Dhe u zhvillua ceremonia e dorëzimit të detyrës së shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bardhyl Kollçaku, për pasardhësin e tij Bajram Begaj. Në ceremoninë e zhvilluar në Ministrinë e Mbrojtjes, Kollçaku ka mbajtur një fjalim të veçantë në të cilin kishte shumë nota krenarie për karrierën e vet që niste 38 vjet më parë kur nisi në shkollën e mesme “Skënderbej”.
Kollçaku ka qenë një nga nxënësit dhe studentët ekselentë të shkollës dhe kaloi gjithë karrierën e vet nga një ushtarak i thjeshtë në majë të piramidës së hierarkisë ushtarake me gradën Gjeneral Brigade. Më poshtë fjalimi i plotë i Kollçakut. E nderuar Zonja Ministre, Të dashur gjeneralë, komandantë, ushtarakë dhe civilë pjesmarrës të FA, Zonja dhe zotërinj, 38 vjet më parë, diçka 10 metër më tutje nga ky vend filloj kariera ime ushtarake. Angazhimi, kontributi, sakrifica dhe rigjenerimi në jetën ushtarake, si kudo, është një proces i vazhdueshëm që nuk përfundon asnjëherë.
Një brez e kalon pishtarin te brezi tjetër. Kështu edhe një Shef i Shtabit të Përgjithshëm do t’i dorëzojë detyrën dhe besimin pasardhësit, i cili duke u mbështetur në arritjet dhe eksperiencat e paraardhësit të tij do të synojë ta zhvillojë, modernizojë dhe konsolidojë më tej atë. Dëshiroj të filloj me një falenderim për të gjithë autoritetet që për një kohë rreth tre vjeçare më besuan kryerjen e detyrës më të lartë ushtarake, atë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të FA të vëndit.
Nga ana tjetër, nuk mund të mos pohojë se, unë, i mbështetur dhe i ndihmuar nga bashkëpuntorët e mi më të afërt ushtarak dhe civil, nga stafi i SHP dhe MM, nga komandantët e komandave të forcave dhe mbështetëse e autonome, por edhe nga miqtë tanë të Aleancës dhe vëndeve partnere, i kam kushtuar të gjitha aftësitë dhe mundësitë e mia, për kryerjen me nderë, integritet, dinjitet dhe profesionalizëm të kësaj detyre fisnike. Gjatë këtyre viteve FA ka përjetuar ngjarje dhe zhvillime të rëndësishme të cilat kanë rritur dhe forcuar më tej opinionin pozitiv për dinjitetin, profesionalizmin, përkushtimin, aftësinë dhe angazhimin e FA në shërbim të vendit dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në tërësinë e zhvillimeve të mëdha dhe të arritjeve gjatë kësaj periudhe do të dëshiroja të theksoja përpjekjet dhe angazhimin për motivimin e personelit ushtarak nëpërmjet përmirësimeve në pagë, në pension, në trajtimin me ushqim, me uniform, në arsimim; modernizimin, rritjen e efektivitetit të kryerjes së detyrimeve brëmda vëndit dhe detyrimeve euro-atlantike dhe deri tek rritja e efektivitetit të diplomacisë ushtarake. Koha dhe rasti e solli të jemë në krye të FA në situata dhe momente të vështira për vëndin dhe për komunitete të ndryshme të tij.
Duke filluar nga disa përmbytje të mëdha, tek tërmetet e fundit dramatike dhe deri tek pandemia që po vazhdojmë ta vuajm, por edhe shumë angazhime të tjera në kuadër të emergjencave civile për komunitetet, njerëzit me uniform të FA kanë treguar një gatishmëri, sakrificë, aftësi, përkushtim dhe përgjegjësi, më shumë dhe përtej mundësive reale. Si ushtaraku në krye të piramidës dhe shumë herë duke i ndjekur edhe personalisht në skenat e operacionit dhe aksionit, jamë ndjerë më shumë se krenar!
Ju keni qenë forca për përkushtimin maksimal në detyrën time! Ndjejë detyrimin e thellë t’ju shpreh mirënjohjen time më të sinqertë! Kryerja e detyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm nuk mund të kuptohet pa përmbushjen e përgjegjësisë së plotësimit dinjitoz të detyrimeve ushtarake kombëtare në Aleancë. Për të gjithë ushtarakët tanë që kanë shërbyer dhe shërbejnë aktualisht në misione, operacione dhe detyra të tjera në NATO dhe në formate të tjera kombëtare e ndërkombëtare, ju përcjellë falenderimet më të ngrohta dhe urimet më të mira për sukses dhe siguri në kryerjen e detyrave tuaja fisnike, të vështira dhe shumë të rëndësishme.
Ju ngeleni diplomatët më të mirë të vëndit! Sakrifica dhe kontributi juaj janë pjesa e madhe e vlerësimeve të punës time. Mirënjohje të veçantë për të gjithë juve! Sigurisht që kryerja e detyrës së Shefit të Shtabit të Përgjithshëm ka vështirësi dhe sfida. Çdo detyrë, përgjegjësinë e ka individuale, por realizimi me sukses i saj, krahas përkushtimit individual, është rezultat i pashmangshëm i bashkëpunimit, mirëkuptimit, ndihmës dhe mbështetjes së një ekipi të madh civilo-ushtarak që punojnë për të njëjtin qëllim. Aktiviteti intensiv në këtë detyrë do të ngelet një shkollë me refleksione për mua.
Duke thënë këtë, do të doja sot që të kisha mundësi të përshëndes nga afër çdo ushtar, nënoficer, oficer dhe civil që shërben në FA, kudo që ata ndodhen në këto momente, në frontet e angazhimeve brënda dhe jashtë vëndit, në fushat e stërvitjes, në ambientet e punës apo në auditoret e shkollave dhe ti falënderoj për punën dhe përkushtimin e tyre, për kohën që kemi ndarë së bashku për të mirën dhe zhvillimin e FA, por edhe për përballimin e situatave të vështira dhe të rënda.
Falenderim i sinqertë shkon për të gjithë autoritetet civile dhe drejtues të të gjithë institucioneve të vëndit që puna dhe detyra më ka dhënë rastin dhe nderin të bashkëpunojë. Falenderim për stafin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Emergjencave Civile. Respekt, mirënjohje dhe falenderim për gjithë personelin ushtarak dhe civilë të SHP, të gjeneralëve aktiv dhe atyre në rezervë dhe të komandantëve të të gjitha niveleve.
Një falënderim të ngrohtë drejtoj gjithashtu për homologët e mi të vendeve të Aleancës, për atashetë ushtarakë të vendeve mike e partnere të akredituar në vendin tonë, për të gjithë përfaqësuesit e tjerë ushtarakë dhe civilë të këtyre vendeve, me të cilët kam patur privilegjin dhe mundësinë të bashkëpunoj në të mirë të Forcave tona të Armatosura dhe sigurisë së vëndit. Së fundi, respektin më të thellë për gjithë stafin e Kabinetit, që ma kanë lehtësuar dhe mbështetur aq shumë në punën dhe detyrën time.
Por sigurisht që falenderimi më i vecantë i takon familjes time për sakrificat, mbashtetjen e pakursyer dhe mirëkuptimin e gjithhershëm. Duke përfunduar, i uroj me zemër realizime dhe suksese pasardhësit tim! Zoti i bekoftë Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë! Ju faleminderit. /Ra.My.Fjala.al/