Rruga që ndryshoi rrjedhën e jetës, nga biznesmenë në ‘viktima’ të falimentimit

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Erjona Dervishi

Natyra kishte depërtuar në të, ishte mbuluar me shkurret e kodrës dhe pllakat e ballkoneve i kishin rënë, ngaqë prej kohësh ishte braktisur nga njerëzit. Dikur fitimet në ditë ishin mbi 1 milion lekë, sot e quajnë sukses nëse arrijnë deri në 60 mijë lekë… Kjo është historia e familjes Hida, së cilës ndërtimi i rrugës së re Elbasan – Tiranë i solli falimentimin e biznesit që kishte ngritur me shumë mund që në vitin 1992.

Për shumëkënd ndërtimi i një rruge përkthehet në zhvillim, por nuk është ky rasti i bizneseve në atë që tashmë quhet rruga e vjetër që të çon për në Elbasan. “Bar Restorant Kasemi”, mban emrin e pronarit dhe ka qenë një nga më të famshmit në zonë. Në rrugëtimin tonë, e gjejmë lokalin të hapur, por asnjë klient brenda, vetëm djali i pronarit dhe kuzhinieri, një burrë tek të 60-at me thinja. Ishte kënaqësi më vete të rrije aty, pasi biznesi ishte i vendosur në mes të natyrës, i rrethuar nga pemët dhe zogjtë që cicëronin mbi degë.

Albani, djali i pronarit, Kasem Hida, na mirëpriti për të na treguar më shumë për fatin e trishtë të biznesit të familjes së tyre. “Restoranti është hapur në vitin 1992, është restauruar. Babai im ka filluar me një vagon, që atëherë ka pasur shumë punë, ka investuar me lokalin dhe e ka ndërtuar. Një muaj pasi u hap autostrada e re ka pasur punë, më pas fare. Vetëm ndonjë kalimtar që kalon për qejf mund të ndalojë për ndonjë kafe. Kemi edhe klientë nga Elbasani apo Tirana që na marrin në telefon se do të vijnë, që edhe ne të përgatisim diçka.

Dita më e suksesshme tani pas hapjes së rrugës ka qenë 600 mijë lekë (të vjetra), ditë e diel, kurse vite më parë shkonte deri në 10 milionë”, tha Albani, një djalosh tek të 20-at. Tashmë ata kanë hapur një restorant tjetër në Elbasan dhe këtë e mbajnë vetëm si simbol të ngritjes së tyre nga asgjëja. Studenti i Ekonomikut herë pas here kalonte që të menaxhonte biznesin në ditët e fundjavës, edhe pse një vend i falimentuar.

U përshëndetëm me të dhe vazhduam të ecnim me makinë. Nuk ishte shumë e vështirë për të gjetur një tjetër biznes që kishte pasur të njëjtin fat, si restoranti i Kasemit. E lehura e dy qenve pranë ndërtesës na dha mesazhin se ajo godinë ka një vlerë shumë të madhe për pronarët. Jo më kot kishte vendosur ‘rojet besnike’ që të mos cenohej asnjë metër i saj nga hajdutët. Ata filluan të lehnin se menduan që do të futeshim brenda, por mundimi ynë do të ishte i kotë, pasi nuk do të gjenim asnjë këmbë njeriu.

Ishte “Drini Park”, një restorant i mbushur me pemë dhe i rrethuar me një fushë të madhe me bar të gjelbër para. Në një cep ishte edhe një kënd lojërash për fëmijë. E kuptuam që ishte i falimentuar, sepse ishte i rrethuar me rrjetë teli dhe tabelës me emrin e lokalit i kishte dalë ngjyra. Më shumë na frikësuan dy qentë që ruanin vendin, të cilët ishin gati të kapërcenin telin nga momenti në moment. Një ndërtesë aq e bukur mes atij gjelbërimi, që kishte marrë fund. Sa shumë do t’u ketë shijuar kafeja ose ushqimi të gjithë atyre që janë ndalur qoftë edhe pak minuta, pas rrugës së gjatë mes kthesave të shumta…

