I gjithë rezervati është i vogël, por shumë shijues. Ajo që e bën të veçantë këtë zonë, nuk lidhet vetëm me ujin e ftohtë që buron pa fund, por edhe me disa rrepe shekullorë me zgavra të mëdha
Nga Leonard Veizi
Edhe t’i kesh punët në terezi e të kërkosh të “arratisesh” jashtë shtetit për një fundjavë, nuk mund ta bësh dot. Dy janë arsyet që të pengojnë në realizimin e një agjende të tillë. E para, situata “COVID-19” të cilin këtë herë e kanë kthyer në gogol për të trembur të rriturit. E dyta, jo më pak e rëndësishme është se në rastin më të mirë, shumica absolute e shqiptarëve ose kanë një ditë pushimi javor, ose nuk kanë fare.
Dhe këtu u jap të drejtë deri në fund atyre që militojnë me partitë politike, bëjnë jetën e organizatës bazë dhe ulërijnë sa u del fyti vendit nëpër mitingjet elektorale, sepse duan medoemos të kapin një cep tavoline aty tek administrata shtetërore. Në të vërtetë, administrata mund të mos i ketë rrogat në lartësinë e duhur, por sa për benefice… Më e dukshmja është ajo e ditëve të pushimit. E fillon të premten nga dreka dhe deri të dielën në darkë, ke mundësi të marrësh makinën, t’i hipësh autobusit turistik, por dhe të presësh një biletë avioni, or lum miku, e ta bësh një xhiro nëpër kontinent, se ke kohë boll. Kjo punë është çdo javë, pa përmendur 28 ditët vjetore të pushimeve që mund të ndërmarrësh edhe ndonjë rrugë kozmike.
Ky është inflacion pushimesh.
Për ne të tjerët, dita e pushimit është e shenjtë. Dhe për t’u çlodhur e marrë veten nga java me temperatura të larta, ku përveç Covid-it, nuk mbet virus në këmbë, kemi marrë me nge të bëjmë tur nëpër fshatrat e Shqipërisë. Kjo na ka mbetur tek e fundit, njohja e atdheut. Këtë fundjavë në tryezën e bisedimeve të familjes sonë ishte shtruar për zgjidhje: Ujëvara e Shëngjergjit apo burimet e Byshekut.
Në distancë kilometrike të dy fshatrat, njëri në Tiranë e tjetri në Elbasan, kanë pak a shumë të njëjtën largësi diçka më shumë se 40 kilometra. Në votimin e hapur, dolëm dy me dy, ku fëmijët duke parë kthesat e shumta të rrugës që të çonte në Shëngjergj, preferuan rehatllëkun e autostradës së Elbasanit. Epo mirë e kishin, shpirtin shejtanit s’do t’ia japim. E përse, për të pirë një gërgje ujë të ftohtë. Dhe meqenëse dy votat e kalamajve rëndonin më shumë se ato të të rriturve, morëm “autostradën e Kërrabës”.
Sa për informacion, Bysheku është një zonë pranë fshatit Shushicë, e cila është pjesë e Njësisë Administrative të Shushicës, që përfshihet nga Bashkia e Elbasanit. Ndodhet 9 km në juglindje të qytetit, ose 49 km larg Tiranës, por gjithmonë nga qendra. Në të vërtetë, nga Unaza e Elbasanit deri në Byshek janë vetëm 6 kilometra. Sepse Bysheku ndodhet në jug të qytetit, në luginën e Shkumbinit në të majtë të rrjedhës së tij. Pra, janë më pak metra linearë se të thuash “një vrap pele”.
Informacionet e faqeve elektronike të sqarojnë se e gjithë zona ka rreth 4000 banorë, ku 50% e popullsisë së zonës merret me bujqësi. “Shushicë” do të thotë “vend me ujë” ku në fakt, në mjaft pika të kësaj zone ka vendburime uji. Një variant tjetër është “Shushurimë” e cila është krijuar sipas zhurmës së ujit që shushurin. Sipas “google maps” elbasanasve u duhen vetëm 11 minuta për ta shijuar këtë mrekulli të natyrës. Për ne nga Tirana duhen rreth 40 minuta. Për më tej nuk marr mundimin të bëj llogaritë.
