Armët në pusetën pranë spitalit privat/Policia: Dyshohet se u përdorën në vrasjen e dy biznesmenëve

Policia e Shtetit del me deklaratë lidhur me armët e gjetura pranë klinikës private në Tiranë, ku kurohej ilegalisht autori i dyshuar i vrasjes së dy biznesmenëve në Laç.

Në deklaratë thuhet se vijon puna hetimore intensive për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur më 30 maj 2020, në autostradën Mamurras-Lezhë, në fshatin Gjormë, Kurbin, ku mbetën të vrarë me armë zjarri dy shtetas dhe u plagos një tjetër.

Në vijim të veprimeve të kryera, në rrugën “Pjetër Budi”, në një pusetë pas klinikës ku mjekohej ilegalisht autori i dyshuar i vrasjes, u gjetën dhe u sekuestruan dy armë zjarri pistoleta që dyshohet se janë përdorur në ngjarjen kriminale.

Më parë, falë informacioneve policore u bë i mundur lokalizimi i autorit, kapja e prangosja e tij, si dhe prangosja e dy mjekëve që mjekonin ilegalisht autorin e dyshuar.

Aktualisht vijojnë hetimet nga policia e Kurbinit, Lezhës dhe Tiranës, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes.

Eduart Lamaj u kap mbrëmjen e së hënës, i plagosur duke u mjekuar ilegalisht në spitalin privat “Amavita” në Tiranë, si i dyshuari kryesor për vrasjen e biznesmenëve Bujar Hasani (Lika) dhe Paulin Gjergji.

Si bashkëpunëtorë të Lamaj janë shpallur në kërkim 33- vjeçari Ilir Xhepaj (Likaj), 31- vjeçari Elson Alija, i njohur ndryshe si Oltion Vlashi dhe 21 vjeçari Klaudio Perkola.

Bëhet me dije se 33-vjeçari Ilir Xhepaj rezulton në kërkim, për një tjetër plagosje të ndodhur po në muajin maj.

Nga informacionet paraprake nuk dihet ende nëse ato janë përdorur në vrasjen e dyfishtë./Bl.Ba/Fjala.al