Procesi/ SPAK-u “zhvesh” nga pasuritë Emiliano Shullazin

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dërgoi në gjykatë kërkesën për sekuestrimin e pasurisë së Shullazit. Të “fortët” në filtrin e OFL-së dhe të SPAK-ut. Ish-hotel “Vollga” një hap larg sekuestros

Nga Elvis Myrta

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka pranuar kërkesën e OFL-së për sekuestrimin e pasurive të Emiliano Shullazit. SPAK-u, pas shqyrtimit të kësaj kërkese, e ka dërguar atë në gjykatë, ku do të jetë kjo e fundit që do të vendosë nëse do të sekuestrohen apo jo këto pasuri. Burime nga ky institucion bëjnë me dije se organi më i ri i drejtësisë ka kërkuar sekuestrimin e ish-hotel “Vollgës” në Durrës, një pjesë e të cilit është në pronësi të Shullazit, më konkretisht janë 749 m2 truall dhe 1129 m2 ndërtesë. Gjithashtu, SPAK-u ka kërkuar edhe një automjet tip “Mercedez Benz”, në pronësi të Emiljano Shullazit. OFL-ja i dërgoi Emiljano Shullazit formularin për deklarimin e pasurisë më 11 shkurt të këtij viti. Në atë kohë, pas dorëzimit të formularit reagoi edhe avokati i tij mbrojtës, Vladimir Meçe.

Ai e cilësoi një show dorëzimin e formularit për deklarimin e pasurisë nga ana e OFL-së, pasi, sipas tij, klienti i tij ka kaluar në sitën e ligjit antimafia dhe ai nuk ka rezultuar me pasuri të paligjshme. Emiljano Shullazi, aktualisht ndodhet i paraburgosur, pasi ndaj tij po zhvillohet gjykimi në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, për veprat penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, “Grup i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”. Për Shullazin, Shkalla e Parë dha dënimin me 14 vite burgim, ndërsa tashmë gjykimi vijon në Apel.

Dënimi në Shkallën e Parë

Rreth dy vite më parë, më konkretisht në nëntor të vitit 2018, Emiljano Shullazi dhe 4 anëtarët e tjerë të grupit të tij u shpallën fajtorë nga ish Gjykata për Krime të Rënda për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënien e pasurisë”, në dëm të Ylvi Beqjas.

Kjo vepër penale, sipas gjykatës, është kryer në formën e grupit të strukturuar kriminal. Nga hetimi i prokurorisë ka rezultuar se ishte fillimisht biznesmeni që ka kontaktuar me Emiljano Shullazin dhe pas këtij takimi janë bërë edhe 4 takime të tjera. Beqja ka kontaktuar me Shullazin, me qëllimin që ta ndihmojë në lidhje me procedurat mbi pronësinë e hotel “Vollgës”. Prokuroria i akuzon të pandehurit se, duke vepruar si grup i strukturuar kriminal, kanë shtrënguar me anën e kanosjes shtetasin Ylvi Beqja dhe ky i fundit i kaloi në pronësi Emiljano Shullazit një pjesë të ish-hotel “Vollga” në Durrës, si edhe shuma të konsiderueshme monetare.

Ndërkohë Emiljano Shullazi është shpallur i pafajshëm nga gjykata për kërcënimin e bërë ndaj dekanit Mynyr Koni dhe rektorit Dhori Kule. Referuar pretencës së prokurorisë, Konit i është afruar një makinë e zezë, ata kanë hapur xhamin dhe e kanë ftuar që të futej në makinë. Pasi është futur në makinë, i kanë thënë se duhet të jepte dorëheqjen nga pozicioni dhe gara. Ky deklarim i dekanit, mbështet nga veprimi i tij për të dhënë dorëheqjen, kohën dhe momentin që e ka bërë. Por kërcënimit për shkak të detyrës, nuk i ka shpëtuar as rektori Dhori Kule. Sipas prokurorisë, këtij të fundit, i kanë dalë para 3 makina me xhama të zinj, ku dikush i kishte thënë se nuk duhet ta ndalonte Konin të jepte dorëheqjen.

