Bizneset i thonë JO monedhës dy euro, Banka Qendrore del me rekomandim për qytetarët

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Kosova është duke u përballur me qarkullim të madh të monedhës metalike prej dy euro të falsifikuar. Qytetarëve, me këtë rast, po u bëhet thirrje që mos të kryejnë pagesa me para në dorë.

Shumë biznese tashmë në Kosovë i kanë thënë JO monedhave dy euro.

Bizneset nuk i pranojnë dhe nuk kthejnë monedha dy euro nën dyshimin se janë të falsifikuara.

Por, qytetarët nuk kanë adrese se ku duhet t’i raportojnë bizneset dhe nëse është shkelje ligjore mospranimi i dy eurove origjinale.

“Shumica janë të falsifikuara. Është bërë zor të detektohen. As nuk i jap, as nuk i marrim, ka disa ditë”, thotë shumica e bizneseve.

Mirëpo, Banka Qendrore të Kosovës nuk ka ende informacione të sakta lidhur me atë se sa mund të jetë shifra e parave të falsifikuara në treg.

“Banka Qendrore e Republikës së Kosovës nuk ka dhe as nuk mund të ketë informacion për numrin e monedhave të falsifikuara në qarkullim meqë ky aktivitet është i jashtëligjshëm dhe vepër penale sipas ligjit. Të dhënat për rezultatet e luftimit të këtij fenomeni si dhe karakteristikat e specifikat e tyre, mundet t’i siguroni apo merrni nga organet përgjegjëse të sigurisë, me saktësisht Drejtorinë për

Hetimin e krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit të Policisë së Kosovës si dhe Departamentin për Traseologji Forenzike”.
BQK thekson se në kuadër të përgjegjësive të saj është duke u koordinuar në aspektin ndër-institucional me organet përgjegjëse për t’i mbështetur në veprimet e tyre për kufizimin dhe parandalimin e këtij aktiviteti, duke ofruar të gjithë bashkëpunimin e nevojshëm dhe mbështetjen profesionale.

“Edhe aktivitetet e ndërmarra së fundi dhe në vazhdimësi kanë kontributin e BQK-së dhe dalin nga ky bashkërendim dhe ndërveprim institucional. Gjithashtu, edhe aktivitetet e sensibilizimit dhe edukimi i publikut lidhur me shmangien e pagesave në para të gatshme dhe zëvendësimin me instrumente elektronike shkon në drejtim të adresimit të kësaj çështjeje”.

Edhe ish-guverantori i Bankës Qendrore të Kosovës Fehmi Mehmeti thotë se kur pagesat kryhen përmes bankës, siguria është 100%.

Ai po ashtu kërkon nga bizneset që të pajisen me makineri të cilat i identifikojnë paratë false, si dhe në të njëjtën kohë të mbajnë trajnime për stafin.

“Thirrja ime për të gjithë qytetarët, bizneset është që t’i shmangin sa më shumë pagesat përmes keshit. Pra t’i përdorin rrugët që janë zyrtare, pra pagesat të kryhen përmes sektorit bankar dhe siguria është 100%.

Të gjithë bizneset, të gjithë institucionet të cilat merren me qarkullimin e parasë ose që kanë në dispozicion para të gatshme, kërkesa ime është ato të cilat nuk i kanë, t’i kenë pajisjet e tyre, pajisje të cilat identifikojnë elementet e sigurisë dhe që identifikojnë paranë false.

Në të kundërtën kjo ka pasoja, kosto montare edhe për biznesin dhe njëkohësisht të mbajnë trajnime për stafin, të cilët duhet të identifikojnë ose të kenë njohuri elementare sa i përket elementit të sigurisë dhe metoda për identifikimin e parasë false”.

Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina”, që në muajin shkurt të këtij viti kishte bërë deklarimin se “kompania kishte vendosur muaj më parë që të mos e pranojë në asnjë mënyrë monedhën 2 euroshe për pagesë nga klientët për shërbimet që kryen kjo kompani”.

Lexo edhe :  Kosova i hap rrugë bashkëjetesës së personave të gjinisë së njëjtë

Njësoj, pothuajse kishte vepruar edhe Kompania “Prishtina Parking”, sikundër pak a shumë njëjtë nisën të veprojnë edhe shumë konsumatorë, duke refuzuar të marrin kusurin në monedhën 2-euro nëpër furra, minimarkete, vetëshërbime e kështu me radhë, duke kërkuar që vlerën prej dy eurosh t’ua japin të ndarë nga një 1 euro.

