Portieri golashënues i Superligës shqiptare, Isli Hidi, në një intervistë për gazetën “Fjala” tregon ecurinë e ekipit të Bylisit në këtë kapionat dhe vendin si titullar dhe “ekzekutues” i penalltive. Qëllimi për të fituar Kupën e Shqipërisë dhe e ardhmja e 39-vjeçarit në superformë
Nga Katerina Tafa
Ndonëse në moshën 39-vjeçare, futbollisti nga Tirana vijon të jetë në superformë dhe të luajë një rol të rëndësishëm në ekipin ballshiot, duke e merituar rolin e titullarit. Hidi ka treguar një performancë të mirë gjatë sezonit 2019-2020 dhe këtë jo vetëm në mbrojtje të portës, por duke shënuar edhe 5 penallti të rëndësishme të skuadrës së tij, ku e fundit ishte ajo që shënoi ndaj Skënderbeut, në ndeshjen e ditës së shtunë.
Në një intervistë për gazetën “Fjala” ai ka folur për këtë ndeshje dhe ka theksuar faktin se jo vetëm me Skënderbeun, por me të gjitha ekipet e forta, Bylisi ka treguar forcën, ndërsa ka theksuar edhe faktin që në fazën e tretë pati disa probleme të brendshme. “Faktikisht Bylisi po bën një sezon shumë të mirë. Jo vetëm me Skënderbeun, por me të gjitha skuadrat pretendente Bylisi ka treguar forcën e vet si brenda, ashtu edhe jashtë fushës sonë. Patëm një moment jo të mirë në fazën e tretë, për shkak të dëmtimeve e largimeve dhe afrimet e reja duhet të kenë më shumë kohë për t’u ambientuar me ekipin. Megjithatë, besoj se tani ai problem ka kaluar. Besoj që jo vetëm Skënderbeu, por të gjitha ekipet duhet të na respektojnë për çfarë kemi bërë deri tani në këtë sezon.”- thotë Hidi. Më tej, ndërsa ka folur për planet e së ardhmes, ku ka zbuluar që dëshiron të jetë trajner, Hidi ka theksuar edhe faktin që do të vazhdojë të luajë futboll derisa të mos e lejojnë më forcat. “Për momentin ndihem mirë, megjithëse vitet bëjnë të vetën. Unë ndihem shumë mirë dhe shpresoj të vazhdoj deri sa energjitë dhe dëshira për t’u stërvitur çdo ditë me përkushtim do të më lejojnë të jap ndihmën time në ekip. Aty do të them stop dhe besoj se më pas e shikoj veten tek trajnimi, duke pasur gjithë këto vite eksperiencë në këtë fushë.” – ka vijuar ai. Ish-portieri i Kombëtares flet edhe për qëllimet e Bylisit dhe të tijat, ku theksin kryesor e vendos te garat e Evropës, për të cilat shprehet se do të arrihen. “Për momentin jemi në të dyja frontet, për të kapur Europën këtë sezon, dhe shpresoj që ta realizojmë këtë objektiv me fitimin e Kupës së Shqipërisë. Kjo është dëshira ime personale, po ashtu edhe e klubit.”- shprehet ndër të tjera Hidi.
Si e komentoni ndeshjen e fundit të skuadrës së Bylisit, ku ekipi juaj arriti të fitonte ndaj Skënderbeut, që dukej se ishte duke u rikthyer fuqishëm?
Do ta cilësoja si një ndeshje ose më saktë një fitore karakteri. Ekipi i Bylisit tregoi edhe një herë grintën dhe shpirtin e garës, që nuk ndali as në minutat e fundit.
A mund të na flisni pak për ndeshjen e fundit dhe emocionin që i jep realizimi i golit një portieri?
Normalisht që ishte një moment tepër delikat, duke ditur se në cilën minutë u akordua 11-metërshi. Sinqerisht, emocionet janë, sepse varej fati i ekipit, por kur merr të tilla përgjegjësi, ke edhe riskun. Prandaj futbolli është i bukur deri në sekondën e fundit, të jep emocione. Këtë herë fati ishte me mua, dhe për këtë gjë jam shumë i lumtur.
Është e rrallë të shikohet një portier duke shënuar penallti, jo vetëm në futbollin shqiptar, por edhe në atë ndërkombëtar, pse mendoni se Bylisi jua besoi ju shënimin e golit të fundit?
Besoj se penalltia m’u besua mua nga eksperienca që kam, plus që deri më tani kam shënuar 5 gola dhe e kishim vendosur që para kësaj ndeshjeje se kush do t’i qëllonte penalltitë.
