Pas denoncimit publik nga studiuesi Ardian Ndreca për daljen e dosjes së Martin Camajt në mënyrë të paligjshme, Kryetarja e Autoritetit për Informacion për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula ka firmosur një urdhër hetimi.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Sula bën me dije se grupi i ngritur për këtë qëllim do të verifikojë zbatimin e rregullave përkatëse gjatë administrimit të materialit arkivor në ngarkim të tij.
“Nisur nga dinamikat e ditëve të fundit dhe publikimeve në shtyp mbi dosjen fashikull nr. 456 të Martin Camajt, që kanë të bëjnë me trajtimin e saj nga AIDSSH, sot, më datë 10.07.2020 firmosa urdhrin nr. 31 të nisjes së hetimit administrativ për verifikimin e praktikës së dosjes fizike dhe asaj digjitale të Martin Camajt nga AIDSSH.
Grupi i punës i ngritur për këtë qëllim do të verifikojë zbatimin e rregulloreve përkatëse gjatë administrimit të materialit arkivor në ngarkim të tij. Ndërkohë AIDSSH do te vazhdoje te zbatoje me rigorozitet ligjin, duke garantuar qasjen ne dokumentet e Sigurimit, edhe për figurat historike.
Materiali përmbledhës i hartuar pas kryerjes së veprimeve për përmbushjen e objektit të urdhrit në fjalë do t’i bëhet i ditur Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, për ndjekje sipas legjislacionit në fuqi”, deklaron Sula./Re.Gu/Fjala.al