Muça: E kaluara shërben për të ardhmen, por e sotmja është një sfidë tjetër

Tirana e ka eliminuar një herë Dinamon e Tbilisit, në përballjet në kuadër të tureve eliminatore të Ligës së Kampioneve, teksa ka humbur 0-3 në ndeshjen e parë në Gjeorgji, por ka vijuar të fitojë me të njëjtat shifra në Shqipëri, duke vijuar të ngadhënjejë më pas në “lotarinë” e 11-metërshve, aty ku portieri Emanuel Egbo, tanimë trajner i bardhbeluve, priti dy goditje nga pika e bardhë.

Dhe futbollisti i 25-herë kampionëve të Shqipërisë, Gentian Muça, beson te Tirana dhe mund t’ia dalë sërish, por pohon se nuk mund të hiqen paralelizma me atë përballje të para 16-17 viteve.

“Sigurisht që e kaluara shërben për të ardhmen, mirëpo gjërat kanë ndryshuar që nga ajo ndeshje, – ka thënë ai, duke folur para takimit të së mërkurës në mbrëmje. – Por, ne nuk kemi ardhur këtu për turizëm. Kemi shanset tona dhe do ta provojmë.

Morali është shumë i lartë dhe ne jemi të bashkuar në skuadër. Jemi të përgatitur mirë për këtë ndeshje, sepse e dinim që nuk do të kishim mjaftueshëm kohë për ta përgatitur si duhet ndeshjen. Edhe lojtarët e rinj që kanë ardhur, i kanë dhënë një tjetër pamje grupit, duke na forcuar.”

“Në ekip kemi një moshë relativisht të re, – ka pohuar qendërmbrojtësi bardheblu. – Është një ndërthurje e përvojës me lojtarë të rinj apo me lojtarët e ardhur rishtas. Kjo gjë besoj do të jetë në favor për sot dhe besoj edhe për të ardhmen.” Në fund, Muça theksoi se ekipi duhet të jetë kompakt në fushë.

“E rëndësishme që të punohet në grup. Qoftë për fazën mbrojtëse, ashtu edhe për atë sulmuese. Duhet të mbështesim njëri-tjetrin dhe për t’i lënë sa më pak hapësira kundërshtarit.” Muça e pranon se koha në dispozicion të kampionëve të sapokurorëzuar të Shqipërisë ka qenë e shkurtër.

Lexo edhe :  Formacionet zyrtare të Genoa-Juventus, Asllani debuton nga minuta e parë me Torinon

“Ka qenë një periudhë shumë e vështirë jo vetëm për ne, por në të gjithë botën, – ka pohuar qendërmbrojtësi bardheblu. – Për ne ka qenë shumë e vështirë, pasi kemi pasur vetëm një javë kohë për të pushuar dhe për të rikuperuar energjitë që të mund ta përgatisim si duhet këtë sfidë.

Ne kemi mendësinë e duhur dhe qetësinë e duhur për këtë ndeshje dhe kemi punuar maksimalisht. Atë që kemi treguar në kampionat, mendoj se jemi gati që ta tregojmë edhe në këtë përballje”, – ka përfunduar futbollisti i Tiranës, Gentian Muça./Bl.Ba/Fjala.al