Deri një ditë më parë do të quhej herezi nëse ndokush do të merrte guximin e të kritikonte punën e tij. Sot është fakt i kryer që Robert Shvarc ndodhet në qendër të sulmit. Ajo që ndihet e privilegjuar në këtë debat është një tjetër përkthyese, Mira Meksi.
Miti i Rober Shvarcit si përkthyes, pa dyshim buron prej punës së tij voluminoze për të sjellë në shqipe autorët më në zë gjermanë. Dhe, pa dyshim, një libër i shkruar në spanjishte, i përkthyer në gjermanishte e pas kësaj i ardhur në shqipe, do të reflektonte defektet e veta
Një debat i ri ka nisur për të vlerësuar punën e përkthyesve më të njohur në gjuhën shqipe
Nga Leonard Veizi
Në shumicën absolute të herës, libri i një autori të huaj ka ardhur në shqipe përmes një emri i cili e ka kaluar fazën e një përkthyesi anonim, shijohet si një vepër përmes asaj çfarë është dhënë. Pakkujt i shkon në mendje të ngecet e të mendojë se diku përkthimi mund të jetë i çalë, dhe akoma më pak marrin mundimin që një frazë dyshuese ta ndjekin edhe me orgjinalin. Përgjithësisht kjo është punë profesionistësh, përkthyesish, redaktorësh e filologësh. Deri dje kemi vlerësuar edhe ata përkthyes që kanë futur nga xhepi fjalë të cilat nuk kanë qenë pjesë e tekstit. Dhe pa drojën se po blasfemoj këtë lloj përkthimi të çlirët po e quaj shqipërim, ndryshe nga perceptimi i zakonshëm, për të cilin etiketën shqipërime e meritonin përkthimet më të arrira në shqipe.
Termin ngjan të na e ketë dhuruar Noli, i cili guxoi ta përdorte për përkthimet e veta. Tanimë në shtyp ka nisur debati: Cili është përkthimi më i mirë i veprës “Njëqind vjet vetmi” të Gabriel Garcia Markezit, ai i Robert Shvarcit apo ai i Mira Meksit. Për sqarim, romani në fjalë, i shkrimtarit të madh kolumbian, është përkthyer dy herë në shqipe. Herën e parë në vitin 1967 prej Robert Shvarcit nga gjermanishtja, pra jo nga origjinali, dhe herën e dytë në vitin 2019 prej Mira Meksit nga spanjishtja, botuar nga shtëpia botuese “Onufri”. Dhe në këtë rast Mira Meksi ka qenë më e avantazhuar, pasi përkthimi i saj është vjen nga orgjinali…
…A thua kemi të bëjmë me trukun e “zhytjes” së një përkthyesi për të ngritur një tjetër? Do të isha naiv nëse do ta besoja këtë. Thënë shkoqur, në rastin konkret, nuk më rezulton një gjë e tillë, për më tepër kur “gurët” bien mbi çatinë e njërit prej përkthyesve më popullorë në Shqipëri, Robert Shvarcit. Deri një ditë më parë do të quhej herezi, nëse ndokush do të merrte guximin e të kritikonte punën e tij. Sot është fakt i kryer që Robert Shvarc ndodhet në qendër të kritikave. Ajo që ndihet e privilegjuar në këtë debat është një tjetër përkthyese, Mira Meksi. Gjithçka ka nisur nga një shkrim të cilin botuesi i njohur Bujar Hudhri, i shtëpisë botuese “Onufri”, e ka publikuar në faqet e gazetës javore “ExLibris”, me titullin “Përkthimi i Robert Shvarcit nga gjermanishtja përballë përkthimit të Mira Meksit nga origjinali”, e ku episodi më intrigues është mbështetur me nëntitullin: “Zhgënjimi i parë me përkthimin e Robert Shvarcit në vitin 1999”.
