Nga Elvis Myrta
Dy viktima dhe tre të plagosur është bilanci i ngjarjeve kriminale që tronditën ditën e djeshme vendin. Dy atentate mafioze dhe një krim në familje, u shënuan 24 orët e fundit në vendin tonë. Ngjarja e parë u shënua në Rrogozhinë, ku një 33-vjeçar u ekzekutua me 14 plumba pranë banesës së tij. Në mbrëmje dy ngjarje të njëpasnjëshme tronditën kryeqytetin, ku një grua u qëllua disa herë me pistoletë nga kunati i saj. Disa minuta më pas, një shpërthim me eksploziv në automjetin e Prengë Gjinit, përveç objektivit, solli plagosjen edhe të dy kalimtarëve të rastit.
Pas një qetësie prej më shumë se një muaji, ngjarjet kriminale kanë tronditur vendin mëngjesin e djeshëm. Dy atentate mafioze, një në Rrogozhinë dhe një në kryeqytet, tronditën mbarë opinionin publik për larje hesapesh dhe prishje të pazareve të drogës, por nuk mungoi as krimi në familje. Ngjarja e parë u shënua në orët e para të mëngjesit, ku rreth orës 06:00, Klevis Kpallani u gjet i ekzekutuar brenda makinës së tij.
33-vjeçari u ekzekutua në afërsi të banesës së tij, në fshatin Sinaballaj të Rrogozhinës. I riu rezulton të jetë person me precedentë të mëparshëm penalë në fushën e narkotikëve. Prishja e pazareve të drogës është pista kryesore ku grupi hetimor i ka përqendruar hetimet. Ndërkohë, pasditen e djeshme, një tjetër ngjarje e rëndë u shënua në kryeqytet, ku ish-kunati ka ekzekutuar me armë ish-kunatën e tij, pas një konflikti që kanë pasur mes tyre.
Sipas informacioneve nga blutë e kryeqytetit, dyshohet se Agron Tanushi qëlloi disa herë kunatën e tij, për shkak të një konflikti pronësie që ata kishin mes tyre. Por ngjarjet kriminale nuk do të mbaronin me kaq, Prengë Gjini, vëllai i Tonin Gjinit, i ekzekutuar rreth një vit më parë në Rrëshen, do të binte pre e një atentati mafioz me bombë të telekomonduar. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 18:00 tek ura e Selitës në Tiranë, në një zonë mjaft të populluar.
Nga kjo ngjarje mbeti i plagosur rëndë objektivi i këtij atentati dhe dy kalimtarë të rastit. Atentati i djeshëm dyshohet të ketë lidhje me zinxhirin e vrasjeve në Mirditë, që datojnë prej vitit 2016. Ngjarjet kriminale ditën e djeshme sollën 2 viktima dhe 3 të plagosur, njëri prej të cilëve është në gjendje kritike për jetën.
Ekzekutimi i 33-vjeçarit në Rrogozhinë
Klevis Kapllani, 33-vjeç, mbrëmjen e djeshme rreth orës 21:00, kishte dalë për të konsumuar një kafe me disa shokë të tij, në një lokal të fshatit Sinaballaj, por nuk u kthye më i gjallë. Sipas burimeve, 33-vjeçari besohet se është vrarë rreth orës 23:00 të natës, teksa po kthehej për në banesë, por kur kishin mbetur edhe gati 200 metra për të hyrë në banesë, 33-vjeçari është qëlluar me 14 plumba me një tip automatiku “Tomson”, duke e lënë të vdekur. Klevis Kapllani mësohet të ketë qenë i dënuar dy herë nga drejtësia Italiane për akuzën e shpërndarjes së drogës.
Deri tani dyshohet se autorët e vrasjes kanë qenë dy, të cilët pas një plani të mirëmenduar mësohet t’i kenë zenë pritë të riut në një arë të mbjellë me misër. Fillimisht, si skenar për ta detyruar Kapllanin të qëndrojë, autorët mësohet të kenë hedhur në rrugë disa degë ferrash. Në vijim të planit kriminal, në momentin që Klevis Kapllani është afruar në një distancë prej gati 200 metrash nga banesa së tij, për të larguar ferrat, dy persona mësohet të jenë shfaqur befasisht nga ara me misër, duke e qëlluar nga një distancë shumë e afërt me 14 plumba.
