Taulanti, baba i tre fëmijëve, përmes rrugëtimit të tij të vështirë, i dëshmoi popullit italian dhe atij shqiptar se te një gazetar nuk duhet të prevalojë etja për të qenë i pari në profesion, por ndjeshmëria, vullneti për të ecur në këpucët e tjetrit
Taulant Kopliku është gazetari shqiptar që së bashku me kolegët italianë të emisionit investigativ italian “Le Iene” i prezantuan për të parën herë opinionit publik historinë e vogëlushit Alvin Berisha, i rrëmbyer nga e ëma dhe i degdisur në kampin “Al-Hol”, në Siri.
Në një nga kampet që ka numrin më të madh të grave dhe fëmijëve të pjesëtarëve të ISIS-it. Falë nismës së tij, pas pesë vitesh këmbënguljeje dhe insistimi kundrejt qeverisë italiane dhe asaj shqiptare, Alvin Berisha u rikthye në gjirin familjar, përqafimet e të atit dhe të gjyshërve. Në dhjetor të vitit të kaluar, Taulant Kopliku u vlerësua me çmimin “Gazetari i vitit”, pikërisht për raportimet e tij të drejtpërdrejta për fëmijët shqiptarë si Alvini, nga kampet në Siri.
“Nuk bëhet fjalë për një reportazh për jetën e fëmijëve shqiptarë atje, por për këmbënguljen që arritëm të bindnim autoritetet se ai fëmijë duhej marrë nga ai kamp”, u shpreh Kopliku, zëri shqiptar i djalit që përjetoi “ferrin”. Ai ishte i pari që njohu italianët dhe shqiptarët me fizikun dhe portretin e dërrmuar të 12-vjeçarit.
Rrugëtimi i tij, që tejkalon atë të një gazetari në detyrë, nisi pas një kërkese drejtuar redaksisë së “Le Iene” nga Afrim Berisha, babai i Alvinit. Fillimisht ka udhëtuar drejt Turqisë për t’u vënë në gjurmët e të voglit, por pa arritur rezultate konkrete. Ka shkelur në Suruç, në një rajon kufitar me Sirinë, dhe më pas ka shkuar vetëm disa qindra metra larg kufirit, pranë qytetit Kobane.
Luftimet e ashpra që bëheshin atje e detyruan të kthehej mbrapa. Ishte e pamundur të merrte përsipër një aventurë kaq të rrezikshme, për të risjellë Alvinin, asokohe 8 vjeç. Në fund të shtatorit 2019, Taulanti iu drejtua kampit “Al-Hol”, ku rreziku për jetën ndihej në çdo moment, përpos higjienës së munguar, ushqimit dhe ujit të pijshëm. Nisur nga dëshira për të parë të tjerë fëmijë shqiptarë, Taulanti kërkoi të kontaktonte dy fëmijët e familjes Dumani, Evën dhe Endrin, por kërkesa iu refuzua, sepse nuk ishte e shkruar në email-in që stafi i emisionit “Le Iene” kishte dërguar paraprakisht tek autoritetet kurde.
Gjatë atyre orëve në kamp, pa një numër të madh grash dhe fëmijësh, dhe nga dëshira për të takuar shqiptarët, sa herë që shkëmbehej me ta, u fliste shqip. Por, në atë moment, nuk e mori përgjigjen që donte. Megjithatë, gazetari nuk hoqi dorë. Ishte po ai që komunikoi për të parën herë se Alvin Berisha ndodhej brenda kampit “Al-Hol”, nën kujdesin e organizatës “Save The Children”, dhe që u bë pa dyshim shtysë e mëtejshme për realizimin e një operacioni shpëtimi nga Gjysmë Hëna dhe Kryqi i Kuq, udhëhequr nga vendi fqinj, Italia.
Taulanti, baba i tre fëmijëve, përmes rrugëtimit të tij të vështirë, i dëshmoi popullit italian dhe atij shqiptar se te një gazetar nuk duhet të prevalojë etja për të qenë i pari në profesionin e tij, por ndjeshmëria, vullneti për të ecur në këpucët e tjetrit.
Kampi “Al-Hol” dhe shqiptarët në rrethin e marrëzisë
Kampi “Al-Hol” u bë i njohur për shkak të historisë së Alvin Berishës, vogëlushit që preku jo pak zemra. Fatmirësisht, Alvin Berisha arriti t’u shpëtojë bombardimeve kur humbi jetën nëna e tij, si dhe t’i rikthehej normalitetit falë një operacioni shpëtimi të ndërmarrë nga Gjysmë Hëna dhe Kryqi i Kuq.
Mirëpo, kampi “Al-Hol” mban mbi 74 mijë njerëz, kryesisht gra dhe fëmijë të luftëtarëve të ISIS, midis të cilëve edhe një grup shqiptarësh. Të dhënat janë të pasakta, për shkak të situatës kaotike që shtrihet në të gjithë pjesën lindore të Sirisë. Megjithatë, mendohet se brenda ambienteve të kampit famëkeq të ISIS strehohen prej shumë kohësh rreth 80 shtetas shqiptarë . Sipas raportimeve të vazhdueshme, ata ndodhen në pjesën veriperëndimore të kampit “Al-Hol”.
Forcat siriane i konsiderojnë robër lufte të rrezikshëm, ndërsa shteti shqiptar është i pafuqishëm të kontaktojë me këta njerëz, sidomos në një kohë kur e gjitha bota i ka sytë drejt pandemisë Covid-19 dhe mundësive reale për ta mundur këtë armik të padukshëm. Kampi “Al-Hol” është i ndarë në dy pjesë. Nga njëra anë janë familjet e terroristëve të ISIS-it. Nga ana tjetër janë refugjatët e luftës nga Siria dhe Iraku. Të mbyllura brenda rrethimit dhe rreptësisht të kontrolluara për të mos dalë nga kampi.
