Nga Hajro Limaj
Shqipëria ka qenë e kërcënuar për t’u pushtuar. Përveç të dhënave tona të zbulimit, arkivat rusë zbardhën planin për pushtimin e Shqipërisë në gusht 1962 nga sovjetikët. Sa shumë gjëra mbeten të panjohura! Sa shumë gjëra koha i varros me sukses për dekada me radhë! Sovjetikët tërhoqën në qershor të vitit 1961 nëndetëset dhe anijet nga baza e Vlorës, Pashalimani, por nuk e harrojnë hakmarrjen.
Një plan ushtarak pushtimi, me sulm nga deti dhe toka. Një pushtim që duhej të realizohej medoemos para datës 1 shtator 1962. Një plan që refuzohet nga Rumania, por edhe nga Josip Tito në momentet e kurorëzimit. Këto të dhëna ruhen në arkivat e ushtrisë së ish-Bashkimit Sovjetik. Këtë plan pushtimi e ka trajtuar një studim i doktorit të shkencave historike, Aleksandër Okorokov, me titull “Zigzaget e politikës shqiptare”, publikuar më 16 shkurt 2009. Ai midis të tjerave shkruan “Një ndihmë e konsiderueshme u dha edhe në fushën ushtarake.
Një vëmendje e veçantë iu kushtua përforcimit të bregdetit të Adriatikut. Fakti ishte se në këtë periudhë i gjithë rajoni i Mesdheut futej në zonën e rivalitetit mes NATO-s dhe Traktatit të Varshavës. Situata në zonë u ndërlikua me futjen në vitin 1952 të Turqisë dhe Greqisë në NATO. Në këto kushte mundësia nga ana e Turqisë të kontrollonte ngushticat e Bosforit dhe të Dardaneleve, e vetmja rrugë detare në jug, që lidhte Bashkimin Sovjetik me detet e tjera dhe oqeanin botëror, si dhe prezenca konstante në Mesdhe e flotës së 6 amerikane, përbënin një kërcënim të pashmangshëm për sigurinë e Bashkimit Sovjetik.
Hapat e parë për ndryshimin e situatës u ndërmorën në fillim të viteve 1950. Në fund të majit 1954, në Shqipëri shkoi një skuadër e anijeve luftarake sovjetike, të kryesuara nga kryqëzori “Admiral Nahimov”. Në një nga ditët e qëndrimit në Shqipëri, në radën e portit të Durrësit, në një nga anijet tona erdhën drejtuesi i flotës, admirali Gorshkov dhe ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, gjeneral-kolonel, Beqir Balluku. Anija ngriti spirancën dhe shpejt shkoi në gjirin e Vlorës, ku drejtuesit e lartë vëzhguan një port natyral të pozicionuar në mënyrën më të jashtëzakonshme…
Në fund të viteve 1950 nisi të realizohej plani i ndërtimit të një venddislokimi të përhershëm të anijeve sovjetike në Shqipëri. Në përputhje me vendimet e Këshillit të Ministrave të Bashkimit Sovjetik, nga 26 korriku 1957 deri në 22 prill 1959 në gjirin e Vlorës nisi të ndërtohej baza luftarako-detare, si dhe një aerodrom ushtarak…
Prishja e madhe…
…Nga Shqipëria u tërhoqën specialistët që punonin në ndërmarrjet shtetërore, ndërsa studentëve shqiptarë, përfshirë edhe ata që merrnin leksione të taktikave ushtarake, iu hoq e drejta të vazhdonin studimet në Bashkimin Sovjetik… Nga shkurti i vitit 1961 Moska i vuri zhurmues edhe transmetimit të valëve të Radio-Tiranës në gjuhën ruse. Në mars të vitit 1961 Presidiumi i KQ të Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik vendosi likuidimin e bazës së Vlorës…
Sipas marrëveshjes sovjeto-shqiptare, në Vlorë u lanë 4 nëndetëse, baza lundruese “Nemçinov” dhe infrastruktura bregdetare. Në mesin e vitit 1961 në Moskë u përpunua plani i zgjidhjes forcërisht “të problemit shqiptar”. Ai parashikonte përmbysjen e Enver Hoxhës me ndihmën e komunistëve shqiptarë “besnikë të idealeve socialiste” dhe drejtimit të tyre ndaj Bashkimit Sovjetik dhe vendeve pjesëmarrëse në Traktatin e Varshavës, me kërkesën për “ndihmë ushtarake”.
Pas kësaj, ushtarët e Bashkimit Sovjetik dhe të vendeve të tjera socialiste, veç Rumanisë, që refuzoi të merrte pjesë për “ndihmë”, duhet të futeshin në Shqipëri nga veriu dhe lindja, përmes Jugosllavisë, dhe nga jugu, përmes detit Jon. “Çlirimi” i Shqipërisë ishte planifikuar të realizohej jo më vonë se 1 shtatori 1962. Por, acarimi i marrëdhënieve sovjeto-amerikane, për shkak të Kubës (Kriza e Karaibeve) nuk lejoi realizimin e planit në afatet e parashikuara.
Duke përfituar nga kjo shtyrje, udhëheqja shqiptare mori masa parandaluese… Në verën e vitit 1962 Moska iu rikthye “çështjes shqiptare”. Roli kryesor i planit për “destabizimin” e vendit iu dha liderit jugosllav, J. Tito. Në Moskë bënin llogari se aleanca shqiptaro-kineze, politika antijugosllave dhe propaganda e Tiranës, dhe gjithashtu apeli në rritje i Enver Hoxhës kundër “diskriminimit të shqiptarëve të Kosovës”, do ta detyronin Beogradin të bashkëpunonte me Bashkimin Sovjetik.
Në korrik të vitit 1962 Nikita Hrushovi i kërkoi Titos leje për kalimin e ushtrisë së Traktatit të Varshavës përmes Jugosllavisë drejt kufijve shqiptarë. Por, duke mos marrë parasysh konfliktet me Enver Hoxhën, Titoja refuzoi ta ndihmonte Hrushovin. Për më tepër, ai konfidencialisht, i lajmëroi krerët shqiptarë për planet e Moskës, por edhe kryeministrin indian, Nehru, presidentin e Egjiptit, Naser dhe atë të Indonezisë, Sukarno (Tito ishte përfshirë në një aleancë politike me këto vende në kuadër të Lëvizjes së Vendeve të Painkuadruara) për synimet e Hrushovit për t’i dhënë një “mësim” të mirë Tiranës.
Duke iu frikësuar daljes në publik të këtyre planeve, Moska vendosi të tërhiqej, ndërkohë që konflikti me amerikanët, për shkak të Kubës, tashmë në kulmin e vet, ndryshoi përfundimisht prioritetet gjeopolitike të sovjetikëve. Gjithsesi, humbja e Shqipërisë pati pasoja të rënda jo vetëm për Bashkimin Sovjetik. U dobësua në mënyrë të ndjeshme pozita strategjiko-ushtarake e gjithë kampit socialist përballë bllokut të NATO-s./Jo.Be/Fjala.al