Kryehetuesi Lame: Kadaresë “i kishte ardhur radha” ja çfarë më tha Enveri

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

I tronditur nga gjithë sa kishte ndodhur një vit më parë, Enver Hoxha donte t’i shkonte deri në fund “shpartallimit” të grupeve armiqësore, që drejtoheshin nga “poliagjenti” Mehmet Shehu, njeriu i tij më i besuar për një gjysmëshekulli.

 

Një ndër njerëzit në listë dhe që sipas tij “i kishte ardhur radha”, ishte Ismail Kadare.

Ish-kryetari i Hetuesisë së Përgjithshme, Qemal Lame, i cili shërbeu në këtë post për 10 vjet, dëshmon se për shkrimtarin ishte përgatitur më e keqja: ekzekutimi.

Ishte vetë Enver Hoxha që i kishte artikuluar këto fjalë përpara tij, Ramiz Alisë dhe Hekuran Isait.

“I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve”, kishte thënë Enver Hoxha në një takim të 27 shtatorit 1982.

Të gjitha këto dhe ngjarje të tjera, Qemal Lame i tregon në librin e tij “Dritëhijet e kohës: Letërsia dhe arti në diktaturë. Përndjekja e Ismail Kadaresë”, botuar nga shtëpia botuese “Neraida”. Më poshtë, takimi me Enver Hoxhën dhe dilemat e kryehetuesit.

QEMAL LAME

E hënë, më 27 shtator 1982, 18:00

Takimi me Enver Hoxhën: Urdhri për arrestimin e Ismail Kadaresë.

Të pranishëm në zyrën e Enverit ishin edhe Ramiz Alia dhe Hekuran Isai, ministri i Brendshëm.

Enveri foli i pari:

– Të arrestohet ai Kadareja! Të bisedojmë e të vendosim për këtë qelbësirë. Boll ka livadhisur. I është rritur shumë mendja. Të shkojë me të tjerët në qeli. Të hanë dhé! Të shkojnë në hale të gomerëve!

– Me ty Ramiz dhe ty Hekuran kemi biseduar në vazhdimësi. Tani të dëgjojmë Qemalin. I lexove dokumentet, shoku Qemal?

– I lexova dhe i analizova, shoku Enver.

– Hë mo, si thua? I ka ardhur koha. T’ia përveshim edhe atij…

– Dokumentet procedurale janë sipas ligjit, në bazë të Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale, shoku Enver.

– Ashtu, shumë mirë. Të arrestohet!

– Hekuran, merr masa që arrestimi të bëhet pa probleme.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Ramiz, ta mbyllim këtë problem deri javën tjetër.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Edhe një problem me rëndësi, shoku Enver. Për hetimin dhe gjykimin e çështjes, dënimin dhe dokumentimin për të ardhmen, ka rëndësi objektiviteti i fakteve dhe pyetjeve të të pandehurve, si dhe i dëshmitarëve. Për hartimin e tyre është në dijeni konkretisht shoku Hekuran.

– Ashtu është. Hekuranin e kemi caktuar që të merret konkretisht me hetimet. Kështu kemi vendosur. Ti do të vazhdosh të kujdesesh për anën ligjore të hetimit të komplotit. Duam që sot dhe në të ardhmen të mbeten dokumente ligjore të rregullta.

– Mendoj të theksoj edhe një shqetësim tjetër, shoku Enver. Arrestimi do të tërheqë vëmendjen e opinionit të brendshëm dhe sidomos atij të huaj, shoku Enver. Veç këtij fakti, jemi në vazhdim të jehonës, vlerësimeve dhe të zbatimit të vendimeve të Kongresit të 8-të të Partisë.

– Të kuptoj, Qemal. Partia dhe populli do t’i kuptojnë drejt këto probleme. Mos u shqetëso. Enveri iu drejtua menjëherë Ramizit:

– Ramiz, shqetësimi është i drejtë. Merrni parasysh edhe këto mendime. Enveri, duke më parë në sy, tha duke na u drejtuar të treve:

– Qemal, analizoji me kujdes dokumentet.

– Patjetër, shoku Enver!

– Hekuran, merr masa që arrestimi të bëhet pa probleme.

