Raportet e DASH-it në 10 vite/Korrupsioni dhe pandëshkueshmëria, binomi i pandashëm i qeverive

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Korrupsioni është një kryefjalë me të cilën hapen raportet vjetore të Departamentit Amerikan të Shtetit prej të paktën 10 viteve. Raporti i fundit, i publikuar dje, e kritikon vendin tonë për klimë jo të favorshme të investimeve, problemet me pronat etj. Të gjitha këto probleme apelohen çdo vit. Gazeta “Fjala” sjell një krahasim të raporteve amerikane nga 2010 në 2020 në dy qeverisjet majtas e djathtas. Çfarë thuhet në këtë analizë të detajuar nga DASH-i, në dekadën e fundit, dhe ku e vë theksin si problematika kryesore.

Nga Blerina Gjoka

Korrupsioni, reforma në drejtësi, problemi i pronave, u rikthyen edhe një herë dje në vemendje si shqetësime të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Shqipërinë. Vendi më proamerikan në Evropë vijon të shënohet me të zezë në çdo raport periodik që Departamenti Amerikan i Shtetit nxjerr. Në të paktën 10 vitet e fundit, sipas një karahasimi që gazeta “Fjala” bëri duke iu referuar raporteve të DASH-it në faqen zyrtare të ambasadës amerikane në Tiranë, fjala korrupsion është përdorur çdo vit, si një shqetësim për ecurinë e demokracisë në vend. Pavarësisht se ndryshonin qeveritë, problemet mbeteshin të njëjta. Pak fjalë lavdëruese apo inkurajuese gjen në këto raporte, si për shembull, ku vlerësohen ligjet apo nismat antikorripsion, si ajo që ndërmori qeveria Rama me faqen Transparenca.al.

Po ashtu, problemi i reformës në drejtësi ka qenë një shqetësim i vazhdueshëm deri në vitin 2016, vit që shënoi edhe nisjen e reformës në drejtësi, të mbështetur fort nga SHBA-ja dhe BE-ja. Pandëshkueshmëria e zyrtarëve apo gjyqtarëve dhe prokurorëve të korruptuar është një tjetër pikë e errët, e theksuar me forcë në të dhënat e përvitshme të DASH-it. Së fundmi, një shqetësim për amerikanët ka qenë klima e të bërit biznesit dhe mënyra si shteti shqiptar sillet me investitorët e huaj. Në raport, gjithashtu, kritikohen kontratat mes shtetit dhe privatit apo ato që njihen si PPPP-të. Ndërsa raportet janë thujse identike nga viti në vit, ajo që vihet re sa herë shfaqen publikimet nga Departamenti Amerikan i Shtetit është heshtja e qeverive dhe reagimet “parimore” të opozitës.

Edhe dje opozita mbajti qëndrime të forta, duke akuzuar qeverinë, ndërsa në vitet 2010-2013 ishin pushtetarët e sotëm dhe opozitarët e kohës që akuzonin qeverinë Berisha për gjetjet “e zeza” nga Departamenti Amerikan i Shtetit. Në fakt, të dhënat që vijnë nga DASH-i ngrenë të njëtat probleme mbi korrupsionin, pandëshkueshmërinë për zyrtarët e lartë publikë, për kapjen e sistemit të drejtësisë dhe gangrenën e përhershme të pazgjidhshmërisë së çështjeve të pronave në vend.

Problem klima e biznesit

“Pavarësisht nga një kornizë e shëndoshë ligjore dhe përparimit në reformën elektronike, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si problemet e vazhdueshme në Shqipëri. Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta të kostos dhe përfitimit dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPPP janë shqetësime të vazhdueshme.

Investitorët amerikanë sfidohen nga korrupsioni dhe vazhdimi i praktikave informale të biznesit. Disa investitorë amerikanë janë përballur me mosmarrëveshje të diskutueshme tregtare si me ente publike dhe private, duke përfshirë disa që shkuan në arbitrazh ndërkombëtar. Në 2019 dhe 2020, përpjekja për investime e një kompanie amerikane dyshohet se u pengua nga disa vendime gjyqësore dhe veprime të dyshimta të palëve të interesuara të përfshira në një mosmarrëveshje mbi investimin“, thuhet në raportin e ri të DASH-it. Raporti thekson se të drejtat e pronës vazhdojnë të jenë një sfidë në Shqipëri.“Ka pasur raste që individë dyshohet se manipulojnë sistemin gjyqësor për të tjetërsuar pronësinë e tokës.

