Nga Leonard Karaj
Votuesi kundër Edi Ramës dhe PS-së, sot është një armatë shumë herë më e madhe, sesa ai që mbështet pa rezerva PD-në e Lulzim Bashës. Ndonëse në pamje të parë shihet si një perceptim subjektiv, i kontestueshëm dhe i debatueshëm nga secila palë, të gjitha sondazhet dhe informacionet në terren të bëjnë të besosh se zgjedhjet e 2021-shit mund veçse t’i humbasë Rama, por kjo jo për shkak të rritjes së besueshmërisë ndaj Bashës.
Përgjithësisht në Shqipëri (hiq 22 marsin 1992), zgjedhjet i ka humbur qeveria, dhe nuk i ka fituar opozita. Pra, votuesi ka ndëshkuar me votë kundër atë që e ka qeverisur keqazi, por jo sepse në kahun tjetër kishte një opsion domosdoshmërisht më adekuat. Në të njëjtën situatë ndodhemmi pak a shumë edhe tanimë, ku populli opozitar, ai që nuk do më që të qeveriset nga Rilindja, është më i numërt, por jo domosdoshmërisht në përkrahje të lidershipit të Partisë Demokratike.
Aksioni i mëdyshtë politik që ka treguar Basha gjatë këtyre viteve në krye të PD-së, ka bërë që ky tip votuesi, nga njëra anë vërtet të mos votojë symbyllazi Ramën, por, nga ana tjetër, të mendohet gjithsesi fort kur sjell në mendje opozitarizimin e Bashës. Dy vitet e para të këtij të fundit në krye të PD-së ishin dukshëm më të mira sesa ajo çka erdhi më pas.
Falë lidershipit të Bashës kemi sot ligjin e dekriminalizimit. Falë tij dhe grupit parlamentar të PD-së, shqiptarët njohën realitetin e kanabisit. Dhe, sigurisht, me këmbënguljen e tij, por edhe të ish-kryeparlamentarit Meta, u hartua Reforma në Drejtësi, e cila nëse më pas do të kishte vijuar në të njëjtat shina sikundër edhe u miratua, sot do të kishte pasur sukses të jashtëzakonshëm.
Duke mos lënë pas “hijen e Berishës”, e cila me gjasë do ta përndjekë edhe për ca kohë (të paktën deri në hartimin e listave, për të parë nëse ish-kreu i PD-së do të jetë ose jo deputet), besueshmëria e Bashës në publik është vënë në dyshim më së shumti nga fillimi i 2017-s e më tej. Kjo, pasi një lider i vërtetë mendon jo vetëm se si ta nisë një aksion të fortë politik, por edhe mënyrat, skenarët e ndryshëm për të dalë më pas.
Pra, nëse futesh nga dera, nuk duhet që më pas të dalësh jashtë nga dritarja. Futja në çadër për tre muaj, me synimin e vetëm dhe të qartë: “me Ramën kryeministër nuk shkojmë në zgjedhje”, – rezultoi një flluskë sapuni. PD-ja jo vetëm që shkoi në zgjedhje; jo vetëm që kryeministri vijoi të mbante postin e tij; jo vetëm që plot 7 PD-istë, teorikisht për të paktën 100 ditë e patën edhe shef të madh; por Rama “u vodhi” edhe simbolin me dy gishta, duke krijuar edhe një lloj perceptimi të gënjeshtërt në popull se PS-PD mund edhe të bënin qeveri së bashku.
PD-ja humbet bindshëm, dhe gjithë faji, me të drejtë bie mbi lidershipin e vet. Kjo ishte goditja e parë reale ndaj besueshmërisë së votuesit te Basha.Por, në vend që të korrigjohej, duket se PD-ja vijoi në gabim, madje me kosto edhe më të lartë. Braktisja e Parlamentit, në pamje të parë u duk si një shpëtim, për të krijuar mjaftueshëm ngërç që ta detyronte Ramën ta çonte vendin në zgjedhje.
Por fakti që Kuvendi u mbush shpejt me “tradhtarë” të opozitës, kandidatë të vendosur në lista nga vetë lidershimi i PD-LSI, tregoi se edhe vendimi për daljen nga Parlamenti ishte më e pakta i nxituar dhe më e shumta i pamenduar gjakftohtësisht. Edhe në këtë rast besueshmëria ndaj Bashës ra ndjeshëm, paçka se militanti opozitar u përgjigj plot 10 herë në protesta, njëra më e madhe se tjetra.
Por “qershiza mbi tortë” erdhi më 30 qershor 2019. Ndonëse për muaj me radhë, në çdo dalje për media dhe në çdo protestë, Basha artikuloi me të madhe faktin se Rama nuk do mund të bënte zgjedhje pa opozitën, ky i fundit, jo vetëm që i bëri; jo vetëm që rezultatin e nxori kur, sa dhe si deshi; jo vetëm që mori aprovimin edhe të ndërkombëtarëve me në krye SHBA-në, por sot ka gjithë pushtetin vendor “në xhepin e tij”. Kësisoj, kurba e besueshmërisë ndaj PD-së më shumë është ulur për shkak të aksioneve të veta “vetëvrasëse”, sesa për shkak të luftës me kundërshtarin politik.
Ndaj sot gjendemi në situatën ku Rama ka gjithçka (thuajse si të ishim në një shtet monist), dhe Basha, asgjë. E përsëri opozitarizmi ndaj kryeministrit ndihet se është shumë herë më i madh, perceptim ky që do të duhet të përthithet sa më parë nga lidershipi i PD-së.
Tetë muaj para zgjedhjeve, Basha ka shansin e vetëm që tanimë, jo më me aksione politike që në start të lënë gojëhapur; jo më me premtime “Shën Valentini”, si ato të Ramës në 2013-n; por me një gjuhë sa më të thjeshtë dhe të kuptueshme (pse jo, edhe me pak populizëm), sidomos për votuesin e mëdyshtë, të kthejë kahun e besueshmërisë.
PD-ja nuk duhet të vijë në pushtet, për shkak të gjëmës qeverisëse të Rilindjes, por për vitalitetin dhe shpresën që mund të ngjallë në mbarë vendin. Dhe kjo lloj fitoreje nuk vjen prej fronit mediatik, apo navigimit nga divani, nëpër rrjetet sociale. Nëse opozita nuk bëhet njësh me votuesin, minimalisht ta dëgjojë në problematikat ditore, zor se do të mund ta fitojë besimin dhe votën e këtij të fundit.