Erl Murati:“Freskim i qeverisë” mund të risjellë në qeveri politikanë të shekullit të kaluar

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, ka deklaruar dje se nuk do të jetë më ministër, duke bërë të qartë se po qëndron në detyrë deri në zgjedhje. Ai është ministri i dytë që vetofrohet për riformatim të qeverisë, pas ministres së Arsimit, Besa Shahini. Por, a do të bëjë kryeministri Edi Rama ndryshime në kabinet, 8 muaj para zgjedhjeve, dhe a do ta ndihmonte kjo për t’i përmirësuar kuotat në elektorat?

“Kjo qeveri do të gjykohet “en block” në 25 prill”, – thotë për gazetën “Fjala” Erl Murati, kryeredaktor i “Gazetës Shqiptare” duke analizuar ndryshimet e mundshme në qeverinë Rama. Sipas tij, është më mirë që ky kabinet t’i shkojë deri në fund mandatit, sesa të zëvendësohet nga individë partiakë që mendjen nuk do ta kishin te ministria, por te fushata dhe partia.

Gazeta “Fjala”, dy ditë më parë, ka botuar një shkrim analitik për ndryshimet e mundshme në qeveri, cilët ministra pritet të ikin dhe cilët do të qëndrojnë. Pas ministres së Arsimit, një tjetër ministër, ai i Brendshmi, ka thënë se s’do të jetë më ministër. A mendoni se kryeministri Edi Rama do të nxitet tani që të bëjë ndryshime rrënjësore në qeveri, 8 muaj para zgjedhjeve dhe, nëse po, çfarë përfitimi do të kishte kjo lëvizje për të dhe PS-në, në funksion të fushatës?

Pas zgjedhjeve të vitit 2017, Edi Rama bëri një “depolitizim” të kabinetit qeveritar, duke larguar disa figura të lidhura ngushtë me partinë dhe duke i zëvendësuar me përfaqësues teknikë.

Kjo lëvizje ishte një përpjekje për të pastruar imazhin e qeverisë dhe për të bërë të harrohen disa ministra të përfshirë në skandale të ndryshme. Duhet pranuar se promovimi i “ekspertëve” në poste të larta qeveritare ndikoi në tualetin publik, duke i davaritur disi retë e skandaleve dhe duke e përmirësuar imazhin e kabinetit qeveritar.

Nga ana tjetër, një qeveri ekspertësh nuk është ekipi ideal për të shkuar në një përballje elektorale.

Edi Rama kërkon mandatin e tretë dhe “politizimi” i qeverisë pritet të ndodhë së afërmi. Ndoshta nuk do të ketë ndryshime në kabinet para prillit, por së paku kandidatët për ministra të ardhshëm do të rrisin prezencën e tyre publike. Rrjedhimisht, baza socialiste do të marrë mesazhin se aksh individ a përfaqësues politik, është një njeri për t’i besuar, për ta ndjekur dhe për ta votuar, sepse ai mund të jetë ministri i ardhshëm. Në çdo rast, është për të ardhur keq që kalkulimet e ndryshimeve në qeveritë shqiptare, bëhen jo duke pasur parasysh rezultatet dhe punën e tyre, por dobitë elektorale që do të kishte partia dhe udhëheqësi.

Pavarësisht arsyeve publike të dhëna nga Shahini dhe Lleshi, besohet se ata po largohen për shkak të mosmarrëveshjeve me kryeministrin. A mendoni se ka dhe ministra të tjerë që kanë probleme me performancën e tyre. Nëse do të bëheshin sot ndryshimet në qeveri, cilët janë ata ministra që duhet të iknin dhe ata që duhet të qëndronin sipas gjykimit tuaj?

Lexo edhe :  Zgjedhjet për kryetar të PD-së zyrtare në Elbasan, fiton Naim Meta

Në historinë e pluralizmit shqiptar rrallë ka ndodhur që ministri të ketë “mosmarrëveshje” me kryeministrin. Historikisht, lëvizjet e ministrave kanë ndodhur, sepse kanë lënë të pakënaqur kryeministrin në raport personal dhe më pak profesional, ose janë larguar, sepse skandalet e tyre në detyrë kanë sjellë kosto për partinë apo kryetarin e qeverisë. Në përgjithësi, lëvizjet e ministrave në Shqipëri nuk ndodhin për arsye parimore, pune, mospërputhje vizioni qeverisës etj. Ministrat ikin se diku kanë shkelur në dërrasë të kalbur dhe shefit i bëjnë më shumë punë si limona të shtrydhur se si anëtarë kabineti. Kjo nuk përjashton rastet kur njerëz me integritet vendosin të largohen vetë, për shkak të performacës së ulët dhe ndërgjegjes profesionale.