– Si urdhëron, shoku Enver!

– Ramiz, ta mbyllim këtë problem deri javën tjetër.

– Si urdhëron, shoku Enver!

Sqarim i nevojshëm:

Enveri kishte nën kontroll të plotë veprimet kryesore të Sigurimit, Policisë, Hetuesisë, Prokurorisë, Gjykatës.

Marrjen e njoftimeve dhe transmetimin e tyre e bënte vetë direkt në takimet ditore me Hysni Kapon, i cili ia transmetonte Kadri Hazbiut. Pas sëmundjes dhe vdekjes së Hysniut, mbante më shumë lidhje me Ramizin, i cili i transmetonte urdhrat te Kadri Hazbiu e më pas te Hekuran Isai. Me Feçor Shehun nuk mbante lidhje direkte. Urdhrat e porositë i transmetonin në raste të rralla edhe sekretarët e Komitetit Qendror, Hekuran Isai, Simon Stefani.

Transmetimi i urdhrave dhe porosive të Enverit te Sigurimi e Policia, bëhej nëpërmjet sekretarit të Komitetit Qendror te ministri, Kadri Hazbiu e më pas Feçor Shehu, Hekuran Isai. Ministri i Brendshëm kishte në vartësi direkte Sigurimin e Shtetit.

Lexo edhe :  Rama takim me stafin civil e ushtarak shqiptar në NATO, kryeministri nuk kursen batutat

Transmetimi i urdhrave te kryetari i Gjykatës së Lartë dhe Prokurori i Përgjithshëm bëhej nga ministri i Brendshëm, Kadri Hazbiu, e më pas nga Feçor Shehu, Hekuran Isai, Simon Stefani.

Enveri kishte në metodën e tij të punës në dhënien e urdhrave, pasi njihej me ngjarjet e rëndësishme, vlerësonte dokumentet dhe interesohej direkt te personat më të besuar për marrjen e mendimeve të tyre personale. Merrte mendime nga disa persona. Marrja e mendimeve nga çdo person kërkohej të mbetej e fshehtë. Asnjeri nuk kishte të drejtë të bisedonte e të vinte në dijeni persona të tjerë për urdhrat, porositë apo mendimet, shënimet me shkrim ose raportet e dërguara ose të diskutuara me Enverin. Në përfundim, ai diskutonte e analizonte në rreth të ngushtë dhe vendoste përfundimisht. Kur vendoste, nuk donte diskutime apo ide të tjera. Kërkonte dhe priste sa më shpejt që të ishte e mundur vetëm zbatimin e urdhrit.

Në këtë rast, për hetimin e komplotit dhe të dhënat hetimore e agjenturore, Enveri ndiqte çdo ditë hetimet nga raportimet e Ramizit. Në disa raste, edhe të Ramizit bashkë me Hekuranin. Hekurani vinte në dijeni Ramizin çdo pasdite, në Vilën 29, (cilësohej si Shtëpia e Partisë), në takimet në orën 18:00.

Enveri kishte njohur dokumentet dhe kishte biseduar me Ramizin dhe Hekuranin më parë se të bisedonte në telefon me mua për Ismail Kadarenë. Mendimi im kërkohej të ishte profesional mbi zbatimin e kërkesave ligjore në dokumentet për arrestimin.

Unë vetë duhet të kisha të qartë mendimet e përfundimet e secilit dhe ato të arritura bashkërisht nga Enveri, Ramizi e Hekurani.

Ditari/ Hezitimet e kryehetuesit për të arrestuar Kadarenë

Hezitimet e kryehetuesit për të arrestuar Ismail Kadarenë Urdhri i Enverit ishte i qartë, detyrues dhe i padiskutueshëm. Problem i madh ligjor ishte bindja ime se urdhri nuk bazohej në prova ligjore, të besueshme për origjinalitetin e objektivitetin e të dhënave dhe fakteve të fiksuara në dokumentet e Hetuesisë e të Sigurimit të Shtetit, si dhe nuk krijonte bindje për drejtësinë e zbatimit të masës së rëndë, të arrestimit të shkrimtarit Ismail Kadare.

