
Partia Demokratike po harton strategjinë e rihapjes së partisë, sipas modelit Berisha të vitit 2004, duke ftuar intelektualë dhe personalitete të fushave të ndryshme, si dhe duke i dhënë bazës së partisë mundësinë të rikthejë të larguarit “anti-Basha”.
Nga Blerina Gjoka
Hapja e derës së partisë për ish-themeluesit e saj, krijimi i KOP-it me figura të reja dhe slogani me “duar të pastra” besohet se janë tri lëvizjet politike që mundësuan rikthimin e Partisë Demokratike dhe të Sali Berishës në pushtet, në vitin 2005. Në vitin e 8-të të opozitës së dytë të kësaj partie, drejtuesit e saj po mendojnë të ndjekin të njëjtën rrugëtim të atëhershëm për t’u rikthyer në pushtet në vitin 2021. Burime zyrtare nga selia blu i thanë gazetës “Fjala” se strategjia e hapjes së kësaj partie po ndjek tri lëvizje politike; zgjedhjet në anëtarësinë e partisë, që do të kenë mundësinë të afrojnë pranë saj të larguarit pas rënies nga pushteti, ish-deputetë dhe ish-ministra që dolën kundër kryetarit të ri, Lulzim Basha, ish-krerë degësh apo kontribues të tjerë të rëndësishëm të kësaj partie. Nga ana tjetër, po hartohet një listë me emra personalitetesh publike, njerëz profesionistë në fushat e tyre, njerëz që kanë kredibilitet publik që të afrohen pranë PD-së, për të kontribuar në strategjinë politike për fitoren e zgjedhjeve të reja, dhe për t’u bërë pjesë e strukturave qeverisëse, qoftë si deputetë apo ministra. Kjo lëvizje do të sjellë krijimin e KOP-it numër 2 për PD-në, edhe pse mund të ketë një emër të ri, e ngjashme me strategjinë që ndoqi Berisha në vitin 2004, me krijimin e një organizmi të ri pranë partisë, Komitetit të Orientimit të Politikave. Kush ka pak kujtesë e di se ky komitet solli në fakt pranë PD-së njerëz të rinj, me një karrierë të admirueshme në profesionet e tyre, shumë prej të cilëve më pas u bënë deputetë, ministra dhe, në rastin më fatlum, të Lulzim Bashës, që u bë 8 vite më vonë pasardhës i vetë Berishës. Strategjia e re politike e organizimit të partisë më të madhe në opozitë parashikon pranimin edhe të disa prej “tradhtarëve” të listave që cilësohen sot si opozita parlamentare. Për hartimin e kësaj strategjie Basha konsultohet prej më shumë se një viti nga ekspertët konservatorë britanikë të “Westminster Foundation for Democracy” .
Testi i bazës
Humbja e pushtetit në vitin 2013 dhe ardhja e Lulzim Bashës në krye të Partisë Demokratike solli një firo të madhe në emrat e drejtuesve të lartë të saj dhe ish-pushtetarëve ,si Jozefina Topalli, Astrit Patozi, Arben Imami, Genc Ruli, Ridvan Bode e të tjerë. Por, sot, kur kanë kaluar 7 vite në opozitë, po shtrohet rruga për rikthim. Genc Ruli, i pari, e ka marrë një ftesë nga Lulzim Basha, për të dhënë kontribut në PD, pas tij edhe Besnik Mustafaj, një nga kritikët më të fortë të Bashës në publik. Të dy ata kanë pranuar të punojnë me Bashën. Për figura të tjera që kanë mbajtur detyra dhe kanë pasur karrierë brenda kësaj partie do të pritet testimi i bazës së partisë. Burimet pranë selisë blu sqarojnë se nisja e procesit të zgjedhjeve për kandidatët për deputetë dhe kryetarë bashkish në bazën e partisë do t’u japë mundësi të gjithë të larguarve që duan të rikthen në PD, që të bëhen pjesë e këtij procesi. Nëse Jozefina Topalli, që njihet sot si kundërshtarja nr. 1 e Bashës brenda llojit, do të propozohet nga anëtarësia e degës së PD-së në Shkodër, do të imponojë në një farë mënyre rikthimin e saj në partinë ku ka mbajtur edhe detyra shumë të rëndësishme, si ajo nënkryetares. Kjo rrugë është parë si demokratike dhe funksionale, pasi e zhvendos marrëdhënien nga ajo personale që mund të kenë me kryetarin Basha, te marrëdhënia direkt me partinë.
Këtë kishte parasysh edhe sekretari i përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, i cili u shpreh të shtunën nga Shkodra se në këtë proces mund të përfshihet çdo individ që kërkon fitoren e PD-së. “Nëse çdo individ me kontribut në PD, ka si objektiv t’i sjellë demokratët në pushtet, apo t’u kthejë demokratëve besimin që ka marrë prej tyre ndër vite, sigurisht që këtë e ka më shumë sesa detyrim. Një drejtues politik në të shkuarën e Partisë Demokratike ka qenë në ato pozicione për shkak të mbështetjes që ka marrë nga demokratët e zakonshëm. Në qoftë se një individ humb një pozicion të caktuar, nuk nënkupton në asnjë rast braktisjen e demokratëve. Secili prej nesh ka detyra të caktuara në periudha të caktuara, por kjo nuk do të thotë që nga momenti që unë largohem nga posti i sekretarit të përgjithshëm, të ndal kontributin ndaj demokratëve të zakonshëm. Ndaj, apeli im, ose thirrja ime, është që kushdo që ndër vite ka marrë mbështetje nga demokratët, është momenti që t’u kthejë mbështetjen demokratëve dhe Shqipërisë.” – tha ai. Duke iu referuar ish-deputetes së Shkodrës, Bardhi tha se “Topalli është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së, është anëtare, sipas statutit, ka qenë 8 vite kryetare e Kuvendit dhe është një zë që ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm”.
