Ngjarja në Kombinat/ “FJALA” zbardh dosjen hetimore, ja provat që gjeti prokuroria

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Gazeta “Fjala” sjell të tjera detaje tronditëse nga dosja hetimore për ngjarjen tragjike në Kombinat. Shumë nënvizime nga Bibla dhe një ditar i mbajtur prej gati 2 vitesh janë provat që prokuroria ka administuar në dosjen e saj për zbardhjen e kësaj ngjarjeje.

“Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, ai që dëgjon fjalën time, dhe i beson atij që më ka dërguar mua, ka jetën e mbushur dhe nuk i nënshtrohet gjykimit, por ka kaluar nga vdekja në jetë”, është kjo një nga frazat e shkruara në ditarin e Anisa Josifit, vajza e cila nisi e para të “argjërimin”, me shpresën se do të ringjallej.

Nga Elvis MYRTA

Nënvizime të shumta nga Bibla dhe një ditar i mbajtur që prej vitit 2018, janë disa nga provat materiale që ndodhen në dosjen e prokurorisë për zbardhjen e ngjarjes makabre, të ndodhur një javë më parë në Kombinat, ku Zhaneta, Anisa dhe Blerta Josifi vendosën të vetëflijohen, me shpresë se do të ringjalleshin. Prokuroria dyshon se janë pikërisht këto shënime fetare që kanë ndikuar në veprimet e grave, duke i çuar ato deri në vetëflijim.

“Shëroni të sëmurët, pastroni lebrozët, ngjallni të vdekurit, dëboni demonët. Falas morët, falas jepni”, janë disa nga nënvizimet që janë bërë në librin e Dhiatës së Re nga nëna dhe vajzat e saj. Po krahas kësaj pjese, gratë e familjes Josifi kishin nënvizuar edhe pjesë të tjera të këtij libri. “Jini pra të mençur si gjarpërinjtë dhe të pastër si pëllumbat. Por ruhuni nga njerëzit, sepse do t’ju zvarrisin përpara sinedrave të tyre dhe do t’ju fshikullojnë në sinagogat e tyre”, është një tjetër frazë e nënvizuar nga Zhaneta, Anisa dhe Blerta.

Sipas grupit hetimor, këto shprehje dy viktimat dhe Blerta i kanë vënë në zbatim gjatë izolimit në banesën e tyre, ku kishin vendosur të vetëflijoheshin. Dosja për vetëflijimin e nënë e bijë rreth një javë më parë në zonën e  Kombinatit,  prej dy ditësh ka mbërritur në prokurori. Institucioni i akuzës ka mbledhur të gjitha provat materiale për këtë ngjarje tragjike, e cila do të hetohet nga prokurori Albert Demirneli. Burime pranë organit të akuzës i thanë “Fjalës” se nga e hëna në prokurori do të thirren të gjithë personat që kanë dijeni për ngjarjen, e cila i kapërcen kufijtë e të paimagjinueshmes.

Burime nga grupi hetimor thanë se po analizohen me kujdes të gjitha shkrimet e gjetura në shtëpi, apo edhe nënvizimet që ato kishin bërë në librin e Dhiatës së Re. Këto dhe shumë shënime të tjera duket se hedhin dritë mbi vendimin ekstrem të nënës e dy vajzave për t’u vetëflijuar. Besimi në ringjallje duket se i kishte bindur deri në atë pikë, sa kanë qëndruar pa ngrënë për ditë e ditë të tëra, deri në vetëflijim.

Për këtë arsye këto shënime prokuroria është duke i verifikuar, se kujt sekti apo organizate fetare i përkasin këto pasazhe. Sipas informacioneve të siguruara nga gazeta “Fjala”, dyshohet se Zhaneta dhe dy vajzat kanë qenë pjesë e një sekti të Dëshmitarëve të Jehovait. Gazeta ka mësuar se një nga viktimat, më konkretisht Zhaneta, në një stendë të ngritur nga ky sekt te 15-katëshi, shpërndante revistën “Kulla e Rojës”.

Ditari

“Me të vërtetë, me të vërtetë po ju them, ai që dëgjon fjalën time, dhe i beson atij që më ka dërguar mua, ka jetën e mbushur dhe nuk i nënshtrohet gjykimit, por ka kaluar nga vdekja në jetë”, është kjo një nga frazat e shkruara në ditarin e Anisa Josifit, vajza e cila nisi e para të “agjërimin”, me shpresën se do të ringjallej.

Ditari i gjetur në banesën e familjes Josifi, cilësohet si enigmatik për grupin hetimor. Sipas hetuesve, në këtë ditar, një pjesë të të cilit gazeta “Fjala” e disponon, janë shkruar psalme të shkëputura nga librat e shenjtë. Mësohet se në këtë ditar nuk është shkruar vetëm nga një person, pasi në faqe të ndryshme ka shkrime të ndryshme. Ditari ka nisur të mbahet që nga muaji mars i vitit 2018. Ndërsa në shënimet e muajit prill të po atij viti, shkrimet janë më të shpeshta. Prokuroria ka dyshime se ka qenë Anisa ajo që ka shkruar e para në ditar më pas në të kanë shkruar Zhaneta dhe Blerta.

