dhe duhet bërë ndarja e listave me shqiptarët brenda vendit dhe ata jashtë”.
Gjithsesi, për aq kohë sa nuk është ndërmarrë një angazhim serioz nga shteti shqiptar për mundësimin e kësaj të drejte të sanksionuar në Kushtetutë, dhe e njohur nga Komisioni i Venecies dhe si një e drejtë universale, vota e shqiptarëve që jetojnë jashtë vendit do të vijojë të jetë e panjohur për rëndësinë që do të kishte në proceset demokratike në vendin e tyre të origjinës.
Shtetet anëtare të Këshillit të Evropës që lejojnë votimin jashtë vendit:
Algjeria, Bjellorusia, Belgjika, Bullgaria, Kroacia, Republika Çeke, Estonia, Finlanda, Gjerogjia, Gjermania, Hungaria, Italia, Koreja, Kirgistani, Letonia, Lihtenshtejni, Lituania, Luksemburgu, Moldavia, Monako, Holanda, Peruja, Polonia, Portugalia, Rumania, Rusia, Serbia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia, Zvicra, Maqedonia, Ukraina dhe UK.
Shtetet që nuk e njohin votimin jashtë vendit:
Shqipëria, Andorra, Qipro dhe Malta
(Por Andorra njeh votimin paraprak, për shtetasit që do të lëvizin për një afat të shkurtër, kurse Malta rimburson rreth 90% të kostove të udhëtimit për të votuar)
Studimi i Majkos: Problematikat dhe modelet e votimit të emigrantëve
Në një studim paraprak të kryer nga Ministria e Diasporës në vitin 2018 është parë mundësia e votimit të emigrantëve në vendet ku jetojnë. Në këtë studim thuhet se shteti shqiptar nuk disponon ende të dhëna të sakta për shtetasit e tij jashtë atdheut dhe vendbanimet e tyre. Në këtë proces është e nevojshme që këta shtetas të shprehin vetë dëshirën e tyre për të votuar:
- duke bërë një kërkesë për këtë qëllim me anë të postës;
- nëpërmjet postës elektronike duke iu drejtuar një strukture të posaçme, të krijuar pranë institucionit përgjegjës (pranë KQZ-së), i cili do të merret me procesin e regjistrimit të votuesve;
- duke u paraqitur në misionet diplomatike të Shqipërisë, kërkesës për t’u regjistruar duhet t’i bashkëngjitet adresa postare dhe mundësisht një adresë e-mail-i.
Në këtë mënyrë strukturat përgjegjëse të shtetit shqiptar do të kenë një vlerësim të saktë për numrin e shtetasve jashtë vendit që duan të marrin pjesë në votim.
Kjo ministri ka trajtuar të gjithë procesin logjistik se si mund të realizohej votimi i tyre, duke parashikuar dy modele; votimi në qendra votimi në përfaqësitë diplomatike dhe votimi me postë. Pas analizimit të dy modeleve, ky studim sugjeron votimin me postë si më të besueshëm. “Votimi i drejtpërdrejtë në qendra të posaçme votimi do të kryhej njëlloj siç bëhet aktualisht votimi brenda territorit të Shqipërisë. Votuesit jashtë vendit do të paraqiten në qendrën e votimit të ngritur posaçërisht për këtë qëllim, të pajisur me pasaportë dhe me kodin individual të regjistrimit, duke votuar për qarkun elektoral në të cilin janë regjistruar.
Votimi me Postë
Me këtë mënyrë votimi shtetasit e regjistruar si votues të jashtëm, do të kenë dy mundësi për të marrë fletët e votimit:
- duke i shkarkuar nga faqja zyrtare në internet,
- duke i marrë me anë të postës.
Procesi i dërgimit të votës në Shqipëri detyrimisht do të kryhet nëpërmjet postës speciale. Nga krahasimi i dy procedurave të votimit (elektronik dhe me postë) vlerësohet se votimi me postë ka avantazhe për rastin e Shqipërisë. Ai është më i thjeshtë dhe më pak i kushtueshëm për sa u përket kostove, administrimit dhe garancive të sigurisë sesa votimi i drejtpërdrejtë elektronik. I takon Komisionit të Reformës Zgjedhore të bëjë propozimet fundore mbi bazën e të cilave Kuvendi i Shqipërisë do të vendosë për të drejtën e votës së gati gjysmës së shtetasve shqiptarë jashtë vendit. Kjo do të shënojë një kapitull të ri për politikën dhe Shqipërinë.” – thuhet në këtë material që mban firmën e Pandeli Majkos, ministër i Diasporës që prej vitit 2017.
/En.Br./Fjala.al