Infertiliteti, mjeku embriolog Marsel Haxhia: Ja shkaktarët kryesorë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Ina Allkanjari

Afërsisht një në tetë çifte ka probleme në arritjen e një shtatzënie. Nëse jeni duke provuar për të konceptuar një fëmijë, por pa sukses, duhet të dini që nuk jeni vetëm. Ka miliona çifte me të njëjtin problem në të gjithë botën. Infertiliteti përkufizohet si pamundësia për të arritur një shtatzëni pas një viti marrëdhëniesh të pambrojtura, kur gruaja është nën 35 vjeç, ose pas 6 muajsh kur gruaja është mbi 35 vjeç. Pavarësisht mitit që ka ekzistuar në Shqipëri, se problemin e ka gjithmonë gruaja, kjo edhe për arsye të një shoqërie të mbyllur e maskiliste, diçka e tillë nuk është e vërtetë.

Të gjitha statistikat botërore tregojnë se 30-50% e çifteve infertile e kanë problemin te gruaja dhe 30-50% po ashtu e kanë problemin te mashkulli. Në një intervistë për gazetën “Fjala”, mjeku Marsel Haxhia, embriolog klinik, tregon se përparësitë e mëdha në trajtimin e infertilitetit kanë bërë të mundur që shumë çifte të kenë fëmijë me asistencë mjekësore, pavarësisht origjinës së problemit, që mund të jetë prej faktorit mashkull ose femër. Gjithashtu, sipas mjekut, përparësitë në teknikat e ruajtjes së kulturës kanë rezultuar në përmirësimin e shkallës së shtatzënisë, duke përdorur teknologjitë e riprodhimit të asistuar.

Mjeku nënvizon disa prej shkaktarëve kryesorë të infertilitetit, teksa thekson se shkak mund të jetë mosha e madhe, efekte toksike të lidhura me duhanin, marijuanën, dhe droga të tjera

Etiologjia e infertilitetit

İnfertiliteti shkaktohet nga faktorët mashkull dhe/ose femër. Faktorët mashkull dhe femër llogariten secili për rreth 35% të rasteve. Shpesh, ekziston më shumë se një faktor, me kombinim të faktorëve mashkull e femër që shkaktojnë 20% të infertilitetit. Në 10% të rasteve të mbetura etiologjia është e panjohur dhe këta kategorizohen si infertilitet i pashpjeguar ose çifte normale infertile (NİC). Faktorë të tjerë të mënyrës së jetesës që lidhen me një risk të lartë të infertilitetit përfshijnë faktorë mjedisorë dhe profesionalë; efektet toksike që lidhen me duhanin, marijuanën, ose droga të tjera; ushtrim fizik i tepruar; dietë jo e përshtatshme që jep shtim ose rënie ekstreme të peshës; dhe mosha e madhe.

Faktorët femërorë të infertilitetit:

Faktorët fermërorë të infertilitetit mund të ndahen në disa kategori: cervikalë ose uterinë, ovarianë, tubarë dhe të tjerë.

Faktori cervikal i infertilitetit

Faktori cervikal i infertilitetit mund të shkaktohet nga stenoza ose anomali të bashkëveprimit mukus-spermë. Cerviksi uterin luan një rol kryesor në transportin dhe kapacitimin e spermës pas marrëdhënies. Faktori cervikal llogaritet në rreth 5-10% të infertilitetit. Prodhimi dhe karakteristikat e mukusit cervikal ndryshojnë në varësi të përqendrimit të estrogjenit gjatë fazës folikulare të vonë. Në fillim të ciklit menstrual, mukusi cervikal është i pakët, viskoz, dhe shumëqelizor. Mukusi formon një strukturë si rrjetë, që nuk lejon kalimin e spermës.

