Hapja e procesit mësimor më 14 shtator shoqërohet me shumë pasiguri dhe pikëpyetje. Nga mësimi me tri turne dhe orare të reduktuara deri në rikthimin e mësimit on line. Ankthi i mbi 300 mijë nxënësve dhe prindërve të tyre. Si do të zhvillohet mësimi me frikën e infektimit nga koronavirusi?
Nga Alessia Selimi
Zilja e ditës së parë të shkollës këtë vit do të jetë ndryshe. E sigurt deri tani është se ajo do të bjerë më 14 shtator, por me shumë pasiguri dhe frikë që, në radhë të parë, lidhet me shëndetin dhe më pas kushtet, koha kur do zhvillohet mësimi dhe në fund droja sa do të mundin të nxënë fëmijët në këtë situatë të pazakontë. Janë mbi 300 mijë nxënës nga klasa e parë deri në gjimnaz dhe prindërit e tyre të cilët do të duhet të jetojnë mes dilemës pandemi dhe mësimxënie.
Viti i ri shkollor do të nisë duke u bazuar në tre skenarë të përgatitur nga Ministria e Arsimit për mënyrën se si do të zhvillohet mësimi në kohë pandemie. Draft-udhëzuesi për fillimin e vitit shkollor 2020-2021 thekson se zbatimi i secilit skenar për çdo shkollë është vendim që do të merret nga MASR-ja, bazuar në situatën e pandemisë, duke krijuar kështu sërish pikëpyetje për mënyrën se si do të organizohen orët mësimore. E vetmja gjë e sigurt është se do të vijojë mësimi on line, në rast se do të rritet numri i të prekurve nga COVID-19.
Skenari i parë është që mësimi të zhvillohet në ambientet e shkollës si në periudhat normale të procesit mësimor, dhe orët të jenë fikse prej 45 minutash. Por kjo nuk vlen për shkollat ku ka shumë fëmijë.Në këto shkolla mësimi do të bëhet me turne dhe ora e mësimit do të jetë 30 minuta; do të nisë në orën 08:00 të mëngjesit dhe do të mbyllet po në këtë orë në mbrëmje. Në draft përcaktohet se qëndrimi në klasa i nxënësve do të jetë në largësinë dy metra dhe në bankë do të qëndrojë vetëm një nxënës. Për shkollat që do ta bëjnë mësimin me turne, paradite do të zhvillohet mësimi për klasat fillore, dhe secilës do t’i duhet të hartojë grafik për hyrje-daljet, orët mësimore, sikurse për të gjitha turnet e klasave.
Sipas udhëzimit, metoda me turne do të përdoret në shkollat që mësojnë nxënësit e dy shkollave për shkak të dëmeve që ka shkaktuar në njërën prej tyre tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Nxënësit nuk mund të ndryshojnë grupet e përcaktuara në fillim dhe klasat do të punojnë me një regjistër. Grupi i parë i nxënësve do të zhvillojë mësim nga ora 08:00-11:15, ndërsa grupi i dytë nga ora 11:45-15:00. Sipas skenarëve, Ministria e Arsimit nuk përjashton mundësinë se për shkollat me një numër të madh nxënësish mësimi të ndahet edhe në nënturne, pra me tri turne.
Skenari i dytë është që mësimi të zhvillohet i kombinuar, një javë në shkollë dhe një javë në shtëpi, duke ruajtur të gjitha rregullat e higjienës dhe të distancimit fizik, në rast se do të ketë situatë të rënduar të pandemisë.
Ndërsa skenari i tretë mbështetet në mësimin vetëm on line, gjithmonë nëse situata me koronavirusin përkeqësohet shumë në nivel kombëtar, lokal apo në nivel shkolle. Në skenarin e mësimit në distancë, nxënësit do të vlerësohen me test ose me detyrë përmbledhëse, duke u bazuar në tri variante të kushtëzuara:
- Kur mësimi në distancë zhvillohet gjatë një periudhe dhe në dy periudhat e tjera vazhdohet me format e tjera të mësimit.
Në këtë rast, vlerësimi i nxënësit do të përfshijë: vlerësimin e vazhduar dhe vlerësimin e portofolit elektronik.Vlerësimi me test ose me detyrë përmbledhëse për periudhën që mësimi zhvillohet në distancë nuk do të kryhet, për shkak të pamundësisë së nxënësve për t’u lidhur on line me mësuesit e tyre në mënyrë të vazhdueshme. Në regjistër, në kolonën e vlerësimit do të shënohet NK (Nuk u krye) dhe kjo notë nuk do të llogaritet në vlerësimin e vjetor për notën e testit/ detyrës përmbledhëse.
- Kur mësimi në distancë zhvillohet gjatë dy periudhave dhe periudhën tjetër vazhdohet me format e tjera të mësimit.
- Kur mësimi në distancë zhvillohet gjatë tri periudhave.
