Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka deklaruar dje se nuk do të jetë më ministër, duke bërë të qartë se po qëndron në detyrë deri në zgjedhje. Ai është ministri i dytë që vetofrohet për riformatim të qeverisë, pas ministres së Arsimit, Besa Shahini. Por, a do të bëjë kryeministri Edi Rama ndryshime në kabinet, 8 muaj para zgjedhjeve, dhe a do ta ndihmonte kjo për t’i përmirësuar kuotat në elektorat? Flasin për gazetën “Fjala” gazetarët; Erl Murati, Anila Basha, Leonard Karaj dhe Rudina Xhunga.
Nga Blerina Gjoka
“Nuk do të jem i përhershëm në qeveri, është e sigurt se s’do të jem më ministër. Asnjë nuk është i përhershëm në një post”, u shpreh dje në Vlorë, ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj. Edhe pse kjo deklaratë nuk u shoqërua nga një dorëheqje zyrtare, u duk qartë se një nga ministrat më të rëndësishëm të qeverisë “Rama” po shprehte dëshirën për t’u larguar nga detyra.
Të njëjtën gjë bëri para kolegut të saj ministrja e Arsimit, Besa Shahini, e cila u shpreh se do të hiqte dorë nga karriera politike në Tiranë për t’u kthyer te familja e saj në Kosovë. Të dyja deklaratat bëhen në një moment kur partia që ka qeverisjen po konsumon vitin e fundit të mandatit të dytë dhe po lufton për t’i fituar zgjedhjet e ardhshme, të 25 prillit 2021. Lleshaj dhe Shahini kanë ardhur në kabinetin e kryeministrit Edi Rama më pak se 2 vite më parë, gjatë ndryshimit rrënjësor të qeverisë, në 28 dhjetor 2018, si prurje të reja, si zgjedhje jashtë grupit të deputetëve socialistë, një zgjedhje që Rama e ka bërë edhe për një pjesë të mirë të ministrave. Po çfarë do të ndodhë me Shahinin dhe Lleshajn?
A do të bëjë shefi i tyre sikur nuk e ka dëgjuar pakënaqësinë e tyre për qëndrimin në detyrë, apo do t’i zëvendësojë me ministra të rinj? A do të përdoret ky moment si një arsye për të riformatuar gjithë kabinetin me emra të rinj, në funksion të një imazhi të ri, për të ta përdorur në funksion të fushatës elektorale në prag? Këto pyetje marrin përgjigje vetëm në zyrën e katit të dytë të Kryeministrisë. Me shumë gjasë shtyrja e mbledhjes së Asamblesë së PS-së është në funksion të këtij reflektimi të Ramës, pasi kabineti, si rregull, prezantohet para këtij forumi të lartë partiak.
Rama para dilemës
Kur është në 2-vjetorin e qeverisë së re që erdhi në kulmin e protestave studentore të vitit 2018, dhe 8 muaj para zgjedhjeve parlamentare, Edi Rama është vënë përballë dilemës për ndryshimin e qeverisë. Mendimi se ndryshimet në qeveri do të bëhen, ka zënë vend edhe në radhët e socialistëve, të cilët kanë nisur fushatën. Kryetari i qarkut politik të Shkodrës, Ilir Beqja, pranoi gjatë një takimi elektoral, se ky është një moment reflektimi, nëse ndryshimi i qeverisë do ta forconte apo dobësonte partinë para zgjedhjeve. “Në një botë që ndryshon, ndryshimi është konstant.
Pra, në kushtet kur gjithçka po ndryshon prej Covid-it, s’ka pse të përjashtohet edhe ndryshimi i një grupi qeverisës”. Por, vendimi për ta bërë këtë dhe përzgjedhja e emrave që do të ikin e kush do të vijë në vend të tyre, i takon vetëm kryeministrit Edi Rama. Dy vite më parë ai shfrytëzoi momentin kur protestat studentore ishin në kulmin e tyre, për t’i dhënë një frymë të re kabinetit. Në atë kohë ai zgjodhi “të flijonte” socialisten e vjetër, Lindita Nikolla, për t’ia besuar një vajze të re nga Kosova postin e ministres së Arsimit.