Sekretimi i mukusit rritet gjatë fazës së mesme folikulare dhe arrin maksimumin e tij afërsisht 24-48 orë para ovulimit. Përqendrimi i ujit dhe i kripës rritet, duke ndryshuar karakteristikat fizike të mukusit. Mukusi bëhet i hollë, i ujshëm, bazik, joqelizor, dhe elastik, për shkak të rritjes së përqendrimit të NaCl. Në këtë moment, mukusi vetorganizohet, duke formuar mikrokanale, kështu që spermatozoidi mund të kalojë nëpër të. Gjatë këtij udhëtimi spermatozoidi i vetënënshtrohet aktivizimit dhe kapacitimit. Gjithashtu, mukusi vepron si filtër për spermatozoidët anormalë dhe për mbeturinat qelizore prezente në semen.

Faktorët uterinë të infertilitetit

Uterusi është destinacioni final për embrionin dhe vendi ku fetusi zhvillohet deri në lindje. Kështu që, faktorët uterinë mund të lidhen me infertilitetin primar ose me dështime të shtatzënisë dhe lindjet e parakohshme. Faktorët uterinë mund të jenë kongenitalë ose të fituar. Ata mund të prekin endometrin ose miometrin dhe janë përgjegjës për 2-5% të rasteve me infertilitet.

Faktorët ovarianë të infertilitetit

Ogjeneza ndodh në ovare që prej tremujorit të parë të jetës embrionale dhe kompletohet me 28-30 javë mbarsje. Deri atëherë janë të pranishme afërsisht 7 milionë oocite. Ato janë të ndaluara në stadin e profazës të ndarjes së parë mejotike. Më vonë, numri i oociteve ulet, për shkak të një procesi të vazhdueshëm të atrezisë. Në lindje, sasia e oociteve ulet te rreth 2 milionë. Në menarkë janë rreth 500000 oocite. Këto oocite përdoren gjatë viteve riprodhuese deri në menopauzë.

Procesi ovulues niset dhe kontrollohet nga boshti hipotalamo-hipofizo-ovarian. Prej folikujve të pranishëm çdo muaj, selektohet vetëm një oocit, i cili vendos dominimin dhe zhvillohet deri në stadin preovulues. Arritja e pikut të LH bën të mundur stimulimin e procesit të ovulimit, duke rifilluar mejozën e oocitit, dhe stimulon formimin e korpus luteum dhe stimulimin pasardhës të progesteronit. Çrregullime të ovulimit përkufizohen si një alterim i frekuencës dhe kohëzgjatjes së ciklit menstrual. Dështimi i ovulimit është shkaku më i shpeshtë i infertilitetit.

Mosha e madhe

Prevalenca e infertilitetit rritet në mënyrë dramatike me rritjen e moshës. Gjithashtu, fertiliteti ulet me zgjatjen e martesës, për shkak të marrëdhënieve më të rralla dhe\ose prej kontracepsionit. Fakte të ngjashme vijnë edhe nga eksperienca e programeve të shumta të IVF. Anomali kromozomike dhe cilësi e varfër e oociteve janë 2 shkaqe të cilësisë së ulët të embrioneve, shkallës së ulët të implantimit, rritjes së aborteve, dhe uljes së shkallës së lindjeve.

Lexo edhe :  Basha i merr gjysmën e elektoratit Berishës, PD pa frymë dhe e përçarë drejt 11 majit

Faktorët tubarë

Tubat e fallopit luajnë një rol të rëndësishëm në riprodhim, pasi nëpër ta bëhet transportimi i embrionit nga ampulla ku ndodh fertilizimi për në kavitetin uterin, ku ndodh implantimi. Anomali ose dëmtime të tubit të fallopit lidhen me fertilitetin dhe janë përgjegjës për implantimin anormal (p.sh. shtatzëni ektopike).

Bllokimi i endit distal të tubave të fallopit rezulton në akumulimin e likidit tubal të sekretuar normalisht, duke krijuar distendim të tubit me dëmtim pasues të cilieve epiteliale (hydrosalpinx). Faktorë të tjerë tubarë të lidhur me infertilitetin janë si kongenitalë, ashtu dhe të fituar. Mungesa e lindur e tubave të fallopit mund të jetë torsioni spontan in utero i ndjekur nga nekroza dhe riabsorbimi. Ligatura tubare e dëshiruar dhe salpingektomia janë shkaqe të fituara.

