Vrasja e dyfishtë/ Arrestohet Lamaj, u pagoi 10 mijë euro mjekëve të kurohej ilegalisht

Policia e Tiranës arrestoi Eduart Lamajn si një nga atentatorët kryesorë që mori pjesë në vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit në Laç. Gjatë atentatit ai mori dy plumba në gjymtyrë dhe po kurohej në një klinikë private në Tiranë. Arrestohen edhe dy mjekë

Eduart Lamaj, autori kryesor i atentatit të dyfishtë, të ndodhur rreth tri javë më parë në Kurbin, ku humbën jetën Bujar Lika dhe biznesmeni Paulin Gjergji, është vënë dje në pranga nga policia. Një hetim i përbashkët mes policisë së Lezhës dhe asaj të Tiranës ka zbardhur ngjarjen e rëndë, duke vënë në pranga 30-vjeçarin, dy mjekë, si dhe duke shpallur në kërkim tre persona të tjerë që morën pjesë në ngjarjen e 29 majit. Njollat e gjakut në vendin e ngjarjes, ku i riu mbeti i plagosur, pas shkëmbimit të zjarrit me viktimat, bënë të mundur identifikimin e tij, si një nga autorët e atentatit të dyfishtë. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se Eduart Lamaj, i njohur edhe si Simon Lamaj, është identifikuar prej kohësh nga policia. Hetuesit prej disa ditësh kanë mbajtur nën vëzhgim familjarët e Simonit dhe prej gati dy javësh janë monitoruar të gjitha lëvizjet e tij. Ndërkohë që të gjitha veprimet hetimore janë koordinuar nga Departamenti i Policisë Kriminale. Agjentët gjatë vëzhgimeve zbuluan se i riu, për shkak të plagës që mori ditën e ngjarjes, shkonte vazhdimisht në një klinikë private në kryeqytet për të mjekuar plagën, të cilën e kishte të infektuar nga plumbi që kishte në këmbë. Mbrëmjen e së shtunës Lamaj është dërguar në spitalin privat “Amavita”, që ndodhet pranë Qytetit Studenti, për të kryer një ndërhyrje kirurgjikale, pa e referuar ngjarjen në polici. Mësohet se familjarët e 30-vjeçarit u kishin paguar 10 mijë euro dy mjekëve të identifikuar si Viktor Marku dhe Besim Lama, 46 vjeç. Pas mbledhjes së informacioneve mbrëmjen e së hënës, policia ndërmori operacionin e koduar “Klinika”, duke vënë në pranga autorin e atentatit dhe dy mjekët. Këta të fundit akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ata nuk kishin njoftuar policinë që po trajtonin një person të plagosur me armë zjarri. Hetimet për këtë ngjarje janë ende në vijim. Policia mesditën e djeshme ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale edhe makinën me të cilën atentatorët u larguan nga vendi i ngjarjes. Identiteti i tre personave të shpallur në kërkim nuk bëhet me dije, për arsye hetimi. Kontrollet për kapjen e tyre vazhdojnë, ndërkohë që emrat e tyre i janë dërguar edhe INTERPOL-it, pasi ka dyshime se ata mund të jenë larguar ilegalisht nga Shqipëria. I arrestuar për vrasjen e Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit ishte edhe i riu Kreshnik Tusha, i cili u vu në pranga në momentet e para të ngjarjes. Vetë ai kishte mbetur i plagosur, por kishte mohuar vazhdimisht përfshirjen në ngjarje. Kreshnik Tusha mbeti i plagosur jashtë hotelit ku ndodhi ngjarja. Ai u qëllua me armë pranë banesës së tij, nga grupi i atentatorëve të Bujar Likës dhe Paulin Gjergjit, pasi ata dyshuan që Kreshnik Tusha kishte dalë për t’u bërë pritë. Të paktën këto janë edhe pretendimet e të riut, teksa vijon ende puna për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Atentati