Mbivendosja e titujve të pronave është një çështje serioze dhe e zakonshme. Procesi i kompensimit për tokën e konfiskuar nga ish-regjimi komunist vazhdon të jetë i rëndë, joefikas dhe i papërshtatshëm. Sidoqoftë, Parlamenti miratoi një ligj mbi regjistrimin e kërkesave të pronës në 16 prill, i cili do të sigurojë një lehtësim për mbajtësit e titullit”, citon raporti. Në analizën e detajuar më tej i referohen Indeksit të Perceptimit të Korrupsionit 2019 të Transparency International, i cili e renditi Shqipërinë në vendin e 106-të nga 180 vende, një rënie prej shtatë vendesh nga 2018-a. Si pasojë, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut tani perceptohen si vendet më të korruptuara në Ballkanin Perëndimor. Shqipëria ra gjithashtu 19 pikë në studimin e Bankës Botërore “Bërja e Biznesit 2020”, duke u renditur në vendin e 82-të nga i 63-ti në 2019.

“Megjithëse ky ndryshim mund t’i atribuohet pjesërisht zbatimit të një metodologjie të re, vendi vazhdon të ketë rezultate të dobëta në fushat e dhënies së lejeve të ndërtimit, pagimi i taksave, zbatimi i kontratave, regjistrimi i pronës, marrja e energjisë elektrike dhe mbrojtja e investitorëve të pakicave”, thuhet në raportin e DASH-it. Pritshmëritë për luftën kundër korrupsionit duket se janë varur tek ecuria e reformës në drejtësi. “Për të adresuar korrupsionin endemik, qeveria e Shqipërisë miratoi ndryshime kushtetuese gjithëpërfshirëse për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit në 2016. Zbatimi i reformës gjyqësore është duke u zhvilluar, duke përfshirë vetingun e gjyqtarëve dhe prokurorëve për pasuri të pashpjegueshme. Më shumë se gjysma e gjyqtarëve dhe prokurorëve që i janë nënshtruar vetingut janë shkarkuar për pasuri të pasqaruar, ose për lidhje me krimin e organizuar.

BE-ja pret që Shqipëria të tregojë përparim në ndjekjen penale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, verifikimi i të cilëve zbuloi sjellje të mundshme kriminale. Zbatimi i reformës gjyqësore është në vazhdim, dhe përfundimi i saj pritet ta përmirësojë klimën e investimeve në vend.“ – thuhet në raport.

Raportet e DASH-it në periudhën kohore 2010-2020

 

2010

“Ligji parashikon ndëshkime penale për korrupsionin zyrtar; megjithatë, qeveria nuk e zbatoi ligjin si duhet dhe shpesh zyrtarët përfshiheshin në praktika korruptive, pa u ndëshkuar. Korrupsioni në pushtetin ekzekutiv ishte shumë i përhapur. Sistemi arsimor mbeti i korruptuar dhe zyrtarët disa herë kërkonin ryshfet nga studentët për të marrë pjesë ose për të kaluar në provim. Mjekët dhe pjesëtarë të tjerë të personelit mjekësor shpesh kërkonin pagesa për të dhënë atë që duhet të ishte shërbim publik falas. Ashtu si në sektorët e tjerë, të akuzuarit që mbanin poste shpesh u shpallën të pafajshëm edhe përballë provave të dërrmuese. Ndërsa u ndoqën penalisht disa zyrtarë të niveleve ulëta apo të mesme dhe shpesh u dënuan për korrupsion, mbeti problematike ndjekja penale e zyrtarëve të lartë”.

