Trafiku i drogës/Evropa “pushtohet” nga bandat shqiptare, plantacionet e drogës përqendrohen në Spanjë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Grupet kriminale shqiptare sa vjen e po fuqizohen së tepërmi, duke “sunduar” në tregun e shpërndarjes së narkotikëve.

Vendet e BE-së vitet e fundit janë “pushtuar” nga trafikantë shqiptarë, të cilët drejtojnë grupet kriminale në këto vende.

Spanja është një nga vendet ku shqiptarët së fundmi e kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal.

Nga Elvis Myrta

Kanabisi në Shqipëri është një “bimë e hershme” që daton masivisht pas vitit 1994 për të kulmuar në periudha të ndryshme, por shtrirja e saj në Evropë, duke e kultivuar edhe atje, është “çudia” që po ndodh sot.

Portalet e këtyre vendeve raportojnë pothuajse çdo ditë për raste të goditjeve të mbjelljes së kanabisit nga ana e shqiptarëve, të cilët janë duke u marrë masivisht me kultivim kanabisi në ambiente të mbyllura të marra me qira, por edhe në terrene të hapura apo të pyllëzuara.

Më së shumti aktivitetin e tyre për kultivimin e bimës narkotike shqiptarët e kanë shtrirë në vende si Greqia, Italia, Holanda, Belgjika, Anglia dhe Spanja. Një bumi të tillë, të mbjelljes së kanabisit, agjencitë ligjzbatuese të këtyre vendeve po i përgjigjen me masa antikanabis gjithnjë e më të rrepta.

Këto dy vitet e fundit grupet kriminale e kanë shtrirë aktivitetin e tyre në Spanjë, ku është bërë rutinë që banda narkotrafikantësh të përbërë nga shtetas shqiptarë të mbjellin plantacione droge në banesa, magazina të mëdha, por edhe në zona malore apo kodrinore të shtetit iberik.

Duke e prodhuar drogën në Spanjë, shqiptarët janë duke konkurruar tregun e kanabisit maroken. Prodhimi i lëndës narkotike në Spanjë i ka zhvlerësuar narkotrafikanët marokenë, ku në disa raste i kanë nxjerrë nga tregu, pasi marokenët kanë shtesë në kosto, për shkak të shpenzimeve të transportit të kanabisit nga Maroku drejt tregut spanjoll.

Shqiptarët e prodhojnë kanabisin në tokën spanjolle me kosto minimale. Dy ditë më parë, policia lokale e El Prat de Llobregat, në Barcelonë, goditi një grup kriminal që kultivonte marijuanë brenda një magazine.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan rreth 622 kg drogë, e cila nëse do të përfundonte në treg, kapte një vlerë prej 1,4 milion eurosh. Gjithashtu, policia spanjolle vuri në pranga tetë persona, të gjithë me kombësi shqiptare. Të arrestuarit, të cilët nuk kishin regjistrime paraprake, tashmë ndodhen pas hekurave.

Ata janë nga 28 deri më 51 vjeç, ku 7 prej tyre akuzohen për trafik droge, ndërsa një tjetër për mashtrim të energjisë elektrike. Të arrestuarit kultivonin marijuanë në një depo të madhe industriale, pa ndonjë aktivitet të dukshëm, por që kishte një numër të madh kondicionerësh, siç raportohet nga Mossos.

Ndërhyrja e policisë ka ndodhur gjatë të enjtes së kaluar, ku pas kontrollit është sekuestruar 622 kilogramë marijuanë, vlera e të cilës shkon në 1418000 euro në tregun e zi, ndërsa shuma për mashtrimin me energjinë elektrike arrin në 288000 euro.

Vitet e fundit shqiptarët e kanë shtrirë aktivitetin e tyre kriminal në Spanjë, duke u cilësuar nga autoritetet vendase si grupe mjaft të rrezikshme dhe të sofistikuara.

Trafikimi i kokainës me kuintalë nga portet spanjolle, kultivimi i kanabisit me tonelata, mijëra shqiptarë, që përdorin portet spanjolle si trampolinë për të shkuar klandestinë në Angli, si edhe shtimi i bandave të hajdutëve dhe grabitësve të armatosur shqiptarë, ka bërë që autoritet spanjolle t’i listojnë bashkëvendasit tanë në vendet e para për sa i përket rrezikshmërisë.