Sot i përket të shkuarës. Ishim ende në fillim të udhëtimit tonë! Fshehur mes atyre kodrave të larta nuk besonim se do të gjenim një person që do të mbarte në vetvete një histori për të rrëfyer, por ndodhi krejt e kundërta. Pas shumë kthesash, papritmas del përpara një ndërtesë që të jepte përshtypjen e atyre lokaleve të vogla në formë drejtkëndëshe të para disa viteve. Nuk kishte një emër dhe ishte i mbyllur, i rrethuar me rrjetë teli. Kur ndaluam përshtypja e parë ishte se nuk do të kishte njeri brenda, por tre fëmijët që jetonin aty dolën jashtë e më pas edhe nëna e tyre, një grua tek të 30-at, me flokë ngjyrë gështenjë e të kapura. Familja Mata jetonte aty, pasi lokali që kishin falimentoi me hapjen e tunelit Tiranë – Elbasan në vitin 2014. E zonja e shtëpisë tha se e kishin nisur me një kioskë në 2003-shin dhe më pas investuan për biznesin me të ardhurat që u jepte.

“Tani në vend nuk ka më lëvizje, vetëm ndonjë që kalon për qejf. Si pikë turistike është shumë vend i bukur, por për biznesin ka falimentuar çdo gjë”. Elsa Mata tregon se me falimentimin në 2014-n si familje u nisën në Gjermani për një jetesë më të mirë, ku jetuan për 2 vite dhe më pas u kthyen e morën një shtëpi me qira në Tiranë, para se të jetonin këtu. “Kam 4 fëmijë dhe është shumë e vështirë për të jetuar këtu. Në Tiranë punova disa kohë, se edhe fëmijët duhet të rriteshin, por tani vetëm burri punon, transporton fëmijë në shkollë me makinë”, tha Elsa.

Tashmë ata prisnin dokumentet gjermane që të shkonin të jetonin atje. Një familje e thjeshtë dhe e ngrohtë, që e kishte nisur nga zeroja çdo gjë, por në fund u bë ‘viktimë’ e falimentimit. Një gjë e çuditshme na ndodhi rrugës, ku tabela të mëdha me shënimin ”Bar Restorant Ismeti” ishin të vëna anash, çdo 500 metra, pjesa më e madhe e tyre të vjetra. Një mënyrë e mirë marketingu për kohën e lulëzimit të restoranteve të para 20 viteve. Sot ekziston një formë krejtësisht tjetër të të bërit marketing, megjithatë, të mos ndalemi gjatë këtu, se kjo është një shkencë më vete në ditët e sotme.

Gjatë kalimit të dhjetëra kodrave të tjera e kthesave të rrugës, më në fund u shfaq edhe “Bar Restorant Ismeti”, një biznes i vogël i vendosur në anë të rrugës. Një restorant modest, i vendosur sipër greminës në Qafën e Kërrabës. Kur mbërritëm në restorant ishin dy persona që po pinim kafe dhe gruaja e pronarit, Merita, rreth të 50-ave, e cila po pastronte vendin. Ajo ishte e rezervuar dhe na dha pak informacion në lidhje me biznesin e saj. Nga tabela e restorantit dhe mbishkrimet, lokali kishte shërbyer edhe për gëzime familjare, si dasma, fejesa apo datëlindje në kohën e vet.

“Restoranti është hapur prej 20 vitesh, më parë kishte pasur shumë punë, kurse tani ndonjë nga ata klientët e vjetër na merr në telefon që të përgatisim diçka dhe vjen”, tha Merita. Përveç klientëve besnikë, që duan të kalojnë fundjavën mes ushqimeve bio të zonës e që marrin në telefon pronarët, të tjerët janë të paktë. Numërohen me gishtat e njërës dorë.

Kishim ecur mjaftueshëm me makinë dhe nuk e dinim nëse do të kishte biznese të tjera më pas, por Merita na tha se “do të gjeni përsëri si puna jonë, të falimentuara.” Pas rreth 1 kilometri rrugë, nga kodra të mbushura me pemë të gjelbra, fillojnë të shikohen disa shtëpi një ose dykatëshe dhe një shkollë e vjetër, e lyer me ngjyra të ndryshme. Mes tyre, në anë të rrugës, ishte edhe “Restorant Mexhiti”. Gëzohemi që më në fund pas asaj rruge të gjatë gjetëm një tjetër biznes që, fatmirësisht, ishte i hapur.

Lexo edhe :  Berisha ka dështuar, po përgatit alibinë për humbjen!

