Policia e Vlorës ka arrestuar ditën e sotme një 53-vjeçar me inicialet A.XH, banues në Dukat të Vlorës, për shitje të lëndëve narkotike. Gjatë kontrollit në banesën e tij, uniformat blu kanë sekuestruar një sasi kokaine, një pjesë e cila ishte ndarë në doza, një peshore elektronike, 2000 euro dhe 300 mijë lekë, të cilat dyshohet se ishin siguruar nga aktiviteti kriminal.
Njoftimi i policisë
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me seksionin operacional pranë DVP Vlorë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas në zonën e Llogarasë merrej me tregtim të drogave të forta në doza të vogla, kanë organizuar dhe finalizuar në zonën e Llogarasë, operacionin policor të koduar “Llogaraja”, në kuadër të të cilit u kap dhe u arrestua në flagrancë shtetasi A. Xh., 53 vjeç, banues në fshatin Dukat, Vlorë.
Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë i kanë gjetur një sasi lënde narkotike kokainë, një pjesë të ndarë në doza gati për shitje dhe një peshore elektronike. Gjithashtu, gjatë kontrollit Policia ka gjetur dhe sekuestruar 2000 euro dhe 300.000 lekë, të cilat dyshohet se janë përfituar nga ky aktivitet kriminal. Materialet iu referuan Prokurorisë Vlorë, për veprime të mëtejshme.