Largoi, po ashtu, një socialist të vjetër nga ministria e Brendshme, Fatmir Xhafën, të cilin e kishte mbrojtur edhe kur akuzohej për vëllain me probleme me ligjin, për ta zëvendësuar me një këshilltar të tij, emri i të cilit ishte i njohur për publikun vetëm në një rast, kur shkrimtari Ismail Kadare e kishte propozuar për president. Po ashtu, Rama në atë kohë eksperimentoi, si asnjë kryeministër më parë, duke e mbushur kabinetin me gra që vinin nga jashtë politikës së ditës, kryesisht eksperte, emra të pavotuar në zgjedhje dhe gati të panjohur për publikun, të cilat i emëroi në vend të socialistëve që kishin marrë detyrën pas zgjedhjeve të 2017-s.
Kështu, ai emëroi Genti Cakën në vend të Ditmir Bushatit te Ministria e Jashtme, Anila Denajn në vend të Arben Ahmetajt te Financat, Belinda Ballukun në vend të Damian Gjiknurit tek Infrastruktura, Bledi Çuçin në vend të Niko Peleshit te Bujqësia, Elva Margaritin në vend të Mirela Kumbaros te Kultura, Eduart Shalsin te Sipërmarrja dhe Elisa Spiropalin si ministër Shteti. I vetmi socialist i vjetër që, për herë të parë, merrte një detyrë zyrtare në qeveri, ishte Erjon Braçe, të cilit Rama i besoi detyrën e zv.kryeministrit, në vend të Senida Mesit.
Dilema e re e kryeministrit të cilit i është dashur ta riformatojë kabinetin disa herë në këto 7 vite e gjysmë qeverisjeje, është gjetja e një formule që do të tërhiqte vëmendjen e elektoratit, do të kenaqte partinë e tij dhe do t’i jepte një hov entuzist në vijën e finishit qeverisë, së cilës i mbaron zyrtarisht mandati në shtator të vitit tjetër.
Erl Murati:“Freskim i qeverisë” mund të risjellë në qeveri politikanë të shekullit të kaluar
“Kjo qeveri do të gjykohet “en block” në 25 prill”, – thotë për gazetën “Fjala” Erl Murati, kryeredaktor i “Gazetës Shqiptare” duke analizuar ndryshimet e mundshme në qeverinë Rama. Sipas tij, është më mirë që ky kabinet t’i shkojë deri në fund mandatit, sesa të zëvendësohet nga individë partiakë që mendjen nuk do ta kishin te ministria, por te fushata dhe partia.
Gazeta “Fjala”, dy ditë më parë, ka botuar një shkrim analitik për ndryshimet e mundshme në qeveri, cilët ministra pritet të ikin dhe cilët do të qëndrojnë. Pas ministres së Arsimit, një tjetër ministër, ai i Brendshmi, ka thënë se s’do të jetë më ministër. A mendoni se kryeministri Edi Rama do të nxitet tani që të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri, 8 muaj para zgjedhjeve dhe, nëse po, çfarë përfitimi do të kishte kjo lëvizje për të dhe PS-në, në funksion të fushatës?
Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Edi Rama bëri një “depolitizim” të kabinetit qeveritar, duke larguar disa figura të lidhura ngushtë me partinë dhe duke i zëvendësuar me përfaqësues teknikë.
Kjo lëvizje ishte një përpjekje për të pastruar imazhin e qeverisë dhe për të bërë të harrohen disa ministra të përfshirë në skandale të ndryshme. Duhet pranuar se promovimi i “ekspertëve” në poste të larta qeveritare ndikoi në tualetin publik, duke i davaritur disi retë e skandaleve dhe duke e përmirësuar imazhin e kabinetit qeveritar.
Nga ana tjetër, një qeveri ekspertësh nuk është ekipi ideal për të shkuar në një përballje elektorale.