Kur hymë aty kishte tre persona brenda, një buzëqeshje iu shfaq në fytyrë, sepse kujtuan që jemi klientë. Më pas pyesim për pronarin dhe një burrë rreth të 50-ave na thotë se gruaja e drejtonte këtë biznes. Lumturi Topalli, një grua e qetë dhe e vuajtur, ishte pronarja edhe pse restoranti mbante emrin e bashkëshortit të saj. Ajo na tha se restoranti i hapur që në vitin 1993, e nuk kishte fare njerëz në këtë periudhë. Tashmë nuk kishte asnjë të ardhme në atë vend, sipas saj, sepse vite më parë kishin një biznes, kurse tani djali i tyre ishte regjistruar te Shoqata e të Papunëve për të marrë ndihmat bazike për të jetuar. Gjatë ditës mund të shkonte vetëm ndonjë person për të pirë kafen e mëngjesit apo atë të pasdites, por aq, asnjë më tepër. Pa kuptuar, kishim bërë goxha rrugë!

Për shkak të lodhjes, u ndalëm te një market që pamë hapur për të blerë diçka për të pirë. Fati i trishtë i këtij biznesi, njësoj si i sivëllezërve të tij, ‘na u përplas’ përpara fytyrës. Në dyqan nuk kishte asnjë njeri, na u desh të thërrisnim, që të vinte djali i pronarit, i cili e përmblodhi me shumë pak fjalë historikun e pronave të babait. Ai na tha se lokali e marketi ishin në pronësi të Dylaver Gjokpalit, kishte 14 vite që ishte hapur dhe se kishte shumë pak punë. Të vetmit klientë që shkonin ishin banorët e lagjes, të cilët mund të blinin ndonjë ushqim. Rruga po na dukej shumë e gjatë, ndoshta edhe për faktin se po na servirej një realitet që nuk do të donim ta mësonim.

Një karburant i madh që nuk ishte funksional prej disa kohësh, ndodhej në anën e djathtë të rrugës. Boja e suvatimi kishin filluar të binin dhe pemët e shkurret po depërtonin në trupin e ndërtesës. Një tjetër biznes të falimentuar hasëm rrugës, të cilit ia mësuam emrin falë tabelës “Restorant Bolzano”. Ndërtesë njëkatëshe, e rrethuar me tel hekuri dhe e pushtuar nga shkurret e pemët, në cep të rrugës dhe me pamje të mrekullueshme, por fatkeqësisht i mbyllur, tashmë pjesë e natyrës.

Ishim afër Bradasheshit dhe poshtë dukej qyteti i Elbasanit, afër ishte një zonë me disa shtëpi e me dy biznese afër. Pamë që nuk ishin të mbyllura, brenda kishte njerëz e prandaj u futëm. Në një tavolinë ishin një grup burrash që po flisnin me njëri-tjetrin, kurse brenda një grua me disa fëmijë. U stepën kur na panë në fillim, por bashkëshortja e pronarit në mënyrë shumë të sikletshme fillon e na tregon në lidhje me restorantin që kishin.

“Ja, siç e shikoni vetë, s’ka njerëz jemi vetëm ne”, ishte një frazë e përsëritur gjatë asaj dite të nxehtë vere. Ashtu tha edhe gruaja me flokë të kapura bisht, e cila më pas na drejtoi për te pronari. Një gjë që na bëri përshtypje në atë vend ishin dy adoleshentë që po lyenin muret dhe po ndihmonin babanë e tyre, veprim që në këto ditë e shikon pak tek të rinjtë shqiptarë. Agim Hoxha ishte pronari tjetër që takuam në atë vend, i cili na tregoi se restoranti ishte hapur 17 vite më parë. Familja e tyre qëndronte herë pas here pasditeve dhe priste ndonjë klient që mund të shkonte aty, edhe pse ata ishin shumë të rrallë.

Ata, gjithashtu, na thanë se lokali përballë kishte punë, ndryshe nga vendet e tjera. Pas asaj fjalie të thënë nga pronari i restorantit të falimentuar, shkuam në lokalin që ishte përballë tyre. “Bar Restorant Erden” funksiononte prej pak vitesh dhe kishte dy-tre familje që po drekonin. Pesë punonjës ndodheshin aty, që do të thotë se vendi kishte punë, ndryshe nga shumë të tjera.

