Fjalët e fundit të Paolo Borselinos

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Një leksion mbi mafien dhe ligjshmërinë – Pjesë nga libri “Fjalët e fundit të Falkones dhe Borselinos, shkruar nga Antonela Maskali, ardhur në shqipe nëpërmjet përkthimit të Zamir Podës – (Transkriptime nga një diskutim i mbajtur nga Paolo Borselino me studentët e një instituti të Bassano del Grappa-s, në 26 janar 1989)

Kultura e ligjshmërisë

Faleminderit që jeni të pranishëm dhe kaq shumë në numër. Unë punoj në provincën më të largët të Italisë, në provincën e Trapanit dhe, pavarësisht angazhimeve të mia të punës që nuk më lejojnë ta bëj shpesh këtë, unë kam shumë dëshirë të takohem me studentë të kësaj province dhe, mbi të gjitha, me ata të një zone të kësaj province që quhet Belice, një zonë e goditur vite më parë nga një tërmet shumë i fuqishëm që shkaktoi shqetësime e dëme të mëdha. U shkatërrua thuajse plotësisht nga termeti, gjë që pasoi me kushtet e një degradimi ekonomik dhe kulturor.

E, megjithatë, kur takoj studentë, nuk dëshiroj të flas për mafien ose për atë çfarë shpesh presin ata të dëgjojnë nga unë, domethënë për ngjarje që lidhen me kriminalitetin mafioz, me të cilat për arsye profesionale më duhet të merrem. Sepse, kur flas me studentët, më duket më shumë e rëndësishme të kuptojnë cilat janë arsyet e thella – kulturore, ekonomike – sociale – për të cilat, jo vetëm që ekziston ky fenomen, por cilat janë shkaqet kulturore dhe socialekonomike për të cilat ky fenomen është ose duket kështu i pamposhtur, pavarësisht impenjimit të shumë magjistratëve dhe shumë forcave të rendit, pavarësisht vëmendjes që shkon në rritje të opinionit publik. Dua të vazhdoj duke nënvizuar se në një tempull të kulturës, sikundër është shkolla, mbi të gjitha nuk mund të mos flasësh për atë që unë e quaj kulturë të ligjshmërisë, një çështje për të cilën me shumë mundësi mësohet shumë pak, mbi të cilën flitet shumë pak, por që më duket shumë shumë e rëndësishme.

Dhe çfarë dua të them kur nënvizoj kulturën e ligjshmërisë­?

Dua të them se duhet të njihen dhe të kuptohet plotësisht se çfarë janë ligjet dhe përse ato duhet të respektohen. Ligjet, shkurtimisht dhe pa dashur të hyj në përkufizime shkencore, janë urdhërime dhe ndalime që jep shteti, urdhërime e ndalime që normalisht lejojnë veprimtari të ndryshme, ose ndalojnë veprimtari të ndryshme, që normalisht janë të shoqëruara nga të ashtuquajturat sanksione. Domethënë, nëse kryhet nje veprim që shteti e ndalon, ose nëse nuk kryhet një veprim që shteti e detyron, shteti parashikon një sanksion dhe, sipas llojit të sanksionit që shteti parashikon, ligjet ndahen në ligje penale ose ligje civile.

Ka një dallim të madh ndërmjet ligjeve penale dhe atyre civile. Janë pastaj ligjet administrative. Atëherë, më shumë për të dhënë një shembull, nëse unë ndërtoj një shtëpi duke hapur një dritare nga oborri i komshiut, kur ky veprim është i ndaluar nga ligji, ose kur ligji detyron që të mbahet një farë distance për të mos shkuar apo për të mos parë në oborrin e komshiut, shteti parashikon një sanksion, një sanksion civil, domethënë komshiu ka të drejtë të më detyrojë për ta mbyllur këtë dritare. Shohim nga ana tjetër një shembull për krime të rënda. Nëse unë, pavarësisht se shteti më ndalon të vras dhe unë vras fqinjin tim, shteti më dënon me një sanksion − dënim të caktuar prej 20 deri 24 vjet burg, ose akoma më shumë, nëse janë rrethana të tjera të rënda. Kështu që duhet të mendojmë se ligjet duhet të respektohen mbi të gjitha sepse, nëse nuk respektohen, janë pikerisht këto sanksione penale, nëse bëhet fjalë për ligje penale dhe, civile, nëse bëhet fjalë për ligje civile. Pjesa më e madhe e popullatës i respekton ligjet, ose do të duhet t’i respektojë, sepse ka dhënë pëlqimin për to, domethënë beson se bëhet fjalë për urdhërime ose ndalime të drejta.