Faktorët peritonealë

Uterusi, ovaret, dhe tubat e fallopit ndajnë të njëjtën hapësirë në kavitetin peritoneal. Defekte anatomike ose çrregullime fiziologjike të kavitetit peritoneal, duke përfshirë dhe infeksionet, adezionet, si pasojë e ndërhyrjeve kirurgjikale pelvike të mëparshme, mund të shkaktojnë infertilitet. Sëmundja inflamatore pelvike, adezionet peritoneale, endometrioza, dhe ruptura e kistit të ovarit, të gjitha e komprometojnë motilitetin e tubave të fallopit, ose prodhojnë bllokim të fimbrieve me zhvillimin e hydrosalpinx. Mioma të mëdha, masa pelvike, ose bllokim të cul-de-sac interferojnë me akumulimin e likidit peritoneal dhe ndërhyjnë me lirimin e oociteve normale gjatë ovulimit, duke u bërë një faktor mekanik për infertilitetin.

Faktori mashkull i infertilitetit:

Faktori mashkull i infertilitetit mund të ndahet me etiologji pretestikulare, testikulare, dhe posttestikulare.

Faktorët pretestikularë

Shkaqet pretestikulare të infertilitetit përfshijnë sëmundje të lindura ose të fituara të hipotalamit, të hipofizës, ose të organeve periferike që alterojnë boshtin hipotalamo-hipofizar. Çrregullime të tilla përfshijnë hipogonadizmin hipogonadotropik idiopatik, prolaktinomat, deficite të gonadotropinës, dhe sindromi Cushing.

Faktorët testikularë

Faktorët testikularë mund të jenë me natyrë gjenetike ose jo. Sindromi Klinefelter, shkaku më i shpeshtë kromozomik i infertilitetit mashkullor, rezulton në insuficiencë testikulare primare. Etiologjitë jogjenetike përfshijnë ilaçet, infeksionet, traumat, dhe varikocelat.

Mosha, gjithashtu, prek fertilitetin mashkullor. Me rritjen e moshës, niveli i testosteronit ulet, niveli i gonadotropinës rritet, përqendrimi i spermës dhe volumi i semenit ndryshojnë, dhe libido ulet. Si pasojë, incidenca e defekteve të lindura rritet.

Faktorët posttestikularë

Faktorët posttestikularë janë ata që nuk lejojnë transportin normal të spermës nëpërmjet sistemit të duktuseve. Faktorë të tillë mund të jenë të lindur ose të fituar. Meshkujt që janë ekspozuar ndaj DES in utero mund të kenë obstruksion të duktuseve. Mungesë kongenitale bilaterale të vas deferens është parë në meshkuj me fibrozë cistike. Gjithashtu, infeksionet, procedurat kirurgjikale, dhe traumat mund të shkaktojnë bllokim të duktuseve.

Faktorë që prekin të dy sekset:

Faktorë mjedisorë dhe profesionalë

Po rritet shqetësimi në lidhje me impaktin e mjedisit në fertilitet. Të dhënat e analizave të semenit më 1985-n konfirmojnë 20% ulje të përqendrimit të spermatozoidëve në raport me të dhënat e 1960-s. Rrezatimi i tepërt dëmton qelizat burimore. Ekspozimi gjithashtu ndaj plumbit, metaleve të tjera të rënda, dhe pesticideve është lidhur me infertilitetin mashkullor. Shumë faktorë të tjerë, si ekspozimi i tepruar në të nxehtë, rrezatimi ndaj mikrovalëve, ultrasonografisë, dhe rreziqe shëndetësore të tjera janë për t’u diskutuar si faktorë që shkaktojnë infertilitet.

