“Kush shkon paftuar, e gjen të pashtruar!”, Aktorja Anisa Markarian: Ndjesitë e të qenit korrierja e familjes

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Anisa Markarian, aktorja shqiptare nga Tirana ka ndarë disa fragmente nga libri që do të publikojë së shpejti “Shtëpia te Selvia”. Anisa, vajza e Agop Markarian një dentisti shqiptar me origjinë armeniane, kthehet pas në kohë, në fëmijërinë e saj, kur i ishte besuar një ‘titull’ shumë i rëndësishëm nga familja, për të qenë ‘lajmësja’ e shtëpisë.

Përmes një postimi në rrjetin social ‘Facebook’, Anisa ndan  tre fragmenteve ku kujton me detaje disa nga momentet që ka hasur teksa shpërndante ftesa dhe çonte lajme te miqtë e familjes.

Postimi i plotë:

LAJMËSJA

Im atë e kishte zët t’u behte të tjerëve në derë pa i lajmëruar. Sidomos personave jashtë rrethit familjar – miqve, kolegëve, fqinjëve.

– Kush shkon paftuar, e gjen të pashtruar, – përligjej.

I përpiktë gjer në çudi, ngulte këmbë se duheshin njoftuar të paktën katër-pesë ditë më parë. Në këtë mënyrë, gjithkush do të kishte kohë mjaftueshëm për t’u përgatitur. Shpirtërisht, mendërisht e praktikisht.

Detyrën e korrierit e kryeja unë. Lajmëroja vizitat te njëri-tjetri, vajtjet në teatër a në piknik, dërgoja e sillja sihariqe lindjesh e fejesash, shpërndaja ftesa për dasma e kremtime daljesh në pension. Zellin më të madh e shprehja kur grishja të ftuarit në ditëlindjet e mia.
Për të dyja palët, përgatitja e vizitave ndiqte një protokoll ceremonial imtësisht të kodifikuar.

Miqpritësit pastronin e zbukuronin banesën; nxirrnin nga qilari verën më të mirë a një shishe raki Skrapari dhe përcaktonin qerasjet. Gatitja e tyre i ngjante një sfide për titullin e «Amvisës së Vitit». Më të dalluarat e bënin gjithçka me duart e veta: shurupin e thanave e të manaferrave, vovin, vishnjakun, glikotë, amaretat, kasatat, tullumbat e sallam-çokollatën. Pastaj i vinte radha krijimit të atmosferës. Dikush shpluhuronte albumet me foto të vjetra familjare që ngacmonin kujtimet dhe ushqenin bisedën, një tjetër zgjidhte pllakën e gramafonit me ariet më të bukura ose kasetën me këngët e fundit të inçizuara fshehtas, të tretët rrotullonin antenën e televizorit nga mali i Dajtit. Ndërsa e zonja e shtëpisë shkonte në floktore për një permanent të lehtë, i shoqi ftonte miq të tjerë ose, përkundrazi, merrte masat e duhura që të mos i shqetësonte kush kur të ishin me Markarianët.

Të mitë hekurosnin rrobat e resmisë, shkëlqenin këpucët e vendosnin se ç’do t’u dhuronin miqve. Nuk shkohej kurrë duarbosh. Për më tepër, në një vizitë të lajmëruar prej ditësh. Sipas llojit të qokës, herë u çonin një tufë me lule, një pako me kafe, një tortë a ndonjë gatesë shtëpie, herë të tjera një libër, një qëndismë a një dantellë të thurur me grep nga ime më ose një kujtim simbolik të blerë te Dyqani i Dhuratave.

– Dalim, Agop? – pyeste mami që bëhej gati e para.

– Një çast… dhe erdha! – përgjigjej babi, pa saktësuar se sa do të zgjaste çasti.

Përpara se të dilte nga shtëpia, shihej edhe një herë te pasqyra e portmantosë për t’u siguruar që gjithçka ishte në rregull. E fillonte nga flokët – të krehur e të lëmuar me kujdesin më të madh; vazhdonte me syzet, xhamat e të cilave duhej të ishin xixë. Pastaj kontrollonte dhëmbët e porsalarë me merakun se mos i kishte mbetur ndonjë grimcë nga majdanozi që përtypte për t’i dhënë frymëmarrjes aromë të mirë. Këqyrte nyjen e kravatës, mbërtheckat e mëngëve të këmishës, vijën e palës së pantallonave. Me kapelen republikë në dorë, më lutej t’i hidhja një sy xhaketës apo pardesysë për të parë në kishte ndonjë qime.