Sensi i drejtësisë

Shumica prej nesh nuk i hap dritaret në oborrin e tjetrit, nuk kalon në rrugë në vendet ku nuk ka vija të bardha… nëse nuk veprohet kështu, nëse ligjet nuk respektohen, mbi të gjitha sepse qytetarë të ndryshem ia lejojnë këtë vetes, domethënë nuk e konsiderojnë të drejtë dhe detyrues këtë ndalim, atëherë, nuk do të mjaftonin shumë e shumë karabinierë për aq sa janë qytetarët e Republikës Italiane, sepse do të duheshin një për çdo person, për të vëzhguar dhe parandaluar pa e bërë ai shkeljen. Ju e dini që shumica e popullsisë i respekton ligjet, sepse e ndien për detyrë t’i respektojë ato dhe jo sepse trembet nga ndalimi ligjor. Por është e qartë se, sa më shumë që këto ligje të respektohen, aq më shumë krijohet bindja se ato janë të drejta, aq më shumë qytetarët kërkojnë të identifikohen me institucionet, aq më shumë qytetarët ndihen pjesëmarrës, pjesë integrale e shtetit, e komunës, e provincës, e rajonit, domethënë të atij organi që nxjerr këto ligje.

Sepse, në të kundërt, sa më shumë, për çfarëdolloj arsyesh, nis të ndihesh jashtë këtyre institucioneve, aq më shumë ose aq më pak do të respektosh ndalimet që nxjerrin këto institucione dhe atëherë do të vijnë sanksione më të forta… Është pikërisht kjo, që për arsye historike ka ndodhur në pjesën më të madhe të Jugut të Italisë dhe, mbi të gjitha, në Sicili, sepse pikërisht këtu, për shkaqe historike ose social-ekonomike, që rëndom quhen “çështje të Jugut“, qytetari i Jugut është ndier i largët, është ndier jashtë shtetit. Për konsekuencë, impulsi instinktiv i respektimit të ligjeve nuk është ndierë kurrë ashtu siç duhet, ja sepse në këto rajone, mbi të gjitha në pjesën më të madhe të rajoneve të Jugut, të tilla si Kampanja, Kalabria dhe Sicilia, janë krijuar përgjithësisht këto situata për pakënaqësi ndaj ligjit, për mosrespektim të ligjeve që, me artikulime të ndryshme, si në Sicili, si në Kalabri, ashtu edhe në Kampanjë, kanë provokuar rritje në historinë e fenomenit të organizimeve të mëdha kriminale.

Përse? Sepse janë kërkesa të qytetarit që ka nevojë për drejtësi, nevojë për siguri – nevojë për siguri si në këndvështrimin civil, ashtu edhe në atë ekonomik – sepse qytetari, natyrisht që kërkon të sigurohen ato nga një institucion mbi interesat personalë, i cili është shteti, në të gjitha shkallët e tij: shteti, komuna, provinca, rajoni etj. Kur ti mendon se këto kërkesa dhe nevoja nuk sigurohen, kur ato nuk identifikohen, kur nuk ke besim në institucionet publike, natyrisht që do të kërkosh rrugëzgjidhje dhe do të gjesh mënyra të tjera për to.

Po marrim një shembull, mundësisht sa më të thjeshtë për ta kuptuar. Nëse një qytetar dëshiron të reagojë për një dëm të pësuar, për shembull një vjedhje apo një grabitje, dhe ka ndjesinë që institucionet nuk i sigurojnë një përgjigje për këtë dëm që ka pësuar, dhe ai ka dijeni se është një organizim, i cili, në thelb dhe në mënyrë të dukshme, kërkon të prezantohet si një organizim në gjendje të rekuperojë sendet e vjedhura ose të parandalojë çdo vjedhje apo plaçkitje në rrugë, ai i drejtohet pikërisht këtij organizimi. Kjo është një nga arsyet për të cilat këto organizime kriminale ia arrijnë të gjejnë një konsensus të madh në popullatë, domethënë këtë konsensus, që përkundrazi, do të duhet ta drejtojnë drejt institucioneve publike dhe shtetit.

