Tre milionë euro të dyshuara se janë përfituar nga burime jo të ligjshme është kërkuar të sekuestrohen nga ana e SPAK-ut. Institucioni i akuzës ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjykatë dosjen për sekuestrimin e pasurisë së Astrit Beqirit, i cili është kunati i Jetmir Kastratit, i arrestuar si kreu i një grupi kriminal. Grupi i tij kriminal, i drejtuar nga Kastrati, me qendër në Danimarkë, ka trafikuar rreth 1,6 tonë kokainë e heroinë në 6 vende të Bashkimit Evropian.
Nga Elvis Myrta
SPAK-u ka përfunduar hetimet ndaj Astrit Beqirit dhe Dhimitri Shkodranit, duke i dërguar ata në gjykatë si të pandehur. Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ndaj tyre ngriti akuzën për “Pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim dhe “Kryerja e veprave penale në kuadër të organizatave kriminale dhe grupit të strukturuar kriminal”.
Beqiri dhe Shkodra që u arrestuan si pjesë e një grupi kriminal në fushën e trafikut të kokainës në vendet e BE-së, grup i cili u shkatërrua 1 vit më parë, tashmë janë marrë zyrtarisht si të pandehur nga SPAK-u. Nga hetimet ka rezultuar se ky grup kriminal aktivitetin e vet e kishte shtrirë në Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Slloveni e Suedi. Interpoli ka arritur të provojë se, anëtarët e grupit kriminal kanë arritur të trafikojnë nga vendet e Amerikës Latine rreth 1,6 tonë kokainë.
Nga hetimet e prokurorisë së Danimarkës ka rezultuar se Kastrati ka pasur aktivitet kriminal edhe në Gjermani, Belgjikë, Holandë, Suedi, Slloveni dhe Shqipëri. Gjatë operacionit “Goldfinger”, të zhvilluar nga Policia e Shtetit, ka rezultuar se Jetmir Kastrati ka investuar nëpërmjet kunatit të tij Astrit Beqiri 1,5 milionë euro pasuri për ngritjen e një pularie në periferi të qytetit të Shkodrës. Një pjesë të parave të përfituara ata e kanë investuar në Shqipëri, kryesisht në vende bregdetare dhe qytete të mëdha.
Mësohet se është sekuestruar një pulari në Shkodër me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro, 10 apartamente banimi në plazhin e Velipojës, 1 apartament banimi në Shkodër dhe 14 automjete prodhim i viteve të fundit. Të gjitha këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve të tyre dhe personave me të cilët kishin lidhje miqësore. Më konkretisht, paratë e përfituara nga trafiku i drogës pjesëtarët e këtij grupi kriminal i dërgonin kesh nga Danimarka në Maqedoninë e Veriut.
Dërgesa bëhej duke i transportuar paratë me anë të autobusëve të shoqërisë “ALBA TRANS”, kompani e regjistruar në Tetovë, një nga ortakët e së cilës ishte shtetasi B. Ali, i arrestuar në Danimarkë. Në Tetovë paratë merreshin kryesisht nga anëtari tjetër i grupit të strukturuar kriminal, shtetasi Dhimitër Shkodrani, i cili kalonte kufirin në pikat e kalimit kufitar me Maqedoninë e Veriut dhe më tej këto para dërgoheshin te shtetasi Astrit Beqiri, si dhe të afërm të tjerë të grupit kriminal. Transferimi i parave sipas kësaj skeme bëhej me një frekuencë rreth 2 herë në muaj.