Në një tjetër shënim të këtij ditari thuhet se errësira dhe drita janë e njëjta gjë. “Ai është që në fushat më të errëta, në vendet brenda jetës tënde. Drita dhe errësira është e njëjta gjë për të. Ai është me ty gjithmonë. Mos druani, sepse Unë jam Perëndia juaj. Ju s’mund të largoheni prej Meje”, “Madhështia e pranisë së Perëndisë, edhe pse je i rrethuar prej gardhit të Perëndisë, Zoti është aty me ty, Ai nuk është jashtë. Gardhi i Tij të mban ty brenda dhe jashtë armikun. Liri është të ndjekësh vullnetin e Tij për jetën tënde dhe t’i nënshtrohesh Atij. Nuk mund të largohesh prej pranisë së Tij”, thuhet në një tjetër prej shënimeve të ditarit, të sekuestruar si provë materiale nga ana e prokurorisë.

Sipas këtyre shënimeve, disa prej të cilave janë të shkruara nga gratë e familjes Josifi, vetëvrasja është e vetmja shpresë për ringjalljen në parasjë.  “Dhe në qoftë se fryma e atij që ringjalli Krishtin prej së vdekurish banon në ju, ai që e ringjalli Krishtin prej së vdekurish do t’ju japë jetë edhe trupave tuaj vdekatarë me atë të frymës së tij që banon në ju”, ky ishte një nga nënvizimet në Dhjatën e Re me kapak të zi, që u gjet në shtëpinë e familjes Josifi.

Në dosjen e akuzës një pjesë të së cilës gazeta “Fjala” e disponon, janë marrë gjitha shënimet që nëna me dy vajzat kishin shkruar në një ditar të vitit 2018, si dhe dy Biblat që ato i mbanin në banesë. Të gjitha këto shënime që u gjetën në këtë ditar, ku dyshohet se kanë shkruar të dyja viktimat, por edhe e mbijetuara, duket se do të hedhin dritë mbi vendimin ekstrem të nënës dhe dy vajzave për t’u vetëflijuar. Besimi në ringjallje duket se i kishte bindur ato deri në atë pikë, sa kanë qëndruar pa ngrënë për ditë e ditë të tëra, deri në vetëflijim.

Prokuroria e Tiranës tashmë ka nisur hetimet për tragjedinë e ndodhur rreth një javë më parë në Kombinat, ku nëna dhe dy vajzat e saj vendosën të vetëflijohen, pasi besonin te ringjallja.

20 persona do të merren në pyetje

Me hetimin e kësaj ngjarjeje Prokuroria e Tiranës ka regjistruar rastin e parë ku ka prova të plota të një vetëvrasjeje, e cila mund të jetë frymëzuar nga sektet fetare. Institucioni i akuzës për zbardhjen e kësaj ngjarjeje ditën e hënë do të nisë me marrjen në pyetje të personave që kanë dijeni mbi këtë ngjarje. Burime nga prokuroria i thanë “Fjalës” se në pyetje do të merren familjarë dhe fqinjë të viktimave, por edhe drejtuesit e Dëshmitarëve të Jehovait dhe të Kishës Ungjillore.

Janë të paktën 20 persona që nga e hëna e në vazhdim do të thirren në prokurori për të dhënë deklarimet e tyre, për të hedhur dritë mbi personat që frekuentonin dhe sektin që praktikonin Zhaneta, Anisa dhe Blerta. Dosja është regjistruar me akuzën e e shtyrjes drejt vetëvrasejs, e cila parashikohet nga neni 99 i Kodit Penal shqiptar. Nga hetimet paraprake dyshohet se familja Josifi është rekretuar nga një grupim fetar, i cili është pjesë e Dëshmitarëve të Jehovait.

Lexo edhe :  Virusi i Kinës, i njohur në Shqipëri/ ISHP: Ka pasur raste në të shkuarën

Dyshohet se ky grupim i ka rekrutuar disa vite më parë pjesëtarët e familjes Josifi. Zhaneta dhe dy vajzat e saj janë tërhequr nga ky grupim, kur kanë ardhur në kryeqytet. Ky sekt për të krijuar marrëdhënie të ngushta me Zhanetën e vajzat, fillimisht i ka ndihmuar financiarisht për të krijuar marrëdhënie të ngushta.