Djemtë që arritëm të komunikonim thanë se e kishin marrë vendin prej disa muajsh me qira dhe kishin klientë për ditë, ndryshe nuk do ta kishin marrë. Më shumë informacion nuk mundëm të merrnim, pasi ata nuk e kishin idenë se si ishte më përpara në atë vend. Në pak metra distancë ndodheshin dy bizneset, ku vetëm njëri prej tyre kishte punë, edhe pse me pak ndryshime mes tyre në përmbajtje e produkte. Duhet theksuar në këtë rast se “Bar Restorant Erden” ishte më i mirorganizuar në pamje dhe më luksoz sesa biznesi tjetër.

Destinacioni ynë i fundit ishte “Bar restorant Dyli, Çezma e Kasinës”, një emërtim ndryshe biznesi nga ato me të cilat ishim mësuar deri më tani në rrugën e vjetër Tiranë – Elbasan. Një çift nga Bradasheshi rreth të 60-ave po pastronte vendin aty, sapo na pa na mikpriti e na ftoi të uleshim që të bisedonim më qetësisht. Dylaver Lleshanaku me bashkëshorten e tij na treguan më shumë për restorantin që ata kishin. Ai tregoi një arsye tjetër ndryshe nga personat e tjerë që takuam më parë.

Sipas Dylaverit, arsyeja e rënies së punës nuk është vetëm ndërtimi i rrugës se re, por edhe largimi i të rinjve dhe rënia e ekonomisë në të gjithë vendin. Me një barakë 42 metra katrorë e ka nisur në vitin ’92 Dylaveri dhe tani zotëron një sipërfaqe 500 metra katrorë, edhe pse “punë nuk kishte më ”, siç tregon ai. Dylaveri, i cili kishte kaluar disa vite në burgun e Spaçit, në kohën e komunizmit, tregonte se çdo gjë e kishte ngritur me shumë mund e vështirësi, por tani nuk kishte asgjë. “Kishte shumë ngarkesë puna, në një muaj thereshin 100 qingja, po me këtë kohë që ka ardhur s’po ka fare.

Njerëzit kanë ikur jashtë shtetit, nuk ka lëvizje dhe arsyeja është leku. Nuk ka të bëjë edhe aq shumë ndërtimi i rrugës, më shumë kanë të bëjnë njerëzit që kanë ikur jashtë shtetit dhe në vend kanë mbetur vetëm pleqtë. Më parë kisha 20 punëtorë, ndër ta 5 veta të shtëpisë, kurse tani e kam deklaruar të mbyllur, vetëm vij e hap për ta freskuar”, tha Dylaveri.

Ai shprehet se do që ta japë me qira, por nuk kishte kërkesa, madje edhe mund t’ia jepte dikujt që ta ngrinte punën e ta mirëmbante, pa i kërkuar para, sepse ishte një vend i veçantë për të, shumë i bukur e i gjelbëruar nga të katër anët. Histori të ndryshme, por me të njëjtin fat. Çdokush punoi fort, ia nisi nga zeroja për të ngritur atë që ka sot, por tashmë të falimentuar. Biznese në një vend turistik të painvestuar, edhe pse shumë afër nga dy qytetet më të mëdha të vendit, të cilat bartnin një histori që do të mbetet në mes të atyre kodrave plot pemë./Bl.Ba/Fjala.al

Të fundit

Atalanta ndalet në barazim ndaj Lazios dhe shpallet kampione e dimrit në Serie A

Laczio dhe Atalanta kanë dhuruar një ndeshje shumë emocionuese në sfidën e kësaj jave të fundit të vitit 2024...

Gëzuar, me valixhe në duar! Ku shkojnë shqiptarët për fundvit?

Nga pushimet dimërore në Alpet e Europës, te qytetet e dekoruara plot drita dhe tradita, deri tek arratisjet në plazhet ekzotike për ata që...

Astrologia zbulon si mbyllet viti 2024 për secilën shenjë Horoskopi: Ka të papritura

Meri Gjini ka bërë parashikimin e Horoskopit për ditët e fundit të vitit 2024, në një studio televzive. “Nesër kemi Mërkurin në katërkëndësh me Saturnin....

Planet e administratës Trump mbi emigracionin

Emigracioni ishte një nga çështjet kryesore të fushatës elektorale të Presidentit të zgjedhur Donald Trump. Administra e tij po planifikon zbatimin e masave më...

A mund ta tërheqin shqiptarët pensionin në një shtet tjetër?

Zv. ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Olta Manjani ka ndarë në emisionin “Sheshi i Dollarit” detaje nga marrëveshja e nënshkruar për njohjen e pensioneve....

Lajme të tjera

Web TV