Çfarë duhet të garantojë shteti

Kalojmë në mënyrë më specifike në fushën që intereson edhe më shumë dhe që, sipas meje, ka të bëjë me shitjen dhe blerjen e përditshme, me kontraktimet, me tregtinë dhe biznesin. Duke qëndruar gjithmonë në këtë fushë, është e qartë se në jetën e zakonshme, civile, ekonomike, për çdo qytetar marrëdhëniet rregullohen nga tregtia e lirë. Gjithashtu, është e qartë që kontraktues të ndryshëm – të cilët janë sipërmarrës, industrialistë e në përgjithësi subjekte të ndryshme ekonomike, në mënyrë të natyrshme kanë nevojë në kontraktimet e tyre për garantim të marrëveshjeve, për atë që unë do ta quaja besim, domethënë besim për të mundur që cilido prej tyre të zhvillojë lirisht negocimin dhe marrëdhënien me kontraktorin, i cili duhet dhe do të respektojë atë çfarë është vendosur, do të kryejë pikërisht atë pagesë për të cilën është detyruar sipas marrëveshjes, fjala vjen për shitjen. Nëse unë, p.sh, kam një aktivitet në fushën industriale, kam nevojë që të më shoqërojë gjatë gjithë kohës besimi, domethënë që unë të mund të hyj në marrëdhënie me punonjësit e mi sipas kushteve të përcaktuara në kontratë apo marrëveshje, në mënyrë të tillë që këto kushte të përcaktuara me vullnet te lirë të mos shkelen, por të respektohen plotësisht nga palët që kanë firmosur. Atëherë, këtë besim kush duhet ta sigurojë?

Qartësisht këtë besim duhet ta sigurojë shteti, si duke garantuar kushtet e përgjithshme, sepse kontratat private mund të lidhen dhe negociohen në një klimë të besimit reciprok, ashtu edhe nëpërmjet administratës gjyqësore, duke ndërhyrë dhe zgjidhur në rastet kur për këto kontraktime lindin mosmarrëveshje. Nëse komshiu im, kontraktuesi im, nuk më paguan apo nuk më kthen pronën, unë duhet të jem në kushte t’i drejtohem me padi apo kallëzim një gjyqtari që ta dënojë apo ta detyrojë të paguajë dhe të më sigurojë mundësinë për të marrë gjithçka që kam dhënë, apo që më takon, ose të realizojë ekzekutimin për pronën imobiliare, për sekuestrime, e kështu me radhë. Kur të gjitha këto gjëra nuk funksionojnë, domethënë kur kjo klimë e besimit reciprok nuk sigurohet nga shteti, ato nuk funksionojnë, sepse mbi shoqërinë civile nuk është ndier fort prania e rëndë e shtetit. Kur në rast të mosmarrëveshjeve të lindura ndërmjet palëve, shteti, me një administratë gjyqësore në hije e joefektive, nuk siguron mundësinë e zgjidhjes në mënyrë paqësore të mosmarrëveshjeve, atëhere, nëse ekziston, nëse historikisht është krijuar një organizatë kriminale në gjendje të sigurojë diçka të tillë, domethënë besimin që shteti duhet ta sigurojë ndërmjet qytetarëve, këto organizime tregojnë forcën, sepse këtë besim të kërkuar organizimet kriminale të tipit mafioz ia arrijnë ta sigurojnë. Ia arrijnë ta sigurojnë në çastin kur komshiu im nuk më paguan për detyrimin që ka, sepse vepron kërcënimi për të, nëse unë u drejtohem organizimeve kriminale.