Dyshimet janë se praktikantët e këtij grupimi mund të kenë predikuar dhe aplikuar metoda ekstreme, duke çuar në vetëflijimin e Zhaneta dhe Anisa Josifit. Prokuroria është duke hetuar personat që kanë hyrë muajt e fundit në banesën e familjes Josifi në Kombinat, të cilët mendohet se kanë ndjekur ritualin për ringjalljen e Anisa Josifit. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se ka dyshime që personat e këtij grupimi kanë qenë në dijeni për vdekjen e 30-vjeçares.

Dyshohet se kanë qenë pikërisht praktikantët e këtij grupimi, të cilët pas vdekjes të së resë kanë shtyrë nënën dhe motrën e saj të sakrifikoheshin, duke mos u ushqyer dhe duke mos dalë nga banesa, derisa Anisa të ringjallej. Grupi hetimor ka sekuestruar edhe telefonat e Zhanetës dhe të Blertës, këqyrja e të cilëve do të hedhë dritë mbi personat që kanë komunikuar me to kohët e fundit.

“Fjala” zbardh dosjen

Sipas dosjes hetimore, të cilën gazeta “Fjala” e disponon, mësohet se viktima Zhaneta Josifi është gjetur e ulur në gjunjë pranë divanit. Ndërsa trupi i Anisa Josifit është gjetur i dekompozuar në dhomën e gjumit. “Është përpiluar këqyrja e vendit të ngjarjes, ku është konstatuar kufoma e shtetases Zhaneta Josifi që ishte ishte e ulur në gjunjë, afër divanit të sallonit, ndërsa në dhomën e gjumit, mbi një krevat dopio, vihet re kufoma e shtetases Anisa Josifi, e dekompozuar dhe e mbuluar me copa të ndryshme dhe me jorgan. Në banesë është vënë re dhe prezenca e librave të ndryshëm fetarë, si dhe shënime të ndryshme të shkëputura nga Bibla në disa fletore”, thuhet në dosje.

Gjithashtu, hetuesit i kanë marrë deklarimet edhe shtetasit Selman Fejzo, në cilësinë e personit që ka dijeni për veprën penale. Në dëshminë e tij ky shtetas sqaron se është vëllai i Zhaneta Josifit dhe prej disa kohësh motra dhe vajzat e saj kishin filluar të praktikonin besimin fetar. Ai ka deklaruar se ka dy vite që nuk ka kontaktuar me vajzën e vogël, Anisën, dhe sa herë që pyeste motrën ajo i thoshte se nuk gjendej në shtëpi dhe nuk kishte pasur mundësi të kontaktonte me të. Ai tregon se kunati tij, Dhimos Paskali, kishte ardhur para disa mujash në polici dhe i kishte thënë që nuk po komunikonte dot me Anisën.

Por kur policia i kishte shkuar në banesë, Zhaneta u kishte thënë punonjësve të policisë se Anisa është në moshë madhore dhe nuk ka pasur mundësi të flasë me njerëzit, është mirë me shëndet, por ka disa probleme personale. Fejzo ishte personi që lajmëroi policinë, pasi prej disa ditësh kishte shkëputur komunikimin me motrën dhe mbesat e tij. Pasi ato nuk i ishin përgjigjur në telefon, ai kishte shkuar në banesë, por, sërish gratë e familjes Josifi nuk ia kishin hapur derën. I shqetësuar, Selmani ka telefonuar policinë, ku efektivë të komisariatit nr. 6 kanë hyrë në banesën ku jetonin tri gratë nga dritarja e banjos, të ndihmuar edhe nga forcat zjarrfikëse.

Mësohet se pasi policia dhe zjarrfikësit kanë hyrë në banesë, aty kanë gjetur vetëm një kavanoz mjaltë nga i cili kishte ngelur një sasi e vogël. Në frigorifer apo dollapët e kuzhinës nuk është gjetur asnjë lloj ushqimi, bukë apo fruta. Gratë rrinin pa ngrënë me ditë të tëra dhe nuk takonin askënd. Ndërkohë, që ditën e djeshme është dezinfektuar banesa, ku u vetëflijuan nënë e bijë, Zhaneta Josifi 56-vjeçe, dhe Anisa Josifi 30-vjeçe.

Ngjarja e rëndë u zbulua më 2 korrik në Kombinat, ndërsa vajza kishte ndërruar jetë më shumë se një vit më parë, pasi kishte hequr dorë nga ushqimi dhe konsumonte vetëm ujë.

Prokuroria administron dëshminë e të mbijetuarës

Në dosjen hetimore prokuroria ka administruar edhe dëshminë e 34-vjeçares Blerta Josifi, e cila ka dhënë detaje tronditëse për hetuesit. Mësohet se dëshminë e saj ajo e ka dhënë me shkrim, në praninë e një psikologeje të Spitalit Psikiatrik, ku dhe ndodhet aktualisht.

