Ngërçi tek Ekonomiku/ Ministrja ultimatum rektorit: Pajisi studentët me diplomë!

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Pas katër shkrimesh seri të gazetës “Fjala” e cila ngriti shqetësimin e 315 studentëve të masterit të Fakultetit Ekonomik, ministrja e Arsimit urdhëroi rektorin e Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, t’i firmosë diplomat. Drejt zgjidhjes “mbajtja peng” prej një viti e  studentëve.

Nga Ina Allkanjari

Problemi i diplomave të Fakultetit Ekonomik në Universitetin e Tiranës, duket se po merr zgjidhje. Pas një viti pritjeje për kartonin e diplomës, për brezin e studentëve të cilët ndoqën studimet master në vitin 2017-2019, ngritjes së zërit të studentëve, sorollatjeve të tyre nga një institucion në tjetrin, përplasjeve mes Dekanatit të FE dhe Rektoratit të UT-së, si dhe skandalit të publikuar në gazetën “Fjala” për mospajisjen e këtyre studentëve me kartonin përkatës, Ministria e Arsimit ditën e djeshme dha ultimatumin.

MASR, pas kërkesës së dërguar nga studentët (ku 150 nga 315 prej tyre firmosën peticion dhe kërkonin pajisjen me kartonin e diplomës së masterit), nëpërmjet një njoftimi për mediat kërkoi nga Universiteti i Tiranës lëshimin e menjëhershëm të diplomave.

“Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë (MASR), pasi u njoh me problematikën e moslëshimit të diplomave të studentëve të Fakultetit të Ekonomisë (UT), përmes një shkrese të ministres ka kërkuar që UT të lëshojë menjëherë diplomat e studentëve”, thuhet në njoftim.

Sipas Ministrisë së Arsimit, studentët kanë shlyer të gjitha detyrimet dhe matrikullimi i tyre nga QSHA-ja ka qenë konform ligjeve dhe akteve në fuqi, kështu që nuk ka asnjë arsye për vonesat e shkaktuara nga UT. MASR-ja nënvizon se e drejta e studentëve prevalon mbi çdo mosmarrëveshje të brendshme të UT-së që ka shkaktuar këtë vonesë të papranueshme në diplomimin e studentëve.

Vihet re se MASR-ja ka reaguar në njoftim edhe në lidhje me problemin e ngritur disa ditë më parë nga gazeta “Fjala”, për nënshkrimin e 19 diplomave nga rektori i UT-së, ndërkohë që 315 të tjera vijonin të ishin në pritje. MASR-ja e konsideron këtë veprim si selektiv dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor. ”Gjithashtu, bëhet me dije se nga ana e rektorit të Universitetit të Tiranës janë nënshkruar disa nga diplomat, që numrat e matrikullimit të studentëve janë lëshuar me të njëjtën procedurë sikurse ajo e kundërshtuar nga rektori i UT-së, i cili është një veprim selektiv dhe në kundërshtim me kuadrin ligjor në fuqi”, thuhet në reagimin e Ministrisë së Arsimit, teksa nënvizohet se MASR-ja kërkon pajisjen e studentëve që kanë shlyer të gjitha detyrimet akademike me diplomat përkatëse, menjëherë!

Problemi me diplomat

Ndonëse kanë thuajse një vit që kanë përfunduar studimet master në Fakultetin Ekonomik, 315 studentë ende nuk janë pajisur me diploma. ‘Lufta’ prej vitesh mes dekanit të Fakultetit të Ekonomikut, Dhori Kule, dhe rektorit të Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni, duket se kësaj here po penalizon studentët. Të paqartë se pse procesi i tërheqjes së diplomave ka mbetur në mes, 150 studentë të Ekonomikut firmosën një peticion dhe i dërguan kërkesa zyrtare Fakultetit Ekonomik, Rektoratit të UT-së, si dhe Ministrisë së Arsimit, për pajisjen me kartonin e diplomës.

Në kërkesë theksohej se këta studentë prej më shumë se një viti po përballen me një situatë absurde dhe të paligjshme, ku pasi kanë përmbushur të gjitha detyrimet ligjore sipas ligjit, Statutit dhe Rregullores së Universitetit të Tiranës, ky i fundit refuzon pajisjen e tyre me diplomat përkatëse.

“Lidhur me kërkesën tonë për pajisjen me diploma të ciklit të dytë të studimeve, ne kemi informuar në mënyrë të vazhdueshme Rektoratin e Universitetit të Tiranës, Dekanatin e Fakultetit të Ekonomisë, dhe Qendrën e Shërbimeve Arsimore. Pavarësisht përpjekjeve tona, nga ana e institucioneve të mësipërme nuk ka pasur asnjë reagim zyrtar apo institucional, për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj problematike”, thuhet në kërkesën e studentëve.

Sipas tyre, duke u bazuar në ligjin nr. 80/2015 “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në Republikën e Shqupërisë”, Udhëzimin Nr. 15, datë 19.05.2017, të ndryshuar me Udhëzimin Nr. 18, datë 16.08.2017 të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Statutin e Universitetit të Tiranës dhe Rregulloren e UT-së, parashtruan këtë kërkesë, duke kërkuar pajisjen me diplomë, të studentëve të regjistruar në FE në vitin akademik 2017-2018. Studentët të revoltuar për këtë situatë shprehen se askush, dhe për çfarëdo arsye, nuk ka të drejtë të mbajë peng karrierën dhe të ardhmen profesionale të studentëve, për dëshirat dhe ambiciet personale.

