Ferri ISIS, tragjedi “siriane” para Kryeministrisë

113 563 lexime

124,178FansaPëlqeje

Nga Alessia Selimi

Gazeta “Fjala”sjell dëshmi, përshtypje dhe dhimbjen e familjarëve të cilëve fëmijët u janë degdisur vite më parë në kampin famëkeq “Al-Hol”, në Siri. Pasditen e djeshme ata organizuan përballë Kryeministrisë një protestë, e cila zgjati thuajse një orë. Të revoltuar nga heshtja e qeverisë dhe ndërhyrja e forcave policore, tragjedia e gjithsecilit merr të tjera përmasa. Megjithatë, mbizotëron ajo e familjes Dumani, e bërë publike rreth 7 vjet më parë, dhe ende pa shumë shpresë për rikthimin në atdhe.

Kanë kaluar 7 vite, që nga koha kur fëmijë shqiptarë u morën nga prindërit për t’iu bashkuar shtetit që kërkonte të themelonte ISIS në Siri. Por për familjarët e tyre, ingranazhi i orës është ndalur. Ndonëse ndodhen të ndarë nga 2412 km distancë, nuk ka ditë që nuk ndërmenden nga vdekja. Sepse vdekja u kalon pranë.

Dhe dukshëm nga rrethanat, ajo nuk pyet për moshë. Janë plot 50 të mitur, të shkëputur nga suaza e fëmijërisë, për t’u rritur me çdo kusht si luftëtarë të grupit xhihadist. Fatkeqësisht, ata nuk u hidhen dot në qafë gjyshërve, sikundër e bën tashmë shoku i tyre, Alvin Berisha (i vetmi i shpëtuar, por me fatin e madh në fatkeqësinë e tij, sepse u angazhua shteti italian).

E për këtë, familjarët u ngritën pasditen e djeshme në protestë para Kryeministrisë. Një pjesë e mirë shihej sy rrëmbushur, kokulur dhe veshur me të zeza. Ndërsa një pjesë tjetër, trupvarur, si të marrë hua. U lexohej thjesht dhimbja. Dhe ajo përforcohej kur komunikohej me zë. Daja e Evi dhe Endri Dumanit u bëri thirrje të gjitha institucioneve, përfshirë kryeministrin Edi Rama, që mbesa dhe nipi i tij të kthehen sa më shpejt në gjirin e familjes. “Ka kush i pret, ka kush i edukon dhe kush i mbështet. Ata nuk janë vetëm”, tha ai, i vetmi që gëzon komunikim me Evën dhe Endrin.

E ëma, Mide Dumani, ndodhej mes njerëzish, mbi shpatullat e dy-tre të afërmve, e rrënuar, e shkatërruar nga mungesa e tyre. Hon i madh trishtimi, pikasej në sytë e saj. Në shkurt të vitit 2014, i shoqi, Shkëlzen Dumani, me autorizim të rremë, ia rrëmbeu fëmijët për të luftuar krah grupit ekstremist ISIS. Pak muaj më vonë, ai u vra dhe e ëma e tij, 70 vjeç, nuk ngurroi të bëhej pjesë e një aventure të frikshme; ajo shkeli në sipërfaqe luftimesh. Tani vajza duhet të jetë 15 vjeç dhe djali 12.

Sakaq, shpirti i Mides e ka tejkaluar shekullin. Mes solidarizimit dhe revoltës, kjo e fundit ndihet më shumë tek të afërmit e kësaj gruaje fatkeqe. Protesta zgjati thuajse një orë, sepse forcat policore, ndonëse të pakta në numër, u kujdesën për fanitjen e saj duke përmendur COVID-19. “Ne nuk jemi të armatosur! Nuk mundemi dot ta kuptojmë sjelljen e tyre (u referohen policëve). A thua se nuk janë prindër, se në vend të zemrës u ndodhet një shkëmb”, u shpreh kunata e Mide Dumanit, teksa tororisjet dhe së fundmi heshtjen e qeverisë, nuk i kapërdin dot. “Si mundet të mos dalë një përfaqësues i Kryeministrisë?! Si mund të mos dalë dikush dhe të thotë një fjalë shprese?!” E si për t’i dhënë tragjedisë nota komike, dy policë, fytyrëzbuluar, pa maskë, në një anë urdhëronin dhe në tjetrën vendosnin për orarin e kafesë.

