Zgjedhjet në universitete/Studentët bojkotojnë, Artan Hoxha rektori i ri i UT

Pas polemikave të shumta lidhur me zhvillimin e procesit zgjedhor në universitete, kryesisht në atë të Tiranës, përfundon procesi i votimit dhe i numërimit të votave. Artan Hoxha zgjidhet Rektor i Universitetit të Tiranës, pasi ka arritur të sigurojë 54% të votave të pedagogëve dhe studentëve.  Nga ana tjetër studentët vendosën të bojkotojnë zgjedhjet, kjo vihet re në pjesëmarrjen e tyre minimale në votime. Konkretisht në UT, vetëm 14.5 % e studentëve votuan në procesin zgjedhor.

Nga Ina Allkanjari

Studentët bojkotojnë zgjedhjet në universitete. 12 universitete publike në vend hapën ditën e djeshme zgjedhjet për studentët dhe stafin akademik, ku u votua për autoritetet dhe organet drejtuese. Prej kohësh figura të ndryshme në vend, kryesisht studentë, kërkuan realizimin e zgjedhjeve në një moment të dytë, me argumentimin se periudha e pandemisë do kufizojë pjesëmarrjen e tyre, gjithashtu krahas kësaj kërkuan edhe plotësimin e disa pikave, siç është rritja e peshës së studentëve në votime.

Ndonëse kërkesa e tyre nuk u dëgjua, studentët vendosën të reflektojnë pakënaqësitë ndaj këtij procesi zgjedhor duke mos marrë pjesë në votime. E gjithë vëmendja në këto zgjedhje u përqendrua te gara për rektor në Universitetin e Tiranës, për të cilin kanë të drejtë vote 718 personel akademik dhe mbi 25 mijë studentë. Ndërkohë u vu re se studentët në këtë universitet bojkotuan zgjedhjet, dhe kjo u reflektua qartazi në pjesëmarrjen në votime.

Konkretisht vetëm 14.5% e studentëve vendosën të votojnë, ose thënë ndryshe 2317 studentë. Ndërkohë kujtojmë se në këto votime pesha e tyre është vetëm 10%. Nga ana tjetër u vu re një pjesëmarrje e lartë nga ana e personelit akademik të UT, ku votuan 95% e tyre. Pothuajse e njëjta situatë paraqitet edhe në Universitetin Politeknik të Tiranës,  ku kanë votuar në total 1487 persona, nga këta 1162 studentë dhe 325 pedagogë.

Pra rreth 10% e studentëve kanë vendosur të marrin pjesë në votime, ndryshe nga personeli akademik, ku morën pjesë thuajse 100%, pasi mësohet se vetëm 1 pedagog nuk ka votuar. Në institucionet e arsimit të lartë më së shumti akademikët rikandiduan për të fituar një mandat të dytë, ku bën përjashtim rektori i Universitetit të Tiranës, Mynyr Koni; rektori i Universitetit Bujqësor, Bahri Musabelliu dhe rektori i Universitetit Fan Noli në Korçë, Ali Jashari.

 

Rektorët fitues

Pas polemikave të shumta të krijuara prej disa muajsh tashmë, lidhur me zhvillimin e zgjedhjeve në Universitetin e Tiranës, votat shpallën fitues ditën e djeshme, rektorin e ri në detyrë. Bëhet fjalë për Artan Hoxhën, i cili ka arritur të sigurojë 54% të votave të pedagogëve dhe studentëve. Konkretisht Hoxha ka fituar 348 vota nga pedagogët dhe stafi akademik, përkundrejt kundërshtarëve të tij, Mimoza Hafizit, e cila ka marrë 176 vota, dhe Kozeta Sevranit, që ka siguruar 122.

Më parë, Artan Hoxha mbante postin e dekanit në Fakultetin e Drejtësisë. Ajo çfarë nuk dihet ende është nëse ish-rektori Mynyr Koni do të pranojë ose jo rezultatin, kjo pasi prej kohësh Koni mohon publikisht ligjshmërinë e zgjedhjeve, ndonëse Ministrja e Arsimit  rreth 1 muaj më parë përcaktoi datën 30 korrik, si ditën e zhvillimit të zgjedhjeve në universitete. Përplasje të shumta pati gjatë kësaj periudhe mes Rektorit Mynyr Koni dhe Komisionit Institucional Zgjedhor, për t’u ndjekur më pas me përplasjet mes Konit dhe Ministres së Arsimit Besa Shahini.

Ndërkohë ditën e djeshme në Universitetin Fan S.Noli  Korçë, pas përfundimit të numërimit të votave, u përzgjodh rektor, Dhimitër Bello. Profesori i njohur i gjuhë-letërsisë ka fituar 95 vota pedagogesh daj 54 votave të kandidatit për rektor Lorenc Ekonomi. Bello ka fituar ndaj Ekonomit në të katër fakultetet e këtij universiteti. Fitoret më të thella i ka pasur në Fakultetin Ekonomik dhe atë të mësuesisë ndërkohë që me 7 vota më tepër pedagogësh Bello ka fituare dhe në Fakultetin e Shkencave Humane atje ku pritej që fitorja të kalonte në anën e Ekonomit pasi është pedagog në këtë fakultet.