– Jo, o bà, pastër fare! – i përgjigjesha dhe i jepja një të puthur.

– I hodhe një gjysmë syri, – më qortonte.

Për t’i bërë qejfin, edhe pse nuk pikasja gjë, merrja furçën qimegjatë të rrobave dhe ia kaloja dy-tri herë mbi supet.

– Do t’arrijmë me vonesë, – parashikonte mami që, ndërkohë, kishte zbritur shkallët.

Këto fjalë e shkulnin babin përfundimisht nga pasqyra. Praninë e qimeve mbi xhaketë edhe mund t’ia falte vetes, por mungesën e përpikërisë kundrejt të tjerëve kurrsesi.

– Në ora nëntë në gjumë, ju të dy! – na porositnin njëzëri.

– Urraaa! – ngazëllenim ne sapo dëgjonim kërcitjen e portës së jashtme, shenjë që tashmë ishin në rrugë.

Merrnim me të mira teta Itën që të mos na kallëzonte te prindërit e nisnim të luanim kukafshehthi nëpër dhomat ose rrëmonim në sëndyqet e sepetet thesareshumë të familjes. Në varësi se te kush shkonin për vizitë, mund të llogarisnim me saktësi sa kohë do të rrinin që të mos kapeshim gafil. Vizitat e mirësjelljes tek armenët zgjasnin gjer në mesnatë, te kolegët dy-tri orë kur nuk ishin të ftuar për darkë, te fqinjësia pak më pak. Kur ktheheshin në shtëpi, gjurmët e rrëmujës e të hulumtimeve tona ilegale ishin fshirë si me magji.
* * *

– A ma përsërit se çfarë do t’u thuash kur të të hapin derën? – më merrte në provim ime më sa herë që më besonte një lajmërim të ri.

– Mirëdita, jam e bija e doktor Markarianit! Prindërit dëshirojnë të vijnë te ju për një vizitë ditën e…

– Tepër pompoze! Thjesht, «jam Anisa», mjafton.

– Aah?! Mirë, o mà…

– Po pastaj?

– Pastaj çfarë?!

– Ta zëmë se nuk i gjete në shtëpi, – ma vështirësonte misionin ajo.

– Do t’u fus nën derë kartëvizitën, – i përgjigjesha tak-fak dhe nxirrja nga xhepi zarfin e vogël bojëqielli që përmbante kartën njoftuese.

– Të lumtë!

Gjerësisht të përdorura një herë e një kohë, kartëvizitave bashkëshortore u kishte ikur moda. Madje, i cilësonin si mbeturina mikroborgjeze. Në rastin më fatlum, njerëzit largpamës – ata që s’dilnin kurrë nga shtëpia pa letër e laps, të linin nën derë një copë pusullë ku shkruanin arsyen e vizitës së tyre. Në të kundërt, prova që kishin ardhur por s’të kishin gjetur sajohej aty për aty, me mjete rrethanore. Një gjethe në vrimën e çelësit, një paketë cigaresh bosh nën gurin e pragut, një biletë autobusi në kutinë e letrave etj.

Kartëvizitat tona ishin shtypur përpara se të lindja unë. Edhe më parë se babi të martohej me mamin. U përkisnin viteve kur bashkëjetonte me Yzhenin. Në njërën anë ishte shkruar «Dr. A. Markarian dhe zonja»; në anën tjetër ishte teksti i lajmërimit të vizitës me vendet e lëna bosh për datën dhe orën, që babi i plotësonte me një përkujdesje të veçantë.

– Si do ta marrim vesh që e kanë lexuar kartëvizitën? – pyesja time më. – Apo të shkoj përsëri pas nja dy ditësh?

Lexo edhe :  "Ndjesë pastë një LSI"/ Rama nga Dimali, ironizon partitë e vogla opozitare

– S’ke përse! E sjellin vetë përgjigjen, me lajmësin e tyre, – më shpjegonte ajo.

– Mirë, o mà.