Shkrimi është botuar më shumë se një vit më parë, por vetëm kohët e fundit një tjetër studiues e shkrimtar i njohur, Ardian Vehbiu, duket se e ka mbështetur në një farë mënyre Hudhrin në sipërmarrjen e tij, për ta cilësuar variantin e Shvarcit si një përkthim herë me sekuenca të dobëta e herë me fjali të dala nga konteksti. Madje, për t’i paraprirë kësaj, që në krye të herës Vehbiu shkruan: “…gjatë një debati për fjalën e huaj në ligjërimin shqip, u pata shprehur se shqipja e sotme letrare është ende aq e varfër në leksik, sa përkthyesit, edhe ata të teksteve artistike (poezi, prozë), heqin keq, për ta dhënë me besnikëri origjinalin…” Thënë në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe shqipja letrare , duket se nuk të jep dorë deri në fund për të pasur një përkthim sa më afër origjinalit. Megjithatë, kjo nuk e shpëton Shvarcin nga “sulmi” se përveç përdorimit të turqizmave në një vepër shqip, në raste të caktuara përkthimi i tij del nga konteksti, madje në një rast gabimi i tij është edhe më i rëndë:
Teksti i Shvarcit: Edhe sikur të më degdisin në fund të botës, do t’i gjej mjetet dhe rrugët për ta prishur martesën, qoftë edhe në u detyrofsha të vras veten!
Origjinali spanjisht: Aunque me lleven al fin del mundo encontraré la manera de impeder que te cases, así tenga que matarte.
Përkthimi i Meksit: Në fund të botës të më çojnë, do ta gjej mënyrën dhe nuk të lë të martohesh, edhe po të më duhet të të vras.
Ardian Vehbiu me të drejtë argumenton: “Gabimi i Shvarcit përkthyes është flagrant, sepse ka çuar në përçudnim të kuptimit: personazhi që flet, nuk thotë “edhe në u detyrofsha të vras veten”, por “edhe po të më duhet të të vras.””
Për të vërtetuar të gjitha gabimet e Shvarcit gjatë përkthimit të tij, Bujar Hudhri ka vendosur të ballafaqojë përkthimin e tij me gjashtë gjuhë të huaja për të njëjtin titull libri: spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht.
Ç’është e vërteta, shembujt e gjetur me pikatore nga Bujar Hudhri në një libër me vëllim mbi mesataren, nuk të lënë mundësi për komente, sepse bashkë me arsyetimet e tij, ato e vënë “me shpatulla për muri” përkthyesin, edhe pse reputacioni i tij është i padiskutueshëm.
Miti i Rober Shvarcit si përkthyes, pa dyshim buron prej punës së tij voluminoze për të sjellë në shqipe autorët më në zë gjermanë, sepse gjermanishtja ishte dhe gjuha e tij e parë në përkthim. Dhe, pa dyshim, një libër i shkruar në spanjishte, i përkthyer në gjermanishte e pas kësaj i ardhur në shqipe, do të reflektonte defektet e veta, sepse duam apo nuk duam, sado i përsosur të jetë një përkthim, kalimi nga një gjuhë në gjuhë në një tjetër ka një përqindje rrjedhjeje. Ajo bëhet më e madhe, nëse përkthimi nuk bëhet nga orgjinali, por nga një gjuhë e dytë.
Por çfarë ka ndodhur në rastin konkret?
Duket se ato që na servir Bujar Hudhri në shkrimin analizë të tij, janë gabime të cilat një redaktor i mirë dhe i kujdesshëm nuk do t’i kishte lejuar. Dhe këtu Hudhri na sjell një tjetër shembull:
Përkthimi i Shvarcit: “Mirëpo, aty nga fillimi i dimrit, një grua që lante rroba në lumë në çfarëdo stinë të vitit, erdhi duke rendur me vrap rrugës kryesore të fshatit, tejet e shqetësuar dhe si duke folur me vete me zë të lartë”.
“Ç’kuptim ka “aty nga fillimi i dimrit” dhe “në çfarëdo stinë të vitit”? Dimri është po ashtu stinë. Një libër i thjeshtë gjeografie mund të të mësojë që në Amerikën Latine, pisku i vapës është në dimër”, argumenton Bujar Hudhri.
Dhe, pa dyshim, këtë “lajthitje” të përkthyesit në lidhje me stinët mund ta kishte mënjanuar një redaktor i kujdeshëm. Dhe këtu bie dakord me Ardian Vehbiun kur thotë: “Por kujdes: përgjegjësia e përkthyesit këtu nuk duhet mbivlerësuar; dhe se një redaktor i mirë do ta kishte mbrojtur Shvarcin nga ky ekspozim, duke i kërkuar t’i ndreqte gabimet; sikurse një botues i kujdesshëm nuk do t’ia kishte kërkuar (ose pranuar) përkthimin e Gabriel García Márquez-it nga gjermanishtja”.