Pak më tutje, një grup të rinjsh, të nxitur nga dhembshuria, ligjësia ndoshta më e rëndësishme e jetës njerëzore, rezistonin, ashtu ndalur në pllakat shumë pranë Kryeministrisë, si për t’u treguar policëve të porsapërmendur se, pandemia nuk mund të shërbejë si justifikim për jetët e lëna pezull. “Jemi qytetarë të lirë dhe trotuari është krijuar për këmbë që duan të lëvizin, por edhe të ndalojnë”, u shpreh zëngritur një vajzë rreth të 20-ave.

Përpara këtij episodi, imami Ylli Gurra iu drejtua myslimanëve, që të mos bëhen fajtorë dhe të dërgojnë familjarët e tyre në çlirimin e Sirisë, Jemenit, apo vendeve të tjera në luftë. “Këta fëmijë nuk mund të bëhen turpi i Shqipërisë”, tha më tej ai duke iu drejtuar pikërisht qeverisë aktuale, për mobilizim, angazhim dhe në fund të fundit, për humanizëm. Shteti shqiptar u pa fare pak nga “fundi i lumtur” kur Alvini iu largua luftës dhe territ në Siri.

Lexo edhe :  Punëtori humbi jetën pas rënies nga lartësia në aeroport, arrestohet administratori

Operacioni i shpëtimit për Alvinin u mor përsipër nga Gjysmë Hëna dhe Kryqi i Kuq, me udhëheqjen e vendit fqinj, Italisë, ndërsa dërgoi atje edhe forcat speciale elitë për çdo rast rreziku. Në daljet televizive, kryeministri Edi Rama dhe ministri në detyrë për Punët e Jashtme, Gent Cakaj, këmbëngulin se çështja ishte shumë e komplikuar dhe se Siria nuk kishte një “kokë” me të cilin mund të negocionin. Për më tepër, Romina Kuko, zëvendësministrja e Brendshme, hodhi idenë në një emision televiziv se ambasadori i Shqipërisë në Turqi, Gent Gazheli, mund të merrej peng.

Megjithatë, rolet dhe meritat u përvetësuan menjëherë, falë rrjeteve sociale. “Doja që dy kushërinjtë e mi të ishin sot me mua, në ditën e parë të shkollës”, u shpreh një vogëlush i shoqëruar nga i ati në protestën përpara Kryeministrisë, që pak mundësi ka të jetë në dijeni të dinamikës së ngjarjeve. “Ne e publikuam rastin me idenë dhe shpresën e madhe që qeveria shqiptare do të ndërhynte për ta risjellë Alvinin në shtëpi. Ishim të vetëdijshëm se qeveria ka në kamp më shumë se 30 “Alvinë” të tjerë, por meqenëse rasti u bë mediatik dhe opinioni shqiptar dhe italian arritën deri aty sa të hapin peticione on line, menduam se qasja e autoriteteve tona do të ishte disi e ndryshme. Personalisht u zhgënjeva nga reagimet zyrtare që e quanin tepër të vështirë kthimin e Alvinit”, shprehet gazetari shqiptar Taulant Kopliku, njohësi ndoshta më i mirë i portretit dhe historisë së 12-vjeçarit.

Ishte pikërisht ai që e zbuloi i pari djaloshin e braktisur në kampin sirian, si gazetar në emisionin investigativ italian “Le Iene”. Por pavarësisht gjithçkaje, protesta që u zhvillua dje mund të përkthehet fare mirë si dëshirë për besim. “Qeveritë e çdo vendi duhet të mbajnë përgjegjësi për qytetarët e vet. I lutem Zotit që të gjithë këta familjarë, vëllezër dhe motra që kanë mbetur në Siri, të kthehen në shtëpitë e tyre. Koha dhe dita e riatdhesimit të jetë sa më e shkurtër.