Plantacioni i drogës që u zbulua nga kanali televiziv 

Disa muaj më parë, krejt rastësisht, një plantacion kanabisi u zbulua në një zonë malore të Alcuerscar-it. Zbulimi i plantacionit të kanabisit u bë rastësisht nga ekipi i televizionit spanjoll Stage 8 TV, që me helikopter po filmonte garën çiklistike Vuelta Espana.

Kamera televizive nga helikopteri filmoi edhe “arën” me kanabis. Pas pamjeve të shfaqura në televizionin spanjoll, policia ndërmori operacionin në sajë të të cilit u arrestuan 9 persona, 8 shqiptarë dhe një shtetas spanjoll.

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 281 kg hashash i përpunuar, si dhe u asgjësuan 22000 bimë kanabisi. Përveç bimëve të kanabisit në stade të ndryshme rritjeje, u sekuestruan edhe sistem ujitjeje, çadra për fjetje të kultivuesve shqiptarë, pajisje për tharje dhe përpunim të kanabisit.

Nëse sasia e kapur e kanabisit do të shitej me pakicë, grupi i strukturuar kriminal do të fitonte rreth 14 milionë euro. Pas finalizimit me sukses të këtij operacioni, shefi i policisë, Jose Luis Gomez, në konferencën për shtyp, u tha gazetarëve se krimi i organizuar shqiptar po bëhet gjithnjë e më i fuqishëm dhe autoritar në Spanjë.

Goditja e bandës së shqiptarëve në Valencie 

Në fillim të këtij viti policia e Valencies goditi një grup shqiptarësh që merreshin me kultivimin e kanabisit në zona të ndryshme të këtij qyteti. Në janar të këtij viti autoritetet spanjolle vunë në pranga 6 shqiptarë. Të arrestuarit ishin të moshës 28-45 vjeç.

Lexo edhe :  Bulqizë/ Ishte duke riparuar një defekt, elektricistin e zë korrenti, mbetet i plagosur

Gjatë këtij operacioni u sekuestruan 360 kg marijuanë dhe 2800 bimë narkotike kanabisi. Në atë kohë, të arrestuarit u akuzuan për disa vepra penale, ndër të cilat për kultivim droge, organizatë kriminale, trafik droge, falsifikim të dokumenteve.

Hetimet e policisë spanjolle për goditjen e këtij grupi zgjatën 7 muaj, ku përmes përgjimeve dhe vëzhgimeve në terren u zbulua veprimtaria kriminale e këtij grupi. Anëtarët e bandës kishin marrë me qira disa ambiente të ndryshme për të kultivuar kanabisin.

Këto ambiente ishin modifikuar dhe kishin krijuar një sistem për të eliminuar erën e marijuanës, duke kaluar nëpër filtra ajrimi.

Brenda këtyre “mini-fabrikave” të arrestuarit kishin krijuar edhe një rrjet të sofistikuar të energjisë elektrike, duke e vjedhur në mënyrë të paligjshme nga pronat e tjera.

Sipas hetuesve, kjo metodë ishte bërë për të mos ngjallur dyshime në konsumin e tepruar të energjisë elektrike që përdorej për ndriçimin e bimëve të kanabisit. Tre muaj më pas, kapet një grup tjetër shqiptarësh që kultivonin kanabis në zona të pyjore të Alcarcon-it.

Gjatë këtij operacioni u arrestuan 5 shqiptarë dhe u sekuestruan rreth 370 kg kanabis, dhe mijëra bimë narkotike të mbjella. Nëse droga do të përfundonte në treg për t’u shitur me çmim pakice, trafikantët do të përfitonin rreth 11,5 milionë euro.

Plantacioni ishte në një zonë kodrinore të veshur me pyje e shkurre, gjë që vështirësonte zbulimin nga agjencitë ligjzbatuese.

Në këtë operacion morën pjesë 70 efektivë policie. Autoritetet spanjolle, krahas bimëve të kanabisit sekuestruan edhe celularë, automjete, pajisje për ujitje të bimëve, pajisje për tharje të kanabisit, thasë me pleh kimik, çadra për fjetje, karrige dhe tavolina portative, gjeneratorë me fuqi të mesme, bidonë të mëdhenj të mbushur me naftë etj.