Nëse qytetarët u drejtohen atyre, në popullsinë e Jugut është mundësia të rekuperosh një debi që drejtësia nuk mund ta rekuperojë shpejt, nisur nga fakti se një çështje civile zgjat deri dhjetë vjet të rënda, edhe njëzet vjet. Nga ana tjetër, unë mund t’u drejtohem këtyre organizimeve, të cilave u paguaj një ryshfet, një shumë të caktuar e efektivisht organizimi më jep shërbimin, më ruan, në sensin që më siguron që fabrika ime nuk do të jetë objekt i atentateve, i vjedhjeve, ose i sulmeve të tjera të kësaj natyre. Domethënë, mafia lind, prezantohet, si dikush që siguron shërbime të tilla. Natyrisht, këto shërbime nuk mund t’u prezantohen të gjithëve, sepse për t’ia dhënë njërit, duhet t’ia marrësh tjetrit. Ndërsa besimi që shteti do të duhet të garantojë, u përket të gjithë qyetetarëve në mënyrë të paanshme, besimi që shpërndan organizimi kriminal është një besim në vlerë algjebrike zero, sepse, për t’i dhënë avantazhe njërit, organizimi kriminal duhet në mënyrë të domosdoshme t’i bëj dizavantazhe tjetrit.

Thelbi i mafies

Thelbi i vërtetë i mafies është ky. Duke e trajtuar çështjen më me hollësi, analizojmë se qytetari e konsideron jo aq të besueshme administratën publike dhe fare të pabesueshme, sidomos në momentin kur bën shpërndarje të punëve publike, kur shpall tenderët publikë e të tjera si këto. Pra, në thelb, kur efektivisht shpërndan pasuri, pasuri e cila, për fat të keq, në Jug është më e madhe sesa prodhimi i saj: në Jug mbi të gjitha shpërndahen resurse më shumë sesa krijohen resurse. Megjithatë, kur shteti nuk prezantohet me fytyrë të pastër, sidomos për sa i përket sigurimit të shpërndarjes së paanshme të këtyre resurseve, pikërisht në këtë moment shteti shpeshherë shndërrohet në mjetin më anë të të cilit penetrojnë dhe futen në lojë organizatat kriminale, duke adresuar së paku shpresa për të arritur sukses në kapjen e këtyre resurseve, të kontratave publike, gjë që do të thotë mundësi efektive për të përfituar pikërisht mbi shpërndarjen e burimeve publike. Ja pse këto organizime kriminale gjithmonë kërkojnë të depërtojnë në botën e pushtetit politik, të pushtetit burokratik: për të pasur leva që të depërtojnë në ato ambiente të shpërndarjes së pasurive.

Lexo edhe :  PD dhe SPAK heshtin, por pse nuk u mor nën hetim Erinda Ballanca

Kështu që është e gabuar të mendosh se mafia është vetëm një suport, një konsekuencë e mungesës së mirëqenies ekonomike. Aq më shumë të mendosh dhe të mbështesësh ide të tilla të tipit si: sa më shumë para të jepen, sa më shumë mundësi punësimi të japen, aq më shumë resurse do të japim në këtë mënyrë… Eh jo, në realitet shteti ka si detyrë të ndërhyjë atje ku ka papunësi të madhe, varfëri të madhe, margjinalizim, por ama kur ndërhyn në mënyrë të tillë, që nuk ia arrin të fitojë besimin e qytetarëve mbi paanshmërinë për sa i përket shpërndarjes së resurseve, atëherë futen në lojë organizimet kriminale dhe nëpërmjet korrupsionit penetrojnë dhe vënë dorë mbi masën më të madhe të resurseve, gjë që u sjell përfitime edhe më të mëdha. Mendoni për një moment – me siguri e keni lexuar në gazeta – atë çfarë ndodhi në Irpini lidhur me rindërtimet e pas tërmetit. Ishte një tortë e mrekullueshme, e vënë në dispozicion të një organizimi kriminal që quhet Kamorra, e cila jo vetëm që përlau pjesën më të madhe të resurseve, por pas kësaj u masakruan me njëri-tjetrin, duke treguar më së miri se si kriminelët i shpërndajnë fitimet mes tyre.

