Me armë në makinë/ Nuk i binden policisë, pas ndjekjes kapet pasagjeri, shoferi në kërkim

Nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar, pas ndjekjes, arrestohet në flagrancë pasagjeri dhe shpallet në kërkim drejtuesi i mjetit. Policia tha se ka sekuestruar edhe një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me 7 fishekë.

Si rezultat i kontrolleve të shtuara për kapjen e personave të shpallur në kërkim dhe atyre që qarkullojnë me armë zjarri me vete, Policia e Elbasanit tha se Forca e Posaçme “Shqiponja”, në lagjen “28 Nëntori”, i kanë bërë shenjë ndalimi mjetit tip “Fiat”, me drejtues shtetasin E. K. dhe pasagjer shtetasin J. Xh.

Por pas shenjës për ndalim, këta shtetas nuk i janë bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por janë larguar me shpejtësi dhe në ecje e sipër kanë hedhur nga dritarja e mjetit të tyre një send të fortë duke e dëmtuar mjetin e Policisë.

Në tentativë për t’u larguar ata kanë hedhur në rrugë dhe një armë zjarri pistoletë. Pas aksionit policor, u arrestua në flagrancë shtetasi J. Xh., 31 vjeç, banues në Elbasan, si dhe u bë shpallja në kërkim e drejtuesit të mjetit, shtetasit E. K.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar një armë zjarri pistoletë dhe një krehër me 7 fishekë. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan./Bl.Ba/Fjala.al