Në deklarimet e saj e reja ka thënë se që në adoleshencë ka qenë praktikante e Dëshmitarëve të Jehovait, ndërsa disa vite më parë ajo së bashku me nënën dhe motrën e saj janë larguar nga ky sekt dhe prej gati 8 vitesh janë bërë praktikante të Kishës Ungjillore. E pyetur në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen e rëndë, Blerta ka treguar se trupi i motrës së saj është mbajtur në banesë nga nëna e saj dhe vetë ajo, prej gati 15 muajsh.

Ajo ka treguar se motra e saj ka humbur jetën më 27 mars të vitit 2019, dhe se ajo bashkë me nënën e kanë mbajtur të fshehtë, pasi besonin në Zot dhe se Anisa do të ringjallej, nëse ato do të bënin sakrifica. Blerta u ka thënë hetuesve se motra e saj ka pasur edhe kriza nervore, por ajo dhe nëna e saj nuk e kishin dërguar asnjëherë në spital.

“Anisa përpara se të vidiste ishte pushtuar nga djalli. Nuk e dërguam asnjëherë në spital për mjekim dhe për krizat e saj nervore. Asnjë person nuk e dinte vdekjen e saj, as nga Kisha Ungjillore, pasi kemi rreth 3 vite që nuk shkonim, dhe e vazhdonim vetë rrugëtimin me Zotin. Motra ka ndërruar jetë në 27 mars të vitit 2019, ndërsa nëna ka ndërruar jetë në 2 korrik 2020”, ka thënë e reja.

Më tej ajo shton se të tria kishin një besim të madh në Zot dhe ishin pjesë e Kishës Ungjillore, por kishin rreth 5 vite që nuk shkonin në kishë. Blerta Josifi tregon gjithashtu se motra e saj, Anisa, para se të ndërronte jetë ka ndenjur rreth 52 ditë pa ngrënë. Pasi kishte ndërruar jetë ato nuk i kishin thënë askujt dhe vazhduan ta mbanin trupin në banesë. Blerta së bashku me të ëmën, mendonin që nëse do të bënin ritet, Anisa do të rikthehej sërish në jetë.

“Të tria kishim besim të madh në Zot dhe jemi pjesë e Kishës Ungjillore, por kemi rreth 5 vite që nuk shkojmë në kishë. Përpara se të ndërronte jetë, nëna kishte qëndruar 52 ditë pa ngrënë. Për vdekjen e Anisës nuk i treguam asnjë personi, por vazhduam ta mbajmë trupin në banesë, pasi së bashku me nënën besonim që nëse do të bënim sakrifica, Anisa do të kthehej sërish në jetë”, mësohet të ketë thënë Blerta në dëshminë e saj.

Në muajin mars 2020 Blerta së bashku me nënën vendosën të mbanin një agjërim si sakrificë  për të rikthyer në jetë Anisën. Nga dëshmia ajo thotë se kanë konsumuar vetëm ujë. Ajo tregon se në datën 2 korrik, nëna e saj, Zhaneta, është ulur në gjunjë dhe më pas nuk ka reaguar më. Ajo sqaron se asnjë person tjetër nuk kishte dijeni për trupin e Anisës dhe se të afërmit i gënjenin.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se në banesën e familjes Josifi janë gjetur disa libra dhe shënime të një sekti fetar. Ndërkohë policia ka thirrur edhe disa teologë, të cilët pritet të hedhin dritë se çfarë do të thonë këto shënime dhe kujt sekti fetar i përkasin.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

Juventus vijon me barazimet, Torino i bën “bllokadë” bardhezinjve në derbin e qytetit

Vazhdon makthi i barazimeve për Juventusin, me të 12-in në 19 ndeshje të luajtura në Serinë A që ka...

Çfarë po ndodh në Los Angelos? Pas zjarreve, trishtim e frikë mes banorëve

Kalifornia Jugore po përballet me një sfidë të madhe për të kapërcyer situatën e krijuar nga zjarret masive që kanë përfshirë zonën, duke shkaktuar...

Përplasje e trefishtë në aksin Korçë-Ersekë, lëndohet njëri drejtues

Një aksident ka ndodhur në aksin nacional Korçë-Ersekë, pranë fshatit Kamenicë, ku janë përfshirë tre mjete. Nga raportimet, mësohet se aksidenti ka nisur me përplasjen...

‘Jam grua e martuar’, Rozana Radi flet për herë të parë për partnerin e saj

Rozana Radi, një nga këngëtaret më të njohura shqiptare, ka mbajtur gjithmonë jetën e saj private shumë të rezervuar. Megjithatë, gjatë një debati në “Big...

Viti i Maks Velos/ Bardhyli: Do rikthejmë veprat e tij

Drejtoresha e Qendrës Kombëtare të Leximit, Alda Bardhyli, e ftuar në emisionin Kjo javë në News 24 tha se viti që sapo kemi hyrë...

Lajme të tjera

Web TV