Në fakt, duhet të ishte e kundërta, teksa kampionatet në të gjithë kontinentin e vjetër, javët e fundit, por sidomos javën e fundit, e luajnë në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin orar madje, për të shmangur tolerimet apo “pazaret” midis klubeve sa u përket vendeve të renditjes.
Por, duke qenë se mund të thuhet që kjo do të jetë java e “të luajturit për qejf”, pasi në nivelin më të lartë të Kampionatit Kombëtar të Futbollit, në Kategorinë Superiore, tani është vendosur gjithçka, duke filluar nga titulli, mbijetesa dhe Evropa, atëherë Federata Shqiptare e Futbollit është treguar “dorëlëshuar” në këtë drejtim.
Kështu, organizmi që qeveris futbollin në vend ka bërë të ditur se ndeshjet e javës së 36-të dhe të fundit të Kategorisë Superiore, do të luhen të gjitha ditë e mërkurë, më 29 korrik 2020. Sipas FSHF-së, do të jetë takimet Luftëtari-Kukësi dhe Vllaznia-Flamurtari ato që do luhen duke nisur nga ora 17:45.
Ndërkohë, dy takimet e fundit, Skënderbeu-Partizani dhe Teuta-Laçi do të luhen duke filluar nga ora 20:45. Midis tyre, do të luhet, duke nisur nga ora 19:00, sfida Tirana-Bylis, e cila, në fillim ishte planifikuar për në orën 20:45. Në përfundim të kësaj ndeshjeje, që do të zhvillohet në Stadiumin “Arena Kombëtare, do të jetë edhe ceremonia e titullit “kampion”.
Kategoria Superiore
Java e 36-të:
Të mërkurën, 29 korrik 2020:
Luftëtari – Kukësi (17:45)
Vllaznia – Flamurtari (17:45)
Tirana – Bylis (19:00)
Teuta – Laçi (20:45)
Skënderbeu – Partizani (20:45)