Urdhri i prerë i komandantit për arrestimin e Ismail Kadaresë, më tronditi thellë. U vura konkretisht para përgjegjësisë profesionale e ligjore, si dhe asaj disiplinore e morale si ushtarak. Vihesha në provë si kuadër i lartë shtetëror për besnikërinë, korrektësinë në zbatimin e urdhrave e porosive, aftësinë për të marrë përsipër përgjegjësi dhe karrierën e pasojat në të ardhmen. Realizimi i kësaj detyre ishte përgjegjësi e madhe personale në respektimin e zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve, si dhe të pasojave për shtetin, shoqërinë, deri edhe vetë shkrimtarin e familjen e tij.

Marrja e një vendimi të drejtë nga ana ime kushtëzohej nga faktorët subjektivë që vareshin nga ndërgjegjja në zbatimin e detyrave dhe nga faktorët objektivë që kushtëzoheshin nga parimet kushtetuese, ligjore, ushtarake e administrative. Ismail Kadarenë nuk e njihja dhe nuk kisha treguar interesim për ta njohur. Kjo ishte një bazë e mirë që më lehtësonte edhe nga sentimentalizmat e vetëkuptueshme, kur një person e njeh nga afër dhe vihesh para përgjegjësisë së detyrës për të marrë një vendim arresti. Në ndërgjegje isha i qetë, për arsye se në formimin tim dhe në veprimtarinë shtetërore nuk ndikonte sentimentalizmi.

Problemet i analizoja me objektivitet e përgjegjësi personale e ndërgjegje juridike të lirë e pa u ndikuar. Nuk ndikohem nga njohja, shoqëria, miqësia, familja, të afërmit etj. Marrjen e vendimeve procedurale e bazoja në kriteret ligjore, fajësinë e bazuar në ligj e në dokumente, dobinë për hetimin, dërgimin për gjykim të çështjeve të hetuara me objektivitet, në gjerësi e thellësi që të garantohej, po ashtu, gjykimi objektiv dhe dënimi i drejtë e i merituar sipas Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale.

Për çdo vendim që merrja bazohesha në respektimin dhe zbatimin me përpikëri të ligjit, në mbrojtjen e lirisë e të drejtave kushtetuese të personave të dyshuar, si dhe në ndikimin në opinionin shoqëror të masave të represionit shtetëror. Mendimet i deklaroja me sinqeritet. Vendimet i formuloja dhe i argumentoja të bazuara në prova dhe në kriteret ligjore dhe pa ndikime subjektive.

Për këto arsye, isha i qetë në thellësi të ndërgjegjes, nga ana subjektive, pasi nuk ndikohesha nga ndjenja sentimentale./Panorama

Të fundit

Reshje të dendura dëbore në Bogë-Qafe Thorë/ Trashësia e borës 60 cm

Teksa qyteti i Shkodrës është përfshirë nga reshje intensive shiu, në lartësitë mbi 800 m janë rikthyer reshjet e...

I vuri zjarrin/ Gruaja digjet për së gjalli nga emigranti në stacionin e metrosë

Një burrë është arrestuar në Nju Jork lidhur me vdekjen tragjike të një gruaje, e cila humbi jetën pasi u dogj në një tren...

“Problem, mbikualifikimi”/ Greqia dhe Italia, dy vendet ku shqiptarët emigrojnë më shpesh

Ndërsa Shqipëria prej dekadash po vuan nga rrjedhja e trurit, shtetet fqinjë, Greqia dhe Italia, ku kanë shkuar pjesa më e madhe e shqiptarëve,...

“Dorëzohet” SPAK, kërkon pushimet e çështjes ndaj babait të Arbër Çekaj

Për të dytën herë radhazi, SPAK i drejtohet Gjykatës së Posaçme me kërkesë për pushimin e çështjes penale ndaj Selim Çekajt, babait të Arbër...

Më 23 dhjetor 1912, Ismail Qemali emëroi delegacionin e parë për Konferencën e Londrës

Më 23 dhjetor 1912, Ismail Qemali emëroi delegacionin e parë shqiptar për të marrë pjesë në Konferencën e Ambasadorëve në Londër, duke shënuar një...

Lajme të tjera

Web TV