Ndryshohet Kushtetuta/Shqipëria në prag trazirash

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kuvendi votoi dje me 106 vota pro ndryshimin e Kushtetutës me votat e PS-së dhe opozitës parlamentare pa marrë parasysh kundërshtimin e opozitës jashtëparlamentare. Ky votim ka shkaktuar zemërim dhe deklarata të forta nga kryeopozitari Lulzim Basha dhe presidenti Ilir Meta. Të dy ata e kërcënuan kryeministrin Rama me “forcën e popullit” duke paralajmëruar trazira. Njëzëri dhe ndërkombëtarët shprehen keqardhje për mungesën e konsensusit politik.

 

Nga Blerina Gjoka

Në një parlament, ku mungojnë deputetët e  opozitës të votuar në zgjedhjet e  fundit parlamentare, mazhoranca socialiste ka bashkuar votat me një grup deputetësh zëvendësues nga listat e opozitës dhe ka miratuar ndryshimin e Kushtetutës. Këto ndryshime prekin drejtpërdrejt rregullat e lojës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare që mbahen në pranverë të 2021, duke ndryshuar sistemin zgjedhor me hapjen e listave dhe formulën e koalicioneve parazgjedhore. Ndryshimet u kundërshtuan fort nga opozita e cila tentoi të ofronte konsensus me një formulë tjetër për listat e hapura deri në orët e vonë të natës para votimit.

Por, pavarësisht diskutimeve në tryezën e këshillit politik konsensusi nuk u arrit dhe mazhoranca vijoi me votimit në Kuvend në seancën e fundit plenare për sesionin parlamentar siç kishte paralajmëruar kryeministri Rama. Sapo kartonët jeshilë iu ngritën për ta bërë fakt të kryer ka pasur një luftë deklaratash politike brenda vendit dhe reagime nga zyrat e kancelarive diplomatike brenda evropiane dhe amerikane.

Presidenti Ilir Meta dhe kryeopozitari Lulzim Basha kanë reaguar ashpër ndaj këtij akti të mazhorancës së drejtuar nga Rama duke i kujtuar atij zemërimin popullor dhe burgun, siç bëri kryeopozitari. Palët kanë lënë të kuptohet se ndryshimi i Kushtetutës është një veprim që mund të çojë në trazira politike. Rama për herë të parë pranoi se këto ndryshime fshijnë koalicionet parazgjedhore duke i cilësuar një “hile shqiptare” dhe pse kjo formulë koalicionesh është përdorur në disa palë zgjedhjesh edhe nga partia që drejton ai. Gjatë ditës dje Presidenti i vendit Ilir Meta, kryeministri Edi Rama dhe kryeopozitari Lulzim Basha janë përfshirë dje në deklarata të forta politike. Presidenti dhe kreu i opozitës janë deklaruar kundër ndryshimeve Kushtetuese të kryesuara nga kryeministri dhe të miratuara nga mazhoranca e drejtuar prej tij dje në Kuvend.

 

Votimi

Me 106 vota pro, 10 deputetë kundër Kushtetuta e Shqipërisë ka pësuar ndryshimin e 6-të të saj në 29 vite jetë të saj që pas miratimit me referendum popullor në vitin 1998. Të gjitha ndryshimet janë bërë në Kuvend me aleanca politike dhe herën e fundit pa arritur dot një konsensus të gjerë politik si në 5 rastet e para. Votimi sot erdhi pas një marrëveshje të arritur mes mazhorancës dhe opozitës parlamentare, për të ndryshuar nenin  64 dhe 68 të Kushtetutës së Republikës, në të cilat synohet të ndalohen koalicionet parazgjedhore mes partive si dhe të vendoset një prag për ndarjen e mandateve.

