Fillimi i vitit shkollor/Basha: Veç dezinfektimit teste masive për të gjithë mësuesit

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha, ka dhënë një mesazh nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale lidhur me fillimin e vitit të ri shkollor dhe masat që duhen marrë.
Basha shprehet se veç dezinfektimit të abienteve shkollore, mësimit me turne duhet të kryhet testim masiv edhe për stafin mësimor.
Postimi i plotë i Bashës 
Tashmë shumë pranë, nisja e vitit të ri shkollor është një ditë e mirëpritur nga mijëra nxënës, prindër dhe staf pedagogjik në të gjithë vendin.
Ky vit nis në kushte të vështira për mësuesit, nxënësit dhe familjet e tyre. Javët e fundit numri i të prekurve me COVID-19 vazhdon të jetë i lartë, ndërkohë që mbetet detyrë parësore e qeverisë të marrë masa konkrete për të shmangur përhapjen e virusit mes nxënësve dhe mësuesve.
Veç dezinfektimit të ambienteve shkollore, mësimit me turne për të shmangur klasat me shumë nxënës, duhet kryer urgjentisht dhe testim masiv për të gjithë stafin mësimor. Çdo mësues ditën e parë të shkollës duhet të ketë rezultatin e testit të COVID-19. Me testime të shpeshta të stafit mësimor në vazhdim, do të mund të shmanget dhe një zinxhir i mundshëm infeksioni që do ta rëndonte edhe më tej situatën.
Ndërkohë që Kosova pritet ta zbatojë këtë plan, qeveria shqiptare duhet të nisë urgjentisht marrjen e masave për të siguruar testimet për stafin mësimor.
Jeta dhe shëndeti i mësuesve, nxënësve dhe të gjithë shqiptarëve është sot më i rëndësishëm se çdo show politik! /Ra.My.Fjala.al/