Reforma në drejtësi/Procesi i ngadaltë, vetingu mund të përfundojë më 2028

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Çfarë po ndodh me procesin e vetingut tre vjet pas nisjes së punës. Pastrimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar nga radhët e drejtësisë, duket se do të zgjasë përtej afatit të parashikuar.

Reforma në drejtësi nisi në qershor të 2017-s dhe parashikonte që brenda 5 vitesh nën lupën e vetingut të kalonin 800 gjyqtarë e prokurorë, por kur kanë kaluar 3 vite nga nisja e këtij procesi, vetëm 256 prej tyre janë përballuar me vetingun.

Nga Elvis Myrta 

Reforma në Drejtësi, e cila u miratua me konsensus të plotë politik, duke marrë 140 votat e Kuvendit të Shqipërisë, më 22 korrik 2016, si dhe me mbështetje të gjerë të faktorit ndërkombëtar, nuk ka arritur ende të prodhojë rezultatet që u skicuan asokohe në letër. Kjo ka shkaktuar një valë të re debati në radhët e politikës, por dhe nervozizëm në qarqet diplomatike, nëse veçojmë deklaratën e ambasadores amerikane, që u bëri thirrje palëve të ecin para duke aluduar edhe për “një marrëveshje të fshehtë për ta vrarë reformën”.

Problemi kryesor në këtë reformë, ku i kishin shpresat të gjithë shqiptarët, janë hapat e saj të ngadaltë me të cilët ajo po ecën, por edhe një standard i dyfishtë në disa raste mbi vlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Reforma në drejtësi fillimisht u parashikua të përfundonte brenda 5 vitesh, por fundi duket ende shumë larg.

Deri më tani KPK-ja ka mbyllur procesin për 290 gjyqtarë dhe prokurorë, por deri javën e parë të gushtit, kur edhe këto institucione morën pushimet, janë dhënë vetëm 256 vendime, ku 111 gjyqtarë e prokurorë janë konfirmuar në detyrë, 104 kanë ndier dhimbjet e shkarkimit dhe një prej tyre është pezulluar një vit nga detyra.

Pra, nga 800 prokurorë e gjyqtarë që ka sistemi i drejtësisë shqiptare, deri tani përpara vetingut ka dalë vetëm 1/3 e tyre, një numër relativisht i vogël për sa i përket afatit për përfundimin e kësaj reforme. Vetingu nisi nga puna në qershor të vitit 2017.

I pari ishte Fatos Lulo i cili nuk e kaloi provën, duke u bërë viktima e parë e këtij procesi, e pas tij emra të njohur që kishin “sunduar” drejtësinë shqiptare për gati tri dekada, nuk mundën t’u shpëtonin filtrave të vetingut, duke “mbetur në klasë”.

Gjatë këtyre 3 viteve dhjetëra gjyqtarë dhe prokurorë, të konsideruar si elita e drejtësisë, që aspironin edhe për të qenë pjesë e drejtësisë së re, nuk e kaluan provimin e vetingut. Pasuritë e pajustifikuara dhe lidhjet me eksponentë të krimit të organizuar, ishin arsyet për shkarkimin e tyre nga detyra.

KPA-ja me “dorë të hekurt” 

Kolegji i Posaçëm i Apelimit gjatë këtyre tri viteve, ka vijuar punën me “dorë të hekurt”, ku vendimet ndaj të gjithë gjyqtarëve apo prokurorëve që kanë ankimuar vendimet e dhëna nga KPK-ja ndaj tyre, janë lënë në fuqi.

Organi kolegjial gjatë këtyre tri viteve punë, nuk ka rikthyer asnjë gjyqtar apo prokuror që ka ankimuar vendimin, pas shkarkimit nga shkalla e parë. Pra, deri tani nuk rezulton të ketë asnjë vendim shkarkimi nga KPK, i ankimuar nga subjektet e rivlerësimit që të jetë ndryshuar dhe KPA-ja të ketë vendosur konfirmimin në detyrë.

E njëjta situatë ka ndodhur edhe me gjyqtarët dhe prokurorët që kanë kaluar shkallën e parë, por vendimi ndaj tyre është ankimuar nga Komisioneri Publik me rekomandim të ONM-së, ku të gjithë gjyqtarët apo prokurorët nuk kanë mundur ta fitojnë betejën në shkallën e dytë të vetingut.