Mafia dhe politika

Nuk është se kishte prova që të bënin të mendoje se pushteti politik ishte i lidhur me mafien në sensin që magjistratura të atribuonte bashkëpunimin në krim. Sepse, nëse faktet apo të dhënat do të ishin evidente, është e qartë se do të kishte një numër ekstremisht të gjerë politikanësh të inkriminuar. Në realitet, një rast kuptimplotë ka qenë dhe është ai që i përket ish-kryetarit të Bashkisë së Palermos, Vito Çiançimino. Jo vetëm që ishte vërtetuar se ky zotëri ishte afër dhe kishte bashkinteresa me organizimet mafioze, por ishte edhe vetë në organikën e mafies e, për këtë arsye, kishte konsumuar krimin e pjesëmarrjes në mafie. Nga hetimet tona, të kryera, do të rezultonin një seri e tërë raportesh ndërmjet eksponentëve politikë dhe organizimeve mafioze, raporte që në pretencën e maksiprocesit do të quheshin afrimitet. Domethënë situata afrimiteti apo bashkëveprimi interesash, të cilët, megjithatë, nuk e bënin automatikisht politikanin përgjegjës për krimin e pjesëmarrjes në mafie.

Kjo, sepse nuk mjafton të bësh të njëjtën rrugë për të qenë një stafetë. Të njëjtën rrugë mund të bësh, sepse në këtë moment, të paktën nga këndvështrimi i ngushtë juridik, gjen përshtatshmëri të përqendrosh vëmendjen mbi të njëjtët interesa. Dhe kjo nuk është se ka bindur nga këndvështrimi juridik, të formulohen akuza për politikanët, por megjithatë jemi të vëmendshëm… Ekziston një vlerësim rigoroz i karakterit gjyqësor që del nga seanca, nga arsyetimi i gjyqtarit dhe më pas në vazhdim, në dënimin, që nuk zgjidh të gjithë realitetin, realitetin kompleks social. Përtej gjykimit të gjyqtarit, ekzistojnë edhe gjykime politike, domethënë konsekuenca që rrjedhin ose duhet të rrjedhin nga disa fakte të vlerësuara. Ekzistojnë edhe gjykime disiplinore. Një burokrat, një burokrat i lartë i administratës, që për shembull ka kryer favorizime, por që nuk do të thotë se ka kryer automatikisht një vepër penale − sepse mungon ndonjë element i kësaj vepre – vepër penale që ka të bëjë me interesa privatë në lidhje me detyrën, por që mund të jetë objekt i procedimit disiplinor, sepse nuk ka vepruar në interes të veprimtarisë së drejtë të administratës.

Tashmë, ekuivoku mbi të cilin shpesh luhet, është kjo: thuhet, ky politikan ishte afër mafiozëve, ky politikan u akuzua se kishte interesa të njëjtë me organizimin mafioz e, megjithatë, magjistratura nuk e dënoi, kështu që ky politikan është i ndershëm. Eh jo. Ky diskutim nuk shkon, sepse magjistratura mund të bëjë vetëm një vlerësim të karakterit gjyqësor. Mund të thuhet se, eh, ka dyshime, ka dyshime të forta e të rënda, por unë nuk kam siguri juridike, gjyqësore, që të më lejojnë të them se ky njeri është mafioz. Megjithatë, kur dalin nga hetimet shumë fakte të kësaj natyre, të tjera organe, të tjera pushtete, domethënë edhe politikanët, domethënë edhe organizmat disiplinorë të administratave të ndryshme, këshillat komunale e të tjera si këto, do të duhet të nxjerrin përfundime nga këto afrimitete ndërmjet politikanëve dhe mafiozëve, që nuk përbëjnë krim, por që tregojnë se bëhet fjalë për politikanë jo të besueshëm për sa i përket trajtimit dhe drejtimit të veprimtarive publike. Këto përfundime nuk janë marrë në analizë, sepse janë fshehur prapa “ekranit“ të vendimit gjyqësor (nënkupto vendim gjyqësor që, megjithëse në arsyetim e përmend implikimin e këtyre politikanëve, por që nuk ka gjetur prova të tilla që të përbëjnë vepër penale), është thënë: ky tip nuk ka qenë kurrë i dënuar, kështu që është një njeri i ndershëm.

Por a mund të më thoni pak, a nuk njihni ju njerëz që nuk janë të ndershëm, që nuk kanë qenë dënuar kurrë, sepse nuk janë gjetur prova për t’i dënuar, megjithëse ka pasur dyshime të shumta. Sa më sipër, do të duhet që të paktën të nxiten partitë politike që të vetëpastrohen brenda tyre nga ata individë që janë implikuar nga të tilla episode apo të dhëna shqetësuese, edhe pse nuk përbëjnë vepra penale.

