Ashpërsohen debatet lidhur me studimin e bërë publik nga Auron Tare mbi dy emra të njohur të letërsisë, Martin Camaj dhe Ernest Koliqi të cilët u publikuan një ditë më parë në portalin “Fjala.al”.
Sipas studiuesit Tare, Martin Camaj ishte pjesë e Sigurimit dhe i UDB-së, kurse Ernest Koliqi, i italianeve, i gjermanëve dhe i një sërë agjenturash të tjera.
Tare thotë se dokumentacioni origjinal i arkivave vërteton katërcipërisht se Koliqi dhe Camaj ishin për një kohë të gjatë në shërbim të inteligjencës së huaj.
Menjëherë pas publikimit të shumta kanë qenë reagimet lidhur me këtë studim të cilët shprehin mendimin e tyre mbi studimin e bërë nga Tare.
Një prej tyre ka qenë dhe Primo Shllaku i cili i ka kthyer një përgjigje akademikut Ardian Ndrecës lidhur me shkrimin e këtij të fundit për Auron Taren.
Ai shprehet se Tare ka hapë një diskutim shumë delikat dhe të thellë me material faktik. Por sipas tij ai nuk mund ta zëvendësojë Akademinë e Shkencave dhe niveli i qasjes në shkrimin e tij është i një rëndësie dhe diskrecioni akademik.
Ndërsa ish-deputeti dhe akademiku Romeo Gurakuqi lidhur me temën ka reaguar duke zgjedhur të dalë në mbrojtje të Ernest Koliqi me fjalët e vetë shkrimtarit.
Reagimet e plota lidhur me studimin e Auron Tares
Primo Shllaku- Që kritika të mos degjenerojë në përleshje fejsbukiste, ju lutem ju, anëtarit ma të ri të këtij institucioni që Akademia ta ndjejë për detyrë të sajën të na japë sa ma shpejt nji opinion paraprak rreth çështjes dhe, në vijim, të dalë para publikut e studiuesve specifikë të letrave shqipe me një konkluzion shterues. Marrja e një opinioni nga Akademia e Shkencave dhe e Arteve tashti në fillim të verës, si kohë jetë e mot e studiueme me hedhë në tregun e mendimit shqiptar këso mënxyrash që asgjësonin fizikisht por edhe moralisht, do ta paqëtone tek njerëzit tundimin e ndershëm dhe logjik për ta mbrojtë individualisht e sporadikisht atë pjesë të kulturës kombëtare, e cila nuk u poq në arat e socializmit real e të diktaturës. Akademia duhet të shprehë mendimin e vet dhe të krijojë nji shtrat të arsyeshëm debatesh mbi tema kaq madhore. Heshtja e Akademisë ku ju bani pjesë, do të ishte nji shprehje e moskompetencës së saj kulturologjike dhe profesionale, megjithëse i ka ata që e mbulojnë këtë sektor. Uroj që Akademia ta konsiderojë si të ligjshme dhe të arsyeshme këtë kërkesë dhe, kësisoj të vërtetohet, se ndryshimet në udhëheqjen dhe rekrutimi i elementëve të rinj që ndodhi para pak ditësh, të mos kenë qenë formale.
Romeo Gurakuqi- Përditë shtohen ata që më sulmojnë. Zyrët italiane, amerikane, ingleze, vatikane etj., janë plot (kam prova) me raporte sidomos kundra meje: mason, aventurjer, agjent zyrësh sekrete, çarlatan etj., Nji amerikan tash nja dy muaj me tha: “E din pse shumica e shqiptarëve ju lufton? Pse s’munden me ju kuptu, tue kenë ju, për sa marr vesht vetë, ma i oksidentalizuemi ndër shqiptarë”. Kjo cilësi s’asht vetëm e imja; asht e të gjithë shkodranve. Ai amerikani me njifte vetëm mue, por të kishte njoftun Dom Lazrin, Pader Benardinin, ty Karl, etj., do të kishte dhanë nji gjykim ma kolektiv. Duket se jemi ndryshe prej tjerve, …. e ata burrnin t’onë e kanë mëni si mzati pecën e kuqe. “Vetëm me Lahuten e Malcis s’bahet Shqipnija”, paska thanun nji intelektual tash së fundi. Po shka kanë me Pader Gjergjin e shkretë! Ai në vorr. Lahuta e Malcis e debume nga radhoi i veprave letrare të Shqipnis? Duen qi as emnin mos t’përmendet. Kena vojtë mbrapa lum miku, e s’diej se si do të përfundojë kjo punë…”
Parid Turdiu- Auron Tare ka kërkuar në arkivat e Sigurimit dhe të CIA dhe ka zbuluar fakte se Martin Camaj ishte i Sigurimit dhe i UDB, kurse Koliqi, i italianëve (që dihej), i gjermanëve dhe i një sërë agjenturash të tjera.
Më duket se “të pastër” ishin vetëm nga familjet e mia (Ramazan dhe Faik Turdiu, Arshi Pipa, etj.) Ata që nuk janë spiuna nuk kanë katapulte që t’i ngrejë dhe ngelën me forcat e veta.
E lexova shkrimin e Tares dhe m’u duk hulumtim serioz (arkivial, jo letrar). Pse eksitohet Adrian Ndreca?
Adrian Ndreca- Tarja asht qartësisht nji prej megallomanëve nostalgjikë që ka të drejtën me shkrue çfarëdolloj gjaje t’i kërcejnë në krye, madje ka meritën që s’e mshehë këtë gja, përkundër më habit dashakeqësia e atyne që kontrabandojnë si të ishin studime historike ato që Tarja – i pafuqishëm në artin e historishkrimit – gjen të gatshme në internet dhe i ban copy/paste me zellin e nji Shvejku hoxhist.
Auron Tare- Unë Shvejkun e kam dashur shumë, e kam lexuar shpesh, dhe më ka bërë ti shikoj personazhet jetësore me humor dhe mos ti marr shumë seriozisht. Për këtë arsye edhe Ndrecën e marr me shumë humor por po i shkruaj këto rradhë në mbrojtje të të Shvejkut.
Me vjen keq që një personazh që e quan veten mësimdhënës në një Universitet italian e quan Shvejkun injorant. Duhet të jesh shumë i pa lecitur që të krahasosh Shvjekun me dallkaukët qe vërtiten duke treguan diploma pa vlerë.
Personazhi ynë Ndreca (aka Marku) e krahason Shvjekun me një injorant si puna ime. Fundi i fundit kush jam unë që ta ulësh kaq shumë figurën e Shvejkut?
Askushi, e pra si ka mundësi që një mësimdhënës i një universiteti Italian mer mundimin ti dedikoje nje shkrim te tere si Shvejkut si mua? (aa me falni sapo me thoni se Z.Ndreca qenka zgjedhur si anëtare i akademisë së shkencave)
Mësimdhënësit Ndreca (aka Marku) diçka i ka djegur në botimin tim (Dritë hije të Koliqit dhe Camajt) sa që pa gdhirë ka mbushur faqet e portaleve shqiptare me reagime tipike për ata që tallte Ushtari i mirë Shvejk.
Nuk dëshiroj fare të merrem me replikë me mësimdhënësit Ndreca ( aka Marku) prandaj në këto rradhë doja thjesht të mbroja Shvejkun personazhin komik të fëmijërisë. Sa për Ndrecën i cili pasi mbërriti në Romë dhe ndryshoi mbiemrin e fëmijënisë mund të flas ndonjë herë tjetër pasi mbështetja dhe shkollimi i tij nga ish- anëtare të Komitetit të Prizrenit meriton një shkrim më vete./Bl.Ba/Fjala.al