Njësia administrative Shushicë njihet dhe për disa monumente të tjera kulturore me vlera të mëdha historike dhe arkeologjike, si pjesë të rrugës së vjetër “Egnatia”, që degëzohet në fshatin Fushë-Buall. Në Byshekun piktoresk ndodhet një prej burimeve karstike më të rralla në vend. I gjithë vendi ka një sipërfaqe prej 2000 metra katrorë sipërfaqe ujore, ku prurjet që dalin rrëzë një shkëmbi gjigant, janë 70 litra në sekondë.
Mbërrijmë në Byshek, i cili na shfaqet përballë në mënyrë befasuese, apo si “fanti spathi” për të sjellë në kohë këtë shprehje të lashtë bixhozi.
I gjithë rezervati është i vogël, por shumë shijues. Ajo që e bën të veçantë këtë zonë, nuk lidhet vetëm me ujin e ftohtë që buron pa fund, por edhe me disa rrape shekullore me zgavra të mëdha.
“Do të mbetesh vetëm Irenë”. Kjo është një fjali nga skenari i filmit shqiptar, “Pranvera s’erdhi vetëm” ku regjisori Piro Milkani ka zgjedhur që disa sekuenca t’i realizojë pikërisht në këtë zonë turistike. Sepse Bysheku nuk është njohur si zonë turistike këto vitet e fundit.
Ai ka qenë i tillë edhe para viteve ’90. Dhe po të bësh krahasimin e vitit 1986, kur është realizuar ky film, me vitin 2020, do të shohësh se vendi është i njëjtë si atëherë dhe sot. Por nëse në ilustrimin kinematografik shihet se toka është e mbuluar nga bari i gjelbër, tanimë do të ndeshësh më së shumti në një tokë të zhveshur në ngjyrë kafe të hapur.
Gjithsesi, ujët e ftohtë të burimit dhe rrapet qindravjeçare i japin zonës hijeshinë dhe qetësinë e munguar, për të kaluar një ditë më të freskët dhe larg kaosit të kryeqytetit.
I quajtur ndryshe si “Driloni” i Elbasanit, Byshekut i duhen ca më shumë investime serioze. Sepse kuptohet lehtë që për shumë e shumë vite aty askush nuk ka vënë, përveç se është keqtrajtuar gjatë viteve, kur shteti nuk e ka pasur të përqendruar vëmendjen te zonat turistike, sepse në interes të tij lanë qenë vetëm doganat, portet dhe aeroporti.
Ç’është e vërteta, Bysheku është një nga zonat e përfshira në projektin zhvillimor “100 fshatrat”. Por deri tani investimet ende nuk janë dukur nga ato anë.
Vendasit të thonë se Bysheku shumë vite më parë ka qenë një zonë shumë e pastër. Më pas zona u ndot dhe nuk mirëmbahej. Por turistët vendas nuk e braktisën asnjëherë. Tanimë situata ka ndryshuar sërish. E, megjithatë, në basenin e madh ku mblidhet uji i dalë nga burimi shkëmbor, gjen shishe birre e kanaçe “Coca-Cola” të hedhura aty-këtu.
Dhe kjo pa dyshim që ka të bëjë me kulturën qytetare të fshatarëve që vijnë nga zonat përreth e që, me sa duket, të paktën për një ditë të vetme, e shohin veten si turistë anglezë. Zgavrat e rrapeve madhështore që përdoreshin dhe si magazina për të strehuar gjithfarë objektesh, tanimë janë të pastruara e mund të bësh ndonjë fotografi artistike.
Numri i makinave që vijnë në Byshek nuk është shumë i lartë, por duke qenë se nuk kanë një vend ku të parkojnë, shumë prej tyre futen brenda rezervatit, ndërsa ato që mbeten të parkuara buzë rrugës e bëjnë edhe më problematik qarkullimin e automjeteve të tjera.
Një drekë nën hijen e rrapeve është një atmosferë më vete. Por ajo që të përmirëson ndjeshëm situatën dhe të bën të marrësh frymë i lehtësuar është çasti i pagesës. Të mësuar me faturat e rënda të plazhit, sidomos kur shkon për verim andej nga Zona e Parë Operative, Vlorë – Llogara – Sarandë, fatura e Byshekut të duket e lehtë pendë. Dhe, për më tepër, prodhimet edhe nëse nuk janë krejtësisht bio, të paktën janë shumë më pranë tyre.
Gjatë kthimit, në të dalë të Elbasanit, furnizimi me karburant është edhe më i lirë sesa në të hyrë të Tiranës, po nga e njëjta firmë.
Dhe me kaq dita e pushimit mbaron. Sepse të nesërmen avazi nis sërish…
la.mi/Fjala.al