Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë 8 emrat e parë për t’i mbyllur në regjimin e ri.
Kush janë 40 të parët që pritet të përfundojnë në sistemin e “izolimit të plotë”, sipas sistemit të përdorur në Itali kundër mafies italiane.
Nga Ervis Myrta
Të dënuarit për vepra të rënda penale dhe drejtues të grupeve kriminale që janë pas hekurave, pritet që së shpejti të transferohen në qelitë e “41 BIS”, që janë ndërtuar enkas për ta. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka dërguar Ministrisë së Drejtësisë 8 emrat e parë për t’i mbyllur në regjimin e ri, që do të aplikohet në burgun 313 dhe atë të sigurisë së lartë të Peqinit.
Mësohet se SPAK-u ka mbyllur hetimet për tetë të dënuarit e parë të botës së krimit, që vuajnë dënimin në burgjet shqiptare, dhe ka kërkuar për ta regjimin “41 BIS”. Sipas burimeve të gazetës, mësohet se emrat e të dënuarve për të cilët është kërkuar izolimi janë dërguar që në mujin mars në Ministrinë e Drejtësisë.
Kjo e fundit është ajo që vendos, nëse depoziton apo jo kërkesën e prokurorisë në gjykatë. Kreu i SPAK-ut, Arben Kraja, prej tre muajsh i ka dorëzuar dokumentin që duhet të firmosë ministrja Gjonaj, ku i kërkon dërgimin e këtyre të dënuarve në dhomat e regjimit të rreptë të ashtuquajtur “41 BIS”.
Gazeta “Fjala” iu drejtua zyrtarisht kreut të institucionit më të ri të drejtësisë shqiptare, për të mësuar se kush janë 8 të dënuarit për të cilët është kërkuar izolimi në sistemin “41 bis”. Por, drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme u tregua mjaft i rezervuar për dhënien e tyre, duke u shprehur se këto janë të dhëna sekrete.
Tetë emrat për të cilët kërkohet izolimi i rreptë janë personazhe mjaft të njohura të botës së krimit. Ligji për futjen në izolim dhe mbajtjen nën mbikëqyrje për të mos pasur asnjë kontakt të jashtëm të krerëve të organizatave kriminale, është në fuqi prej janarit të 2019-s, por deri tani asnjë prej tyre nuk i është nënshtruar këtij regjimi.
Kohëzgjatja e qëndrimit në izolim, në burgun e sigurisë së lartë, është për një periudhë njëvjeçare, që mund të zgjatet sërish me një vit. Zgjatja e këtij regjimi vendoset kur rezulton se ekziston akoma mundësia që i dënuari apo i paraburgosuri të jetë i aftë për të mbajtur lidhjet me organizatën kriminale, grupin e strukturuar kriminal, apo organizatën terroriste.
Qelitë ku pritet të izolohen këta persona janë bërë gati në burgun 313 në Tiranë dhe në atë të Peqinit. Sistemi “41 BIS”, një model italian, përfshin të dënuar për rreth 20 vepra të rënda penale, si ajo e akteve terroriste, apo krime të kryera në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.
Qelitë e izolimit janë gati
Qelitë e izolimit për të dënuarit “VIP” që do t’i nënshtrohen regjimit “41 BIS” janë gati prej një viti. Në burgun “313” në Tiranë dhe atë të Peqinit kanë përfunduar 40 qeli që do të presin drejtues të organizatave kriminale, të cilët do t’i nënshtrohen një regjimi të rreptë monitorimi, për të shmangur komunikimin me botën e jashtme.
Mësohet se 20 dhoma izolimi ndodhen në paraburgimin “313”, në kryeqytet. Në këto qeli do të zhvendosen ata të dënuar që dyshohet se janë aktivë dhe drejtojnë aktivitete kriminale nga burgu. Të gjithë të dënuarit që do të zhvendosen në këto qeli, nuk do të kenë asnjë kontakt me botën e jashtme, duke u izoluar tërësisht.
Gjithashtu, të burgosurit nuk do kenë kontakte as me njëri-tjetrin, përfshirë edhe kohën e ajrimit. Personat që do t’i nënshtrohen “41 BIS” do të qëndrojnë 2 orë në bokset e ajrimit. Ndryshe nga të tjerët, gjatë gjithë kohës janë edhe nën vëzhgimin e kamerave të sigurisë. Burime nga Drejtoria e Burgjeve bëjnë me dije se ka bërë një listë dhe janë duke u përzgjedhur të dënuarit e parë që do t’i nënshtrohen këtij sistemi, por nuk ka ende asnjë emër konkret, madje edhe për 8 emrat e parë që janë dërguar nga SPAK në Ministrinë e Drejtësisë, administrata e burgjeve është mjaft e rezervuar, duke mos dhënë asnjë detaj se kush janë ata. Por si do të bëhet përzgjedhja e të dënuarve VIP?