Lexo edhe :  KQZ në vëzhgim, koordinator për të raportuar krimet zgjedhore

“Gjatë këtyre viteve ne dhe familjet tona kemi sakrifikuar shumë për të përmbushur ciklin e plotë të studimeve, Bachelor dhe Master. Pas përfundimit të studimeve, secili prej nesh ka ndërtuar planet dhe ëndërrat e tij për të ardhmen, të gjitha këto plane dhe aspirata të drejta dhe të ligjshme.

Megjithatë, të gjitha këto dhe jo vetëm, janë ndërprerë si rezultat i një konflikti të pakuptimtë që është krijuar ndërmjet rektorit dhe dekanit të FEUT, i cili ka dëmtuar dhe vazhdon të dëmtojë vetëm e vetëm studentët”, shprehen studentët në kërkesë.  Ata i drejtohen rektorit, si autoriteti më i lartë drejtues i Universitetit të Tiranës, që t’i japë zgjidhje problematikës së krijuar, duke i pajisur me diplomat përkatëse për t’i dhënë mundësi të vazhdojnë progresin në karrierat e tyre profesionale.

Ndërkohë në një intervistë për gazetën “Fjala”, Alban Korbi, zv.dekani i Fakultetit të Ekonomik, tregoi më herët se diplomat ndodhen në Rektorat, dhe ende nuk janë firmosur nga rektori për t’iu shpërndarë studentëve, ndonëse kanë firmën e dekanit dhe numrin e matrikullimit nga QSHA-ja. Korbi theksoi se mbetet e pakuptueshme arsyeja se pse 19 diploma janë firmosur nga rektori, ndërkohë pjesa tjetër jo.

Sipas Korbit, Fakulteti Ekonomik i ka dërguar shkresë zyrtare Rektoratit për të mësuar arsyen se pse këto diploma nuk po firmosen, por nuk kanë marrë asnjë përgjigje. “E vetmja përgjigje që marrim është se nuk i firmos, pasi nuk janë përcjellë listat e studentëve në 2017”, tha zv.dekani i Fakultetit Ekonomik.

Kjo konsiston në faktin që Fakulteti Ekonomik listat e studentëve të regjistruar në 2017 ia dërgoi direkt QSHA-së, duke i pajisur studentët me numër matrikullimi. Por Rektorati kërkon që kalimi në QSHA të bëhet prej tyre, ndaj dhe sjell problemin e firmosjes së diplomës sot nga rektori i UT-së.

“Pas matrikullimit të këtyre studentëve që atë vit, QSHA-ja ia përcolli edhe Rektoratit me shkresë, duke theksuar që këto janë listat e Ekonomikut. Ndërkohë Rektorati nuk na i përcillte, pasi kërkonte që ne t’ia kishim dërguar që në tetor të 2017-s. E para, nuk është detyrim, pasi me ligjin e ri nuk e bën më miratimin e studentëve Rektorati,  plus kjo fazë kaloi dhe numri i matrikullimit për këta studentë u vendos”, shprehet Korbi.

Sipas tij, me ligjin e ri, që ka hyrë në fuqi më 6 tetor të 2015,  studentët fitues zgjidhen nga Departamenti dhe miratohen nga dekani. Nga ana tjetër, i pyetur nga gazeta “Fjala”, lidhur më ketë çështje, drejtori i Kurrikulave pranë Rektoratit, Albano Zhapaj, tha se studenti që të quhet student duhet të matrikullohet nëpërmjet Institucionit të Arsimit të Lartë, teksa theksoi se IAL-ja të vetmin përfaqësues zyrtar për të dhënat akademike të studentëve dhe për gjërat protokollare që lidhen me studentët, rektorin, jo dekanët.

Sipas Zhapajt, rektori duhet të ketë dijeni për hyrjen e studentëve në momentin e regjistrimit për të ndjekur ciklin e dytë universitar, atë të masterit, gjithashtu në fund, kur diplomohet studenti, rektori duhet të ketë dijeni që është printuar diploma. Zhapaj theksoi më herët se kjo i jep të drejtë rektorit që të firmosë apo jo një diplomë dhe, sipas tij, nuk ka asnjë të dhënë të dërguar nga dekani për këtë gjë.ka.ta/Fjala.al/

 

Të fundit

Paguan 1000 euro për vizë pune në Kanada, agjencia e mashtron! Pronari zhduket

Një rast mashtrimi me viza për në Kanada është denoncuar së fundmi nga qytetari Luan Ndou në emisionin...

Analiza: Faturat e reja të energjisë do të zbrazin shportën e konsumatorit

Nëse faturën e rrymës për muajin mars e keni paguar 33 euro, për të njëjtën sasi të shpenzuar të rrymës në maj do të...

18 vite BURG dy shqiptarëve që përdh*nuan anglezen!

Pamjet e marra nga kamerat e sigurisë për përdhunimin e një anglezeje u ka kushtuar nga 9 vite burg dy shqiptarëve në Angli. Në tetor...

E rëndë në Greqi/ Shqiptari humb jetën në Komisariatin e policisë greke!

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Komisariatin e Hanias të Greqisë, ku një i burgosur shqiptar 33-vjeçar është gjetur i...

“Gjysma e burrave janë çyryk”- Berisha i përgjigjet Ramës: Gjuhë prej kopuku!

Kryedemokrati Sali Berisha dënoi gjuhën e përdorur nga Edi Rama nga takimi që zhvilloi në Dibër një ditë më parë, ku gjysmat e burrave...

Lajme të tjera

Web TV