Nga Ina Allkanjari
Gjendra tiroide është një gjendër e vogël që peshon 15 deri 25 gr, e vendosur në pjesën e përparme të qafës. Gjendra e tiroides ka një rol të rëndësishëm në organizmin e njeriut, pasi është përgjegjëse për prodhimin e dy hormoneve: tiroroksinës dhe trijodotrioninës. Një një intervistë për gazetën “Fjala”, mjeku endrokrinolog, Dashamir Gjergji, na tregon se cilat janë simptomat e çrregullimit të tiroides, si dhe cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problematikave shëndetësore të tiroides. Sipas endrokrinologut, faktorët që shkakatojne sëmundje të tiroides janë kryesisht gjenetikë, të brendshëm, kur njeriu ka një predispozitë të trashëgojë një sëmundje të caktuar të gjendrës tiroide nga prindërit e tij. Por kemi dhe faktorë fenotipikë, kur sado në rregull të jetë tiroidja, ambienti i jashtëm është jo i përshtatshëm apo agresiv, duke çuar në shfaqjen e problemeve të tiroides. Mjeku thekson se mjekimi i sëmundjeve të tiroides varet shumë nga momenti i diagnostikimit, nga gjendja e të sëmurit, shkalla e dëmtimeve që ka pësuar funksioni i tiroides.
Çfarë është gjendra tiroide?
Gjendra tiroide është një gjendër e vogël që peshon 15 deri 25 gr, e vendosur në pjesën e përparme të qafës dhe prodhon dy hormone, T3 (trijodotrioninë) dhe T4 (tiroroksinë).
Roli i hormoneve të tiroides është t’i njohë dhe të veprojë mbi receptorët e tyre në qeliza, në mënyrë që të rregullojë metabolizmin e çdo qelize. Përveç kësaj, ato ndikojnë si në procesin e rritjes dhe zhvillimit mendor e fizik, e ndihmojnë organizmin në adaptimin me temperaturat e jashtme, ndikojnë në forcimin e kockave, shtojnë oksigjenimin e çdo qelize. Pa prezencën e hormoneve të tiroides, asnjë qenie njerëzore nuk do të jetonte dot, apo trupi ynë nuk do të ishte në gjendje të kryente asnjë veprim fizik apo mendor. Tiroidja si gjendër endokrine i hedh direkt në gjak substancat që prodhon. Më shumë se 99% të hormoneve të tiroides janë të lidhura me proteina dhe nuk janë aktive, vetëm pjesa e lirë e tyre është aktive. Kjo pjesë e lirë është përgjegjëse për të gjitha efektet fiziologjike të gjendrës tiroide në organizëm.
Cilat janë simptomat e çrregullimit të tiroides?
Në varësi të çrregullimit që pëson funksioni i tiroides, kemi 2 tipet kryesore të këtyre sëmundjeve.
1-Sëmundje që shkaktojnë mbiprodhim ose hipertiteozë
2-Sëmundje që shkaktojnë nënprodhim apo hipotireozë
Cilët janë faktorët që ndikojnë në shfaqjen e problematikave shëndetësore të tiroides?
Hipotireoza haset më shpesh në popullatë sesa hipertireoza. Femrat preken më shpesh sesa meshkujt nga këto sëmundje. Shkaqet kryesore janë autoimune, ku tiroiditi kronik Hashimoto është përgjegjës në afro 50% të çrregullimeve funksionale të kësaj gjendre. Përgjithësisht çdo organizëm ka një nivel të caktuar energjie dhe motorike që përcaktohet nga gjendra tiroide dhe faktorë të tjerë gjenetikë. Kur kemi tepri të hormoneve të tirodes, organizmi përshpejton aktivitetin e tij, ndërsa kur kemi mungesë ndodh e kundërta.
Të sëmurët me mbiprodhim të hormoneve të tirodes përjetojnë këto shqetësime:
-nervozizëm i shprehur,
-irritim,
-pagjumësi
-intolerancë ndaj të nxehtit
-djersë
-rrahje të shpejta të zemrës
-oreks i shtuar, shoqëruar me rënie në peshë
-diarre
-vështirësi në frymëmarrje
-dridhje të duarve
-ënjtje në pjesën e poshtme të kërcinjve.