Edi Rama kërkon mandatin e tretë dhe “politizimi” i qeverisë pritet të ndodhë së afërmi. Ndoshta nuk do të ketë ndryshime në kabinet para prillit, por së paku kandidatët për ministra të ardhshëm do të rrisin prezencën e tyre publike. Rrjedhimisht, baza socialiste do të marrë mesazhin se aksh individ a përfaqësues politik, është një njeri për t’i besuar, për ta ndjekur dhe për ta votuar, sepse ai mund të jetë ministri i ardhshëm. Në çdo rast, është për të ardhur keq që kalkulimet e ndryshimeve në qeveritë shqiptare, bëhen jo duke pasur parasysh rezultatet dhe punën e tyre, por dobitë elektorale që do të kishte partia dhe udhëheqësi.
Pavarësisht arsyeve publike të dhëna nga Shahini dhe Lleshi, besohet se ata po largohen për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin. A mendoni se ka dhe ministra të tjerë që kanë probleme me performancën e tyre. Nëse do të bëheshin sot ndryshimet në qeveri, cilët janë ata ministra që duhet të iknin dhe ata që duhet të qëndronin sipas gjykimit tuaj?
Në historinë e pluralizmit shqiptar rrallë ka ndodhur që ministri të ketë “mosmarrëveshje” me kryeministrin. Historikisht, lëvizjet e ministrave kanë ndodhur, sepse kanë lënë të pakënaqur kryeministrin në raport personal dhe më pak profesional, ose janë larguar, sepse skandalet e tyre në detyrë kanë sjellë kosto për partinë apo kryetarin e qeverisë. Në përgjithësi, lëvizjet e ministrave në Shqipëri nuk ndodhin për arsye parimore, pune, mospërputhje vizioni qeverisës etj. Ministrat ikin se diku kanë shkelur në dërrasë të kalbur dhe shefit i bëjnë më shumë punë si limona të shtrydhur se si anëtarë kabineti. Kjo nuk përjashton rastet kur njerëz me integritet vendosin të largohen vetë, për shkak të performacës së ulët dhe ndërgjegjes profesionale. Fatkeqësisht, kjo ndodh shumë rrallë. Sinqerisht, nuk besoj që performanca e Besa Shahinit dhe e Sandër Lleshajt kanë qenë nën nivelin mesatar të qeverisë. Pra, nuk janë këta dy macet e zeza të ekzekutivit. Por, është e dukshme një farë lodhjeje tek të dy. Ndoshta për shkak të mungesës së eksperiencës politike, presioni, akuzat dhe ritmi që dikton detyra kanë zgjuar një farë pendese tek Shahini dhe Lleshaj. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, “kush duhet të rrijë e kush duhet të ikë”, unë do të shtoja se në hyrje të vitit të 8 të qeverisjes, është shumë vonë për të bërë diferenca. Kjo qeveri do të gjykohet “en block” në 25 prill. Nëse shqiptarët janë të kënaqur me të, do t’ia zgjatin mandatin deri në 12 vite. Nëse jo, do t’i japin shansin një qeverie tjetër.
Nga pikëpamja e përbërjes, shumë emra ministrash nuk i thonë asgjë publikut, pasi janë të pavotuar dhe pa karrierë politike të mëparshme, në këtë kontekst, një rifreskim i qeverisë a mund të premtonte një ndryshim në raportin e PS-së me votuesin për zgjedhjet e reja?
Teorikisht, ndryshimet në qeveri do të duhej të ndodhnin për të përmirësuar cilësinë në një sektor të caktuar, fjala vjen politika e jashtme, arsimi apo kultura. Druaj se ajo që ju quani “freskim i qeverisë” mund të risjellë në qeveri politikanë të shekullit të kaluar, pra partiakë të viteve ’90, njerëz “të fortë” brenda PS-së, nga ata që baza i njeh dhe i voton. Problemi i qeverisë “Rama 2”, po e quaj kështu, nuk ka qenë dhe nuk është çështje emrash, por problem vizioni. Kjo qeveri është praktikisht një “qeveri teknike”, sepse pothuajse të gjithë ministrat e rëndësishëm, i Brendshmi, i Jashtmi, e Financës, e Arsimit etj. janë individë që nuk kanë prapavijë partiake.