Hetimet
Me thellimin e hetimeve ndaj të arrestuarve, është arritur të provohet nga prokuroria se shqiptarët, përmes të afërmve të tyre në atdhe, kishin blerë prona të shumta duke i regjistruar në emër të familjarëve, disa prej të cilave iu sekuestruan në vijim të aksionit, ditën e djeshme. Prokuroria po vijon hetimet për zbardhjen e gjithë skemës së këtij grupi kriminal, personat e tjerë të përfshirë, pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme të regjistruara në Shqipëri në emër të tyre, familjarëve apo miqve, si dhe llogari bankare të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Sipas hetimeve, grupi i drejtuar nga Jetmir Kastrati kishte si prioritet vetëm trafikimin e lëndëve narkotike kokainë, ku me këtë mall furnizohej në Kolumbi dhe Ekuador, duke e futur më pas në vende të Evropës, e shitur deri në Danimarkë dhe Suedi, me anëtarë serbë, holandezë, shqiptarë, suedezë dhe danezë. Jetmir Kastrati rezulton i dënuar në Norvegji në vitin 2012 për veprën penale të “Pastrimit të parave” e, për rrjedhojë, nga frika e identifikimit të pronave në emrin e tij, ka bashkëpunuar me kunatin e tij Astrit Beqiri, duke i kaluar pronat në emër të tij.
Si nisi operacioni?
Operacioni ndërkombëtar antidrogë i koduar “Goldfinger” nisi dhe u drejtua nga autoritetet e hetimit në Danimarkë. Operacioni ishte i shtrirë në Danimarkë, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni dhe Shqipëri. Autoritetet daneze të hetimit bashkëpunuan me Prokurorinë e Krimeve të Rënda në Tiranë dhe Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, që në fazën e hetimit proaktiv, i cili kishte në fokus goditjen e grupit kriminal që vepronte në shtetet e mësipërme, në fushën e trafikimit dhe shpërndarjes së lëndëve narkotike të llojit kokainë, heroinë etj. Procedimi u regjistrua në vitin 2019, ndërsa sot në koordinim me EUROPOL-in, autoritetet e hetimit të Danimarkës, ato të Suedisë, Gjermanisë, Holandës, Belgjikës, Sllovenisë dhe Shqipërisë u realizua goditja në një kohë, e këtij grupi kriminal.
Sipas policisë, është dokumentuar se ky grup kriminal ka trafikuar mbi 1650 kg kokainë dhe heroinë brenda vendeve të BE-së. Si rezultat i operacionit u arrestuan mbi 42 persona në të gjitha vendet ku ishte shtrirë ky hetim, që pas nisjes së procedimit, po ashtu u sekuestruan 40 kg kokainë, u kontrolluan me dhjetëra ambiente. Nga operacioni u sekuestruan në Shqipëri rreth 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 1 biznes me vlerë investimi mbi 1 milion euro dhe 7 objekte banimi në Velipojë. Biznesi është pularia në Bërdicë, në pronësi të kreut të grupit kriminal Astrit Beqiri, 7 vilat ndodhen në Velipojë, ndërsa 7 automjetet e luksit që janë sekuestruar janë në pronësi të 51-vjeçarit, kunatit dhe familjarëve të tij.
200 mijë eurot ishin të fshehura në dy thasë në objektet e sekuestruara. Autoritetet daneze ranë në gjurmët e trafikut të kokainës nga Amerika Latine në Holandë në vitin 2015, ndërsa më pas lënda narkotike shpërndahej në vendet e tjera të Evropës. Ndërkohë, krahas dërgimit për gjykim të dy të pandehurve, Prokuroria e Posaçme vazhdon hetimet edhe në drejtim të autorëve të tjerë të mundshëm të përfshirë në këtë skemë të pastrimit të produkteve të veprës penale.
Pasuritë e sekuestruara:
-Pularia “RENS 2015”
-Gjashtë banesa në Velipojë, Shkodër
-Motor tip “Yamaha”, me targë SH 133 E
-Automjet BMW X5, me targë AA 323 LJ
-Automjet tip Benz Mercedes E320CDI, me targë AA 139 LG
-Automjet tip “Volksëagen Golf”, me targë AA 165 VH
-Automjet tip “Fiat”, me targë SH 2872 E
-Automjet tip “Mercedes Benz E250TD”, me targë SH 6672 D
-Furgon ngjyrë e verdhë, i markës IVECO, me targa AA 866 FB
-Furgon i markës ATP, Daimler Chrysler, ngjyrë e bardhë, me targa AA 803 RF./Bl.Ba/Fjala.al