Ai është padyshim një nga korifenjtë e futbollit italian, por edhe atij evropian dhe botëror dhe kur Arrigo Saki flet, bota e topkëmbës dëgjon. Në një intervistë të dhënë së fundmi për të përditshmen italiane, “Il Mattino”, ish-trajneri i njohur i Milanit dhe përfaqësueses së Italisë, ka folur për punën e Mauricio Sarrit në drejtim të Juventusit. “E prisja që të kishte vështirësi”, – ka zbuluar 74-vjeçari.
“Pyetja që i bëj vetes është se në qendër të projektit është lojtari apo loja? – ka vijuar Saki që njihet si një nga njerëzit që ka vendosur gurë kilometrikë sa i përket arritjeve, por edhe filozofisë së lojës. – Në një film ka rëndësi subjekti apo aktori? Sarri ka punuar me lojtarë që në këto vite kanë dhënë shumë dhe ai që ishte para tij, Masimiliano Alegri, është krejtësisht i kundër me të.”
“Nëse njëri është poli i Jugut, tjetri është poli i Veriut, – ka vijuar Saki. – Alegri thonte se vlen vetëm fitorja dhe e ka ndërtuar skuadrën duke e bazuar te kjo filozofi. Sarri ka marrë skuadrën e tij, çfarë mund të bënte tjetër?” Ish-trajneri i njohur ka folur edhe për titullin “kampion” që Juventusi pritet ta fitojë, por ka bërë edhe një paralelizëm midis tij dhe trajnerit aktual të bardhezinjve.
“Një futbollist i Juventusit vlen sa gjithë Atalanta, – ka kujtuar ish-strategu i Milanit. – Por nuk do ta fitojë titullin vetëm për këtë arsye, do ta fitojë edhe për sforcimet e Sarrit për të gjetur një ekuilibër mes këtyre vështirësive. Nuk lëviz askush pa top, nuk vrapojnë pa pasur topin në këmbë. Nëse e fajësoj për diçka? Nuk ishte regjisori i duhur për këta aktorë.”
“Ndoshta nuk duhej ta kishte pranuar stolin bardhezi. Por sezonin e ardhshëm gjërat mund të ndryshojnë. Unë shkova te Milani, isha një i panjohur, por ndoqa filozofinë time. Ndoshta kjo është ajo që i mungon”, – ka përfunduar ish-trajneri i njohur i Milanit dhe përfaqësueses së Italisë, Arrigo Saki.