Gjithsesi, një autor si Markezi mund të ketë dhjetë botime në shqipe nga dhjetë shtëpi botuese me dhjetë përkthyes të ndryshëm. Debati se cili nga përkthimet është më i mirë, duke vënë shenjën e plusit, minusit apo barazimit, duket shterpë në kushtet e sotme. Ne kemi fatin të kemi përkthyes të nivelit të Robert Shvarcit, por dhe të Mira Meksit, që njohin mirë si gjuhën shqipe, ashtu dhe gjuhën nga e cila përkthejnë. Dhe në këtë rast debati nuk ka vlerë të zgjatet më. Nëse çdo përkthimi do t’i vihet një lupë zmadhuese, pa dyshim që probleme të tjera do të dalin në vazhdimësi. Por kjo nuk do të thotë se në shtyp të ketë një perifrazim të tillë si ky titull që gjendet tek e përjavshmja ExLibris: Mira Meksi i kthen nderin e humbur në shqip romanit “Njëqind vjet vetmi” të G. G. Márquez, që në një farë mënyre të kujton titullin e romanit të shkrimtarit gjerman Heinrih Bël: Nderi i humbur i Katarina Blumit
Burimet:
https://peizazhe.com/2020/08/31/dy-perkthime-nje-katastrofe/
https://exlibris.al/perse-duhej-perkthyer-perseri-ne-shqip-romani-njeqind-vjet-vetmi-2/
Pjesë nga shkrimi i Bujar Hudhrit
Zhgënjimi i parë me përkthimin e Robert Shvarcit në vitin 1999
Pesë vjet pas dështimit të botimit tim të romanit “Doktor Zhivago”, në Tiranë po bënte bujë përkthimi prej Robert Shvarcit i romanit “Njëqind vjet vetmi”. Meqenëse nuk më pëlqeu aspak cilësia e librit (lloji i germës, i letrës, ngjitja), s’di pse pata një lloj padëshire për ta lexuar. Por kureshtja ishte aq e madhe, sa nuk mund të mos e filloja leximin. Befasia ishte e madhe kur ndesha fjalinë e katërt të romanit:
“Një arixhi trupmadh, me një mjekër të kreshpëruar e me ca gishtërinj si kthetër harabeli, që u paraqit me emrin Melhiades, ia ekspozoi miletit të fshatit atë që ai e quante mrekullinë e tetë dijetarëve alkimistë të Maqedonisë.”
Nuk po u besoja syve. Megjithatë, që të bindesha se nuk e kisha gabim, mora faqen e parë të përkthimit të Shvarcit dhe e krahasova me variantin spanjisht, gjermanisht, anglisht, frëngjisht, italisht dhe rusisht. Pjesa e dytë e kësaj fjalie:
…ia ekspozoi miletit të fshatit atë që ai e quante mrekullinë e tetë dijetarëve alkimistë të Maqedonisë, ishte përkthyer krejtësisht gabim!
[spanjisht]: …la octava maravilla de los sabios alquimistas de Macedonia.
[gjermanisht]: …das achte Wunder der alchimistischen Ëeisen Mazedoniens nannte.
[anglisht]: …the eighth wonder of the learned alchemists of Macedonia.
[frëngjisht]: …la huitième merveille des savants alchimistes de Macédoine.
[italisht]: …l’ottava meraviglia dei savi alchimisti della Macedonia.
[rusisht]: …восьмое чудо света, сотворенное, по его словам, учеными-алхимиками из Македонии.
Çfarë kishte ndodhur? Numërori rreshtor i/e tetë (mrekullia e tetë) ishte shndërruar në numëror themelor: tetë (tetë dijetarë alkimistë të Maqedonisë). Dhe Shvarci nuk e përkthen “mrekullia e tetë (e botës)”, por “e tetë dijetarëve”. Ishte një gafë që vetëm një fillestar mund ta bënte. E krahasuar me variantet e gjuhëve të mësipërme, por edhe bazuar në logjikën e një lexuesi të zakonshëm, ishte e mjaftueshme që të mos e vazhdoje leximin e librit.
Kam parë më vonë edhe një botim tjetër të romanit “Njëqind vjet vetmi”, tashmë të botuar nga kolegu im i nderuar i “Horizont”, botim i vitit 2004, me shpresën se mos, vallë, varianti i botuar nga “Botimet Enciklopedike” ishte një gabim shtypi, por jo! Edhe pas gjashtë vjetësh, kjo fjali ishte identike. Pa përmendur këtu edhe dy fjalët pranë njëra-tjetrës, ia ekspozoi miletit, që më dukej një nivel i rëndomtë përkthimi, krahasuar me një emër të madh e të padiskutueshëm si Robert Shvarc. /Ra.My.Fjala.al/