Por, a është kundërligjore që bizneset dhe kompanitë nuk po i marrin 2 euron metalike në rastet kur është origjinale pasi një monedhë e tillë është zyrtarisht në qarkullim?
Policia e Kosovës ka bërë me dije se çdo herë kur ka informacion se po kryhet ose është kryer një rast që është i inkriminuar në bazë të Kodit Penal (KP), ndërmerr masat dhe e trajton atë bazuar në procedurat e parapara.

“Edhe rastet e ‘Falsifikimit të parasë’, policia i trajton bazuar në atë që u tha më lartë, përfshirë edhe arrestimin e personave të dyshuar”.
Policia ka treguar se gjatë vitit të kaluar ka iniciuar 804 raste të ‘Falsifikimit të parasë’, kurse në gjashtëmujorin e parë të këtij viti (2023) ka iniciuar dhe trajtuar 486 raste të tilla.

Ditë më parë Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), dhe Policia e Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit, ka realizuar një operacion gjatë të cilit është identifikuar një grup i cili merrej me prodhimin/shpërndarjen dhe futjen në treg të parave të falsifikuara, të cilat dyshohet se janë prodhuar në një shtet fqinj me Kosovën, dhe me pastaj nga grupe kriminale shpërndahen në shtetet e rajonit.

Prokuroria Speciale njofton se në këtë operacion janë arrestuar në flagrancë gjashtë persona të dyshuar, për veprat penale ‘’Falsifikimi i parasë (prodhimi dhe vënia në qarkullim) nga neni 296 i Kodit nr.08/L-074 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, pasi që të njëjtit kanë qenë shpërndarësit e parave të falsifikuara, konkretisht monedhave metalike 2 euro të falsifikuara.

Tre nga personat e dyshuar janë shtetas nga Maqedonia e Veriut dhe tre të tjerë shtetas të Kosovës. Nga ky operacion janë sekuestruar thasë me nga 2 euro metalike në vlerë prej tetëdhjetë e pesëmijë e dhjetë (85.010.00) euro, të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.

Po ashtu, janë sekuestruar katër vetura të cilat janë përdorur nga personat e arrestuar dhe 7 telefona celularë. Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën nga një muaj paraburgim ndaj tre shtetasve të Maqedonisë së Veriut dhe tre shtetasve kosovarë.

Ditë më parë Banka Qendrore e Kosovës, në bashkërendim me Policinë e Kosovës, Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, Doganat e Kosovës, Administratën Tatimore të Kosovës, Njësinë e Inteligjencës Financiare, Inspektoratin e Tregut dhe Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë janë takuar urgjentisht për intensifikimin e veprimeve institucionale për luftimin e parave të falsifikuara që po qarkullojnë.

“Mbi bazën e këtyre diskutimeve, palët ranë dakord për një plan të veprimit, i cili parasheh ndërmarrjen e veprimeve parandaluese dhe rregullative nga institucionet sipas fushave të përgjegjësisë lidhur me përdorimin e monedhave dhe rritjen e mbrojtjes financiare.

Në zbatim të këtij plani, parashihet edhe rishikimi i tarifës së depozitimit të monedhave në banka nga BQK, avancimi i bashkëpunimit ndërinstitucional dhe sektorin financiar, si dhe promovimi i përdorimit të mënyrave elektronike të pagesave, si pjesë e fushatave të edukimit financiar”./MONITOR

Të fundit

Paralajmëron Von der Leyen: Përdorimi i TikTok mund të ndalohet në BE

Ndalimi i TikTok në Bashkimin Evropian mbetet ende një mundësi e hapur. Presidentja e Komisionit Europian Ursula von der...

“S’do heqim dorë nga njohja e Kosovës”/ Kryeministri malazez zbulon synimet strategjike

Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiç në një intervistë për Berliner Morgenpost ka thënë se Podgorica s’do të heq dorë nga njohja e...

Klosi dhe Spiropali nga Shkodra: Mungesa e opozitës mund të dështojë reformën zgjedhore

Deputeti Blendi Klosi nga Shkodra komentoi edhe ecurinë e reformës zgjedhore, ku mesa duket do të dështojë edhe kësaj here. I shoqëruar nga ministrja e...

Ura e Re mbi lumin Drin, pas 1 jave hapet për qarkullim aksi Kukës-Morinë

Segmenti tre kilometra i aksit Kukës-Morinë, pjesë e Rrugës së Kombit nga mbikalimi i Gostilit deri te ura e Kukësit është hapur sot për...

Ilir Meta: Kemi pagat dhe pensionet më të ulëta në rajon, ja 5 prioritetet tona

Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, shprehet se Partia ka një program ambicioz me 5 prioritete me qëllim kthimin e 4 mln shqiptarëve. Meta...

Lajme të tjera

Web TV