Ndërsa të sëmurët me nënfunksion të tiroides përjetojnë kryesisht
-lodhje
-letargji
-ndjesia e të ftohtit (kanë shumë ftohtë)
-lëkurë e thatë
-rritje e peshës
-oreks të dobët
-çrregullime të memories
-konstipacion (kapsllëk)
-trashje zëri
Jo gjithmonë ndodh që të jenë prezente të gjitha shenjat klinike.
Cilët janë faktorët e rrezikut për gjendrën tirode?
Faktorët që shkaktojnë sëmundje të tiroides janë kryesisht gjenetikë, të brendshëm, kur njeriu ka një predispozitë të trashëgojë një sëmundje të caktuar të gjendrës tiroide nga prindërit e tij. Por kemi dhe faktorë fenotipikë, kur sado në rregull të jetë tiroidja, ambienti i jashtëm është jo i përshtatshëm ose agresiv, duke çuar në shfaqjen e problemeve të tiroides. Për shembull, nëse rritemi në zona malore, ku niveli i jodit është i ulët e, rrjedhimisht, edhe ushqimi që marrim ka nivel të ulët të jodit, kjo reflektohet në një vuajtje për tiroiden. Kjo gjendje shoqërohet me vështirësi për të prodhuar hormonet tiroidiene. Faktor tjetër rreziku mund të jenë rrezatimet e ndryshme, rrezet X janë të dëmshme për tiroiden, ndaj nuk duhet tepruar me grafi apo ekzaminime të tjera që përdorin rreze të tilla. Rrezatimet nuklerare, si në rastet e Çernobilit apo Fokushimës, jo vetëm në momentet e shpërthimit, por edhe sot pas disa dekadash vazhdojnë të shkaktojnë probleme të shumta të gjendrës tiroide në vendet e afërta me to. Në këto vende ku ka pasur rrezatim të lartë nuclear, janë krijuar probleme shumë të mëdha në popullatë, madje edhe kanceri i gjendrës tiroide në këto vende është shumë herë më i lartë krahasuar me vende të tjera, të paafektuara nga rrezatime të tilla. Ndërhyrjet kirurgjikale në zonën e qafës apo në vetë tiroiden e sëmundje të tjera dhe barnat që njerëzit mund të marrin për sëmundje të ndryshme, mund ta dëmtojnë gjithashtu tiroiden. Por në bazë të sëmundjeve të tiroides, prevalojnë shkaqet gjenetike dhe deficienca e jodit.
Çfarë analizash duhet të kryejmë?
Përgjithësisht diagnoza e sëmundjeve të gjendrës tiroide kryhet nëpërmjet analizave hormonale. Hormonet kryesore që maten janë ato që e kontrollojnë punën e gjendrës tiroide, si dhe hormonet që prodhon vetë gjendra tirode. Njihen rëndom në popullatën e gjerë këto analiza dhe shumica e pacientëve janë mësuar me terma si TSH, T4, T3 etj. Analizat hormonale vlejnë për të përcaktuar ndryshimin apo çrregullimin funksional të kësaj gjendre, apo thënë ndryshe këto e sqarojnë saktësisht nëse tiroidja e ka shtuar apo e ka ulur punën e saj. Në fakt, nuk janë vetëm 3 analiza që kryhen, sepse në varësi të problemit që dyshon specialisti, mund të maten edhe parametra të tjerë hormonalë të kësaj gjendre. Jo rrallë herë matet kalcitonina, që është një hormon tjetër i gjendrës tiroide. Kjo matet kur ka shumë noduj të vjetër, të kalcifikuar, apo kur dyshohet për një tumor specifik të gjendrës tiroide, siç është karcinoma medulare. Në praktikë ne kërkojmë shpesh të analizohen edhe rezervat hormonale të gjendrës tiroide, pra matet rezerva e saj dhe jo hormonet FT4 e FT3, që janë në qarkullim të gjakut apo edhe si formë aktive e këtyre hormoneve. Rëndësi të madhe ka vlerësimi analitik i markueseve autoimune të gjendrës tiroide, e konkretisht dozohen antitrupat ATG, ATPO, TSI. Pa hyrë në detaje dhe pa e lodhur lexuesin në këtë trajtesë, ju siguroj që nëse një mjek nuk e njeh shumë mirë fiziologjinë e gjendrës tiroide, e ka shumë të vështirë të gjykojë se çfarë analize duhet të japë dhe më vonë si duhet të menaxhohen këto çrregullime. Fatkeqësisht, në të shumtën e rasteve, pacientët nëpër laboratorë shkojnë vetë, ku përfitojnë “oferta” laboratorike, ose drejtohen nga mjekë jo të specialitetit të endokrinologjisë.