Kurbini dhe mbarë opinioni publik u trondit mbrëmjen e së shtunës së 29 majit, ku në një atentat mafioz mbetën të vdekur dy persona. Ngjarja ndodhi rreth orës 22:15 në ambientet e jashtme të një hoteli në autostradën Milot-Mamurras, pranë fshatit Gjorm të Kurbinit. Viktima në këtë ngjarje të rëndë mbetën Bujar Lika, 37 vjeç dhe 57-vjeçari Paulin Gjergji. 37-vjeçari Lika, i cili njihet edhe si Bujar Hasani, ndërroi jetë në vend, ndërsa 57-vjeçari Gjergji u dërgua me urgjencë në Spitalin e Traumës, por fatkeqësisht nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra dhe pas disa orësh ndërroi jetë. Autorët kanë qëlluar me breshëri automatiku ndaj dy viktimave, të cilët kanë qenë të ulur në ambientet e brendshme të hotelit ku ndodhi ngjarja. Viktimat u janë përgjigjur me armë atentatorëve, ku nga shkëmbimi i zjarrit mbeti i plagosur 30-vjeçari Eduart Lamaj. Viktima, Bujar Lika, njihej si mik i Ervis Martinajt. Ai rezulton një emër i njohur për policinë, pasi në vitin 2015 ishte mes të hetuarve për vrasjen e Enton Nikajt në Dajt. Për vrasjen e Nikajt fillimisht nga Shkalla e parë më 2016-n u dënuan Emiljano Tasho 16 vjet, Erjon Biraçi 2 vjet, Ervis Martinaj 1 vit e 4 muaj, Mirsad Kuçana 1 vit e 4 muaj dhe Bujar Lika 1 vit burg. Ndërkohë, Paulin Gjergji, i cili njihej edhe me mbiemrin, Markaj, mbahej si një biznesmen i madh. Ai ka pasur në pronësi ish-kazinonë “Vegas” që ndodhej në zonën ish-Bllokut në Tiranë, në rrugën “Sami Frashëri”.

Lexo edhe :  "Janë intimiduar dhe kërcënuar dëshmitarët", Kryemadhi akuza para dyerve të SPAK

Vrasja e Hekuran Billës, arrest me burg për të dyshuarin Marku

Viktor Marku, i dyshuari kryesor për ekzekutimin e Hekuran Billës te “Komuna e Parisit”, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës. Në seancën e djeshme prokuroria ka paraqitur në gjykatë urdhrin e shoqërimit të autoriteteve të Malit të Zi, sipas të cilave ndalimi i Markut është bërë me kërkesë të Interpol Tiranës. Pasi u njoh me aktet, gjykata vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg”, ndaj 34-vjeçarit të paktën deri në përfundim të hetimeve. Nga ana tjetër, avokati i Markut ka ngritur pretendimin se dokumenti duhej të sillej një ditë më parë dhe ka kërkuar në gjykatë të gjithë dokumentacionin që disponon prokuroria, por kërkesa është rrëzuar. Kujtojmë se dy ditë më parë seanca ndaj Viktor Markut u shty për dje, pasi prokuroria nuk kishte në aktet e saj urdhërarrestin ndërkombëtar në ngarkim të 34-vjeçarit. Gjatë seancës së djeshme, përpara trupit gjykues, Marku ka mohuar të ketë gisht në krim, duke thënë se natën kur ka ndodhur ngjarja ka qenë në Mal të Zi, vend ku dhe u arrestua disa ditë më pas. “Jetoja dhe punoja në Mal të Zi, nuk jam i përfshirë në krim, le ta gjejë policia autorin”, ka thënë ai. Sipas dosjes hetimore, nga verifikimet e kryera, rezulton se Marku ka kaluar drejt Malit të Zi nëpërmjet pikës kufitare të Muriqanit, më 19 janar, teksa dyshimet e prokurorisë janë përqendruar se ai ka hyrë në tokën shqiptare, nëpërmjet kufirit të gjelbër. Sakaq nga kamerat e sigurisë të bizneseve pranë vendit ku ndodhi vrasja, Marku është parë të zbresë nga një makinë tip “Smart”, të cilën e kishte marrë me qira, për të hipur në një tjetër tip “Benz”, e njëjta që u përdor nga autorët e atentatit dhe rezulton e vjedhur. Hetimet kanë zbuluar se makina tip “Benz” e ka ndjekur viktimën që nga zona e Kombinatit, për ta ekzekutuar më tej në zonën e “Komunës së Parisit”. Marku qëndronte në mënyrë të parregullt në Malin e Zi dhe, falë shkëmbimit të informacioneve mes policisë shqiptare dhe policisë malazeze, u bë i mundur lokalizimi dhe kapja e tij në shtetin fqinj, për t’iu dorëzuar autoriteteve shqiptare në pikën kufitare të Hanit të Hotit. Krahas Viktor Markut, policia ka arrestuar si bashkëpunëtor në krim, 22-vjeçarin Sebastian Mali. Ndalimi i Malit, sipas policies, u bë pasi, në datën 11 qershor, rreth orës 21:50, në rrugën “Prokop Mima” Tiranë, ka bashkëpunuar në vrasjen me armë zjarri të shtetasit Hekuran Billa. Mali është nipi i shtetasit Prel Marku, i cili është vrarë në vitin 2006, në Angli, nga viktima Hekuran Billa, vepër për të cilën ai ishte dënuar dhe kishte arritur të lirohej.

/En.Br./Fjala.al