Unë do të preferoja më mirë që ky kabinet t’i shkojë deri në fund mandatit, sesa të zëvendësohet nga individë partiakë që mendjen nuk do ta kishin te ministria, por te fushata dhe partia. Në çdo vend normal, partia është në funksion të qeverisë. Në Shqipëri, qeveria është në funksion të partisë.
Anila Basha: Ministrat teknikë do të zëvendësohen me njerëz politikë
Gazeta “Fjala”, dy ditë më parë, ka botuar një shkrim analitik për ndryshimet e mundshme në qeveri, cilët ministra pritet që të ikin dhe cilët do të qëndrojnë. Pas ministres së Arsimit një tjetër ministër, ai i Brendshmi, ka thënë se s’do të jetë më ministër. A mendoni se kryeministri Edi Rama do të nxitet tani që të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri, 8 muaj para zgjedhjeve dhe, nëse po, çfarë përfitimi do të kishte kjo lëvizje për të dhe PS-në në funksion të fushatës?
Sipas informacioneve që qarkullojnë nga gazetarët, por dhe në korridoret politike, pritet që kryeministri Edi Rama në Asamblenë politike të PS-së, të cilën po e shtyn, në fakt, edhe pse ishte planifikuar të bëhej në fillim të shtatorit, të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri. Por nuk janë vetëm këta dy ministria që përfliten se do të ikin. E para është Besa Shahini, perfomanca e së cilës ka lënë për të dëshiruar, përveç pakënaqësisë së maturantëve që e pamë me testin e provimit të maturës, por edhe sjelljes që ministrja ka pasur ndaj drejtorive arsimore, të cilat në një mënyrë a në një tjetër për socialistët kanë qenë një hambar votash. Por duket se gafa e saj që deklaron se do të ikë nga Shqipëria, pra një ministre Arsimi që largohet nga Shqipëria, nuk është një shembull i mirë për maturantët apo studentët, dhe kjo e ka irrituar kryeministrin për të qenë më konkret në ndryshimet në qeveri. Nëpër korridoret e gazetarisë flitet se mund të ikin edhe ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, dhe ajo e Financave, Anila Denaj. Në një kontekst të tillë shohim se kryeministri Rama ka ndër mend të lëvizë ata ministra që kanë qenë thuajse teknikë ose aspak të dukshëm dhe jo më të flasim për njerëz që do të kenë mundësi në mbledhjen e votave për PS-në në zgjedhjet e 25 prillit. Thënë kjo, sipas thashetheme të korridoreve politike, kryeministri Rama ka ndër mend të vendosë njerëz partiakë në këto funksione, për t’i fuqizuar, për t’i nxjerrë në mbledhjen e votave, pasi PS-ja deri më tani ka thënë se do të dalë e vetme në zgjedhje. Ju thoni se çfarë përfitimi do të kishte kryeministri dhe partia e tij nga kjo në këtë situatë? Duhet të kuptoni se të gjitha ndryshimet në qeveri janë në funksion të zgjedhjeve, situatës dhe performancës së qeverisjes si një e tërë, pasi në të gjitha këto ministri që përfliten për të ndryshuar ministrat, performanca e këtyre institucioneve nuk mund ndryshojë për kaq pak muaj. Kanë bërë apo ç’kanë bërë, kanë qenë evidente për t’u parë, për t’u krahasuar me standardet e BE-së gjatë 8 viteve të qeverisjes së PS-së, por çdo gjë që po ndodh tani është realisht në funksion të zgjedhjeve.
Pavarësisht arsyeve publike të dhëna nga Shahini dhe Lleshaj, besohet se ata po largohen, për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin. A mendoni se ka dhe ministra të tjerë që kanë probleme me performancën e tyre. Nëse do të bëheshin sot ndryshimet në qeveri, cilët janë ata ministra që duhet të iknin dhe ata që duhet të qëndronin, sipas gjykimit tuaj?