Kishte shtrirë aktivitetin kriminal në gjithë Evropën, ja si u shkatërrua rrjeti i shqiptarëve nga Europol-i 


Një megaoperacion në të cilin morën pjesë gjashtë vendeve të Bashkimit Evropian, pesë muaj më parë, bënte të mundur shkatërrimin e një grupi kriminal që merrej me trafikun e kokainës nga Kolumbia drejt vendeve të BE-së. Operacioni, i cili në atë kohë u kodua “BAÇARAT”, çoi në shkatërrimin e një grupi kriminal shqiptar me veprim në të gjithë Evropën, me aktivitet në prodhimin e trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Në atë kohë u arrestuan 25 persona, të gjithë shqiptarë. Operacioni u shtri në Belgjikë, Holandë, Francë, Gjermani e Spanjë, të gjithë anëtarë të një grupi të rrezikshëm trafikantësh shqiptaro-kolumbianë.

Në këtë operacion kanë marrë pjesë 600 forca policie, në të gjitha shtetet e lartpërmendura. Për koordinimin kompleks të këtij operacioni u ngrit një qendër komande në Belgjikë, ku personeli i Antimafias italiane së bashku me përfaqësuesit e policive të shteteve të përfshira, drejtuan të gjitha fazat e operacionit.

Në sajë të hetimeve u zbulua se droga vinte nga Kolumbia me kontenierë në Belgjikë dhe më pas shpërndahej në të gjithë Evropën, ku përdoreshin automjete të pajisura me ndarje të sofistikuara për të fshehur lëndën narkotike.

Ndërkohë, sipas Europol-it, ky grup menaxhonte plantacionet e kanabisit në Spanjë dhe Gjermani dhe më pas prodhimin e shpërndanin në vende të tjera të Bashkimit Evropian. Gjatë këtij operacioni 9 persona u arrestuan në Belgjikë; 6 në Spanjë; 3 në Holandë; 6 në Gjermani dhe një në Francë.

Gjatë operacionit u bënë kontrolle edhe në 30 banesa për gjetjen e lëndëve narkotike, armë apo shuma parash që mund të ishin përfituar nga aktiviteti kriminal. Europol-i në atë kohë tha se në sajë të operacionit “BAÇARAT” u zbuluan 6 plantacione kanabisi, mbi 60000 euro cash, telefona celularë, armë dhe municione.

Ky grup, klan i krimit të organizuar ishte i strukturuar në mënyrë hierarkike, me degë që funksiononin ndërkombëtarisht. Disa nga anëtarët e tij të arrestuar kishin një histori të trafikut të drogës në vende të ndryshme të BE-së.

Europol-i e mbështeti këtë hetim duke siguruar një ekspertizë dhe një mbështetje të gjerë analize dhe duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit përmes kanaleve të tij të sigurta. Një numër takimesh operacionale u organizuan nga Europol-i në të gjithë Evropën me qëllim plotësimin e boshllëqeve hetimore në nivelin ndërkombëtar dhe koordinimin e veprimeve të njëkohshme që synuan çmontimin e gjithë strukturës së këtij grupi kriminal.

Vitin e kaluar Europol-i hapi edhe një zyrë të vetën në vendin tonë, ku falë bashkëpunimit me autoritetet tona janë kryer disa operacione të përbashkëta me vendet e BE-së, duke goditur disa grupe kriminale.

la.mi/Fjala.al

Të fundit

Bulqizë/ Ishte duke riparuar një defekt, elektricistin e zë korrenti, mbetet i plagosur

Avdul Duçi, elektricist ka mbetur i plagosur teksa po punonte për riparimin e një linje elektrike, në afërsi të...

Meta dhe Google akuzohen për kufizimin e informacionit të shëndetit riprodhues

Gjigantët e teknologjisë Meta dhe Google janë akuzuar në një raport nga dy organizata ndërkombëtare joqeveritare për fshehje të informacionit mbi abortin dhe kujdesin...

U shtuan pas pandemisë, ja sa çështje gjyqësore presin të nisur procedurat e falimentimit

Me ligjin e falimentimit, që nisi zbatimin nga viti 2017, mbi çdo debitor qoftë biznes apo individ që nuk arrihet t’i ristrukturohen detyrimet procedura...

Lezhë/ Shoferi del nga makina e grushton kalimtarin, i kërkoi të priste të kalonte rrugën

Një sherr i nisur në mes të rrugës. Ai në makinë, ndërsa 44 vjeçari këmbësor. Teksa ka qenë duke kaluar rrugën në tek Ura...

Dani Alves, festë të “çmendur” pas lirimit nga burgu

Asnjë shenjë reflektimi nga Dani Alves. Ai la pak ditë më parë ambientet e burgut në Barcelonë pasi ka paguar garancinë prej një milion...

Lajme të tjera

Web TV