Gazeta “Fjala” mësoi se nisja e këtij procesi zgjedhor me këshillën e britanikëve, synon të krijojë një formulë transparente ku marrin pjesë të gjithë, të mos përjashtohet askush dhe ku zvogëlohet në makismum ndikimi subjektiv i kryetarit të partisë.
KOP-i i dytë i PD-së
Një formulë që ka funksionuar një herë nuk ka pse të mos funksionojë përsëri. Me sa duket, kjo është aksioma që po e çon PD-në drejt krijimit të një KOP-i të dytë, për të rritur mundësitë e fitores së zgjedhjeve të reja, në pranverë të vitit tjetër. Brenda pak javësh pritet që selia blu të prezantojë ekipin e ri të ekspertëve dhe personaliteteve të fushave të ndryshme që do t’i bashkëngjiten kësaj partie nën një emërtim të ri, por që synon pak a shumë të njëjtin funksion që kryente Komiteti i Orientimit të Politikave në vitin 2004, kur u prezantuan nga Berisha me bujë 45 të rinjtë që i dhanë një fytyrë të re kësaj partie, në prag të fitores së korrikut 2005. Ashtu si në atë kohë, lista që po mbushet me emrat e rinj po ndek të njëjtat kritere, duke ftuar eskpertë të fushave të ndryshme, të rinj që kanë krijuar një figurë autonome publike dhe identitet në profesionet e tyre. Mes tyre ka dhe emra që për PD-në nuk janë të panjohur, kanë ardhur herë pas here në këtë parti, ndoshta dhe kanë kandiduar për deputet apo kryetar bashkie, e më pas kanë vijuar jetën në profesionin e tyre. Qëllimi është për të afruar njerëz antikonformistë dhe me ide të reja për t’i shërbyer programit dhe fushatës së zgjedhjeve, për të ringjallur besimin tek opozita për fitore.
2004- Kur Berisha hapi derën për kundërshtarët dhe të rinjtë
Ish-kryetari i PD-së, Sali Berisha, erdhi për herë të dytë në pushtet pas një opozite të gjatë, duke bërë atë që askush nuk e mendonte; duke afruar pranë kundërshtarët e tij më të mëdhenj dhe duke u dhënë hapësirë të rinjve. Një vit para se të vinte për herë të dytë në pushtet, ai u bëri ftesë nominale atyre me të cilët kishte themeluar PD-në, por shumë shpejt ishin bërë armiq. Duke folur në kongresin e partisë ai tha “Një falënderim për ata, me të cilët më 11 dhjetor 1990 themeluam së bashku Partinë Demoktratike, Pashko, Imami, Ruli, Zogaj, Uka, që pas një ndarjeje u bashkuan përsëri për të përfunduar revolucionin paqësor që nisi në vitin 1990”. Të gjithë ata kishin kaluar vite duke urryer Berishën, por u rikthyen për partinë, duke kontribuar në fakt në imazhin e një Berishe të ri që do të fitonte besimin e publikut. Bashkë me mocionistët e vitit 1992 në atë kohë në PD u kthyen edhe kundërshtarët e mëvonshëm të Berishës si Genc Pollo, Tritan Shehu e të tjerë. Hapi tjetër që ndërmori Berisha i inspiruar në atë kohë nga partia e presidentit francez, Zhak Shirak, ishte gjetja e një rruge për të sjellë të rinj në PD, duke i dhënë fytyrë të re partisë. KOP-i u bë trampolina për krijimin e një kaste të re drejtuesish në PD, që janë sot e kësaj dite aty, duke nisur që me kryetarin e saj të ri, Lulzim Basha, i cili u veçua që në fillim nga Berisha si i preferuari i tij. Emra të tjerë që spikatën në atë kohë në KOP, por disa prej tyre u zhgënjyen shpejt ishin; Edmond Leka, biznesmen; Selami Xhepa, ekspert ekonomie, Florian Mima, ekspert ekonomie, Përparim Dervishi, ekspert ekonomie, Neritan Sejamini, ekspert ekonomie, Ermal Hasimja, ekspert i komunikimit, Adri Nurellari, ekspert i komunikimit, Majlinda Bregu, nga fusha e mediave, Enkelejd Alibeaj e shumë të tjerë. I ndjeri Gramoz Pashko e cilësonte KOP-in “një krijesë e spikatur, e cila ka mbledhur intelektualë mjaft të aftë. Ka qenë zgjidhja më e mençur që mund të bëhej, sepse nuk mund të vendoseshin militantë partie në këtë pozicion. Ndërsa anëtarët e KOP-it janë djem dhe vajza të reja, të aftë dhe të specializuar në profesionet e tyre që i përkasin një brezi, në të cilin politika vjen pas profesionit”.
/En.Br./Fjala.al