2011

“Ndonëse ligji parashikon ndëshkime penale për korrupsionin zyrtar, qeveria nuk e zbatoi këtë ligj në mënyrë të frytshme dhe shpesh zyrtarët përfshiheshin në praktika korruptive me pandëshkueshmëri. Korrupsioni në degën ekzekutive ishte i përhapur gjerësisht e gjithëpërfshirës. Sistemi arsimor mbeti i korruptuar dhe me raste zyrtarët kërkonin ryshfet nga studentët në mënyrë që këta të fundit të pranoheshin ose të merrnin provimet. Mjekët dhe anëtarë të tjerë të personelit mjekësor shpesh kërkonin pagesa për të dhënë shërbimet që në të vërtetë duhet të jepeshin falas nga qeveria.

Mungesa e përparimit në reformat kyçe institucionale e penguan shërbimin doganor shqiptar, veçanërisht në fushat e rekrutimit, testimit, marrjes së personelit dhe mbikëqyrjes së përditshme të personelit. Ndonëse qeveria ndoqi penalisht dhe shpesh dënoi disa zyrtarë të nivelit të ulët dhe mesatar për korrupsion, ndjekja penale e zyrtarëve të lartë mbeti problematike dhe shpesh të pandehurit me autoritet të lartë nxirreshin të pafajshëm, edhe përballë provave të pakapërcyeshme.”

2012

“Shqetësimi më i madh te sistemi i drejtësisë dhe pavarësia e tij. Megjithëse Kushtetuta dhe ligjet e tjera të vendit garantojnë një sistem drejtësie të pavarur, presioni politik, intimidimi, korrupsioni dhe mungesa e fondeve e kanë penguar në disa raste drejtësinë të funksionojë normalisht, thuhet në raport. Politizimi i kandidaturave për në Gjykatën e Lartë dhe Gjykatën Kushtetuese, kërcënon pavarësinë dhe integritetin e këtyre dy institucioneve. Korrupsioni në gjyqësor ishte i përhapur. Shumë gjyqtarë dhanë vendime të cilat nuk dukej të kishin baza në ligje apo në fakte, duke bërë kështu të besohej se i vetmi shpjegim bindës ishte korrupsioni ose presioni politik.

Lexo edhe :  Ngricat në vend/ Përgjegjësja e ARRSH: Në orët në vijim do të kemi përkeqësim të motit

Në 26 korrik Gjykata e Rrethit Tiranë shpalli të pafajshëm një teknik i cili fshiu nga regjistrimi me video digjitale në Kryeministri të gjitha pamjet filmike të protestës së dhunshme të janarit 2011, gjatë së cilës dyshohet të jenë vrarë katër protestues nga punonjës të Gardës së Republikës. Në 18 shtator Kuvendi amendoi Kushtetutën për të kufizuar imunitetin e gjerë që gëzonin disa gjyqtarë dhe ndalonte kështu prokurorët të bënin hetime ose të paraqitnin akuzat për korrupsion, derisa të bënin kërkesë publike pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Pak gjyqtarë u ndoqën penalisht për korrupsion, sepse pjesa më e madhe e hetimeve penale duhet të mbeten të fshehta, së paku në fillim, për të pasur sukses”.

2013

“Problemet kryesore në Shqipëri në fushën e të drejtave të njeriut, kanë të bëjnë me korrupsionin e përhapur në të gjitha degët e qeverisë, veçanërisht në sistemin e drejtësisë. Sipas raportit të DASH-it, partitë politike në Shqipëri e përqendruan vëmendjen në zgjedhjet e qershorit 2013. Në raportin për vitin 2013 theksohet se korrupsioni ka qenë i përhapur në të gjitha pjesët e qeverisë, ndërsa thuhet se një tjetër problem është pandëshkueshmëria. Problem mbetet mosndëshkimi i veprave penale. Përpjekjet e qeverisë për t’i ndëshkuar zyrtarët që kanë kryer shkelje kanë qenë sporadike dhe jo të vazhdueshme. Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, si dhe gjykatësit dhe ata me interesa të fuqishme biznesi, shpesh i kanë shpëtuar drejtësisë. Disa zyrtarë më të vegjël janë ndëshkuar për shkelje. Ndërsa disa nga zyrtarët e lartë janë bërë pjesë e këtyre rasteve abuzive, vetëm u zhvendosën nga një post në tjetrin”.