Nuk ishte e lehtë të meritoje titullin e ndritur «Korrieri i Familjes». Nevojitej përgjegjshmëri e lartë, disiplinë e hekurt, qëndresë fizike dhe paraqitje dinjitoze. Dhunti përmbi dhuntitë, duhej njohur Tirana me rrënjë e me dhëmballë: numrat e lagjeve, rrugët e rrugicat, shkurtoret, ndërtesat-nishan, emrat e lulishteve dhe përmendoret. Më të shumtën e herëve, kisha vetëm ca të dhëna të përafërta. Adresën e saktë e gjeja duke pyetur kalimtarët, shitëset, postierët dhe fshesaret.

– Misioni im përmbledh telegrafinë, telefoninë, lajmësin këmbësor dhe postën me kaçatorr!

– U mburresha shoqeve e shokëve kur bëheshin kureshtarë të dinin se për ku isha nisur ashtu, me hap të nxituar e një shportë të vogël në dorë.

Sipas rëndësisë së sihariqit dhe llojit të vizitës, miqtë e familjes më shtinin në shportë gjithëfarë mirakandesh e, aty-këtu, edhe ndonjë 10-lekësh. Përfaqësonin dhurëtitë e lajmëses (të siguruara «me djersën e ballit dhe fuqinë e këmbëve»), që i ndaja me tim vëlla ose i futja në kutinë e kursimit.

Për shkak të rrallësisë së telefonave vetjakë, njerëzit shfrytëzonin ndonjëherë lajmësin e mikut a të komshiut. Më ndodhte të dilja nga shtëpia për një lajmërim vizite e në kthim të ndalesha në disa porta radhazi për të kryer porositë që më ngarkonin familjet pa korrier. Diku dorëzoja një pako e më besonin një më të madhe për ta çuar gjetkë; në një banesë me televizor rezervoja dy vende për natën e fundit të Sanremos në shkëmbim të përcjelljes së lajmit që nënëdaja ishte operuar me sukses, më tutje u lija në dorë valixhen për çiftin e moshuar që do të nisej në llixhë dhe merrja çelësin e shtëpisë për t’ia dhënë kushërirës që do të kujdesej për lulet. E kështu pa mbarim, pa thënë kurrë «jo».
* * *

Fundqershor 1972 – thatësirë e përzhitur.

Këtë vit, ditëlindjen s’do ta festoj në bregdetin e Durrësit por buzë liqenit, në Pogradec. I joshur nga kolegu i tij, dentisti-kirurg Xh. Asllani, im atë ka zënë me qera një dhomë në shtëpinë e familjes Blacëri. Do të nisemi të shtunën, më 1 korrik.

Shtroja e bulevardit bën flluska çamçazifti. Ca silueta brumçe me ombrella dielli e pikëzojnë horizontin si nota pentagrami. Zhvendosem me zigzage, në kërkim të hijes: rrëzë ballinave të dyqaneve, nën çadrat e akulloreshitësve dhe tendat e shpalosura në tarracat e bareve. Kam për mision të lajmëroj miqtë e familjes se 10-vjetorin tim do ta festojmë më 28 qershor, së bashku me ditëlindjen e Markut.

– Do të ta urojmë edhe më 4 korrik se do të jemi me ju në Pogradec, – më njofton teta Krisanthi.

Banon në katin e dytë të njërës nga vilat më të bukura përballë Liceut Artistik. Muret janë me tulla të kuqe dekorative. Oborrin e hijeshojnë një pishë e një pemë manjole e lartë, në këmbët e të cilave rriten zambakë e tulipanë.

– Meqenëse do të ndalosh te Pina, a të të jap një freskore që ia pata marrë hua vjet? Kushedi si i çurgojnë djersët, të gjorës. U bëra për turp!

Teta Pina është e ve dhe banon në një nga pallatet e «Zogut të Zi». Në shkallën e saj, dyert e apartamenteve janë të pajisura me zile që «flasin». Kur shtyp sustën, ndizet një llambushkë e blertë ose e kuqe. Si të mos mjaftonte ky sinjal, në disa raste shfaqet edhe një mesazh: «jemi/s’jemi», «të pranishëm/kemi dalë». Teta Pina ka aktivuar llambushkën e kuqe që vë në pah shënimin «s’ka njeri». Ndërsa bëhem gati t’i lë kartëvizitën, tekstin e së cilës e shndërroj në ftesë për ditëlindjen, nxjerr kokën e zonja e apartamentit ngjitur me të sajin prej nga vijnë ca cicërima.