Efekte toksike të lidhura me duhanin, marijuanën, dhe droga të tjera

Duhanpirja është lidhur me infertilitetin si te meshkujt, ashtu edhe te femrat. Në eksperimente të kryera në kafshë, nikotina dhe hidrokarburet aromatike policiklike bllokojnë spermatogenezën dhe zvogëlojnë përmasat e testikujve. Ndë gra, duhani çrregullon mukusin cervikal dhe epitelin ciliar dhe prek transportin e gametëve. Marijuana dhe metaboliti i saj, delta-9-tetrahidrocannabiol-i, frenojnë sekretimin e LH dhe FSH, duke dhënë çrregullime të ovulimit dhe të fazës luteale te gratë.

Përdorimi i marijuanës prek meshkujt, duke u ulur numrin e spermatozoidëve dhe cilësinë e spermës. Heroina dhe kokaina shkaktojnë efekte të ngjashme, por e vendosin përdoruesin në një rrezik të lartë ndaj sëmundjeve inflamatore pelvike dhe infeksionit HIV. Alkoolizmi kronik mund të shkaktojë çrregullime të ovulimit, duke çuar në infertilitet. Përdorimi i alkoolit nga meshkujt interferon me sintezën e testosteronit dhe ka një impakt në përqendrimin e spermës. Alkoolizmi mund të frenojë përgjigjen seksuale dhe të shkaktojë impotencë.

Ushtrimi fizik

Ushtrimi fizik duhet të kryhet si pjesë e një aktiviteti normal. Gjithsesi, aktiviteti i tepruar fizik është i dëmshëm, veçanërisht në vrapuesit e distancave të gjata. Vrapi i lehtë stimulon sekretimin e endorfinave; sekretimi i tepërt i endorfinave interferon me prodhimin normal të FSH dhe LH, duke sjellë si pasojë çrregullime të ovulimit dhe të fazës luteale, të cilat çojnë në mungesë të implantimit të embrionit dhe aborte të tremujorit të parë. Ndër meshkuj, aktiviteti i tepruar fizik është i lidhur me oligosperminë.

Dieta e çrregullt e lidhur me humbje ose shtim ekstrem në peshë

Obeziteti është një problem madhor shëndetësor në SHBA. Pesha ka një impakt në fertilitet në të dy ekstremet e saj. Megjithëse humbja e peshës që lidhet me anoreksinë nervoze ose buliminë, shkakton amenorre hipotalamike, obeziteti mund të lidhet me mosovulimin dhe oligomenorrenë. Ndër meshkuj, obeziteti është lidhur me ulje të cilësisë së spermës./Bl.Ba.Fjala.al

Të fundit

Premtoi para në këmbim të votës për PD-në e Berishës, në pranga 38-vjeçari në Lushnjë!

Një 38-vjeçar i cili i premtoi një personi dhënien e një shume parash, për t’i blerë votën në interes...

Ethem Aga në Lyon: Prioritetet për Shqipërinë dhe Diasporën

Nga Mentor Hoxha/FRANCE Kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Shqipërisë për Tiranën, z. Ethem Aga zhvilloi  dje më 13 prill 2024, një takim të...

Java e Madhe e Pashkës

Besimtarët e krishterë festojnë javën e fundit të jetës së Krishtit që zyrtarisht quhet Java e Pësimit, ose siç njihet ndryshe si "Java e...

Tërmet i fuqishëm afër Ishujve Fixhi në Oqeanin Paqësor

Një tërmet i fortë me magnitudë 6.5 sipas shkallës Rihter është regjistruar në zonën detare afër Ishujve Fixhi në Oqeanin Paqësor. Lajmi është konfirmuar...

Blerjet online në Kosovë: Kur çmimi i lirë kushton shumë

Mediat sociale janë bërë treg në Kosovë, por jo të gjithë shitësit janë korrektë. Shumë blerës përfundojnë me produkte false ose me cilësi të...

Lajme të tjera

Web TV