Me Zhulianën njihemi prej një jete. Mike e dashur e prindërve të mi, e Skënderit, pra një miqësi që shtrihet në breza nga ato që jetojnë gjithë jetën, ose në jetë të jetëve, pa marrë parasysh se mund të jetojmë në shtete të ndryshme, pa marrë parasysh se kemi një jetë që nuk jemi takuar fizikisht, sepse kur ekziston empatia, e zëvendëson materien dhe komunikimi është shpirtëror.
Në faqen e saj në Facebook, Zhuliana më tepër e shtyrë nga kolegët e saj, ka disa ditë që po vendos poezitë e saj, si tekste të këngëve, së bashku me emrat e kompozitorëve dhe këngëtarëve.
Është një lumë i gjatë që nuk ndalet kurrë, lumë muzike, i asaj muzike që ne e kemi e kënduar gjithë jetën, që e kemi dëgjuar sapo jemi zgjuar, sepse gjënë e parë, pa larë sytë, kemi hapur radion. Pasi, sikur thotë Platoni, “Muzika i jep shpirt universit, krahë mendjes, fluturim imagjinatës dhe jetë gjithçkaje.” Për ne që jetonim në diktaturë muzika ishte një shok i mirë. Do të thoni se gjithçka ishte e politizuar dhe nën censurë, e megjithatë arti arrinte të thyente vargonjtë e censurës.
Zhuliana Jorganxhi në karrierën e saj mbi gjysmë shekullore ka krijuar mijra poezi për këngët e muzikës së lehtë shqiptare, pjesa më e madhe e tyre bashkë me kompozimin dhe interpretimin kanë hyrë në fondin e artë të muzikës shqiptare.
Ajo ka ka krijuar poezinë për muzikën e lehtë shqiptare sikur Giulio Rapetti ( emri i artit – Mogol) për muzikën e lehtë italiane. Poezia është po aq e rëndësishme sa muzika. Giorgio Gaber, Fabrizio de Andre vlerësohen si poetë po aq sa kompozitorë. Italia u përulet Artistëve dhe nuk i harron kurrë. Dhe si Italia çdo shtet i civilizuar. Ndërsa shteti ynë është i pashpirt dhe kriminal. Ai i shemb me fadroma kultet e kulturës kombëtare ose i vret me indiference njerëzit që përfaqësojnë artin dhe kulturën.
Në fakt, diktatura e mjerimit ka hyrë në çdo shtëpi shqiptare, por kur përdoret si mjet për të mposhtur Artistët, atëherë është e rrezikshme, sepse qëllimi është ç’identifikim kombëtar. Një shtet i tillë si kuçedër dhe vampir për qytetarët duhet të shembet!
Le të kthehemi tek Zhuliana, e cila e ka filluar karrierën e saj si krijuese e poezive për muzikën e lehtë që kur ishte studente. Prej vitit 1968 ajo ka marrë pjesë në Festivalin e Këngës në RTSH, ku ka fituar 7 çmime të para. Ka fituar 4 here çmime të para në Koncertin “Kur vjen Pranvera”, 1985, 1987, 1989, 1992. Pastaj ka fituar çmime të dyta, çmime të treta. Ka krijuar poezi për këngët e anketave muzikore të muajit që jepeshin në radio. Bashkëpunimi i parë ka qenë në vitin 1967 me një këngë të kompozuar nga Ruzhdi Karaj, të dy ishin studentë. Pastaj ka bashkëpunuar me estradat e rretheve, festivalet e rretheve, koncertet e majit, koncertet “Kur vjen Pranvera”, festivalet e fëmijëve. Ka bashkëpunuar me kompozitorët më të mirë të Shqipërisë, me këngëtarët më të mirë të Shqipërisë, këngët me poezitë e saj janë kënduar miliona herë dhe vazhdojnë të këndohen. Ajo vazhdon të krijojë poezi për kompozitorët dhe këngëtarët shqiptarë në Shqipërinë londineze, Kosovë etj.
Duke komunikuar me Zhulianën, si pjesë e natyrës të saj me plot humor, Zhuliana, më tregon një anekdotë shkodrane të asaj kohe: “Burri: Grua ç’kemi sot për darkë? Gruaja: Kos dhe nje tekst nga Zhuliana Jorganxhi!!!!”
Zhuliana Jorganxhi është anëtare e një Familje të Madhe Artistësh. Babai i saj është i madhi Gaqo Jorganxhi, Artist i Merituar, këngëtari i Grupit korçar “Lira”; Motra e saj Rozmari Jorganxhi ka nisur karrierën e saj që në vitin 1959 si soliste lirike, mezzosoprano, në TOB. Ajo është dirigjentja e parë shqiptare. Më 1993 Rozmari Jorganxhi në moshën 56-vjeçare fiton audicionin si këngëtare profesioniste në Teatrin Giusepe Verdi të Triestes, ku këndoi për 10 vjet. E shikoni se çfarë sfidash përballojnë artistët e mëdhenj! Në atë vit duhet të jetë larguar edhe Zhuliana bashkë me familjen për në Itali. Kantautori Gjergj Leka është i biri i Rozmarisë dhe i nipi i Zhulianës. Nip edhe teze bashkëpunojnë së bashku.