Komisioni i Posaçën i Apelimit, deri më tani ka shqyrtuar 121 çështje dhe ka shpallur 58 vendime. Gjyqtarët e KPA-së kanë ndryshuar për 21 subjekte vendimin e kolegëve të tyre të KPA-së, duke vendosur shkarkimin nga detyra. Ndërsa deri tani ky kolegj ka lënë në fuqi 37 vendime për shkarkimin e prokurorëve apo gjyqtarëve që nuk kaluan në raundin e parë të vetingut.

Pas shkarkimit, pothuajse të gjithë prokurorët e gjyqtarët që janë shkarkuar me vendim të formës së prerë, i janë drejtuar Gjykatës së Strasburgut, ku kërkojnë rikthimin në detyrë. Vetingu e la vendin pa Gjykatë Kushtetuese dhe pa Gjykatë të Lartë, çka ka shkaktuar jo pak probleme, politike dhe gjyqësore, nga duket se vjen edhe shqetësimi për papërsosmërinë e reformës. Por, ndërkombëtarët ngulmojnë te ngadalësia, e cila pritet të shkaktojë jo pak probleme të tjera në të gjitha shkallët e gjyqësorit edhe për afro një dekadë.

Problematikat që solli reforma në drejtësi 

Ngadalësia e reformës në drejtësi, pa dyshim që bie mbi kurrizin e qytetarëve, pasojat e kësaj reforme ne po i ndjejmë ende, pasi rreth 300 ditë pas nisjes së procesit të vetingut Gjykatës Kushtetuese iu vu dryni. Me nisjen e reformës, dy nga gjyqtarët Kushtetues dhanë dorëheqjen, ndërsa pesë të tjerë, nuk e kaluan me sukses filtrin e trefishtë të kontrollit.

Mes tyre edhe kryetari Bashkim Dedja, i cili u rrëzua gjatë procesit të rivlerësimit kalimtar. Në godinën, ku një grusht njerëzish u bënë rojtarë të Kushtetutës, për 26 vite me radhë, mbeti e vetme Vitore Tusha, edhe ajo me mandat të përfunduar. Pas Gjykatës Kushtetuese nën këmbët e vetingut ra edhe Gjykata e Lartë.

Procesi i rivlerësimit kalimtar kulmoi me shkarkimin e gjykatësit të lartë, Admir Thanza, për të cilin u zbulua një dënim për vjedhje, firmosur nga drejtësia italiane. Për fshehjen e këtij rekordi kriminal, gjyqtari i karrierës u dënua me 9 muaj burg, dënim i cili u konvertua me 18 muaj shërbim prove. Pas tij, KPA-ja shkarkoi nga detyra edhe kreun e Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjorin.

Pas shkarkimit të kreut të kësaj gjykate, radha për t’u përjashtuar nga sistemi i drejtësisë do t’u vinte anëtarëve të tjerë të Gjykatës së Lartë. Vetingu shkarkoi duke lënë jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vite edhe Tom Ndrecën; Artan Brocin; Edmond Islamajn dhe Shkëlzen Selimin. Shkarkimi i tyre solli mjaft problematika, ku për më shumë se tri vite kjo gjykatë u bë jo funksionale, duke e çuar në 35 mijë numrin e dosjeve që duhet të merren në shqyrtim.

Gjykata e Lartë përbëhet nga 19 gjyqtarë, por aktualisht ka vetëm 3 anëtarë, Sokol Sadushin, Ervin Pupen e Ilir Pandën. Ndërsa duhet të plotësohet edhe me 16 gjyqtarë të tjerë. Por, mbyllja e dy gjykatave kryesore të vendit nuk është problemi i vetëm që shkaktoi reforma, pasi edhe gjykatat e apelit në vend rrezikojnë të mbeten pa gjyqtarë. Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në tre muajit e fundit u fokusua në këto gjykata, ku shumica e gjyqtarëve të Apelit nuk mundën t’i kalojnë filtrat e vetingut.

Gjykatat e apelit në vend u futën në ngërç, pasi puna e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit gjatë muajve maj, qershor dhe korrik u fokusua te gjyqtarët e këtyre gjykatave, ku shumica prej tyre nuk mundën ta kalonin vetingun. Kjo situatë pritet të vazhdojë edhe për një kohë të gjatë, pasi në Apel nuk mund të shkojnë gjyqtarë të rinj që dalin nga Shkolla e Magjistraturës, sepse duhet të kenë një karrierë pune më parë si gjyqtarë të Shkallës së Parë. Problemet nuk mbarojnë këtu, pasi të njëjtin fat mund të kenë edhe gjykatat administrative, për shkak se në muajit e ardhshëm vetingu do të përqendrohet te gjyqtarët e këtij institucioni.