Unë mendoj se nuk ka në qeverisjen e PS-së, të paktën në mandatin e dytë të saj, kontradikta të ministrave me kryeministrin. Këto janë gjëra të superuara, të kaluara, ashtu sikurse e kemi parë kabineti qeveritar apo çka ministrat shfaqin, jo vetëm në diskursin publik, por edhe në korridoret e ngushta të politikës, nuk është se mund të ketë ndonjë figurë të fortë, potente, që t’i kundërvihet kryeministrit Rama. Duhet ta harrojmë atë performancë që ka pasur Këshilli i Ministrave në mandatin e parë qeverisës, ku ka pasur dhe zëra kritikë, si Ditmir Bushati, Niko Peleshi apo Saimir Tahiri, që tashmë mund të thuhet se është larguar nga politika, apo Fatmir Xhafa që udhëhoqi reformën drejtësi, të cilët nuk kanë qenë ‘yesman’-ë të kryeministrit. Kështu që, në këtë situatën reale që flasim tani, nuk mendoj se ka ndonjë ministër që ka kontradikta me kryeministrin. Ata ishin në kohën e duhur, në vendin e duhur për t’u bërë ministra dhe janë në kohën e duhur, në vendin e duhur për t’u hequr nga ajo detyrë që të ketë mundësi që PS-ja të mbledhë votat e 2021-shit, nëse do të perifrazonim një shprehje të thënë nga ish-drejtoresha e Tatimeve, që ishte po ashtu në kohën e duhur dhe vendin e duhur për t’u bërë drejtoreshë.
Nga pikëpamja e përbërjes, shumë emra ministrash nuk i thonë asgjë publikut, pasi janë të pavotuar dhe pa karrierë politike të mëparshme, në këtë kontekst, një rifreskim i qeverisë a mund të premtonte një ndryshim në raportin e PS-së me votuesin për zgjedhjet e reja?
Pyetja ka të bëjë direkt me atë që quhet performancë e qeverisjes në raport me publikun. Pra, a është e gatshme PS-ja për të pasur një mandat të tretë qeverisës. Në mendimin tim do të jetë një garë dhe luftë e ashpër politike, dhe jemi ende herët për të ravijëzuar fituesin e këtyre zgjedhjeve. Shohim se në tërësi opozita, PD dhe LSI, po bëjnë përpjekje serioze për të garantuar një lloj ndryshimi në qeverisje, por që, në mendimin tim, do të jetë shumë e vështirë. Kjo, sepse duke pasur parasysh bojkotin e zgjedhjeve lokale 2019, duke pasur parasysh statistikat dhe raportin e atyre që votuan apo bojkotuan zgjedhjet për shkak të opozitës. Sipas këtyre të dhënave, duket se opozita vijon të ruajë atë elektorat që e mbështet në zgjedhje. Nuk po flasim për një elektorat gri, që është i pavendosur e që voton për shkak të performancës qeverisëse. Do të shohim si do të zhvillohet beteja politike në këta muaj, se çfarë armësh ka opozita për të denoncuar qeverisjen e këtyre 8 viteve, sa të organizuar do të jenë opozitarët për të krijuar frymën e munguar. Më shumë sesa realisht për PS-në dhe qeverisjen e saj, zgjedhjet e 2021-shit unë mendoj se janë në dorë të opozitës, mënyrës se si do të organizohet për të arritur rezultatin që do, apo për t’iu afruar rezultatit që do populli. Nuk duhen anashkaluar përpjekjet që do të bëjë Rama dhe socialistët. Ne si gazetarë që kemi mbuluar politikën në kaq shumë vite, kemi parë se si socialistët, për hir të pushtetit, bëhen të gjithë bashkë për të mbledhur votat për veten. Edhe sikur Rama të fitojë një mandat të tretë, do të shohim që do të jetë një qeverisje krejt ndryshe nga 2 mandatet e para, por nëse do t’i humbë, në PS nuk do të ndodhë asgjë, kurse në PD e LSI do të ndodhë ajo që quhet shqyerja për pushtet.
Leonard Karaj: Ndryshimet e ministrave nuk e shpëtojnë qeverinë nga kolapsi
Gazeta “Fjala”, dy ditë më parë, ka botuar një shkrim analitik për ndryshimet e mundshme në qeveri, cilët ministra pritet që të ikin dhe cilët do të qëndrojnë. Pas ministres së Arsimit një tjetër ministër, ai i Brendshmi, ka thënë se s’do të jetë më ministër. A mendoni se kryeministri Edi Rama do të nxitet tani që të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri, 8 muaj para zgjedhjeve dhe, nëse po, çfarë përfitimi do të kishte kjo lëvizje për të dhe PS-në në funksion të fushatës?