Ndërsa rektorja e re e universitetit “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës është shpallur Suzana Golemi. Nga numërimi i votave të pedagogëve, ka dalë fituese me 2 vota diferencë. Golemit ja dhanë fitoren bindëse dy fakultete, ai i Shkencave të Natyrës ku ishte vetë dekane dhe Drejtësia, ku fitoren e ka pasur me bindëse. Përballë saj në këtë gare ishte Adem Bekteshi, rektori në detyrë. Ndërsa fitoren për rektore të Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës e mori Kseanela Sotirovski me 90% te votave pro.

Lexo edhe :  Zv/ministrja e Arsimit: Telefoni në shkolla nuk do lejohet

 

Procesi zgjedhor

Zgjedhjet u mbajtën në kushte të vështira për shkak të pandemisë por dhe të një konflikti mes Rektorit të Universitetit të Tiranës dhe Komisionit Institucional Zgjedhor, që merr shkas nga pandemia. Nën masat e nevojshme për të parandaluar përhapjen e virusit, votuesve përpos mjetit të identifikimit, në shumë prej universiteteve i’u mat temperatura para hyrjes në dhomën e votimit, si dhe u pajisën me maska dhe doreza. Procesi i votimit mëngjesin e djeshëm nisi në orën 08:00 dhe përfundoi në orën 16:00 për te vijuar më tej me numërimin e votave.

Përgjithësisht ishte një proces normal zgjedhor, votuesit u identifikuan përmes kartës së identitetit, pasaportës dhe kartës së studentit (nëse është student). Me marrjen në dorëzim të materialeve zgjedhore në universitete, si kutitë, fletët e votimit, dhomat e fshehta, ngjyrosësi i gishtit për votuesit, blloqet e proces verbaleve, formularët tip për pasqyrimin e të dhënave etj, në orë 08:00 filloi procesi zgjedhor. Në çdo komision, të KIZ, KFZ apo komisionet në qendrat e votimit, pati përfaqësues nga personeli akademik edhe nga studentët. Pas marrjes së fletës së votimit, personali akademik votoi për rektor, dekan, shef departamenti dhe për anëtarë senati si përfaqësues i personelit akademik. Ndërsa studentët votuan për rektorin, për dekanin dhe për anëtarë të senatit si përfaqësues të studentëve.

Pra stafi akademik mori 4 fletë votimi ndërsa studenti pajisej me 3 të tilla. Për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në Universitetin e Tiranës, 68 vëzhgues janë për kandidatët për rektor dhe deri tek përgjegjësi i departamentit, ndërsa 93 vëzhgues nga studentët, 3 nga sindikatat. Përpos masave të përcaktuara për parandalimin e përhapjes së virusit, dhe të zbatuara në shumë prej universiteteve në vend, disa prej tyre nuk arritën të siguronin distancimin fizik mes votuesve. Konkretisht në Fakultetin e Drejtësisë u vu re paraqitja e shumë studentëve të cilët nuk respektuan masat e koronavirusit, kryesisht distancën. Kjo situatë u shkaktua nga zgjedhjet, por dhe nga studentët që japin provimet e sezonit dhe marrin vlerësimet. Një situatë e paprecedentë u shënua në universitetin Politeknin të Tiranës, ku gazeta “Fjala” siguroi foto të kutive të votimit, të cilat mbanin logon e Partisë Socialiste. Shkaku pse ka ndodhur kjo gjë nuk dihet ende, ndërsa zgjedhjet në këto institucione nuk duhet të jenë të politizuara.

Box

Banderola e studentëve para Politeknikut:

Zgjedhje të turpshme dhe diskriminuese

 

Një grup studentësh kanë kundërshtuar ditën e djeshme zgjedhjet në universitete. Këto zgjedhje janë konsideruar nga studentët e Lëvizjes për Universitetin (LPU) si jo legjitime pasi përkojnë me një periudhë kur shumica e studentëve janë larguar nga universiteti për shkak të mbarimit të vitit akademik.

Ata shpalosën një banderolë përpara Politeknikut, në të cilën shkruhej “Kandidatë pa lidhje, zgjedhje pa zgjidhje”. Sipas tyre zgjedhjet në universitet janë të turpshme dhe diskriminuese, kjo pasi pesha e votës studentore mbetet 10%, ndërkohë që mungesa e studentëve në auditorë e bën praktikisht zero pjesëmarrjen e tyre.

“Lëvizja për Universitetin nuk është kujtuar sot për karakterin jolegjitim të zgjedhjeve universitare. Ne i kemi kundërshtuar ato që prej hyrjes në fuqi të ligjit të arsimit të lartë në vitin 2015, sepse i konsiderojmë jodemokratike, fyese për studentët dhe riprodhuese të klaneve partiako-klienteliste”, shprehen studentët. Revolta e tyre vjen gjithashtu pasi kërkojnë që pesha e votës dhe fjalës së tyre të merret parasysh dhe jo të mbetet në nivelet e  deritanishme. “Për të gjitha këto arsye ne do t’i bojkotojmë dhe hedhim poshtë me përbuzje këto zgjedhje farsë. Ato nuk garantojnë përfaqësim demokratik të studentëve dhe i shërbejnë riprodhimit të një sistemi arsimor tjetërsues. Pa rrëzimin e ligjit të arsimit të lartë dhe rritjen në 50% të peshës së votës studentore në universitete, nuk mund të ketë zgjedhje”, theksojnë studentët. /Ra.My.Fjala.al/