Shkaku i vonesave të reformës 

Një raport i Avokatit të Popullit nënvizon që, nëse reforma vazhdon me këto ritme, asaj do t’i duhen edhe 8 vjet të tjera që të përfundojë. Pra, sipas raportit të AP-së, fundi i kësaj reforme do të jetë viti 2028, afro 6 vite më vonë nga sa ishte parashikuar. Në raport thuhet se problematikë kryesorë është numri i ulët i stafit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, por edhe hetimi i thelluar i çështjeve që kërkon një kohë më të gjatë.

Por këto nuk janë problemet e vetme, gazeta “Fjala”, përmes burimeve të saj, mësoi se institucionet që kanë për detyrë të përcjellin informacion në zyrat e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në shumë raste nuk i janë përgjigjur në kohë interesimit të tij.

Drejtoria e Sigurisë së Informacionit të Klasifikuar apo edhe Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave, përcjellin shpeshherë me vonesë informacionet mbi subjektet që janë duke iu nënshtruar vetingut, duke e bërë të ngadaltë këtë proces. Gjithashtu zvarritjeve të reformës në drejtësi iu shtua dhe pandemia e COVID-19 që e bllokoi për disa muaj procesin.

Akuzat për kapjen e reformës 

Kjo reformë e cila u duartrokit për gati një minutë nga të gjitha palët politike, pas votimit të saj më 22 korrik të vitit 2016, edhe pse kanë kaluar 4 vjet vazhdon ende të prodhojë debate. Konsensusi politik që shoqëroi miratimin nuk vijoi me miratimin e ligjeve që rridhnin prej ndryshimeve kushtetuese, apo dhe me zbatimin e tyre.

Lexo edhe :  Media britanike “Time Out”/ Tirana mes qyteteve më të mira për t’u vizituar në 2025

Analistët dhe ekspertët mendojnë se kjo reformë ka ecur ngadalë dhe nuk ka prodhuar atë që qytetarët prisnin prej saj. Edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë filluar ta artikulojnë këtë shqetësim, madje kanë aluduar edhe për një marrëveshje që e minon atë. Por ekspertët janë të matur kur thonë se për të parë ndarjen e ndikimit politik nga institucionet e reja të drejtësisë, do të duhet të kalojë një kohë e gjatë.

Politika ka tentuar disa herë ta kapë reformën, ku akuzat dhe kundërakuzat e forcave politike kanë qenë të shpeshta gjatë këtyre viteve. Madje, pak kohë më parë u fol se forcat politike ishin duke bërë një marrëveshje të fshehtë për kapjen e reformës. Në atë kohë ambasadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, bëri një reagim të fortë në twitter, ku foli për mundësinë e një marrëveshjeje të fshehtë mes palëve “për ta vrarë” reformën në drejtësi.

Në reagimin e saj të bujshëm ambasadorja tha se shpresonte që fjalët të mos jenë të vërteta, ndërsa e konsideroi reformën në drejtësi si të dhimbshme, të ngadaltë, jo perfekte por të nevojshme për Shqipërinë. “Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri, të mos jenë të vërteta.

Reforma është e dhimbshme, e ngadaltë dhe jo perfekte, por është e nevojshme, po bën përparim & duhet të vazhdojë”, ka deklaruar ambasadorja amerikane në një reagim në twitter. Deklarata e fortë nga ambasada amerikane erdhi pasi SHBA-ja është investuar për reformën në drejtësi prej më shumë se 4 vjetësh. Qëndrimi zyrtar i ambasadores Kim vuri në pikëpyetje një marrëveshje të mundshme mes partive politike në Shqipëri, për të mos i dhënë drejtësisë forcën e duhur për të goditur korrupsionin dhe krimin e organizuar.

Rruga nga “kaloi” drejtësia e re! 