 

2014

“Problemet më të mëdha të të drejtave të njeriut kanë qenë korrupsioni i përhapur në të gjitha degët e qeverisjes, veçanërisht brenda sistemit gjyqësor dhe të kujdesit shëndetësor, dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave. Probleme të tjera të të drejtave të njeriut përfshinin rrahjet dhe keqtrajtimet nga policia të personave të dyshuar gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, ndonjëherë për të nxjerrë rrëfime; kushtet jashtë standardit në burgje; si dhe gjyqësori i paefektshëm, i cili është objekt trysnie dhe korrupsioni.

Qeveria ka bërë pak përparim në çështjen e kërkesave për kthimin apo kompensimin e pronave të marra gjatë ish-epokës komuniste, dhe shumë nga pretendimet për prona mbetën të pazgjidhura. Mosndëshkimi mbeti problem. Ndjekja ligjore dhe dënimi i zyrtarëve që kanë kryer abuzime ka mbetur sporadik, edhe pse qeveria ka shtuar përpjekjet për të hetuar zyrtarë të dyshuar për vepra të tilla. Zyrtarët qeveritarë dhe politikanët, si dhe gjyqtarët dhe ata me interesa të fuqishme biznesi, shpesh ishin në gjendje t’i shmangeshin ndjekjes penale”.

2015

“Problemet më kryesore me të drejtat e njeriut janë korrupsioni i përhapur në të gjitha organet qeveritare, veçanërisht brenda sistemit të drejtësisë dhe shëndetësisë, si dhe dhuna në familje dhe diskriminimi ndaj grave. Pandëshkueshmëria mbeti një problem. Ndjekja penale dhe, veçanërisht, ndëshkimi i zyrtarëve që kryen abuzime ishte sporadik dhe jo i vazhdueshëm në vitin 2015 në Shqipëri. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe biznesmenët e fuqishëm iu shmangën ndjekjes penale. Qeveria nisi disa investigime për zyrtarë të nivelit të lartë, por prokuroria i rrëzoi më pas çështjet. Raporti vlerëson çështjen e 21 janarit 2011, si një nga rastet që e ilustrojnë këtë pandëshkueshmëri. Pronat, nga ana tjetër, mbetën një problem i pazgjidhur, sipas vlerësimit të DASH-it”.

2016

“Qeveria nuk e ka zbatuar në mënyrë efektive ligjin që parashikon dënime penale për zyrtarë publikë dhe kjo ka bërë që funksionarët publikë, të angazhuar në praktika korruptive shpesh të mbeten pa u ndëshkuar. Korrupsioni është i përhapur në të gjitha degët e qeverisë. Në fillim të vitit, 75 raste korrupsioni kanë qenë në pritje për t’u shyrtuar, me një shtesë prej 29 rastesh të paraqitura deri në qershor. Që nga korriku, faqja e themeluar në vitin 2015 për t’i lejuar qytetarët të raportojnë rastet e korrupsionit nga zyrtarët publikë ka pranuar 14752 ankesa, 94 prej të cilave koordinatori i ka referuar për ndjekje penale. Pavarësisht legjislacionit të favorshëm, investitorët janë sfiduar nga korrupsioni i shfrenuar dhe vazhdimi i praktikave të biznesit informal. Disa investitorë të mëdhenj të SHBA-së janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit pas konflikteve të vazhdueshme tregtare, përfshirë disa që shkuan deri në arbitrazh ndërkombëtar.”

2017

“Ligji për Investimet e huaja përshkruan mbrojtje specifike për investitorët dhe lejon njëqind për qind të pronësisë së huaj të kompanive në disa sektorë. Legjislacioni shqiptar nuk bën dallimin midis investimeve vendase dhe atyre të huaja. Ndryshimet e vitit 2017 zgjeruan mbrojtjen e shtetit për investimet strategjike, siç përcaktohet në ligjin për investimet strategjike 2015, deri në dhjetor 2018. Për të tërhequr investimet e huaja direkte, qeveria miratoi një ligj të ri mbi investimet strategjike në vitin 2015.