Sipas burimeve, Kapllani është goditur sapo ka ndaluar makinën, pasi frenat e dorës së mjetit tip “Fiat”, janë konstatuar të ngritura. Ndërsa nga kontrolli i zonës ku ka ndodhur ngjarja policia ka identifikuar një pistoletë tip “Glock”, e cila dyshohet t’i ketë rënë në ikje e sipër njërit prej autorëve. Të afërmit e viktimës dhe kushërinjtë që ndodheshin me banim në atë zonë, nuk kanë dëgjuar asnjë të shtënë me armë, dhe kjo tregon se autorët mund të kenë përdorur armë të pajisura me silenciator.
Sipas burimeve, trupi i pajetë i Klevis Kapllanit, ka qëndruar gjatë gjithë natës, pa u vënë re nga askush. Ndërsa në mëngjes, rreth orës 06:00 të ditës së djeshme Kapllani është gjetur i pajetë nga personi që mblidhte qumështin te fshatarët e zonës. Sipas burimeve, gjatë këtyre orëve policia dhe prokuroria e Kavajës, kanë pyetur dhjetëra persona, por askush nuk është në gjendje të tregojë se cilat ishin konfliktet që mund të kenë sjellë ekzekutimin e Kapllanit. Ndërsa, ky i fundit kishte vetëm dy vjet që ishte deportuar nga Italia, si pasojë e dënimeve të marra atje për shpërndarje droge.
Vrau kunatën pas konfliktit për pronën
Një tjetër ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në rrugën “Apollonia”, në Bathore të Kamzës, ku një grua u vra me armë zjarri nga kunati i saj. Burime bëjnë me dije se mes tyre ka pasur një konflikt pronësie të hershëm, pasi jetonin së bashku në një godinë dykatëshe.
Jetmira Hasani, e cila mbeti pa jetë, pasi u qëllua nga Agron Tanushi, ishte divorcuar prej disa vitesh me vëllain e këtij të fundit. Ish-bashkëshorti i Hasanit jetonte në Greqi, ndërsa Jetmira jetonte në katin e dytë të banesës dykatëshe, e cila është bërë “molla e sherrit” mes tyre. Agron Tanushi, i cili jetonte në katin e parë të kësaj banese, kërkonte largmin e ish-kunatës, gjë që refuzohej nga ajo.
Të dyja palët kanë qenë prej vitesh në konflikt, ndërsa mësohet se kanë pasur edhe urdhër mbrojtjeje. Konflikti i sotëm mësohet të ketë nisur për shkaqe banale, pasi Tanushaj i ka kërkuar llogari Hasanit se përse ka hedhur mbeturinat, pasi ajo jetonte një kat sipër tij. Sherri ka degraduar duke bërë më pas që 31 vjeçari të marrë armën dhe të qëllojë për vdekje ish-kunatën e tij. Pas krimit ai është larguar në drejtim të paditur bashkë me armën e krimit. Pas ngjarjes autori është larguar me shpejtësi dhe policia është vënë në ndjekje të tij.
Atentat vëllait të Tonin Gjinit
Vëllai i Armando (Tonin) Gjinit, i cili ka qenë pjesë e grupit të Met Kananit, i ekzekutuar rreth një vit më parë në në Rrëshen, ra pre e një atentati me tritol, që e ka lënë të plagosur rëndë. Prengë Gjini, ish-efektiv në Gardën e Republikës, po udhëtonte pranë Urës së NISHRAK-ut, me një automjet Benz të llojit “A Class”, ngjyrë gri, kur makina ka shpërthyer. Poshtë sediljes së shoferit, ku ndodhej edhe Gjini, ishte vendosur 300 gramë tritol C4, e cila ka shpërthyer me telekomandë.
Si pasojë e shpërthimit, 50-vjeçari Gjini ka mbetur i plagosur rëndë dhe aktualisht është dërguar në Spitalin e Traumës, ku edhe po i nënshtrohet një operacioni. Sipas burimeve nga bluzat e bardha të Traumës, mësohet se i plagosuri ka dëmtime të shumta në trup, për shkak të shpërthimit dhe është në gjendje të rëndë për jetën. Pas shpërthimit të fuqishëm në vendin e ngjarjes shkoi edhe shefi i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupaj.
Ai tha përballë mediave se një një nga pistat kryesore është hakmarrja dhe se efektivët po përgatiten për aksion në disa rrethe të vendit, por nuk ka dhënë detaje të tjera. Më tej, Jaupaj është shpehur se bashkë me Gjinin, i plagosur nga shpërthimi ka mbetur një shtetas italian dhe një i mitur, të cilët po kalonin në zonë në momentur kur makina u hodh në erë./Jo.Be/Fjala.al