Boks
Vlerësimet vjetore përmbajnë;
-Notën vjetore të vlerësimit të vazhduar
Notën vjetore të vlerësimit me test ose me detyrë përmbledhëse (për dy periudhat që mësimi nuk zhvillohet në distancë)
-Notën vjetore të vlerësimit të portofolit
Hapat për notën përfundimtare janë:
-Përcaktohet nota vjetore e vlerësimit të vazhduar, bazuar në tri notat e tri periudhave, në mënyrë progressive ose me mesatare aritmetike.
-Përcaktohet nota vjetore e testit/ detyrës përmbledhëse, bazuar në rezultatin e periudhave që mësimi është zhvilluar në distancë, në mënyrë progressive ose me mesatare aritmetike.
-Shumëzohet secila prej notave me përqindjen përkatëse.
-Mblidhen këto prodhime dhe shuma rrumbullakoset me numër të plotë.
Gjithashtu në skenarë përcaktohet se temat që do të zhvillohen në klasë i përmbahen programit lëndor dhe klasat gjatë dy javëve të para të shkollës do të jenë një përsëritje e njohurive kryesore të zhvilluara gjatë periudhës së mësimit në kushtet e shtëpisë. “Temat e përsëritjes mund të ndryshojnë në varësi të specifikave që ka secili mësues lidhur me nevojat e nxënësve.
Megjithëse temat e listuara do të përdoren nga të gjithë mësuesit, ata janë të lirë të bëjnë ndryshime apo spostime në lidhje me orët e projekteve, orët e testeve, orët e vlerësimeve të portofolit etj. Procedura për hartimin dhe për dorëzimin e planeve vjetore dhe të periudhave do të jetë nësoj siç është parashikuar në udhëzuesit kurrikularë lëndorë, duke ruajtur radhitjen e temave mësimore”, përcaktohet më tej në draftin e hartuar nga Ministria. Diçka tjetër e rëndësishme që theksohet në projekt është se në fillim të vitit shkollor 2020-2021 mësuesi do të dorëzojë pranë drejtorisë së shkollës planin vjetor të lëndës ose të modulit, jo vetëm atë për të gjithë vitin, por edhe të periudhës shtator-dhjetor.
Viti i ri shkollor, PD: Plani i MASR-së, kaotik dhe i parealizueshëm
Partia Demokratike e konsideron planin e Ministrisë së Arsimit për rifillimin e vitit shkollor 2020-2021, kaotik, të parealizueshëm dhe shumë larg përpjekjeve për t’i mbrojtur fëmijët nga pandemia COVID-19. Ish-deputeti demokrat, Gent Strazimiri, denoncon mungesën e rikonstruksionit te shkollat e prekura në Durrës nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit. Ai thotë se në këtë situatë, fëmijët e qytetit bregdetar do të mbeten pa proces mësimor, ose do t’u duhet të rrezikojnë jetën brenda institucioneve publike tashmë të shkatërruara. Ish-deputeti akuzon për korrupsion qeverinë Rama, teksa nuk i ndahet çështjes së shëndetit të fëmijëve. “Lajmi tashmë është shëndeti i fëmijëve të Durrësit, sepse shkolla “Qemal Mici” në lagjen 16 nuk është e vetmja shkollë.
Janë 27 shkolla të qytetit më të goditur nga tërmeti i vitit të kaluar, të cilat praktikisht sot mbeten pa proces mësimor. Edhe sikur procesi mësimor të fillojë, nuk kuptohet se si do të mund të rregullohen dhe të mbrohen nga pandemia Covid, dhe si do të aplikohen masat anti-Covid”, shkruan Gent Strazimiri. “Me një plan nga Ministria e Arsimit, kaotik dhe praktikisht të parealizueshëm edhe në kushte normale, edhe sikur këto 27 shkolla të kishin qenë ende në këmbë dhe të rikonstruktuara tashmë, në kushtet në të cilat ndodhemi, ku shkollat janë tërësisht të rrënuara dhe ajo pjesë e mbetur e shkollave gjysmë e shkatërruar, do të duhet të përballojë të gjithë fëmijët e Durrësit.
Edhe teorikisht, masat e ashtuquajtura për mbrojtjen anti-Covid, të përpiluara në planin e kaotik të Ministrisë së Arsimit, janë krejtësisht të parealizueshme”, vijon Strazimiri. “Nuk diskutohet fakti që është disa herë më i lartë çmimi nga ç’do të mund të ndërtohej një shkollë, nuk diskutohet më fakti i vonesës, nuk diskutohet më fakti i korrupsionit brenda projektit me paratë e BE-së, çështja kthehet te shëndeti i fëmijëve. Kush i mbron fëmijët e Durrësit në këto kushte, në këtë papërgjegjshmëri qeveritare, me këtë papërgjegjshmëri kryeministrore, me këtë kaos që ka ngjallur Ministria e Arsimit me masat anti-Covid”, përfundon Strazimiri. /Ra.My.Fjala.al/