Lexo edhe :  Burri vret gruan në Zvicër/ Të dy nga Malisheva e Kosovës

Emiljano Shullazi dhe anëtarët e tjerë të grupit të tij u dënuan në nëntor të 2018 me 55 vite burg nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Pas 50 seancash gjykata dënoi me 14 vite burg Emiljano Shullazin, i konsideruar si kreu i këtij grupi kriminal.

SPAK-u i ka kthyer OFL-së 1/3 e dosjeve

Kur kanë kaluar 5 muaj nga nisja e Operacionit Forca e Ligjit për sekuestrimin e pasurive, të cilat dyshohen se janë përfituar nga burime jo të ligjshme, Prokuroria Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka kthyer OFL-së gati 1/3 e dosjeve. Deri tani OFL-ja i ka dërguar SPAK-ut 243 dosje për sekuestrimin e këtyre pasurive.

Mësohet se 137 prej këtyre pasurive janë automjete, ndërsa 106 janë pasuri të paluajtshme, troje apo objekte. Nga këto pasuri janë pranuar vetëm 102 prej tyre, duke u cilësuar si sekuestro të ligjshme, ndërsa për 80 të tjera SPAK-u ka refuzuar, duke i quajtur sekuestro në kundërshtim me aktin normativ.

Për pasuritë e cilësuara si sekuestro në kundërshtim me aktin normativ, SPAK-u ia ka kthyer materialet policisë së shtetit, ndërsa shprehet që për kërkesat e tjera vijon shqyrtimi. Nga ana e policisë së shtetit vijon dërgimi i formularëve të vetëdeklarimit të pasurisë, ku që nga nisja e procesit janë dërguar 189 të tillë.

Në disa raste formulari është refuzuar të plotësohet nga subjektet, pasi, sipas tyre, nuk janë objekt i ligjit. Gjatë mujit qershor Prokuroria e Posaçme dërgoi në Gjykatën e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar 25 kërkesa konfiskimi, duke pranuar vetëm gjysmat e atyre që u kishte kërkuar OFL-ja për të sekuestruar.

Më konkretisht, në atë kohë SPAK-u i kërkoi Gjykatës së Posaçme sekuestrimin e 31 pasurive të dërguara nga OFL-ja, ndërsa 29 u kthyen, pasi rezultonin se ishin kryer në kundërshtim me ligjin. Hetuesit verifikuan 27 dosje dhe i kërkuan Gjykatës Speciale të vendosë në sekuestro 31 pasuri të individëve të dënuar për vepra të rënda penale.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Ironia e Ramës: Berisha ka më shumë kandidatë nga Big Brother se nga Primaret

Kryeministri Edi Rama, njëherazi edhe kryetar i PS-së, gjatë takimit me një rinjtë dhe të rejat në Tiranë, në...

Më e fortë se parashikimi, stuhia gjeomagnetike godet Tokën

Stuhia gjeomagnetike e parashikuar për sot më 16 Prill ka goditur fushën magnetike të Tokës një ditë më parë rreth orës 19:30 me orën...

Kura natyrale për pastrimin e mëlçisë dhe organizmit në pesë ditë

Mëlçia është organi që kryen disa prej funksioneve më thelbësore në organizëm. Ajo shërben si baza e çdo procesi të metabolizmit. Mëlçia filtron gjakun, prodhon enzima,...

Rama batuta me vajzat: Fuqinë përdoreni për djemtë e lëkundur, kush voton kënetën lëreni

Kryeministri Edi Rama nuk i kurseu batutat me vajzat që votojnë për herë të parë, duke i kërkuar atyre që të përdorin fuqinë tërheqëse...

Çfarë problemesh kanë qytetarët e Tiranës para 11 majit?

Barometri Euronews-Albania ka sjellë për publikun matjet e dyta politike për Qarkun e Tiranës. Në këto matje janë pyetur ballë për ballë 1000 qytetarë brenda...

Lajme të tjera

Web TV