– Ti duhet të jesh goca e Xikës, – më thotë buzagaz e bën një hap drejt meje. – Pina ka shkuar tek i biri në Durrës se e mbyti vapa. Ma thuaj mua, çfarë lajmi ke?

– Jo, jo, u krye! – i përgjigjem tek fus kartëvizitën nën derë për të mos e ngarkuar me një angari që s’i përket, pastaj kujtohem për freskoren dhe ia zgjas.

– Rri pa merak se ia jap unë! – më premton.

Pas një viti në shtëpinë e teta Krisanthit e një ore në shportën time, freskorja prej gualli breshke të gdhendur e pëlhurë mëndafshi të kaltër e Pinës kalon në duart e fqinjës.

– Do të kthehesh në shtëpi ti, tani? – interesohet gruaja.

– Po.

– Ju banoni gjithmonë te Selvia?

– Ëhë…

– Meqë do të kalosh nga qendra, a të të jap ca ftesa dasme? Hë, më qafsh! E pata marrë përsipër t’i shpërndaja vetë por s’ma mban të dal nëpër zheg se vuaj nga tensioni. Adresat i ke të gjitha mbi zarf. Andej nga zona juaj janë.

«Zona» në fjalë shtrihet deri te Lana. Nga rruga e Barrikatave tek Ura e Tabakëve, duke kaluar nga Pazari i Ri dhe Pedagogjikja. Plot dy duzina ftesa! Martohet Molotovi me Proletaren – u trashëgofshin! Një çift kokë e këmbë i panjohur për mua. Në çdo derë ku do të lë një ftesë, do t’më urojnë si të ishim të një gjaku.

– Së shpejti në kokën tënde!

– Jo, jo, jam akoma e vogël.

– Pse, sa vjeç je ti?!

– Më 4 korrik do të mbush 10 vjetët.

– Ouu?! Hiç mos u mërzit! Prapa derës e ke fatin.

– …??!

Visoren malore të Dajtit e mjegullojnë avujt e purpurt të mbrëmjes. Asfalti i Tiranës është thithës. Për të mos u fundosur, duhet hipur mbi këmbalka. Ndihem e lehtë dhe krenare. Misionet e ditës i kam përmbushur të tëra. Që larg dalloj kurorën e Selvisë. Po mbërrij në shtëpi.

– O Zot! Thamë se të kishin rrëmbyer! – deklamon mami që vigjëlon në majë të ballkonit.

– Ku u vonove kaq tepër? – pyet babi i bërë dyllë në fytyrë nga ankthi.

– Shkoi në Pogradec dhe u kthye, – i vë vulën teta Ita.

– Shpërndava njëzetekatërrr ftesa dasme! – dhe i mëshoj sa mundem «r»-së së fundit.

Heshtje. Shikojnë njëri-tjetrin në sy, mosbesues.

– Ku i more?

– M’i dha komshija e teta Pinës. Ajo që rrit kanarina. … O mà! S’po të kujtohet?!

– Posiii! Qefserja. … E si ta mbushi mendjen?

– S’gjenden më lajmës të besuar si ty në ditët tona, më tha.

– Po ti si iu përgjigje?

– Ndihem e nderuar…

©️A.M. Qershor 2020 – shkëputur nga dorëshkrimi i librit që po vjen, «Shtëpia te Selvia».

 

/Re.Gu/Fjala.l

Të fundit

Mblidhet Konklava, sot tymi i parë për zgjedhjen e Papës së ri

Gjithçka është gati për Konklavën që do të zgjedhë Papën e 267-të në historinë e Kishës Katolike. Këtë të...

Shpërthen tjetër luftë? India sulmon Pakistanin me raketa

Tensionet mes Indisë dhe Pakistanit kanë shpërthyer sërish pas një serie sulmesh me raketa të kryera nga ushtria indiane ndaj territorit pakistanez. Sipas ushtrisë...

Pagat/ Në Shqipëri arriti 770 euro në 2024-n, në rajon i ka kaluar 1000 euro në muaj

Në Shqipëri, paga mesatare mujore bruto për vitin 2024, sipas INSTAT, arriti në 77.5 mijë lekë/ muaj, ose rreth 770 euro. Në krahasim me një...

80 mijë zgjedhës të diasporës ende nuk sjellin zarfin me votën

Deri pasditen e djeshme në Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve kanë mbërritur 144.783 zarfa me votën e diasporës. Janë rreth 80 mijë zgjedhës të cilët...

Lajme të tjera

Web TV