Rezultojnë pozitiv me COVID-19/Ja kush janë katër deputetët e prekur

Katër deputetë të Kuvendit të Kosovës kanë rezultuar pozitivë me koronavirus.

Mediat kosovare bëjnë me dije se bëhet fjalë për katër  deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës konkretisht për Arben Gashin, Kujtim Shalën, Haxhi Avdylin dhe Visar Hotin.

Sipas burimeve Kujtim Shala është i infektuar prej më shumë se një jave ndërsa tre deputetët e tjerë, Arben Gashi, Visar Hoti dhe Haxhi Avdyli kanë rezultuar pozitivë ditët e fundit.

Gashi në një mesazh në ‘Facebook’ ka konfirmuar lajmin duke treguar për ndjekësit edhe simptomat që ka prej virusit.

“Me simptoma të lehta si dhimbje koke e temperaturë, shkova të testohem në repartin e Infektivit. Unë dhe familja ime dje rezultuam pozitivë me COVID-19, dhe për pasojë, do të jemi në izolim shtëpiak dyjavor”, shkruan ai.

Ndërsa mjeku neurokirurg Haxhi Avdyli thotë: “Meqenëse interesimi i miqve e gazetarëve është i madh për të konfirmuar lajmin nëse jam Covid pozitiv. Lajmi është i vërtetë. Më është konfirmuar që analiza ime ka dalë Covid pozitiv. Gjendja ime është e mirë dhe jam vetëizoluar sipas rekomandimeve.” /Ra.My. Fjala.al/