Zhuliana Jorganxhi ka bashkëpunuar me Ferdinand Dedën dhe me Elton Dedën, maestron dhe të birin e tij, me kompozitorë me eksperiencë dhe me talente të reja.
Ajo i përmend të gjithë kompozitorët dhe këngëtarët me të cilët ka bashkëpunuar, nuk do të harrojë asnjë prej tyre, sepse me ata emra e lidh arti dhe e gjithë jeta e saj si krijuese.
“Kam bashkëpunuar me plejada të tëra kompozitorësh e këngëtarësh, që nga Artistët veteranë të Popullit si Gaqo Avrazi, Lola Gjoka, Cesk Zadeja, Nikolla Zoraqi, Tonin Harapi, Pjeter Gaci, Fehim Ibrahimi, Agim Prodani, Avni Mula, Agim Krajka, Simon Gjoni, Limos Dizdari, Flamur Shehu, Enver Shengjergji, Aleksander Lalo, Aleksander Peçi, Hajg Zaharjan, Spartak Tili, Gazmend Mullahi, Ferdinand Deda, Kujtim Laro, Shpetim Kushta, Gjon Simoni, Gjergj Leka, Shpetim Saraçi, Arjan Avrazi, Elton Deda, Alban Emiri, Adrian Hila, Luan Borova, Luan Zhegu, Kujtim Prodani, Ermir Dergjini, Lambert Jorganxhi, etj. etj.” “Ata që nuk më kujtohen, të më falin”, thotë ajo. “Kam bashkepunuar me kompozitorë kosovarë si e mirenjohura Pranvera Badivuku, Mehdi Bajri, Reshat Randobrava etj. Kane kenduar kenget me tekstet e mia qe nga Hyjnoret e kenges, Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha, Ema Qazimi, Lindita Theodhori, Alida Hisku, Liliana Kondakçu, Luan Zhegu, Irma dhe Eranda Libohova, Kozma Dushi, Myfarete Laze, Parashqevi Simaku, Zihni Dino, Ramiz Kovaçi, Gaqo Cako, Fatma Zyberi, Vera Dervishi,Tonin Tershana, Miga Hysi,Gjergj Suljoti, Kozma Dushi, Manjola Nallbani, Vera Dervishi, Arta Babaramo, Shpresa Spaho, Adriana Ceko, Muharrem Herri, Valdete Hoxha, Aferdita Laçi, Ermonela Jaho, Suzana Gjokola, Alberi Hadergjonaj, Flori Mumajezi”……
Dhe bashkëpunimet e Zhulianës me kompozitorët dhe këngëtarët më të mirë shqiptarë janë pa fund.
****
Po i sjell lexuesit vetëm disa tituj këngësh nga ajo mori e pafundme ndër dekada në respekt të artistëve shqiptarë:
Festivali 29-të në RTSH, 1990 kënga “Tingull i zjarrtë – Jemi emri i vetë jetës” fiton çmimin e parë, muzika Elton Deda, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Elton Deda –
Koncerti “Këngët e stinës”, 1992, Se kënduam “Let it be”…, Çmimi I-rë Muzika: Luan Zhegu, poezia Zhuliana Jorganxhi, Këndoi: Sherif Merdani, i cili me kete këngë doli ne skene pas 20 vjetesh…
Tre vjet më parë, në Festivalin e 26-të të Këngës në RTSH, 1987 – Kënga “Koha nuk pret”, muzika maestro Ferdinand Deda, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Parashqevi Simaku.
Festivali i 16-të i këngës në Rtvsh, 1977, Çmimi i I-rë, Gonxhe në pemën e lirisë, Muzika Limoz Dizdari, poezia Zhuliana Jorganxhi në bashkëpunim me poetin Robert Shvarc, këndoi Vaçe Zela
Koncertet e Majit, 1976, Kënga ÇERÇIZ TOPULLIT fitoi çmimin e parë, muzika Agim Prodani, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Ema Qazimi.