Sipas gazetarit Taulant Kopliku, i cili e ka parë nga afër situatën katastrofike të “Al-Hol”, mes dy grupeve ka një tjetër rrethim të brendshëm për të evituar çdo përplasje. “Çdo natë digjen çadra, qëllohen gra me thika apo me leva hekuri. Ekziston një grup i madh ekstremist që po zhduk secilën grua që shfaqet e penduar, kërkon të heqë veshjen e njohur si ferexhe , apo që dëshiron të kthehet në vendin e saj”, thotë Taulant Kopliku, duke u mbështetur në rrëfimin e një xhihadisteje belge.
Duket se gratë vrasin gratë. Dita fillon jo rrallë herë me flamujt e ISIS-it të shpalosur në hapësirat mes çadrave. Kjo nënkupton se pendesa nuk vjen kurrsesi nga gratë e Shtetit Islamik, dhe se rreziku u kanoset mes të tjerëve, edhe grave shqiptare.
Taulant Kopliku shkroi në shtator të vitit të kaluar, në reportazhin e tij “Pagesa e marrëzisë”, se kushdo që është pjesë e kampit, klasifikohet në dokumente si terrorist. “Kjo është një lloj damke që i jepet në dosjen shoqëruese secilit prej individëve të kampit, nëse një ditë do të kthehet në vendin e origjinës”, tha ai duke shtuar se nuk përjashtohet as një fëmijë i sapolindur. Sikundër është bërë e ditur, shteti shqiptar duhet të lëshojë një kërkesë që riatdhesohen bashkatdhetarët që kanë shkuar në xhihad për Shtetin Islamik.
Problemi është se përveç rastit të Alvin Berishës, për të cilin u mobilizua kryesisht vend fqinj, Italia, me këmbënguljen e vazhdueshme të emisionit investigativ “Le Iene”, nuk rezulton asnjë grua apo fëmijë tjetër shqiptar i shpëtuar nga flakët e ferrit. Një situatë tërësisht e kundërt nga ajo e Kosovës, që ka tërhequr nga kampet siriane 110 gra e fëmijë.
Shqiptarët e identifikuar dhe në kërkim
Mide Dumani është një nënë nga Tirana që ka mbi pesë vjet që kërkon kthimin e dy fëmijëve të saj nga Siria. Më 27 janar 2014, burri i saj, Shkëlzeni, mori vajzën dhe djalin (Evën dhe Endrin) me autorizim të rremë dhe shkoi në Siri për të luftuar në krah të grupit ekstremist ISIS. 47-vjeçarja u mashtrua nga bashkëshorti, duke i thënë se po shkonte për në Mal të Zi. Pas disa muajsh, ai u vra dhe fëmijët mbetën të vetëm. Kur Shkëlzeni u vra, vajza ishte 8 vjeç dhe djali vetëm 5 vjeç. Të dy po kërkohen nga Interpoli dhe në Siri ata kanë emra arabë. “Tërhiqni fëmijët e mi nga ferri!”- kjo ishte thirrja e Mide Dumanit në nëntor të vitit të kaluar, pasi u realizua me sukses operacioni i shpëtimit të Alvin Berishës.
Një pjesë e familjarëve shkoi në Turqi, me idenë për të krijuar kontakte, ndërsa një pjesë tjetër në Egjipt. E dëshpëruar, gjyshja e vajzës dhe djalit, Mentia, 72 vjeç,shkoi dy herë në Siri. Së pari, për të bindur djalin e saj që të kthehej në atdhe. Së dyti, për të kërkuar nipin dhe mbesën pas vdekjes së tij. Por, ajo mbeti e bllokuar me ta në kampin “Al-Hol”. Mide Dumani i ka vendosur të gjitha shpresat e saj tek autoritetet.
Çështja e Alvinit gjithashtu përfaqëson një rreze shprese për Dylber Shulin, 82 vjeç, i shqetësuar për pesë nipërit e mbesat e tij të mbajtur në “Al-Hol”. Djali i tij, Krenari, 32 vjeç, u largua në tetor 2013 me gruan e tij, Adelin dhe tri vajzat, Elona, Erma dhe Justra. Djali i tyre, Ibrahimi, lindi në kamp, në vitin 2016. Elona, e martuar me forcë në moshë minore nga prindërit me një burrë nga fshati i saj, gjithashtu xhihadist, nuk e ka më të shoqin. Ai iu vra gjatë bombardimeve. Elona kujdeset për djalin e saj 3-vjeçar, vëllain 4-vjeçar dhe dy motrat, 7 dhe 13 vjeç. Në një videomesazh të publikuar në një televizion shqiptar, Elona bëri thirrje për ndihmë, teksa thoshte se “ne mund të presim ditë të tmerrshme”.
Ajo gjithashtu rrëfeu se fëmijët nuk pushojnë së qari, vuajnë nga uria, dhe se njëra nga vajzat është e sëmurë, me këmbë dhe bark të fryrë. Fatkeqësisht, deri më tani, nuk ka asnjë lëvizje për kthimin e fëmijëve nga kampi në Shqipëri. Në fund të vitit të kaluar zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, u shpreh se ka probleme për identifikimin e fëmijëve të lindur në vendngjarje e të cilët nuk kanë kombësi shqiptare, si dhe me nënat që kanë marrë pjesë në luftime dhe kanë përgjegjësi për ndjekje penale.
Por këtë vit, sipas gazetarit Taulant Kopliku, edhe nëse ekzistonte sadopak një dëshirë për të riatdhesuar kryesisht minorenët, kjo dëshirë është ndalur për shkak të tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit dhe pandemisë globale Covid-19.
/En.Br./Fjala.al