Gjatë fjalës në Kuvend kryeministri Edi Rama ka pasur një debat me deputetët  Alimadhi, Roshi dhe Kujtim Gjuzin, ku nuk kanë munguar dhe epitetet me ballistë dhe komunistë duke treguar se politika shqiptare vijon të jetë peng e së shkuarës edhe 3 dekada pas rënies së diktaturës. Duke iu përgjigjur deputetit Alimadhi që e akuzonte se po sillet si komunist Rama u shpreh;“Ballist! Churchilli, ballist, thotë se kush nuk ndryshon mendim është budalla dhe unë jam shumë i qetë sot që pavarësisht se nuk kam të njëjtin mendim të lartë si Rudina apo Murrizi por ama kjo është ajo që do populli këtë do bëj.

Dhe sa për komunistin, ballist unë nuk kam asnjë lidhje emocionale ose intelektuale me komunizmin. Im at po ka qenë komunist si shumë të tjerë dhe kanë qenë në anën e duhur të historisë”. Gjithsesi Rama nuk kishte shumë kundërshtarë në Kuvendin ku e dominonte forca e tij politike. Në fund të votimit vetëm 10 vota ishin kundër ndryshimeve të mbrojtura prej tij.  Pas seancës plenare Rama i bëri ftesë opozitës që të vijojnë dialogun në Këshillin Politik.

“Kush nuk vjen në tryezë mbetet jashtë vendimmarrjes. Konsensusi 100% është i mirëseardhur, po asnjë pakicë s’e merr dot peng shumicën kushtetuese në këtë proces – vota e sotme duhet të mjaftojë për të mos e provuar prapë!”, thotë Rama. Por i menjëhershëm ishte reagimi i opozitës, ku pas një takimi me disa prej aleatëve kreu i PD-së Lulzim Basha tha se opozita nuk i pranon ndryshimet kushtetuese .”Akti i sotëm sot është treguesi i fundit se Edi Rama e di që koha e tij po mbaron. Ai e ka humbur besimin e shqiptarëve dhe e vetmja që i ka mbetur, është të përpiqet sërish ta manipulojë sistemin, duke menduar se mund të zgjasë agoninë e pushtetit e tij të rrënuar.

Ndryshimet e njëanshme pa konsensus me opozitën dhe në shkelje të marrëveshjes së 5 qershorit dhe 14 janarit janë të papranueshme, nuk janë të detyrueshme për Opozitën, dhe aq më pak për qytetarët. Akti i sotëm nuk e ndal dot ndryshimin, ai thjesht tregoi para shqiptarëve dhe partnerëve tanë edhe njëherë fytyrën e autokratit të tmerruar nga ndëshkimi që e pret Makinacionet e kryeministrit në ikje, që ka frikë të përballet me qytetarët, nuk kanë për ta ndalur rotacionin politik. Ndryshimi është i pashmangshëm”- tha Basha.

 

Meta-Ramës:Ke ftuar popullin në një përballje historike

Presidenti i vendit ka reaguar ashpër kundër kryeministrit Edi Rama pas miratimit të ndryshimeve kushtetuese  duke paralajmëruar protesta popullore

Ilir Meta dhe Edi Rama vihen sërish në llogoret përballë njëri-tjetrit si asnjëherë më parë me deklarata të forta politike që pasuan votimin në Kuvend të ndryshimeve kushtetuese nga ana e mazhorancës.  Kreu i shtetit pohoi se ndryshimi i njëanshëm i Kushtetutës është antikushtetues dhe i papranueshëm. Mes të tjerash ai tha se “Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti.”