Këtë vendim nuk e merr një njeri i vetëm. Prokurori special, bën prozpozimin në Ministrinë e Drejtësisë, kjo ministri në bashkëpunim me Ministrinë e Brendshme, SHISH-in dhe Policinë e Shtetit marrin vendimin nëse duhet pranuar apo jo izolimi i të dënuarit. Përveç burgut 313, të dënuarit që do t’i nënshtrohen regjimit “41 BIS” do të akomodohen edhe në burgun e Peqinit.
Edhe aty janë bërë gati 20 qeli të tjera. Në qelitë e burgjeve shqiptare ka një numër të konsiderueshëm të dënuarish, të cilët janë dënuar për vepra të rënda, madje dhe raste konkrete ku kanë treguar se mund të drejtojnë grupin, edhe pse të izoluar. Nga burgjet e sigurisë së lartë drejtonte trafikun e lëndëve narkotike dhe Indrit Dokle.
I dënuar me burgim të përjetshëm, si pjesë e bandës së Durrësit në vitin 2013, Dokle u dënua dhe me 16 vite të tjera, për shkak se nga qelia drejtonte narkotrafikun, ndonëse tashmë ka lënë qelinë dhe po shijon lirinë. Një tjetër rast, është ai i Admir Tafilit, i cili drejtonte nga burgu një grup vrasësish me pagesë.
Tafili merrte porosi për eliminimin e personave të ndryshëm dhe nga burgu urdhëronte “ushtarët” e tij për të kryer ekzekutimet. Regjimit të rreptë pritet t’i kalojnë dhe emra të njohur të botës së krimit, siç janë Aldo Bare dhe Zani Çaushi. Ndonëse bandat famëkeqe të vitit 1997 u shkatërruan, pritet që kontroll kryesisht në takime apo thirrje telefonike të kenë dhe këta të dënuar. Një ndër veprat penale e cila kalon automatikisht në regjimin “41 BIS” është dhe vrasja e funksionarëve të lartë shtetërorë.
Çfarë është “41 BIS”?
Termi “41 BIS” për herë të parë është prezatuar në Itali, në vitin 1992, kohë kur humbën jetën Giovanni Falcone dhe Paolo Borselino, si mburojë specifike për anëtarët e grupit mafioz Cosa Nostra dhe grupe të tjera të ngjashme me të.
Me vdekjen në qeli të bosit të Cosa Nostra-s, Toto Rina, në nëntor të 2017-s, “41BIS” u rikthye sërish në qendër të vëmendjes në Itali, për të ringritur edhe një herë sigurinë në burgje. Thelbi i regjimit “41BIS” është nevoja për të penguar komunikimin e të burgosurve me njerëz të jashtëm.
Duke bërë këtë, pengohen bosët e mafies që të kenë komunikime të mundshme me organizatat kriminale. Kështu, atyre u bllokohet mundësia që bosët të japin urdhra për vrasje dhe krime, ndërkohë që janë të burgosur. Limitimi i numrit të takimeve me familjarët është një ndër rregullat strikte, ku saktësohet sipas ligjit italian, maksimumi 1 takim në muaj.
Po ashtu, ndalohet kontakti fizik me familjarët, ndërsa çdo bisedë mes tyre është e regjistruar. Të burgosurit kanë mundësinë e një telefonate 10-minutëshe në muaj, edhe ajo e regjistruar. Çdo korrespondencë me jashtë do të jetë e kontrolluar.
I vetmi komunikim që i shpëton monitorimit është posta institucionale me pjesëtarë të Parlamentit dhe me autoritetet nacionale dhe evropiane, si dhe me institucione të drejtësisë. Të burgosurit i ndalohet çdo objekt personal në qeli, si stilolaps, blloqe apo lekë, transmeton Express. Në rast sëmundjeje, të sëmurët transferohen në reparte spitalore sipas dispozitave të “41BIS”.
Në disa raste të veçanta të sëmundjeve të rënda, është e mundur të jepet leje nga mbrojtësit ligjorë. Po ashtu, ka një limit për kohën e qëndrimit jashtë që nuk mund të jetë më shumë se dy orë në ditë, dhe në grupe jo më shumë se 4 vetë.
Të burgosurit janë aq të vëzhguar, sa është e pamundur të komunikojnë me njëri-tjetrin, të gatuajnë, të shkëmbejnë objekte, dhe janë grupe sociale të ndryshme të dënuarish. Në rast revoltash apo situatash të agravuara, ministri i Drejtësisë ka të drejtën të marrë vetë vendime, duke pezulluar nga funksionet drejtorin e burgut.
Në Itali kjo platformë ligjore aplikohet në 23 institucione të vuajtjes së dënimit në të gjithë territorin italian. Por, “41BIS” ka hasur edhe kundërshtime në Itali. Regjimi me siguri të lartë në burgje cenon të drejtat dhe liritë e njeriut, pasi sipas Komitetit për të Drejtat e Njeriut, të OKB-së, një i burgosur nuk mund t’i nënshtrohet një regjimi të tillë johuman dhe degradues, për qenien njerëzore.
la.mi/Fjala.al