Përse nuk ndihem i mbrojtur nga shteti

Unë nuk ndihem i mbrojtur nga shteti, sepse sot lufta kundër kriminalitetit mafioz, në substancë, i është deleguar vetëm magjistraturës dhe forcave të rendit dhe konsiderohet se është një fakt ekskluzivisht i natyrës gjyqësore, ndërsa nuk është një fakt ekskluzivisht i natyrës gjyqësore. Sikundër kam thënë më parë, nëse nuk gërmon mbi shkaqet e thella të këtij fenomeni të veçantë kriminal, atë do ta kemi gjithmonë përballë. Por çfarë ka provokuar një delegim i tillë, i lëshuar mbi të gjitha mbi magjistraturën dhe forcat e rendit? Ka provokuar një mbiekspozim të magjistraturës dhe forcave të rendit. Që do të thotë se në mendësinë e kriminelit është bërë e qartë që eliminimi i magjistratit që heton apo gjykon rreth mafies, apo punonjësit të policisë që heton rreth mafies, nënkupton eliminimin e armikut të vetëm.

Ja pra pse magjistrati dhe përfaqësuesi i forcave të rendit gjenden hapur të mbiekspozuar dhe shumë pak të mbrojtur. Dhe këto nuk janë fjalë, sepse nëse ne do të bënim një llogari se sa magjistratë dhe se sa përfaqësues të rendit janë vrarë gjatë viteve ’80, por edhe më parë, duke filluar nga viti 1970, me të parën vrasje të një individi të nivelit, numri do të bëhej i pabesueshëm. Megjithëse ishin të gjithë miq apo bashkëpunëtorë, më shumë se bashkëpunëtorë ishin pothuajse të gjithë miqtë e mi ata që u vranë dhe personalisht, sot e kam shumë të vështirë për t’i kujtuar të gjithë. Dhe është e qartë se nuk ishin të mbrojtur ata dhe nuk është i mbrojtur askush që lufton kundër këtyre organizimeve mafioze. Pastaj, më pas situata do të bëhej akoma ekstremisht më e rëndë me vrasjen e fundit, të një magjistrati ndodhur në Sicili, të gjyqtarit Antonino Saeta (vrarë së bashku me djalin e tij Stefano), sepse për herë të parë vritej një gjyqtar që nuk ishte nga ata që merreshin me hetimet mbi mafien, por nga ata që i përkisnin shqyrtimit gjyqësor, domethënë ata që do të duhet të gjykonin hetimet e bëra nga të tjerë. Dhe një gjë e tillë do të sillte një alarm të përgjithshëm, sepse asnjë nuk ndihej më i sigurt. Ishte një formë frikësimi në drejtim të gjyqtarëve që merreshin me mafien, por edhe ndaj atyre që një ditë në të ardhmen, mund të caktoheshin për të marrë pjesë në gjykime, që do të gjykonin – dhe këto ishin gjykime të shumta − çështje të mafies.

Ky mbiekspozim ishte dhe është sigurisht i patolerueshëm, sepse sjell për pasojë që dikush mund të reagojë, por dikush tjetër që beson se, pavarësisht nga ky mbiekspozim, duhet të vazhdojë të veprojë sikundër vepronte edhe më parë. Por ka edhe nga ata që dukshëm mund të gjenden para shqetësimeve dhe anktheve ekstreme gjatë kryerjes së detyrës se tyre dhe të perjetojnë ndjenjën e një rreziku të përhershëm. Megjithatë, duhet thënë se, të paktën në Sicili, por besoj se edhe në pjesë të tjera të Italisë, nuk ka ndodhur kurrë që pas vrasjes së një prokurori apo gjyqtari, por edhe të një punonjësi policie, të jenë ndalur apo blokuar hetimet e gjykimet, sepse gjithmonë është gjetur një tjetër për të zënë vendin e tij. E, megjithatë, nëse përpiqemi të përfytyrojmë se si do të ishte efikasiteti i forcave të rendit dhe mangjistraturës në Sicili, nëse do të ishte akoma në jetë prokurori Gaetano Kosta, nëse do të ishte akoma në jetë prokurori Roko Kiniçi, nëse do të ishte akoma në jetë komisari Nini Kasará, nëse do të ishte akoma në jetë karabinieri kapiteni Emanuele Basile apo gjyqtari Çezare Terranova, nëse ne përpiqemi të përfytyrojmë se çfarë do të thotë të kishim akoma këtë masë të pafundme eksperience, aftësie hetuese dhe vullneti pune, nëse përpiqemi të përfytyrojmë pikërisht këto, do të duhet për fat të keq të nxjerrim përfundimin negativ se mafia në këto raste ka goditur në shenjë.