Meta paralajmëroi protesta popullore dhe për këtë gjë ai ka dhënë tashmë një provë paralajmëruese me demonstratën e 2 marsit të këtij viti. “Akti i sotëm i ndryshimit të njëanshëm dhe me urgjencë të pajustifikueshme të Kushtetutës nga Kuvendi me legjitimitet të cunguar, është antikushtetues dhe i papranueshëm! Ndryshimi i dhunshëm i Kushtetutës asgjësoi marrëveshjet konsensuale të 14 Janarit dhe të 5 Qershorit që mundësuan një proces dhe produkt gjithëpërfshirës, duke hedhur përsëri në erë mirëbesimin ndërmjet palëve, paqen sociale në vend dhe procesin e integrimit europian të Shqipërisë. Retorikat oportuniste dhe hipokrite të disa ndërkombëtarëve shkojnë kundër aspiratës dhe projektit strategjik të shqiptarëve për të ndërtuar një të ardhme europiane. Asnjë bandë pengmarrëse s’do të mund t’i shpëtojë përgjigjes së merituar që do të marrë nga forca e qytetarëve të bashkuar kundër këtij grushti shteti”- tha në deklaratën e tij për publikun Meta.

Më tej ai bëri të ditur se si President i Republikës do të jetë në krye të detyrës në mbrojtje të Kushtetutës, të drejtave të patjetërsueshme dhe vullnetit të qytetarëve për të marrë në dorë fatet e tyre. “Edi Rama e ftoi sot popullin shqiptar në një përballje historike. Ai u mburr sot se është djali i komunistit që vari në mes të Kukësit poetët për fjalën e lirë. Ne shqiptarët do t’i përgjigjemi shqiptarisht deri në fund”

Lexo edhe :  Zgjedhjet për kryetar të PD-së zyrtare në Elbasan, fiton Naim Meta

 

Rama- Metës: Nuk ke shans të ndezësh  zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit

Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur paralajmërimeve të presidentit Ilir Meta për protesta popullore duke i dhënë se po e bën qesharake zyrën e presidencës me këto deklarata. “Ilir, ti je një shkelës recidiv i Kushtetutës sipas Venecias, por po sipas Venecias e ke shkelur, po jo aq rëndë Kushtetutën sa për t’u shkarkuar! Dhe ne që shkeljet e tua i mbajtëm në kurriz, respektuam Venecian e s’të shkarkuam, sepse jemi të përgjegjshëm në përfaqësimin e vendit!

Por siç nuk i ndalove dot zgjedhjet vendore dhe siç nuk e fute dot në zjarr Shqipërinë dje, nuk ke asnjë shans ta ndalosh Kushtetutën e Shqipërisë të jetë detyruese edhe për ty, ashtu sikundër s’ke asnjë shans të ndezësh zjarrin e ëndërruar të konfliktit të popullit me shtetin! Prandaj boll u bëre dhe na bëre të gjithëve qesharakë si shtet, duke e përdorur zyrën e Presidentit si llogore lufte politike, duke sharë ambasadorët siç bënte Haxhi Qamili e duke i folur vetes në vetë të tretë si Luigji XIV! Boll se s’të ka askush asnjë borxh, jo më Shqipëria!”

Konflikti i deklaratave ka vijuar me një përgjigje që erdhi jo nga Meta por nga këshilltari i tij për mediat, Tedi Blushi, i cili e etiketon Ramën si “i sëmuri i Surrelit”.  “I sëmuri i Surrelit kujton se ndërkombëtarët janë frekuentuesit e dyshimtë të “China Club” në Berlin apo lobistët e sivëllait të tij që kërkojnë copëtimin dhe zhbërjen e shtetit të Kosovës. Çfarë mjerimi!”- shkruan Blushi.

 

Basha-Ramës: Vendi yt pas zgjedhjeve është në burg

Ashpërsimi i gjuhës politike ka arritur pikën e nxehtë pas ndryshimeve kushtetuese. Kryeopozitari Lulzim Basha ka kërcënuar kryeministrin Edi Rama se do të përfundojë në burg pas zgjedhjeve të ardhshme.

Konflikti politik në vend ashtu siç pritej ka marrë përmasa të reja pas miratimit të ndryshimit të Kushtetutës në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca. Opozita e cila ka djegur mandatet e saj parlamentare prej fillimvitit të shkuar duke e cilësuar Kuvendit ilegjitim e ka kërcënuar kryeministrin se do të përballet me burgun nëse ajo do të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha se Rama do mbajë përgjegjësinë për koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 qershorit dhe asaj të 14 janarit.

