Basha-Ramës: Koston e konfliktit do e mbash vetëm ti, pas zgjedhjeve do jesh në burg

Pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese në Kuvend ka ardhur një reagim i ashpër nga kreu i PD-së, Lulzim Basha.

Në një postim në rrjetet sociale, ai i drejtohet kryeministrit Rama se gjithë koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe 14 Janarit do e mbajë ai. Ndër të tjerë, Basha i thotë Ramës se vendi i tij pas zgjedhjeve është në burg.

“Koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe 14 Janarit, do ta mbash vetëm ti personalisht Edi Rama. Nëse mendon se me konfliktin e krijuar dhe me prishjen e stabilitetit demokratik të vendit, do të marrësh garanci për kokën tënde dhe të hajdutëve që të rrethojnë, po ta them prerë dhe shkurt: Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg, atje ku shkon çdo individ që me dashje kryen një krim kundër vendit dhe qytetarëve të tij. Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojnë të kenë në plan të parë, jo lojën tënde dhe të krimit që të drejton prej 22 vitesh në politikë, por hallet dhe problemet e shqiptarëve, që ti dhe Qeveria jote i kanë braktisur për hallet e tua personale.” shkruan Basha në Twitter./En.Br./Fjala.al