Ndryshimi në vetvete është risi. Por kjo gjë nuk vlen për “Rilindjen”. Çfarëdo lloj lëvizjeje të bëjë aktualisht kryeministri, nuk arrin dot të zhbëjë dëmin moral që u ka shkatuar nga njëra anë anëtarëve dhe militantëve të PS-së dhe dëmin ekonomik që u ka shkaktuar shqiptarëve. Ikja (shporrja, duhet thënë në gjuhën e Ramës), e znj. Shahini dhe z. Lleshaj tregon qartë se zgjedhjet e kryeministrit jo thjesht kanë qenë të gabuara, por me faj të rëndë. Kjo pasi si Ministria e Brendshme dhe ajo e Arsimit (jo se të tjerat kanë më pak peshë), kanë qenë një peshore, që nëse do të ishte sadopak reale për jetën e qytetarëve të këtij vendi, do të kishte ndikuar mjaftueshëm pozitivisht që Rama të mund të vijonte “të krekosej” si babai i kombit. Fakt është se jo vetëm Lleshaj dhe Shahini, por përgjithësisht gjithë qeveria është në pikë të hallit, ndaj ndryshimi nuk duhet të pritet tek emrat e ministrave, por tek emri i kryeministrit. Unë gjykoj se PS-ja do të mund të përfitonte shumë herë më tepër, nëse në krye do të kishte aktualisht një Ramë të dedikuar totalisht ndaj partisë dhe fushatës elektorale, sesa një Ramë edhe nën veshjen e kryeministrit. Por, sigurisht, kjo ide e imja është goxha utopike, kur mendon se sa i sëmurë për pushtet është personazhi në fjalë. Rama është i gatshëm të shesë edhe muret e Kryeministrisë (dhe jo më të partisë që as i llogarit fare), vetëm e vetëm që ai të jetë kryeministër. Kjo në gjuhën e Niçes quhet “narcizizëm i sëmurë”.
Pavarësisht arsyeve publike të dhëna nga Shahini dhe Lleshaj, besohet se ata po largohen, për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin. A mendoni se ka dhe ministra të tjerë që kanë probleme me performancën e tyre? Nëse do të bëheshin sot ndryshimet në qeveri, cilët janë ata ministra që duhet të iknin dhe ata që duhet të qëndronin, sipas gjykimit tuaj?
Nuk duhet të jesh Ajnshtajni për të kuptuar se si qeveris Rama. Është fare e thjeshtë: ose je sikundër dëshiron ai, ose nuk ekziston fare. Në këtë kontekst, Shahini dhe Lleshaj, jo se nuk kanë dashur që të jenë sipas oreksit të Ramës, por kanë qenë mjaftueshëm “të paaftë” për ta kuptuar këtë të fundit. Në këtë linjë janë edhe thuajse pjesa dërrmuese e ministrave. Mjafton të shikosh “lëpirje pa fund” që i bëhen Ramës nga Manastrirliu, Balluku, Ahmetaj dhe, mbi të gjitha, Spiropali, për të kuptuar se kush ka “kredenciale” për të qëndruar ende në qeveri dhe kush është në gojë të ujkut.
Nga pikëpamja e përbërjes, shumë emra ministrash nuk i thonë asgjë publikut, pasi janë të pavotuar dhe pa karrierë politike të mëparshme, në këtë kontekst, një rifreskim i qeverisë a mund të premtonte një ndryshim në raportin e PS-së me votuesin për zgjedhjet e reja?