Pengesat që has ai që lufton mafien

Ka qenë një vështirësi ekstreme për sa u përket masave dhe mjeteve kur u ekzekutuan vendimet e arrestit kundër 325 personave, menjëherë pas deklarimeve të Tomazo Bushetës: në zyrën e bërthamës antimafie asokohe nuk ekzistonte as edhe një makinë fotokopjuese. Atë natë, më kujtohet, ishte një gjallëri, një lëvizshmëri jo e zakontë, sepse duhet të bëheshin vendimet e arrestit dhjetë ditë përpara datës që ishte planifikuar: ndodhi një rrjedhje informacioni dhe një e përditshme kërcënoi se të nesërmen do të dilte me një scoop me të gjitha deklarimet e Bushetës.

Dhe atëherë u detyruam të digjnim kohën dhe atë që do të duhet ta bënim në dhjetë ditë, e bëmë vetëm brenda një nate. Gjithë një seri vështirësish operative etj. Ata që filluan të interesoheshin rreth këtyre problemeve, nuk është se e bënin për solidaritet kolegësh brenda Pallatit të Drejtësisë, sepse besonin se ishim pak fanatikë apo persona që edhe po të donin të tjerët të interesoheshin për një gjë, prapseprapë ajo do të shkonte siç e kishim vendosur ne dhe se do të ishte e padobishme të jepnin një dorë. Pastaj një indiferencë nga pjesa më e madhe… Flitej për një prokuror të përgjithshëm pranë Gjykatës së Apelit, që kishte thirrur shefin e hetuesisë, Roko Kiniçin dhe i kishte thënë: “Shiko, mbushe kolegun Falkone me procese të vogla vjedhjesh e rrëmbimesh, që kështu të mos na çajë më veshët, duke u marrë me problemet e mafies“.

Kjo është e shkruar, nuk e di se në çfarë aktesh, megjithatë dihej… është shkruar në ditarin e shefit të hetuesisë, Roko Kiniçi.

/En.Br./Fjala.al

Të fundit

14 shtete padisin Musk dhe Trump: Roli i miliarderit është jokushtetues

Një grup prej 14 shtetesh paditën Elon Musk dhe presidentin amerikan Donald Trump të enjten, duke pretenduar se autoriteti...

Kërcënuan dhe dhunuan policin jashtë shërbimit, arrestohen dy vëllezërit

Policia ka arrestuar dy vëllezër, pasi kanë kërcënuar dhe dhunuar një polic jashtë shërbimit, në Pogradec. olicia ka arrestuar dy vëllezër, pasi kanë kërcënuar dhe...

Botafogo “josh” Sylvinhon, trajneri brazilian ëndërron rikthimin në vendlindje

Botafogo humbi dje ndeshjen e radhës kundër Flamengos dhe ky nuk është shqetësim për Kombëtaren shqiptare, por shqetësim është që pas kësaj humbjeje, klubi...

Lufta në Ukrainë, Zelensky:Mund të nevojiten 110,000 trupa të huaja për të siguruar paqen

Rreth 110,000 trupa të huaja mund të nevojiten për të siguruar paqen në Ukrainë pas çdo marrëveshjeje me Rusinë, me Marinën Mbretërore të Britanisë...

Ministrja Koçiu në korpusin e ri të laboratorëve të ISHP-së: Nuk ka vend për panik

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu e shoqëruar nga Drejtoresha e ISHP-së, Eugena Tomini ka inspektuar sot punimet që vijojnë për ndërtimin e korpusit...

Lajme të tjera

Web TV