Ligji i ri parasheh nxitjet e investimeve dhe ofron procedura administrative të shpejta për investitorët strategjikë të huaj dhe vendas, varësisht nga madhësia e investimeve dhe numri i vendeve të punës të krijuara. Qeveria gjithashtu miratoi legjislacionin që krijon fusha të zhvillimit ekonomik teknik (TEDA), të ngjashme me zonat e tregtisë së lirë. Ndjekja penale dhe, veçanërisht gjetja fajtorë e zyrtarëve që kanë kryer shkelje, ishte sporadike. Zyrtarët, politikanët, gjykatësit dhe persona me interesa të fuqishme biznesi ishin shpesh në gjendje ta shmangnin ndjekjen penale.”

2018

“Investitorët raportojnë shqetësime të vazhdueshme, pasi rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar, si mjete për t’i dekurajuar investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplota me komunitetin e biznesit. Investitorët e huaj të mëdhenj raportojnë presion për të punësuar nënkontraktorë të lidhur politikisht dhe shprehin shqetësimin për pajtueshmërinë me Aktin e Praktikave të Korruptimeve të Huaja gjatë operimit në Shqipëri. Raportet e korrupsionit në prokurimin e qeverisë janë të zakonshme.

Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit preferencial publik privat (PPPP) ka ngushtuar mundësitë për konkurrencë, përfshirë edhe investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë. Analizat e dobëta kosto-përfitim dhe mungesa e ekspertizës teknike në hartimin dhe monitorimin e kontratave PPPP janë shqetësime të vazhdueshme. Qeveria kishte nënshkruar më shumë se 200 kontrata PPPP deri në fund të vitit 2017.”

2019

“Investitorët e huaj përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si probleme të vazhdueshme në Shqipëri. Në vitin 2016, qeveria shqiptare (QSH) miratoi amendamente gjithëpërfshirëse kushtetuese për të reformuar sistemin gjyqësor të vendit dhe për të përmirësuar sundimin e ligjit. Investitorët raportojnë shqetësimet e vazhdueshme që rregullatorët përdorin legjislacionin dhe rregulloret e vështira për t’u interpretuar ose jo konsistente si mjete për të fshehur investitorët e huaj dhe për të favorizuar kompanitë e lidhura me politikën. Rregulloret dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë e biznesit ndryshojnë shpesh dhe pa konsultime kuptimplota me komunitetin e biznesit”.

2020

“Pavarësisht nga një kornizë e shëndoshë ligjore dhe përparimit në reformën elektronike, investitorët e huaj e perceptojnë Shqipërinë si një vend të vështirë për të bërë biznes. Ata përmendin korrupsionin, veçanërisht në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimin publik dhe zbatimin e dobët të kontratave si problemet e vazhdueshme në Shqipëri. Raportet e korrupsionit në prokurimet qeveritare janë të zakonshme. Përdorimi në rritje i kontratave të partneritetit publik privat ka ulur mundësitë e konkurrencës, përfshirë investitorët e huaj, në infrastrukturë dhe sektorë të tjerë.” /Ra.my.Fjala.al/

Të fundit

Bulqiza nën ngrica dhe erëra të forta, vështirësi në qarkullimin e mjeteve

Ulja e temperaturave gjatë pasdites së sotme ka sjellë vështirësi në qarkullimin e mjeteve në aksin rrugor të Rrugës...

SHBA ndalon 37 kompani kineze/ Shkak, përdorimi i punës së detyruar për ‘Ujgurët’

Shtetet e Bashkuara kanë shtuar 37 kompani kineze në listën e ndalimeve për shkak të akuzave për shkelje të të drejtave të njeriut, të...

“S’do të ketë rrogë minimale nën 500 €”/Berisha premton paketë emergjence për çdo qytetar

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, zhvilloi një mbledhje me të zgjedhurit lokalë demokratë, ku theksoi disa nga premtimet kryesore për përmirësimin e gjendjes...

Carrie Underwood do të këndojë në inaugurimin e Donald Trump

Carrie Underwood do të këndojë në inaugurimin e Donald Trump javën e ardhshme. Një zëdhënës i Komitetit Inaugurues të Presidentit konfirmoi se Underwood do...

Qeveria kanadeze do të dhurojë 17.25 milionë dollarë për Sirinë ‘e pasluftës’

Qeveria kanadeze do të dhurojë 17.25 milionë dollarë kanadeze në ndihmë të popullit sirian. Fundi i regjimit të Bashar Al Asaad në Siri mbylli konfliktin...

Lajme të tjera

Web TV