Gabimi i emërimit të ministrave që nuk kanë lidhje fare jo vetëm me PS-në, por edhe me jetën pubklike të këtij vendi është tashmë një film i përfunduar. Asgjë nuk e shpëton dot Ramën nga Besa Shahini, Gent Cakaj, Sandër Lleshaj, Elva Margariti, Anila Denaj, emra këta që një Zot e di se pse u bënë ministra. Tashmë, zëvendësimi i tyre nuk sjell asgjë. Në vend të tyre mund të vendosësh sot edhe militantin më të regjur të PS-së, por edhe ai vetë do ta kuptojë se nuk do jetë aty, sepse e duan dhe e meriton, por se duhet “të përdoret” si rreckë, të paktën deri më 25 prill 2021, nga z. Rama. Për mendimin tim, kjo është një qeveri në grahmat e fundit, e mbaruar totalisht në raport ne çka mund t’u japë shqiptarëve, por absurdi qëndron në faktin se këta (qeveria), janë vërtet keq, por në kahun tjetër, atë opozitar, akoma nuk shihen shenja të një shprese, besueshmërie që të të ngrohë, të paktën sa një fije shkrepëseje. Ndaj edhe Rama kapardiset ende, duke kërkuar paturpësisht, një mandat të tretë.
Rudina Xhunga: Në qeveri ka njerëz që erdhën dhe po ikin si të panjohur
Gazeta “Fjala”, dy ditë më parë, ka botuar një shkrim analitik për ndryshimet e mundshme në qeveri, cilët ministra pritet të ikin dhe cilët do të qëndrojnë. Pas ministres së Arsimit, një tjetër ministër, ai i Brendshmi, ka thënë se s’do të jetë më ministër. A mendoni se kryeministri Edi Rama do të nxitet tani që të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri, 8 muaj para zgjedhjeve dhe, nëse po, çfarë përfitimi do të kishte kjo lëvizje për të dhe PS-në, në funksion të fushatës?
Gjasat janë që të ketë ndryshime. Nuk janë shumë të rëndësishme, për qeverisjen, sesa për fushatën, ndaj nuk do të kenë ndikim të drejtpërdrejtë. Ndryshimet do të kenë të bëjnë me fushatën, ndaj janë të rëndësishme për PS-në, jo për qytetarët. Për mua, fare mirë mund të mos bëheshin. Por ata që merren me fushatën, sondazhet, perceptimet, humoret, frymën, teknikalitetet, e dinë më mirë.
Pavarësisht arsyeve publike të dhëna nga Shahini dhe Lleshaj, besohet se ata po largohen, për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin. A mendoni se ka dhe ministra të tjerë që kanë probleme me performancën e tyre. Nëse do të bëheshin sot ndryshimet në qeveri, cilët janë ata ministra që duhet të iknin dhe ata që duhet të qëndronin, sipas gjykimit tuaj?
Në qeveri ka njerëz që erdhën dhe po ikin si të panjohur, pa përgjegjësi politike dhe njerëzore, që mund të iknin dje dhe të mos i vijë keq askujt, veç familjarëve dhe përfituesve të tyre dhe nga ata. Sikundër njerëz të tjerë hynë dhe do të vazhdojnë për rrugë të gjate. Nuk kam dëshirë të flas me emra, por kam komunikim dhe simpati njerëzore, jo për shumë emra të qeverisë Rama.
Nga pikëpamja e përbërjes, shumë emra ministrash nuk i thonë asgjë publikut, pasi janë të pavotuar dhe pa karrierë politike të mëparshme, në këtë kontekst, një rifreskim i qeverisë a mund të premtonte një ndryshim në raportin e PS-së me votuesin për zgjedhjet e reja?
E rëndësishme është lista e deputetëve. Lista e ministrave të rinj, edhe në pastë, do të jetë për pak kohë. Rëndësi ka të mos kërkohet vota e majtë dhe të qeveriset me ministra jo të panjohur, por të panjohur për të majtën. Përtej të majtës dhe së djathtës nuk funksionon në Shqipëri, kur votuesi në mazhorancë është i majtë. Përtej të majtës dhe së djathtës, është LSI./Bl.Ba/Fjala.al
Erl Murati:“Freskim i qeverisë” mund të risjellë në qeveri politikanë të shekullit të kalua
Anila Basha: Ministrat teknikë do të zëvendësohen me njerëz politikë
Leonard Karaj: Ndryshimet e ministrave nuk e shpëtojnë qeverinë nga kolapsi
Rudina Xhunga: Në qeveri ka njerëz që erdhën dhe po ikin si të panjohur