Fatkeqësisht, kjo ndodh shumë rrallë. Sinqerisht, nuk besoj që performanca e Besa Shahinit dhe e Sandër Lleshajt kanë qenë nën nivelin mesatar të qeverisë. Pra, nuk janë këta dy macet e zeza të ekzekutivit. Por, është e dukshme një farë lodhjeje tek të dy. Ndoshta për shkak të mungesës së eksperiencës politike, presioni, akuzat dhe ritmi që dikton detyra kanë zgjuar një farë pendese tek Shahini dhe Lleshaj. Për t’iu përgjigjur pyetjes suaj, “kush duhet të rrijë e kush duhet të ikë”, unë do të shtoja se në hyrje të vitit të 8 të qeverisjes, është shumë vonë për të bërë diferenca. Kjo qeveri do të gjykohet “en block” në 25 prill. Nëse shqiptarët janë të kënaqur me të, do t’ia zgjatin mandatin deri në 12 vite. Nëse jo, do t’i japin shansin një qeverie tjetër.

Nga pikëpamja e përbërjes, shumë emra ministrash nuk i thonë asgjë publikut, pasi janë të pavotuar dhe pa karrierë politike të mëparshme, në këtë kontekst, një rifreskim i qeverisë a mund të premtonte një ndryshim në raportin e PS-së me votuesin për zgjedhjet e reja?

Teorikisht, ndryshimet në qeveri do të duhej të ndodhnin për të përmirësuar cilësinë në një sektor të caktuar, fjala vjen politika e jashtme, arsimi apo kultura. Druaj se ajo që ju quani “freskim i qeverisë” mund të risjellë në qeveri politikanë të shekullit të kaluar, pra partiakë të viteve ’90, njerëz “të fortë” brenda PS-së, nga ata që baza i njeh dhe i voton. Problemi i qeverisë “Rama 2”, po e quaj kështu, nuk ka qenë dhe nuk është çështje emrash, por problem vizioni. Kjo qeveri është praktikisht një “qeveri teknike”, sepse pothuajse të gjithë ministrat e rëndësishëm, i Brendshmi, i Jashtmi, e Financës, e Arsimit etj. janë individë që nuk kanë prapavijë partiake.

Unë do të preferoja më mirë që ky kabinet t’i shkojë deri në fund mandatit, sesa të zëvendësohet nga individë partiakë që mendjen nuk do ta kishin te ministria, por te fushata dhe partia. Në çdo vend normal, partia është në funksion të qeverisë. Në Shqipëri, qeveria është në funksion të partisë.

Të fundit

Richard Orlinski në Tiranë/ Veprat e skulptorit të njohur çelin javën franceze në Tiranë

Veprat e skulptorit të njohur francez Richard Orlinski kanë ardhur në Tiranë dhe janë ekspozuar përpara Piramidës. Me këtë ekspozitë...

Dëshmia në SPAK/ Bardhi kërkon ndryshim të datës, zbulohet arsyeja

Kreu i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi ka dërguar në Prokurorinë e Posaçme një shkresë me anë të së cilës kërkon që marrja në...

Vrasja e efektivit në Fier, gazetari zbardh detaje të reja: Autorin e gënjen mendja

Gazetari Artan Hoxha ka folur për ngjarjen e rëndë që ka ndodhur sot në Fier, ku ka mbetur i vrarë shtetasi N.C, efektiv policie. I...

Së shpejti baba, Ermal Meta zbulon emrin e vajzës!

Këngëtari i njohur Ermal Meta së shpejti do të bëhet baba dhe në një intervistë që ka dhënë së fundmi për “Verissimo”, ka zbuluar...

Nesër protesta para bashkisë Tiranë, policia njofton masat, ja rrugët që do të bllokohen

Nesër 14 maj do të zhvillohet protesta e radhës e opozitës dhe “Aleancës për Teatrin” para bashkisë Tiranë lidhur me çështjen “5D”. Për rrjedhojë policia...

Lajme të tjera

Web TV