-Më 22 korrik të 2016-s u miratuan ndryshimet në Kushtetutë me 140 vota, duke projektuar drejtësinë e re dhe shembur drejtësinë 24-vjeçare, e konsideruar si një nga më të korruptuarat e Evropës.
-Më 30 gusht, po të 2016-s me 88 vota pro, u miratua ligji i vetingut, për kontrollin e rreth 800 gjyqtarëve dhe prokurorëve për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale.
-Në tetor të vitit 2016 u miratuan ligjet kryesore për zbatimin e reformës në drejtësi, si ligji për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit; ligji për organizimin dhe funksionimin e prokurorisë; ligji për organet e qeverisjes së sistemit të ri të drejtësisë; ligji për organizimin e pushtetit gjyqësor të Shqipërisë, si dhe ligji për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar (SPAK).
-Në qershor të vitit 2017 u caktuan 27 njerëzit që do të përfaqësonin organet e vetingut, këtu përfshiheshin anëtarët Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organi bazë i vetingut, anëtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, si dhe Komisionerët Publikë.
-Më 20 dhjetor të vitit 2018 konstituohet dhe fillon punën Këshilli i Lartë i Gjyqësor, organi më i rëndësishëm i drejtësisë së re për qeverisjen e gjykatave.
-Një javë më pas, më 27 dhjetor po të 2018-s, konstituohet dhe fillon punën Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i njohur si qeveria e sistemit të prokurorisë.
-Më 12 korrik 2019, KLP-ja emëron 6 prokurorë të rinj, të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës.
-Më 4 gusht të 2019-s, KLGJ-ja emëron 10 gjyqtarë të rinj, duke zëvendësuar të shkarkuarit nga vetingu si të korruptuar.
Në nëntor të vitit 2019 u emëruan tri anëtare të Gjykatës Kushtetuese, Elsa Toska, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, ndërsa mbeten edhe 6 vende vakante, përfshirë edhe pozicionin e Vitore Tushës, së cilës i ka mbarur mandati prej 3 vitesh.
-Më 5 dhjetor po të vitit 2019, ish-Prokurori i Krimeve të Rënda, Olsian Çela, u zgjodh Prokurori i ri i Përgjithshëm për shtatë vitet e ardhshme, duke zëvendësuar në këtë post Arta Markun, e cila prej gati 2 vite gjysmë mbajti detyrën e Prokurores së Përgjithshme të Përkohshme.
-Më 18 dhjetor u të vitit 2019 u krijua Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila do të shqyrtojë dosjet që do t’i referojë SPAK-u.
-Një ditë pas krijimit të GJKKO-së, pra më 19 dhjetor 2019, u ngrit Prokuroria e Posaçme (SPAK). Fillimisht në këtë institucion u emëruan 8 prokurorë. Kur kanë kaluar gati 8 muaj nga ngritja e tij, SPAK-u ka në përbërje 13 prokurorë. Që ky institucion të jetë i formuar plotësisht, duhet të ketë në përbërje 15 prokurorë. SPAK-u është një nga kolonat më të rëndësishme të reformës në drejtësi, për goditjen e korrupsionit dhe krimit në të gjitha nivelet në Shqipëri, sidomos në nivele të larta.
-Më 10 janar të 2020-s KLGJ-ja emëron 15 gjyqtarë të rinj, duke zëvendësuar të shkarkuarit nga vetingu si të korruptuar.
-20 janar 2020 u zgjodh kreu i Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë formimit të një tjetër institucioni të ri, tejet të rëndësishëm në drejtësi, i cili ka për detyrë vlerësimin dhe ndëshkimin e praktikave abuzive në drejtësi.
-Më 11 shkurt 2020 KLP-ja emëroi 6 prokurorë të rinj, të diplomuar në Shkollën e Magjistraturës.
-Më 11 mars 2020 u emëruan tre anëtarë të Gjykatës së Lartë nga 19 vende vakante. Emërohen Sokol Sadushi, Ervin Pupe dhe Ilir Panda. Mbeten edhe 16 vende vakante.
-Më 30 korrik të 2020-s Aida Hajna u zgjodh drejtuesja e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

SPAK-u nisi hetimet për disa nga gjyqtarët e shkarkuar nga vetingu 

Rreth një muaj e gjysmë më parë Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nisi hetimet për 10 ish-gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, të cilët u shkarkuan nga vetingu, për shkak të problemeve të tyre me pasurinë. Gjyqtarët e këtyre gjykatave po hetohen nga institucioni më i ri për akuzën e fshehjes të pasurisë.

Sipas SPAK-ut, nisja e hetimeve ndaj këtyre gjyqtarëve u bazua në kallëzimin penal kundër disa subjekteve, ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë të shkarkuar nga Komisioni Pavarur i Kualifikimit. Hetimet për gjyqtarët nisën pas kallëzimit të avokatit Fran Dashi.