Pse gjithmonë duket se shenjëstroni në lojën tuaj skuadrën e Skënderbeun?
Faktikisht Bylisi po bën një sezon shumë të mirë. Jo vetëm me Skënderbeun, por me të gjitha skuadrat pretendente Bylisi ka treguar forcën e vet si brenda, ashtu edhe jashtë fushës sonë. Patëm një moment jo të mirë në fazën e tretë, për shkak të dëmtimeve e largimeve. Afrimet e reja duhet të kenë më shumë kohë për t’u ambientuar me ekipin. Megjithatë, besoj se tani ai problem ka kaluar. Besoj që jo vetëm Skënderbeu, por të gjitha ekipet duhet të na respektojnë për çfarë kemi bërë deri tani në këtë sezon.
‘Portieri golashënues’ i Superligës, a mendoni se e meritoni këtë epitet?
Ndoshta, po mund të më etiketojnë, por roli im më shumë është të mbroj e të ndihmoj ekipin në realizimin e objektivave, sesa të më etiketojnë si golashënues.
Ky sezon është dukur i padrejtë për skuadrën e Bylisit, ku mendoni se qëndron problemi?
Jemi në rrugën e duhur, po luftojmë si për Kupën e Shqipërisë, ashtu edhe në kampionat. Akoma nuk ka mbaruar asgjë. Mbas 6 javësh do të mund të themi kemi bërë mirë apo jo.
Në çfarë pozitash mendoni se do të duhej ishte tashmë ekipi ballshiot?
Sinqerisht dhe personalisht mund të them që duhet të kishim disa pikë më shumë, por që prapë kemi akoma ndeshje dhe mund të përmirësohemi akoma më shumë në tabelën e renditjes.
Cilin vlerësoni si ekipin më të mirë të sezonit 2019-2020 në Superligë dhe pse?
Do t’i klasifikoja siç janë tani aktualisht në renditje, sepse kemi dhe 6 javë ndeshje, e janë akoma edhe shumë pikë në lojë, por, për mendimin tim, Tirana është më lart se ekipet e tjera në këtë sezon.
Dhe cili është, sipas jush, portieri më i mirë në futbollin shqiptar?
Kjo pyetje është pak e vështirë për mua, sepse është dhe roli i specifik. Shqipëria ka pasur shumë portierë të mirë e të talentuar; secili ka vendin e vet dhe kohën e tij në të cilën ka luajtur. Prandaj e kam të vështirë të përmend emra. Shqipëria ka pasur dhe do të ketë gjithmonë portierë të talentuar.
Cili është qëllimi juaj dhe i Bylisit për këtë sezon dhe si planifikoni që t’i arrini?
E thashë dhe pak më parë, për momentin jemi në të dyja frontet për të kapur Evropën këtë sezon dhe shpresoj që ta realizojmë këtë objektiv me fitimin e Kupës së Shqipërisë. Kjo është dëshira ime personale, po ashtu edhe e klubit.
Keni luajtur në një sërë ekipesh vendase dhe të huaja, cilin vlerësoni si më të mirin dhe në cilin prej tyre keni pasur performancën tuaj më të lartë dhe më të bukur?
Kam luajtur, po është e vërtetë, por te klubi ku jam rritur dhe kam luajtur për shumë sezone e kam fituar shumë tituj kampion, kupa e superkupa, është Tirana.
39-vjeç nuk mund të konsiderohet si një moshë e re në këtë sport, kur do jetë momenti i që Isli Hidi do të ndahet nga futbolli aktiv, dhe cilat janë planet e së ardhmes?
Për momentin ndihem mirë, megjithëse vitet bëjnë të vetën. Unë ndihem shumë mirë dhe shpresoj të vazhdoj derisa energjitë dhe dëshira për t’u stërvitur çdo ditë me përkushtim do të më lejojnë të jap ndihmën time në ekip. Aty do them stop dhe besoj se më pas e shikoj veten tek trajnimi, duke pasur gjithë këto vite eksperiencë në këtë fushë.
A mendoni se do ta mbyllni karrierën tuaj tek ekipi i Ballshit, dhe cili do të donit të ishte ekipi i fundit për të cilin të luanit?
Kemi kohë për këtë pjesë, tani jam i fokusuar totalisht te Bylisi, për të dhënë gjithçka që të arrihen objektivat që ka klubi, së bashku me presidentin Besnik Kapllanaj.
/En.Br./Fjala.al