Basha shkruan se vendi i kreut të qeverisë pas zgjedhjeve të reja do jetë në burg, aty ku shkojnë të gjithë individët që kryejnë një krim me dashje kundër vendin dhe qytetarëve.“Koston e konfliktit të krijuar me hedhjen në erë të marrëveshjes së 5 Qershorit dhe 14 Janarit, do ta mbash vetëm ti personalisht Edi Rama. Nëse mendon se me konfliktin e krijuar dhe me prishjen e stabilitetit demokratik të vendit, do të marrësh garanci për kokën tënde dhe të hajdutëve që të rrethojnë, po ta them prerë dhe shkurt: Vendi yt pas zgjedhjeve të reja është në burg, atje ku shkon çdo individ që me dashje kryen një krim kundër vendit dhe qytetarëve të tij.

Partia Demokratike dhe Opozita e Bashkuar do të vazhdojnë të kenë në plan të parë, jo lojën tënde dhe të krimit që të drejton prej 22 vitesh në politikë, por hallet dhe problemet e shqiptarëve, që ti dhe Qeveria jote i kanë braktisur për hallet e tua personale”, shkruan Basha. Opozita tha se ndryshimi i Kushtetutës për të penguar opozitën që të fitojë zgjedhjet është një maskaradë e kryeministrit për të vënë interesat personale mbi ato të shqiptarëve.

Në një përgjigje për kundërshtarin e tij Kryeministri Edi Rama e quan të nxituar reagimin e Bashës dhe i ripërsërit ftesën për dialog. Në një postim në mediat sociale, ku i drejtohet drejtpërdrejtë Bashës, Rama shkruan se kërcënimet për konflikt e për fatura personale, tregojnë humbje të busullës. Më tej kreu i qeverisë shton se nuk ka kohë për të humbur me dokrra, por duhet vijuar puna e nisur më herët për Reformën Zgjedhor. “Lulzim Basha reagimi yt ndaj ftesës sime për të vijuar punën bashkërisht dhe reflektuar në Ligjin Zgjedhor risitë kushtetuese është shumë i nxituar! Kërcënimet për konflikt e për fatura kostosh personale, tregojnë humbje të busullës! Në emër të shqiptarëve vendos Parlamentit.

 

Ndërkombëtarët njëzëri:  Keqardhje për mungesën e konsensusit

Zyrat e kancelarive evropiane dhe asaj amerikane në Tiranë shprehën keqardhjen për votimin e njëanshëm në Kuvend të ndryshimeve Kushtetuese dhe kërkuan që dialogu të vijojë më tej dhe pas këtij momenti. Ambasada Amerikane  tha në një deklaratë se votimi ishte një e drejtë e Kuvendit, por nuk arriti të bëhej në frymën e marrëveshjes së 5 qershorit.

Ambasada e SHBA-së:

“Ndërsa ky veprim ishte në kompetencën e Parlamentit, është për të ardhur keq që nuk u mor në të njëjtin frymë me të cilën u arrit marrëveshja e 5 qershorit. Ne i kujtojmë shumicës deklaratat e saj se, me gjithë miratimin e sotëm në Parlament, ata synojnë të angazhohen me të gjithë partitë në Këshillin Politik, në mirëbesim dhe me qëllimin për të arritur në marrëveshje për zbatimin e legjislacionit mbi listat e hapura dhe koalicionet.

Ne e kuptojmë zhgënjimin e Opozitës së Bashkuar, ndërsa mirëpresim vendosmërinë e tyre për të mbetur të angazhuar në institucione dhe procese demokratike, përfshirë Këshillin Politik, në mënyrë që të dëgjohen zërat e të gjithë shqiptarëve. Përsërisim, se ne do të shohim nëse drejtuesit do ta mbajnë fjalën e tyre. Ashtu siç vepruan në arritjen e marrëveshjes së 5 qershorit, udhëheqësit shqiptarë duhet të tregojnë gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të negociuar marrëveshje që vënë në radhë të parë interesat më të mira të popullit shqiptar”- thuhej në deklaratë.