Në prill të këtij viti avokati iu drejtua SPAK-ut me një kallëzim kundër 20 shtetasve me funksion ish-gjyqtarë dhe ish-prokurorë pranë gjykatave të shkallës së parë, apelit, Gjykatës së Lartë, Gjykatës Kushtetuese, si dhe prokurorive te ndryshme, për veprat penale të parashikuara nga nenet 143, 143/a/6,180, 181, 248 dhe 257/a të Kodit Penal. Objekt kallëzimi janë deklarimet e kryera nga këto subjekte para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe vendimet e shkarkimit të tyre nga KPK-ja.

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka vlerësuar materialet e kallëzimit në raport me përcaktimet e neneve 75/a dhe 78 të Kodit të Procedurës Penale dhe ka arritur në konkluzionin se jo të gjitha subjektet e kallëzuara janë në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme.

Nisur nga kjo u nda materiali kallëzues në ngarkim 10 të subjekteve, duke ua dërguar për kompetencë dhe vlerësim prokurorive Durrës, Tiranë dhe Elbasan. Ndërkohë për 10 subjekte, me funksion ish-gjyqtarë të Gjykatës së Lartë dhe të Gjykatës Kushtetuese, në Prokurorinë e Posaçme është regjistruar procedimi penal nr. 137/2020, për veprën penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, të parashikuar nga neni 257/a i Kodit Penal.

Njerëzit e drejtësisë që u kallëzuan në SPAK 

-Adriatik Llalla, ish-Prokuror i Përgjithshëm;
-Bashkim Dedja, ish-kryetar i Gjykatës Kushtetuese – po hetohet nga SPAK-u;
-Fatmir Lushi, ish-prokuror në Prokurorinë e Elbasanit;
-Tom Ndreca, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Luan Dervishi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Shkodër;
-Shkëlzen Selimi, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Gani Dizdari, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese – po hetohet nga SPAK-u;
-Edmond Islamaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Guxim Zenelaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Marina Rraboshta, ish-gjyqtare në Gjykatën e Apelit Shkodër;
-Besnik Imeraj, ish-gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese – po hetohet nga SPAK-u;
-Aleksandër Muskaj, ish-gjyqtar në Gjykatën e Lartë – po hetohet nga SPAK-u;
-Petrit Fusha, ish-drejtues i Prokurorisë Tiranë;
-Besnik Cani, ish-drejtues i Prokurorisë Elbasan;
-Besim Trezhnjeva, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës;
-Arjan Balliu, ish-gjyqtar në Gjykatën e Apelit Durrës;
-Ferdinad Elezi, ish-drejtues i Prokurorisë së Apelit Durrës;
-Ema Gashi, ish-gjyqtare në Gjykatën e Rrethit Durrës;
-Besa Nikëhasani, ish-drejtuese e Prokurorisë së Apelit Shkodër.

la.mi/Fjala

Të fundit

Policia aksion ‘blic’ në Krujë, kontrolle mjeteve luksoze dhe atyre me xhama të zinj

Policia e Krujës ka ngritur disa pika kontrolli në akset kryesore të këtij rrethi veçanërisht në akset që lidhin...

Senati amerikan drejt miratimit të ligjit për arrestimin e emigrantëve

Senati po shkon drejt një raundi të fundit të votimit të një ligji që parashikon që autoritetet federale të arrestojnë emigrantët që akuzohen për...

Barack Obama i jep fund thashethemeve për divorc nga Michelle Obama

Ish-presidenti i SHBA, Barack Obama, i ka uruar ditëlindjen bashkëshortes së tij, Michelle Obama, duke i dhënë kështu fund njëherë e mirë thashethemeve për...

PSG prezanton transferimin e Kvaratskhelias, gjeorgjiani pozon me menaxheri. shqiptare

Ylli gjeorgjian Kvicha Kvarsakhelia u prezantua ditën e sotme në radhët e gjigantëve të PSG-së ku firmosi kontratën deri në vitin 2029, ku do...

Çelësat për të shmangur një mënyrë jetese ulur

Një mënyrë jetese e ulur ose mungesa e aktivitetit fizik ka një ndikim negativ në trupin tonë si fizikisht ashtu edhe mendërisht.  Problemi është...

Lajme të tjera

Web TV