Kënga: “Për ty Baba”, Festivali i 24-tër i këngës në Rtvsh, 1985, muzika Gjergj Leka, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Bashkim Alibali;
Kënga: “Në duart e Nënës”, Koncerti “Kur vjen pranvera”, 1985, Çmimi i I-rë, muzika Gjergj Leka, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Bashkim Alibali;
Kënga: Kthehu për vete, për mua, Festivali i 35-të i këngës në Rtvsh, 1996, muzika Gazmend Mullahi, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Eranda Libohova;
Kënga: “Të ndizja një shpresë”,Festivali i 38-të i këngës në Rtvsh, 1999, muzika Luan borova, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Myfarete Laze
Kënga “Mirësi”, Festivali i 30-të i këngës në Rtvsh, 1991, Çmimi i II-të, muzika Shpëtim saraçi, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndon Mira Konçi ;
Kënga: “Të dua ty”, muzika Vladimir Kotani, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Luan Zhegu dhe Liljana Kondakçi;
Kënga: “Në sytë e tu” – Koncerti “Kur vjen pranvera”, 1988, Muzika Flamur Shehu, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Parashqevi Simaku;
“Pragu i vegjëlisë”, Festivali i 22-të i këngës në Rtvsh, 1983, Çmimi i III-të, muzika Flamur Shehu, poezia Zhuliana Jorganxhi, kënduan Myfarete Laze, Irma Libohova;
Kënga: Pranvera do lule shumë, muzika Ardit Gjebrea, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Frederik Ndoci;
Kënga: “Dashuria jonë”, Festivali i 21-të në Rtvsh, 1982, Çmimi i II-të, muzika Flamur Shehu, poezia Zhuliana Jorganxhi, kënduan Ema Qazimi, Lindita Theodhori;
Kënga “Vala dhe shkëmbi”, Koncerti “Koha në pentagramin tim”, 1989, muzika Kujtim Laro, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Frederik Ndoci;
Kënga, Jeto dhe jetën time, Spetakli Miss Albania 1994, muzika Ardit Gjebrea, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Ardit Gjebrea;
Kënga “Shkëmbi dhe vala”, Muzika: Kujtim Laro, poezia: Zhuliana Jorganxhi kendon: Frederik Ndoci “Koha ne Pentagramin tim” 1988;
Kënga Dashuria na mban gjallë, muzika Enver Shëngjergji, poezia Zhuliana Jorganxhi, këndoi Kastriot Tusha.
******
Kur i them se Zhuliana Jorganxhi ka kontribute të shquara në muzikën e lehtë shqiptare dhe fajësoj shtetin shqiptar që i shemb Teatrot dhe i vret Artistët me indiferencë duke i lenë në mëshirë të fatit, Zhuliana më përgjigjet: “Është shumë e vërtetë ajo që thua se pushtetarët e çdo ngjyre me kane harruar, ashtu si dhe shume nga krijuesit e tjerë. Unë nuk mbaj asnjë titull dhe jam me nje pension minimal ne Atdheun tim, pension prej 155.000 mije leke te vjetra!”
“Oh si nuk kam një grusht të fuqishëm, do të ulërinte sot Migjeni” “që ta shemb këtë shtet që i vjedh dhe vret Artistët me pensione që nuk i lejon as të marrin frymë duke i detyruar që të largohen nga vendi.”
Apelit të Migjenit duhet t’i bashkangjitemi të gjithë! A mund të jetojnë pushtetarët tanë me 150 $ në muaj?! Pushtetarët tanë që nuk kanë asnjë vlerë! Pasi kjo katastrofë është krijuar nën qeverisjet e tyre!
Përse them se shteti i vjedh artistët shqiptarë. Mund të sqaronte shumë më mirë pianistja e mirënjohur Etrita Ibrahimi, që la Italinë për hir të të drejtës së autorit të veprës artistike të të jatit të saj, kompozitorit të shquar shqiptar Feim Ibrahimi.
Për këto tri dekada pas rrëzimit të diktaturës artistët shqiptarë, flas për zhanrin e muzikës, do të duhej të paguheshin sa herë që krijimet e tyre do të jepeshin nëpër radiot, televizionet shqiptare apo këngët e tyre do të këndoheshin nëpër koncerte apo klube. Respektimi i të drejtës të autorit do të krijonte mundësi që të ishte një burim i denjë jetese, sikur jetojnë artistët në Perëndim.
Ta paguash 150 $ në muaj një Artiste si Zhuliana Jorganxhi (dhe si ajo janë me qindra, emra të shquar, kompozitorë, skenaristë, regjisorë me kontribute në kulturën shqiptare ) është një lloj asgjësimi, duke i depersonalizuar, duke i zhvlerësuar, të mos i varësh në litar sikur poetin Havzi Nelaj në mes të Kuksit, por t’i vrasin dalë e nga dalë, duke i poshtëruar.
Ndërkohë që janë me qindra e qindra “Ndere të Kombit” që dekoron klientët e saj!
A ka durimi njerëzor një kufi, kur eksplodon qielli, kur shpërthen deti, kur plas shpirti i njeriut, kur njeriu rebelohet!
A është vuajtja dhe padrejtësia një kauzë për të mbrojtur Artistët, sepse kur mbron Artistët ke mbrojtur Artin, Kulturën, Atdheun!
Arti i vërtetë është si një mrekulli e zbritur nga qielli, prandaj Artistët janë ndërmjetësit midis hyjnores dhe tokësores.
A nuk mjafton kjo për të kërkuar mbrojtjen e dinjitetit të artistëve shqiptarë, të Zhuliana Jorganxhiut – dhe si ajo janë nje listë e gjatë me emra të shquar të cilët meritojnë që t’ju përulemi.
A nuk na shtyn dashuria për artin të rebelohemi dhe të bëhemi mbrojtës të tij, të Artistëve shqiptarë, që kanë mbetur si jetimë, sepse nuk është tragjike se i ka harruar kjo kastë mizerabël politike, por është tragjedi kombëtare se Artistët i ka harruar opinioni publik, populli, elita, quajeni si të doni, ndërgjegjja kombëtare!/VOAL