Komisioni Europian:

“Ndërsa pranojmë miratimin nga Parlamenti i Shqipërisë të disa ndryshimeve në Kushtetutë në lidhje me sistemin zgjedhor, është për të ardhur keq që nuk është caktuar më shumë kohë në fazën përgatitore për të gjetur një kompromis me të gjitha partitë në Këshillin Politik. Ndryshimet në kodin zgjedhor të miratuar nga Parlamenti më 23 korrik për të zbatuar marrëveshjen e 5 qershorit, bazuar në rekomandimet e OSBE / ODIHR, kanë përmbushur kushtin e vendosur nga Këshilli kur vendosni të hapni negociatat e pranimit në Mars. Tani është thelbësore që ndryshimet në kodin zgjedhor për të zbatuar ndryshimet kushtetuese, në veçanti listat e hapura si edhe roli i koalicioneve parazgjedhore, të diskutohen siç duhet me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në një mënyrë bashkëpunuese  gjithëpërfshirëse përpara se të votohen”, shkruan Pisonero.

Ambasada gjermane:

“Shpreh keqardhjen që me gjithë marrëveshjen e arritur dhe tanimë të vendosur në ligj të 5 qershorit reforma zgjedhore e nisur në mënyrë të suksesshme është duke marrë sërish tipare konfliktuale përmes ndryshimeve kushtetuese. Unë respektoj rolin institucional të parlamentit, por njëkohësisht kuptoj që prej marrëveshjes së 5 qershorit rezultojnë pretendime legjitime për një dialog gjithëpërfshirës. Ndaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve të bashkëpunojnë për implementimin ligjor të ndryshimeve kushtetuese në Kodin Zgjedhor si dhe të respektojnë marrëveshjen e 5 qershorit. Në këtë kontekst duhet të diskutohen në mënyrë të veçantë çështjet e listave të hapura dhe roli i koalicioneve parazgjedhore me të gjithë aktorët politikë në Këshillin Politik në frymën e përfshirjes dhe të bashkëpunimit”. /Ra.My.Fjala.al/

 

Të fundit

Zbulohet faktori i ri që rrit rrezikun e sëmundjeve të zemrës, ja për kë bëhet fjalë

Nëse do ta përfytyronit trupin tuaj si një makinë, zemra do të ishte motori. Zemra, një organ muskulor që ndahet...

Njohja e pensioneve me Italinë, nga e hëna drafti diskutohet në komisione parlamentare!

Marrëveshja me Italinë për njohjen e pensioneve të mbi 500 mijë shqiptarëve do të diskutohet nga e hëna në  komisionet parlamentare. Drafti parashikohet të prezantohet...

Puka dhe Tropoja bëhen bashkë dhe dhurojnë një mbrëmje të paharruar në “Gëzuar me ju”

Në programin “Gëzuar me ju” ishin të ftuar këngëtarët e njohur të muzikës popullore Perlat Sheqeri, me origjinë nga Puka, dhe Arif Dushaj, nga...

Thuajse të gjithë po e lexojnë gabim takimin e Ramës!

Nga Alban Daci Disa e quajnë takim elektoral me patronazhitë që ndoshta është edhe e vërtetë! Disa thonë se Rama e mbushi stadiumin me autobuzë nga...

Shkëmbimet tregtare / Ja ç’po ndodh me eksportet e vendit tonë në 5 vitet e fundit

Mallrat “Made In Albania” që shiten në Greqi janë dyfishur përgjatë 5 viteve të fundit. Të dhënat e Instat tregojnë se gjatë vitit 2023...

Lajme të tjera

Web TV