Çdo kohë që kalon, është humbja e fëmijëve tanë në Siri”, tha imami Ylli Gurra, i rrethuar nga pankarta të ngjyrave dhe madhësive të ndryshme, të cilat përmbanin thirrje thuajse të njëjta. “I vetmi shteg nëpër të cilin ata mund të kthehen, jeni ju”, lexohej në një prej tyre, ndërkohë që situata në kamp mbetet katastrofike në të gjitha format e mundshme. Mungesë ushqimi, mungesë higjiene, shpesh herë edhe mungesë uji të pijshëm… dhe, mbi të gjitha, rrezik për jetën.

Familja shqiptare e identifikuar dhe në kërkim

Dylber Shuli, 82 vjeç, mbetet i shqetësuar për fatin e pesë nipërve dhe mbesave të tij, të mbajtur në “Al-Hol”. Djali i tij, Krenari, 32 vjeç, u largua në tetor 2013 me gruan e tij, Adelin dhe tri vajzat, Elona, Erma dhe Justra. Djali i tyre, Ibrahimi, lindi në kamp, në vitin 2016. Elona, e martuar me forcë në moshë minore nga prindërit me një burrë nga fshati i saj, gjithashtu xhihadist, nuk e ka më të shoqin.

Ai iu vra gjatë bombardimeve. Elona kujdeset për djalin e saj 3-vjeçar, vëllain 4-vjeçar dhe dy motrat, 7 dhe 13 vjeç. Në një videomesazh të publikuar në një televizion shqiptar, Elona bëri thirrje për ndihmë, teksa thoshte se “ne mund të presim ditë të tmerrshme.” Ajo gjithashtu rrëfeu se fëmijët nuk pushojnë së qari, vuajnë nga uria, dhe se njëra nga vajzat është e sëmurë, me këmbë dhe bark të fryrë.

Fatkeqësisht, deri më tani, nuk ka asnjë lëvizje për kthimin e fëmijëve nga kampi në Shqipëri. Në fund të vitit të kaluar zëvendësministrja e Brendshme, Romina Kuko, u shpreh se ka probleme për identifikimin e fëmijëve të lindur në vendngjarje e të cilët nuk kanë kombësi shqiptare, si dhe me nënat që kanë marrë pjesë në luftime dhe kanë përgjegjësi për ndjekje penale.

 

Të fundit

Berisha: 10 ditët e fundit në spitale nuk bëhen analiza, po bëhen krime kundër njerëzimit

Sali Berisha gjatë një takimi me studentët e mjekësisë tha se mafia është armikja më e egër e bluzvave...

GJKKO urdhëroi hetim për Olta Xhaçkën dhe bashkëshortin e saj, SPAK e ankimon në Apel

Gjykata e Posaçme urdhëroi SPAK të regjistrojë procedim penal për ish-ministren Olta Xhaçka dhe për bashkëshortin e saj Artan Gaçi, por organi i akuzës...

Veprat penale në fushën e zgjedhjeve, SPAK ‘zbarkon’ në Prokurorinë e Korçës

Në Prokurorinë e Korçës zhvillohet takim ndërinstitucional në kuadër të bashkëpunimit dhe koordinimit të hetimeve për veprat penale në fushën e zgjedhjeve. Në Prokurorinë pranë...

Ra mbi 30 kile nga pesha: Lizzo zbulon sekretet e saj të dobësimit

Lizzo ka qenë në një mision kohët e fundit për të bërë një stil jetese më të shëndetshëm. Pas humbjes së 16% të yndyrës...

Dash Shehi sfidon Ramën dhe Berishën: Ju pres në debat, hajdeni ballafaqojmë programet!

Drejtuesi i koalicionit 'Djathtas për Zhvillim', deputeti Dashamir Shehi, ka sfiduar publikisht kryeministrin Edi Rama dhe kryedemokratin Sali Berisha, që të ballafaqojnë publikisht programet...

Lajme të tjera

Web TV