E keqja është se sido që të dalin këto rezultate, kur nuk janë dhënë nga specialisti, bëhet më i vështirë trajtimi, sepse realisht tiroidja është shumë problematike dhe kërkon ekspertë të mirë dhe me përvojë. Analizat janë guri i themelit në diagnostikë dhe në trajtimin medikamentoz të sëmundjeve të gjendrës tirode. Me shumë vlerë do të konsideroja monitorimin analitik të këtyre sëmundjeve, duke qenë se gjendra tiroide kryesisht preket nga sëmundje kronike. Funksioni i çrregulluar i gjendrës tiroide kërkon shumë kujdes dhe mjekim racional për t’u korrigjuar dhe për t’u mbajtur gjatë në funksion normal. Ekografia e gjendrës tiroide është ekzaminim i shpejtë, jo i dëmshëm dhe orienton drejt diagnozës. Me ekografi mund të dyshojmë, por kurrë nuk mund të jetë ky i vetmi ekzaminim për t’i diagnostikuar sëmundjet e tiroides dhe trajtimin e tyre. Gjendra tiroide, duke qenë se përdor jodin si element bazë të formimit të hormoneve të saj, është shumë e ndjeshme ndaj ekzaminimeve që kryhen me solucione me përmbajtje jodike. E tillë është shintigrafia e cila ka një rol thelbësor në diagnostikimin e sëmundjeve të tirodes, si dhe në monitorimin e terapisë në vazhdimësi. Skaneri dhe rezonanca magnetike, ashtu edhe ekzaminime të tjera nuk përdoren rregullisht në përditshmërinë e diagnostikës të problemeve të kësaj gjendre.
Cili është trajtimi që duhet të ndjekim?
Mjekimi i sëmundjeve të tiroides varet shumë nga momenti i diagnostikimit, nga gjendja e të sëmurit, shkalla e dëmtimeve që ka pësuar funksioni i tiroides etj. Mjekimi i çdo sëmundjeje të kësaj gjendre realizohet nëpërmjet mjekimit me barna, mjekimit kirurgjikal, apo mjekimit me jod radioaktiv. Kur kemi mungesë të pjesshme apo të plotë të hormoneve të tiroides, jepen mjekime zëvendësuese, me hormone tiroidiene, të prodhura nga industria farmaceutike. E kundërta ndodh kur kemi tepricë të hormoneve tiroidene, në këto raste jepen barna për ta frenuar prodhimin e tyre. Në këto raste duhet bërë kujdes me tipin e barit, me efektet anësore që ka bari që përdoret, me kohën e marrjes së tij, me rrezikun e kalimit nga mbifunksioni në nënfunksion etj. Mjekimi kirurgjikal rezervohet në rastet kur ka dështuar mjekimi me barna, apo nuk përbën indikacion mjekimi konservativ medikamentoz. Mjekimi me jod radioaktiv bëhet në qendra të specializuara, dhe konsiston në dhënien e një doze të jodit radioaktiv, me qëlllim për të shkatërruar një ind mbiprodhues apo malinj të gjendrës tiroide. Terapinë e përcakton specialisti, duke marrë në konsideratë të gjithë faktorët e mësipërm.
/En.Br./Fjala.al