Pezullohet nga detyra anëtari i KPA-së Luan Daci

Kolegji i Posaçëm i Apelimit ka pezulluar sot nga detyra gjyqtarin Luan Daci. Në njoftimin e saj, KPA bën me dije se duke filluar nga dita e sotme Daci nuk mund të marrë asnjë vendim pasi është pezulluar.

Ndërkohë kujtojmë se një ditë më parë Luan Daci, është marrë i pandehur nga SPAK, Pas disa muajsh hetime, SPAK e pezulloi nga detyra Dacin më 20 maj. Daci u denoncua nga ish-prokurorja Antoneta Sevdari, e cila e akuzoi për mashtrim të institucioneve shqiptare. Akuzat e Sevdarit u provuan edhe nga SPAK, e cila doli në konkluzionin se Daci nuk u largua nga sistemi, po u shkarkua për paaftësi në punë në vitin 1997.

NJOFTIMI

Pas vënies në dijeni nga vetë gjyqtar Luan Daci, për marrjen e tij në cilësinë e të pandehurit nga Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit u zhvillua sot Mbledhja e Gjyqtarëve, e cila, me vendimin nr. 14, datë 24.07.2020, në zbatim të nenit C, pika 3 e Aneksit të Kushtetutës, të nenit 128, pika 3, germa “b”, të nenit 179, pika 7, si dhe të nenit 179/b, pikat 5 dhe 6 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë, vendosi: Pezullimin nga detyra të gjyqtarit të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, z. Luan Daci.

Kolegji i Posaçëm i Apelimit, në funksion të ushtrimit të veprimtarisë normale të tij, duke respektuar pavarësine dhe paanësinë e organeve proceduese, si dhe parimin e prezumimit të pafajësisë për gjyqtarin Luan Daci, u kërkon organeve proceduese të vijojnë me një proces të shpejtë, në përputhje me parashikimet e ligjit.